Kulturë
Stavri Trako: Fara e tradhëtisë rrënon kombin
E marte, 23.11.2010, 10:58 PM
FARA E TRADHËTISË RRËNON KOMBIN
Nga Stavri Trako
stavri_trako@yahoo.com
Kënga “Fryn era , u çil taraba” është ndoshta një nga baladat më tragjike të artit popullor shqiptar dhe më gjërë . Ajo trajton motivin e prerjes në besë të mikut (kunatit), që në planin njerëzor është faji më i rëndë ndër shqiptarë, andaj duhet shpaguar. Ajo që merr shpagën në këtë rast është Hajria, e motra e Halilit. Shkak për një ngjarje tragjike është një farë Sulejman Pasha (sundimtar turk i Shkodrës 1700-1710). Ai nëpërmjet tradhtisë së paguar kërkon të shtypë revoltën popullore. Halili,vëllai i Hajrie, ishtë figura simbol e reziztencës. Ai, bashkë me të vëllezërit, pritet në besë nga i kunati i tyre, Bejta Silo. I ftuar nga Bejta, Halili me të vëllezërit kishin shkuar për të bujtur në shtëpinë e së motrës. Ata , që sipas zakonit i kishin dorëzuar armët të kunatit,por pak më vonë zihen në befasi nga 300 sejmenë dhe çohen në burg ku më vonë ekzekutohen. Halili, kur po e merrnin të lidhur, mallkon të motrën:
Më paç n’qafë ti mori motër
si më rrejte e m’prune në Shkodër
Ty mos t’leftë kurrë djalë në votër
Dhe motra përgjigjet:
Mos m’leftë djalë as mos m’leftë çikë
kët punë motra s’e ka ditë
mos kij ves, o vëllau i motrës
t’i pret dada qejt e Shkodrës
Një ndalesë në apogjeun më tragjik të artit popullor shqiptar:
Shkoi një javë e shkuen pesë ditë
Pren të shojnë me gjithë të bijtë
Vështirë se mund të gjesh një subjekt kaq tragjik në artin ballkanas dhe më gjerë. Cili është mesazhi i këngës? Pse është ngritur në art një subjekt i tillë kur mund të ishte mbuluar shumë më lehtë me pluhurin e harresës? Pse në këtë rast lidhja motër- vëlla është më e fuqishme se lidhja bashkëshortore dhe ndjenja mëmësore?Ç’është kjo ndjenjë dhe përgjegjësi superjore që ja drusojnë brishtësinë kësaj zonje ?
Në një vështrim të sipërfaqshëm, të krijohet ideja se këtu mbahet një qëndrim anakronik e kontradiktor për lidhjen martesore dhe është thjesht një anakronizëm kanunor, një lloj subkoshience e pa dëgjuar shqiptare.
Dihet se qytetërimi njerëzor, të paktën që nga epoka e Homerit ka vlerësuar karakteret e njerëzve në të gjithë piramidën shoqërore. Kujtojmë nga arti homerian figurën e Agamemnonit si simbol i pushtetit, Akili si luftëtari kampion gjysëm perëndi e mënuesi i dashurisë së grabitur, Nestorit si simbol i mençurisë, Odisesë ideatorit të dredhisë Pellazge për shembjen Trojës , Menelaun bashkëshorti i dhunuar prej mikut Trojan Paridit, Hektorit si mbrojtës iTrojës .Por,përnjëherësh të bihen një mend figurat femrore që plotësojnë kuadrin e epokës dhe të jetës shoqërore të këtyre figurave: -Klitemnestra thyesja e Kurorës bashkëshortore dhe vrasëse e të shoqit; Helene e Trojës misteri i bukurisë femrore , Penelopa mishërim i bashkëshortes të pa tundueshme nga joshjet jashtëmartesore . Nga arti shqiptar kujtojmë figurën e Rozafës si simbol i vetëmohimit të nënës etj.
Në baladën “Fryn era, u çil taraba” ngjarjet zhvillohen në një qytet me një kështjellë, që është në konflikt me një Pasha të huaj.Pashai kërkon të mposht rebelizmin e vendasve me tradhëti. Ngjarja natyrisht nuk është i përmasave Homeriane po shëndrohet në e tillë nga paraja. Në këtë rast ,paraja, vlen si armë joshëse e tradhëtisë, me të cilën Pashai tenton të këpusë një prej hallkave të lidhjes shoqërore të “rebelëve arnautë” atë , të krushqisë.
Paraja ve në provë karakteret dhe lidhjet mistike të këtij geni të lashtë ilirjan.Hajria është figurë e pafajshme që fare papritur vihet para një fakti shumë kompleks,të të tradhëtuarit të vëllezëve të saj nga i shoqi. Kjo është një prove e madhe që nuk të lejon asnje alternativë :çe lidh tash e mbrapa me të shoqin dhe me të birin.Halili me të vllezërit ishin në anën e revoltës kundër Pashait, Bejta Silo i shoqi , kolaboracionist që, për para,i ka dorëzuar ata te Sulejman Pasha.
Kemi të bëjmë me një llojë krejt të veçantë të konfliktit shoqëror që hap siparin e vet brenda në familje.Autenticiteti artistik këtu është i spikatur. Prerja në besë në këtë rast konsiderohet si apokaliptike, në një ngjarje e padëgjuar më parë , në këngët shqiptare thirret në skenë motra Hajrie për ta zgjidhur dhe jo pleqtë e kuvendit.Kënga kërkon mend për vendim marje nga nje femër që ka në dorë ta bijojë jetën jo ta çbëjë atë. Çfarë kërkohet të vihet në provë këtu: instikti apo ndërgjegja? Pas premjes në besë të Halilit, shtrohet pyetja a mund të vazhdojë bashkëshortësia e motrës Hajries? Një jo tragjike dhe kërcënuese thellë në shpirtin e saj e ka shëndërrua në një qënie hakmarëse Hajrien e brisht.Deri në atë çast fatal,ishte një grua e kënaqur nga jeta, dhe që kishte afeksion shpirtëror për të shoqin dhe të bijtë,por që rasti vuri në provë motrën për të vëllezërit e saj. Përjashtohet inçesti , jo se do të birin me sytë e ballit por nga përfundimi maramendës ngjarjeje: Kënga thotë:
Kur i vuna pushkën burrit
si t’i xierrkesh vllaznit burgut,
Kur i vuna thikën djalit
si t’i xjerrkësh sytë e ballit
Kënga në këtë rast do kuptuar si një ngjarje që vë në funksionim tërë mekanizmat e institucionit moralo-shoqërore që quhet: Besë. Besa do kuptuar si një spektër i gjerë vlerash shoqërore dhe qytetëruese. Ajo përfshin në vetvete:
- besën motër-vëlla si binom mbijetese për një komb
- besën e shokut ndaj shokut që është vetë jeta
- besën e miqësisë, krushqisë që është siguria e jetës
- besën bashkëshortore që sintetizon patjetësimin e njësisë qytetruese që është familja.
Sa më shumëvlerëshe të jetë besa, aq më e madhe është përgjegjësia e mbajtjes së saj. Në këngën “ Fryni era, u çil taraba” besa si institucion moral përfshihet në shprehjen e saj më të plotë. Shkelja e besës në këtë rast është tradhëti ndaj vetvetes, por edhe një farë e keqe. Një sy më i vëmendshëm do të konstatonte se në këngë është edhe një konflikt tjetër midis kodit moral autokton dhe atij të imponuar islam. Institucioni moral i besës këtu përfillet jo si vlerë arkaike, por si vlerë e bashkimit shpirtëror të kombit. Tragjedia arrin në kufijtë e Ferrit kur Hajria vret të birin. Si motiv ky është tepër i lashtë, na kujton pak Medean. Pse kjo Medea shqiptare vret edhe të birin? Figurës së djalit në familje, në mendësinë shqiptare i lihet një vend i privilegjuar. Djali është konsideruar si figura qendrore dhe shumë dimensionale e së ardhmes së një familjeje,si: udhëheqës, vendimmarrësi dhe mbrojtës.
Nëna Hajrie, do të pranonte ta mirërriste të birin, por besëpremja në figurën e të atit i pret të birit, të drejtën e vendimmarrjes dhe mbrojtjes së jetës si mashkull. Veprim i i të jatit duke prerë në besë kunetrit është fatale. Ai kish shitur jetën e kunetërve njëkohësisht edhe të dajave të fëmijës duke i privuar të birit mundësinë e sigurisë në jetë që i jep lidhja dajë-nip. Fataliteti i sjelljes së të jatit qëndron dhe në faktin tjetër, se ai bashkëpunon me një pasha të huaj kundër vullnetit të bashkëkombasve të vet.
Vlerësimi që i bëhet vullnetit të kombit lidhet edhe me faktin se besëpremja në terrenin shoqëror është fatale “si egjër” që hedh rrënjë në trungun genetik të kombit. Kalbëzimi i këtij trungu do të thotë zhdukje. Akti i zhdukjes së pjellës së vet nga nëna këtu është i përligjur artistikisht. Edhe pse Hajria ndjeu dhimbje sa humbja e syve të ballit në emër të mbijetesës së kombit, e pranon atë me stoicizëm .
Historia e shuarjes së kombeve ka ndodhur më se një herë pas asaj të Trojës. Me dhjetra popuj i janë nënshtruar trysnive të popujve të tjerë e më pastaj janë asimiluar e zhdukur. Imponimi i ligjeve të huaja nëpërmjet besimit të detyruar islam ishte më pak i dëmshëm se tradhëtia e blerë që shënon dhe cakun e apokalipsit. Institucioni juridik autotokton respektohet madje, më tëpër, nga që për shumë kohë me të i është bërë ballë të keqes historike. Me këtë subjekt mendësia artistike shqiptare kërkon të vetëmbrohet nga apokalipsi i tipit Trojan.