E diele, 04.05.2025, 05:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Byci: Bota e vetmisë, e vuajtjes dhe e revoltës

E diele, 17.10.2010, 07:58 PM


BOTA E VETMISË,

E VUAJTJES DHE E REVOLTËS

 

E S E

 

Nga AGIM BYCI

 

Libri i fundit i Mazllum Sanejës „Leximi i vetmisë“ që përbëhet nga tri cikle poezish dhe ditari është libër që ngërthen ne vete vetminë. Vetmia si prodhim i rrethit, i familjes, i shoqërisë. Vetmia si tragjikë personale, por edhe si mbrojtje për t’u shkëputur nga përditshmëria e neveritëse, të cilën e krijojnë  hipokritët e pozitave të ndryshme politike, kulturore e letrare.

 

Në botën e vetmisë, mbërthyer në dëshpërim e plot mllef, me qëllim që të gjejë qetësinë shpirtrore, poeti preokupohet me çastet, temat e kujtimet e më të dashurve të vet. Aty poeti jeton, frymon, shkruan, vepron dhe ndihet i vetmuar. Aty qan për veten e për familjen, vajton fatin e botës. Aty këlthet e shfrehet. Pse? Sepse është i vetmuar në atdhe, është i vetmuar jashtë atdheut. Është i mërguar në atdhe, është i mërguar jashtë atdheut. Është refugjat (jo)vullnetarisht në vendlindje, është refugjat i (pa)dhunshëm jashtë shtetit. Është një skamnor që ushqehet me triska dhe pret në rend për të siguruar një shujtë ditore, është një krijesë e kapitalit letrar shqiptar, që ndonëse në moshë të thyer, ende pret një shpërblim të sinqertë nga vendi i vet që të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga vargojt e mjerimit.

 

Vetmia e tij i ka edhe dimensionet tjera si rënkimi, zhgënjimi, hidhërimi, pikëllimi, vaji....Kjo qenësi e vetmisë e bren. Brejtja e përditshme dhe e përhershme e shqetëson. Shqetësimet e vetmisë burojnë nga rrethi familjar, përkatësisht nga kujtimet e më të afërmve të vet, nga më të dashurit e tij familjarë, të cilët fatkeqësisht nuk janë më gjallë. Shpalosen kujtimet në albumin familjar. Hapen faqet dhe shfaqen prindët, babai e nëna, motrat e vëllezërit. Ata gjithnjë e përcjellin mëshirshëm e ngashëryeshëm shpirtin e tij të trandur. Mungon prania e tyre, afërsia, butësia, kujdesi. Poezitë që ua kushton të dashurve të vet shprehin dhembjen për humbjen e tyre, për mospraninë e tyre dhe kujtimin e përhershëm për ta. Me anë të fanitjeve, përfytyrimeve e kujtimeve ata shfaqen vagëllimthi dhe e përcjellin në çdo hap, janë më të në çdo vend, në çdo kohë, bisedojnë, ngashërehen, çmallen… Nuk i ndahen kurrë. I qëndrojnë si spektër i mbrojtes e përkrahjes, si engjujt e durimit e shpresës për ta shpjerë jetën deri në fund.

 

Në këto poezi flatrojnë fjalët vuajtjes e vajtimit, ankthit e trishtimit. Nëpër vargje bredh ndjenja e fajit dhe e pendesës, ndjenja e heshtjes dhe e humbjes. Aty ka lot të pashterrshëm për dashuri të tretur e të pafat, përgjërime për dashuri të vërtetë e të merituar, për pafatdalësinë e ngushtë familjare. Aty ndeshemi me psherëtima e thirravaje, net të pagjumta e mendime të përgjakura, varre e vdekje. Aty ka mall për vendlindje e përmallim për njeriun e vërtetë. Janë reflekse shpirti që poeti i krijon shpirttrazuar e zemërfishkur, trupshkokëluar e mendjekapitur.

 

Kjo është njëra anë e shqetsimeve të vetmisë. Ana tjetër është rrethi që e rrethon. Janë njerëzit e shqoëria. Psika e poetit gjen qetësi e ngushëllim vetëm në vetmi. Kur kjo del nga bota e vetmisë, pason revolta dhe konflikti me botën, nga ndeshja me botën e njerëzit, nga ballafaqimi me dukuritë e përditshmërisë të kësaj bote, që sipas tij janë negative e të padenja, të pashërueshme e të zvetënuara, dukuri të cilat shkaktohen nga injorantët e mediokrët, puthadorët e çanaklëpirësit. Kështu që, poeti, nga shkaku i pakënaqësisë, nga shkaku i zhvleftësimit dhe i nëpërkëmbjes, kur ndeshet me veprimet përqeshëse e nënçmuese, sakq botën e tij të vetmisë e kaplon vrundulli i revoltës.  Shpirti i tij trazohet, sa herë që sheh në jetë ligësi njerëzore e shoqërore, çfarëdoqofshin, letrare e artistike apo politike e sociale.

 

Kjo ndjenjë e revoltës shoqërohet herë me sharje e fyerje, e herë me veprime të krisura të furishme agresive. Mania e përcjell frymën e tij vepruese dhe krijuese. Ai sillet si Dostojevski. Trazimet e grindjet e tia reflektohen te rrethi dhe personat, të cilët nuk e kuptojnë. Grindet me çdo kend, nga se mendon se e pengon. E pengon të jetojë jetën e vet, të shprehë mendimin e vet përmes fjalës së shkruar për një person qoftë ai nga pushteti, nga kultura apo dikush tjetër. Agresiviteti tij është pasojë e vetmisë të pakënqshme, e  jetës tragjike, pasojë e një shpirti gjithnjë të pakënaqur e të revoltuar.

 

Pse ndodhin këto? Pse poeti sillet kështu?

 

Është vetëm një përgjigje: sepse nuk përfillet në vendin e vet, sepse nuk vlerësohen veprat e tia, sepse nënçmohet …sepse askujt nuk i intereson të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të tij të jetesës.

 

I nënçmuar nga rrethi, i përbuzur, emocione këto të përditshme të poetit, shkaktojnë konfliktin me rrethin dhe botën që ka përpara. Revolta shpërthen herë me bazë e herë pa bazë, herë nga mendja e herë nga shpirti. Dhe kjo kryengritje ndaj rrethit e njerëzve, bile edhe ndaj personave të dashur e zbeh raportin e tij me ta, i tendos situatat, dhe poetin e shpie kah izolimi që prodhon vetëm vetmi, e nga vetmia lind dhembja, vuajtja, ankthi. Dhembjet e vuajtjet e përhershme, shpesh të pashërueshme. Dhembjet për vetveten, për të afërmit e vet më të dashur, për shokët e miqët e letërsisë e artit.

 

Në shumë poezi janë të pranishme rënjimet e psherëtimat, ofshamat e këlthitjet. Këto e kanë gjenezën edhe në poezitë e mëparshme që i ka shkruar poeti në dekadat e jetës së vet. Gulçimat bëhen dita ditës më të ankthshme e më të pashërueshme, ngase janë pjellë e botës në të cilën jeton, burojnë nga vetë gjendja tij ekzistenciale. Është i pandihmë, i pashpresë dhe i lënë nën mëshirën e një shoqërie ndaj të cilës e ka humbur besimin.

 

Poezitë janë copa mozaiku nga jeta e vuajtur e poetit,  jeta që nuk ka një vend të sigurtë e të caktuar si në atdhe, ashtu edhe jashtë atdheut. Pasiguri jetese në tëra anët. Andaj edhe dhembja tij bëhet e përgjitshme, e përbotshme dhe nuk i takon vetëm atij dhe vendit të vet.

 

Kjo është rruga e veçantë e Mazllum Sanejës në hulumtimin e të vërtetës të vetmisë, dhembjës e ankthit, të cilat frymojnë në botëndijimin e tij artistik.

 

Vetmia e vuajtja, pakënaqësia e mllefi, kryengritja e revolta e poetit reflektohen në ditar me të vetmen shpresë për një botë më të mirë. Dhe librin, përkatësisht ditarin, me letërkëmbimet e monologjet, me bisedat e kujtimet, me idetë dhe fjalët shpresëdhënëse, mëshirëplote e dashamirëse të shokëve dhe të njerëzve të mëdhenj të artit e letërsisë, jo rastësisht e përfundon me fjalët “shkruaj për një botë më të mirë, më të bukur e më të lumtur, sepse çdo vepër ndikon në ndryshimin e botës”.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx