E merkure, 07.05.2025, 09:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Zëra dhe …

E marte, 23.11.2010, 10:58 PM


Suzana Kuqi

 

Koha që të “pëlqen” ta çosh dëm, nuk shkon dëm.

(John Lenon)

Në mos për gjë tjetër, kjo frazë më vjen për shtat kur mundohem t'i justifikoj vehtes kohën që humbas duke shkruar gjëra të tilla si:

Zëra dhe …

 

I

… aluçinazione... E kujt nuk i ka ndodhur të dëgjojë zëra... nuk e kam fjalën për ato nga... përtej... Ndërsa për aluçinacione... të them të drejtën do të kisha patur dëshirë të kisha provuar ndonjë ashtu kot sa... për sport. Ende nuk kam patur shans...

E kjo sikur nuk më shkon poshtë. Thonë se është pasqyrim i shtrembëruar i realitetit në trurin e njeriut. Eh, kjo mendja ime e shkretë nuk e di përse e përkthen realitet i pasqyruar në një tru të shtrembëruar... por të shtrembëroj trurin nuk ma mban, është shumë delikat ai i gjorë e të luan rrengje nga më të çuditshmet për hiç gjë, siç më ndodhi atë ditë...

… që mbylla padashur kolegen time në dispensën e kuzhinës ku kishim shkuar të merrnin diçka për të ngrënë në fund të turnit. Tani nuk e mbaj mend se si më kishin ardhur punët, por di se nuk kisha ngrënë drekë për mungesë kohe. Mbusha duart me fruta e disa kose e dola duke tërhequr derën e cila nuk hapet nga brenda. U ula në sallën e ngrënies dhe e mora shtruar. Më në fund po çlodhja pak muskujt e kockat e nisa të shuaja urinë. E vetme në atë ambjent të madh zhytur në një mugëtirë të këndëshme që më këndellte gjumë të ëmbël... Diku m'u bë sikur dëgjova një zë që më vinte nga larg, nga shumë larg asaj folesë sime të kënaqësisë e cila u trondit nga turbullimi që më krijohet sa herë shikoj atë portretin që ja kanë bërë dhuratë azilit krishtlindjet e kaluara dhe e kanë vënë aty, mu në sallën e ngrënies. Nuk e di ç'qëllim ka pasur fiksimi në pëlhurë i atij busti veshur me teshat e nje mbretëreshe plakë të disa shekujve të kaluar që ka fytyrën e një fëmije më shikim të shqetësuar e inatçor. Nëse ka qenë për t'u kallur frikën njerëzve e kanë arritur. Atyre syve nuk u shmangesh dot, të ndjekin e të zhbirojnë në çdo cep të sallës e të thonë : “kujtove se më ike... nuk më shpëton dot, do të ma paguash...” As vetë nuk e di se çfarë i kam bërë... Por me të marrë vesh se të gjithave u bënte këtë efekt ajo fëmijë-grua me shikim të tërbuar, nuk e vrava më mendjen. E nuk e vrava as atë moment e vazhdova të haja derisa u ngopa. Pastaj, duke injoruar çdo lloj zhurme të mundëshme ( e kam fjalën për zërin imagjinar ), mbylla sallën e u ngjita në repart e kërkova kolegen time. Mezi prisja t'i tregoja se ç'më kish ndodhur, se ç'më kish punuar truri nga uria...

Sigurisht nuk e gjeta. Dikush më tha se herën e fundit e kishin parë të zbriste me mua e nuk ish kthyer...

II

Sa për pasqyrim të shtrembëruar, nuk di ç'të them, ama për realitet të shtrembëruar... kollaj fare, shto shpejtësine... A ka dëgjuar kush për teorinë e relativitetit special të Ajnshtajnit...? Mos më pyesni ç'është se i kam mbyllur hesapet me fizikën që në kohë të maturës, ama... vdes për revista shkencore ani se nuk i marr vesh dhe aq mirë. Po ajo që lexova një ditë...

E imagjinova vehten duke udhëtuar me shpejtësine e dritës, mos më thoni që s'e dini se sa është, diçka si treqint mijë kilometra në sekondë... A e keni idenë se ç'ndodh sipas asaj që lexova? Masa e trupit tim modifikon gjeometrinë e kohë-hapesirës, bota bëhet e përthyeshme nuk ka më cepa e ajo që është më e bukur … Je duke udhëtuar e ke përpara një pejsazh të zakonshëm, një rrugë me pemë e shtëpi anash e një kamion që të paraprin... ç'farë shikon? Zakonisht shohim fundin e kamionit, pemë që zgjaten duke ju llastuar qiellit e shtëpitë buzë rrugës që i lëmë pas e na duken sikur na kalojnë anash duke na treguar faqen në drejtimin tonë e kur u afrohemi shohim balloren... Këtë e sheh çdokush për atë shpejtësi qe i lejon kodi rrugor apo makina... Ama provo të ecësh me shpejtësinë e dritës që është gjithnjë konstante dhe me e madhja që kanë matur ( edhe se kam dëgjuar se e kanë kaluar por në këtë rast thonë se nuk sheh më asgjë, se gjëja... është aq e shpejtë sa nuk ta kap syri). Ato pemë të drejta përkulen në atë farë feje sa duken sikur i bëjnë temena rrugës aq fort sa majat e tyre gati prekin vijën ndarëse të korsive të saj, shtëpive u shohim faqen anësore të përtejme e ajo që shohim nga kamioni nuk është fundi por... turiri në profil, ndërsa skena ngjyroset e gjitha në blu jeshil... Ec e më thoni pastaj se ky nuk është realitet i shtrembëruar... Mirë që nuk është i perceptueshëm ne jetën e përditëshme...

Më falni, nuk desha të merrem me fizikë, thjesht e kisha me zërat. Nuk e di se si ja bëjnë kohët e fundit, por vetëm pasi kanë bërë disa rrotullime vijnë e më qëndrojnë në veshin e kundërt me drejtimin nga nisen. Them të bëj një vizite tek mjeku, por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë... Nuk hyn deti këtu, ja futa kot, thjesht ngurroj. Sepse sa nuk është vërtetuar zyrtarisht mund ta gënjej vehten duke i thënë se nuk kam asgjë. Pastaj, e keni idenë sa kushton një specialist në privat... në këtë periudhë krize nuk të lëshon pa cen, në mos qoftë ky, do të t'a nxjerrë një patjetër.

Ja ku rashë në rrjetën e ankesave... e kjo nuk është shenjë e mirë. Eshtë ves...

III

Ajo që kisha qejf të tregoja nuk ka të bëjë fare as me cene dhe as me vese. Mora shtëpi në këtë pallat dhe ditët e para vija të pastroja. Imagjinoni një shtëpi rreth njëqint metra katrore, e gjitha bosh. Mëngjes. Pallati në qetësi, sepse këtu nuk bëhet zhurmë përditë, gjatë ditës as që e kupton se ka njerëz lart, poshtë, majtas, djathtas..., shumë shumë ndjen ndonjë aromë të gatuari aty nga dreka e darka e nganjëherë shquan ndonjë perde që lëviz. Shqyeji sytë po deshe të pikasësh njeri pas saj, kot e ke, bën be se ajo dhomë nga fantazmat. Ama, kur plas sherri në ndonjë shtëpi... merr tapa e mbyll veshët. Pasi ke dëgjuar me kërshëri sherrin e parë e ke shuar kuriozitetin, herën e dytë u mëson rradhën fjalëve e replikave, herën e tretë i di përmëndësh e je në gjëndje t'u bësh suflerin, ndërsa të katërtën... je gati të dalësh në dritare e t'u bërtasësh ta mbyllin gojën ose të ndërrojnë tekstin sepse të kanë ardhur në majë të hundës të njëjtat muhabete.

Por mëngjesin për të cilin bëhet fjalë mbretëronte heshtje e plotë e ndodhesha në majë të shkallës duke pastruar xhamat. Kur befas një zë i fortë, si një grusht kristalesh u rrukullos në dhomën time e m'u duk se tingulli i tyre ishte një e vetëm një, emri im. Më ra lecka nga duart. Vala e dytë e zërit u ngrit më e fuqishme ndaj zbrita nga shkalla, nuk mund të rrezikoja në majë të saj sepse në rritej me këtë intensitet vala e tretë do të më hidhte përtokë. Dola ngadalë e hajdutçe në ballkon, e më besoni, deri atë moment kurrë nuk e kisha ditur se vuaja nga lartësia. Rruga poshtë m'u duk larg, aq larg... dhe unë aq lart sa m'u morën mendtë e m'u përzie. Por këtu më arriti dhe vala e tretë e megjithëse e kisha parashikuar, u tremba sa u futa brenda me nxitim dhe e mbylla derën e ballkonit. Me pak fjalë dola jashtë, u futa në një bar, porosita një kafe të fortë e pas saj shkova e ndeza një qiri në kishën ngjitur shtëpisë. Kur u ktheva zëri kish pushuar. Të nesërmen po e njëjta punë, por i kisha marrë masat, kisha blerë qirinj e ndeza një për ç'do dhomë. Nja dy ditë zëri misterioz heshti e më gënjeu mëndja se kish vendosur të më linte të qetë. Por u kthyen ditën e tretë e më gjetën sërish të papërgatitur... përplasa leckën në kovë e dola aq furishëm sa desh u përplasa me një fqinjë në fund të shkallës.

- Ajo duhet të mbledhë mëndjen e të ndryshojë oraret. Nuk bëhen mësime kantoje në pikë të mëngjesit, ka njerëz që punojnë natën.

Nga drejtimi i dorës së saj kuptova edhe ku banonte zëri misterioz. U ndjeva e lehtë pupël, asnjë fantazmë e xhindosur që thërriste emrin tim...

- Mua nuk më prish punë, aspak,- i buzëqesha fqinjës e ngjita shkallët sërish. Asnjë koment, më kish lënë mëndja të ankohesha, ende nuk kisha vënë kèmbë aty e të krijoja pakënaqësi. Pastaj s'kisha dhe kohë, të nesërmen do të bënim shpërnguljen.

 

 

IV

Nata e parë kaloi në qetësi. Natën e dytë... një këngë, ca përzierje zërash... jo si këngët që jam mësuar të dëgjoj unë dhe as si ato çmenduritë që dëgjonin fëmijët e mi adoleshentë. Ishte diçka e tipit tjetër... diçka sikur buronte nga dheu e zbriste nga qielli njëkohësisht. M'u mbush mëndja se këto po, këto ishin zëra që vinin nga përtej, ashtu të ëmbël, të shtruar në një melodi... Vrisja mendjen t'u gjeja fytyrën... e të them të drejtën disa dhe i njoha, u çova e u ndeza nga një qiri për shpirt e me mënyrën time fola e u çmalla me ta. Diku sikur u çmallën dhe ato e u larguan por u kthyen prapë pas një jave, e pas një jave tjetër, shkurt një herë në javë. Asnjëherë marketi pranë shtëpisë sime nuk kish shitur aq qiri sa ato javë, “qirinj” ishte artikulli i cili hapte listën e pazarit që i bëja tim shoqi, derisa pas një muaji poshtë meje erdhi fqinja e re. Më ndaloi pas një nate të tillë poshtë pallatit.

- Më zgjoi djali mbrëmë në mes të natës. Cohu, më tha se shtëpinë e kanë sulmuar fantazmat. I thashe të flerë i qetë se fantazmat nuk ekzistojnë. Po dëgjonte ai, dridhej si purtekë. Janë mbledhur në dhomën time tha. E kishte te drejtë.

- Cfarë?! Kish...

Por ajo as që e vuri re se unë po flisja, më ndërpreu pa pikë takti (më vonë e mora vesh se të bashkëbisedosh më të do të thotë vetëm ta dëgjosh e të mos e marrësh mundimin të flasësh sepse as që e ka ndërmend të të dëgjojë... shprazet si furtuna me shiun e ikën e nganjëherë harron edhe të të përshendesë në fund), e vazhdoi:

- U çova e shkova në dhomën e tij, e ke parasysh atë që bjen nga ana e kishës që kemi pothuaj ngjitur. E aty, në atë dhomën poshtë që duket si bodrum mblidhen një herë në javë e bëjnë prova ca vullnetarë për korin e kishës. Jam nisur të shkoj e të ankohem tek prifti të mos i bëjnë në orë aq të vona. Nëse të shqetësojnë edhe ty, shkojmë bashkë.

- C'është ajo fjalë, as i kam dëgjuar, - u shpejtova të përgjigjem unë.

- Po nga ajo anë është dhoma jote e gjumit, e ke sipër...

Ke parë ti, asnjëherë nuk kish hyrë në shtëpinë time dhe dinte se ku flija... po ç'bëjnë këta njerëz vallë, nuk kanë punë tjetër veç të më përgjojnë, ku flë, si flë, a zgjohem, a shkoj në banjë... edhe këtë ma numërojnë...

- E di si është puna,- ja kthej ca thatë,- bie e lodhur e më zë gjumi top, e topat të bien...

- C'thua?! Nuk je ti që shkon në banjë gjatë natës?

- Jo, të thashë se nuk zgjohem deri në mëngjes.

- Atëhere yt shoq, fëmijët e tu?

- Asnjë, familjarisht e kemi gjumin e rëndë, ndryshe diçka do më thonin.

U largova prej saj duke e lënë me një lloj ndriçimi në sy ku përplasej dyshimi për fjalët e mia me diçka tjetër... kush vallë i bën ato zhurma të çuditëshme natën nëse nuk...” Zgjidhe”, i thashë me vehte, ndërsa me gojë i thashë “Diten e mire”. Misterin e zërave që më vinin nga përtej tashmë e kisha zgjidhur. Ma kish zgjidhur ajo.

 

 

 

V

Megjithatë, idea se një fantazmë më sillet nëpër shtëpi, nuk më është shqitur akoma. Jo se rri e vras shumë mendjen për të, thjesht më bjen ndërmend kur më digjet ndonjë poç kur shtyp çelësin për ta ndezur, kur drita ndizet e shuhet vetë, kur kërcasin kapaket e rafteve, kur përplasen dyert etjerë etjerë gjëra që po të ndaloj pak e t'i studjoj nuk dalin veçse fenomene ordinere që një njeri me pak tru e arësye të shëndoshë i zgjidh shpejt e shpejt. Por mua më pëlqen kështu, përse mos ta kem një xhanëm, timen, personale, nuk e shihni se ç'bëhet, programet e televizorit në mbrëmje janë të mbushur me filma e programe për to. Kjo e imja përgjithësisht është paqësore veçse nganjëherë më të rrallë nuk e di përse inatoset e pa më lënë kohë të gjej shkakun, ndjej ashtu, papritur e pakuptuar të më niset drejt zverkut fryma e saj e ftohtë që më mbështjell në një vorbull ajri të ngrirë e më kallkanos deri në palcë... Më mirë të mos e zë me gojë, nuk dua ta ngacmoj. Një grua më thosh një ditë se nuk duhet të kem frikë nga të vdekurit, të gjallëve duhet t'ua kem frikën, ata të bëjnë keq. Mbase ka të drejtë, por njeriu ka frikë nga e panjohura, e të keqen që mund të bëjnë të vdekurit nuk e kam provuar ende...

Më duhet të bëj një analizë mjekësore e më duhet të agjëroj tërë ditën. Më shkoi mirë, se një koleges sime për t'i bërë një kontroll me një lloj aparati... e “thanë”. Jo, nuk u shpreha drejt, fjala e saktë do të ishte e “ujëzuan”. Periza i zgjati një javë, ditën e parë i hoqën një vakt, të dytën dy, të tretën e lanë vetëm me biskota të cilat erdhën duke ja pakësuar, e ditën e fundit vetëm ujë.

“Më ishte tharë buza, bërë eshkë në mes të nates”, - m'u ankua ajo të nesërmen në mëngjes, - por organizmi im e refuzoi ujin deri në atë masë sa nuk doja ta shihja me sy e vetëm kur e mendoja më vinte për të vjellë”...

Lavdi Zotit, unë e kam veç për sot... e kam uri. E po flas përçart. Vërtet, ç'të punon truri kur të merr uria. Po kur nuk ke uri fare ose je sëmurë e nuk ke pikë oreksi? Dje po ushqeja një prift të moshuar që ka zënë shtratin. Shtrembëroi fytyrën që në lugën e parë.

“Si thoni Don...”,- për të respektuar privacy- in e tij emrin nuk po e përmend, (ndërsa “don” -in ja shtojmë para emrit në shenjë respekti ),-” nuk është e ngrënëshme”,- fjalë tjetër kjo që përdoret këtej.

U shtrembërua përsëri e pastaj më tha.

“Duhet fantazi për ta ngrënë. Prit pak sa ta përgatis”.

Ide e bukur mendova dhe qesha. Më është simpatik, ani se disa kolege nuk janë të këtij mendimi. Pat ardhur në azil mbi një karrige me rrota e nuk duhej shumë për ta kuptuar se shihte gjëra që ne nuk i shihnim. Ditën e parë më tha t'ja largoja atë akrepin që kish zënë vend në fund të dhomës. Shyqyr që e kish aluçinacion, se kujt ja ka qejfi të merret me akrepët. Cuditërisht, e mori veten shpejt, u ngrit më këmbë e megjithëse i ka kaluar të nëntëdhjetat, e kish hapin më të lehtë se të një fëmije. E i fshehu ato sjellje të çuditëshme që ne u kishim vënë emrin aluçinacione, me pak fjalë u bë normal. Normal m'u duk edhe dje tek po përgatiste stomakun me fantazi që të pranonte ushqimin duke lëvizur kokën majtas e djathtas. Diku foli por fjalët nuk ja shqova se kokën e kish të kthyer nga ana tjetër.

“Thatë gjë Don....?

Koka e bardhë u kthye nga unë e më pa me bezdi. Si ata që të thonë, “sa pa edukatë je”, nuk ndërhyhet kështu kot kur flet me...

“ Nuk po flisja me ty”.

Pra kisha të drejtë...” kur flet me të tjerë”. Sytë e tij rrotulloheshin nëpër dhomë e herë herë tundte kokën në shenjë pohimi a mohimi.

“Do të hani frutin Don...”?

Ktheu kokën një herë nga unë, pastaj në një drejtim tjetër e prapë nga unë.

“ Me mua po flet”?

“ Sigurisht... do të hani frutin?- e pyeta me mirësjellje, se nga kisha lexuar kohët e fundit se njerëzve që kane aluçinacione nuk duhet t'ua mohosh ato, duhet të bësh sikur i shikon edhe ti dhe të shmangësh temën e muhabetit. Ndaj të moshuarës që më kish pyetur në pushimin e drekës:

“ Ku shkoi ai djali që ishte para pak çastesh me mua në shtrat”?

Edhe se të them të drejtën nuk e kisha haberin se si mund të ishte ai djalë, i thashë:

“Mos u shqetëso, do të kthehet”.

E ajo më tha se kish frikë se mos humbiste sepse ishte pesë vjeç e nuk dinte rrugën. E sigurova se një pesëvjeçar i njeh mirë rrugët. U qetësua pak e pastaj më thirri sërish. Më pyeti se nëse kthehej çfarë duhej t'i thoshte.

“Të shkojë tek e ëma,- i thashë,- ai djalë e ka vendin pranë së ëmës.

Ky duhej të ishte qëndrimi ndaj njerëzve të cilëve truri ua pasqyron të shtrembëruar realitetin, kështu thosh ai artikull në internet që kisha lexuar pë kuriozitet.

Ndërsa bluaja në mëndje këtë sallatë gjërash të lexuara e të jetuara e ushqeja lugë pas luge priftin e moshuar që e mbaroi edhe frutin, ashtu mes dialogjesh të misterëshme... fjalë që nuk më drejtoheshin mua... e më bënte të përsërisja të miat duke më pyetur gjithnjë i habitur nëse i drejtohesha atij... Kokën e bardhë e mbajti pothuaj gjithë kohës kthyer nga ana e dritares. Mblodha të gjitha pjatat, lugët, gotat e mora të largohesha.

“Mirupafshim Don...!!!”- i thashë kur lashë dhomen e tij. Mbajta këmbët në korridor, nuk e kisha thirrur në emër të tij, e kisha thirrur me emrin e një prifti tjetër, të atij që tri vite të kaluara ka lënë një herë e mirë azilin së bashku me këtë botë...

Jo kjo e fundit sikur nuk qëndron... si më doli nga goja emri i tij atë mbrëmje e kokën kisha kthyer në një drejtim me atë të kokës së bardhë.... Mbase truri më ka pësuar ndonjë shtrembërim... U ktheva mbrapsht e hetova pëllëmbë për pëllëmbë dhomën. Askush, veç të moshuarit në shtrat.

Nuk kish si të kish tjetër.” Budalle,- i them vehtes,- ç'prisje të shihje ti”!? Ta pat thënë qartë:

“Shihemi pas tri ditësh Don... Kam tri ditë pushim.

“ Do të shihemi në parajsë,- kish buzëqeshur ai. Isha larguar duke pyetur vehten kushedi për të satën herë ato muaj se ku vallë e gjente forcën për të buzëqeshur, shtërnguar në morsën e dhimbjeve në të cilën tumorri i konsumonte trurin përditë. Nuk e di në shkoi në parajsë a jo, por di me siguri se një nga ato tri ditë kish ikur...

U largova me një ndjesi të këndëshme, ndjesi e paqeje dhe e të ndjerit mirë në sfondin e buzëqeshjes së fundit të priftit që në një batutë jo vetëm kish përmëndur parajsën por më kish bërë të ditur se dhe për mua kish vend atje, gjë e cila më kish bërë gjithnjë për të qeshur... Sepse... sepse kush shkoi dhe u kthye të na sigurojë... Të paktën unë nuk njoh asnjë. Ose... mbase... filli i kufirit që na ndan me parajsën e ferrin është shumë më i hollë se sa e mendojmë... fundja a nuk është qëllimi i njërës të na bëjë të ndjehemi mirë siç është i tjetrit të na bëjë të vuajmë... diku sa larg po dhe aq afër... larg në pafundësi e pamundësi... e afër fshehur në një skutë të qenies sonë ku struket shpirti...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx