Kulturë
Cikël poetik nga Kozeta Zavalani
E shtune, 16.10.2010, 07:27 PM
Kozeta Zavalani (Qirjo) lindi në Korçë në 8 mars 1958. U diplomua në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës më 1982 dhe në vitin 1985 është specializuar për gazetari. Eshtë nënë e dy djemve, Mendit e Mikelit dhe bashkëshorte e mjekut Gjergj Zavalani. Ka punuar në Televizionin Shqiptar e tani është kryeredaktore e revistës “Stina për ndryshim” organ i Shoqatës “Familja dhe Media – Fuqia për Ndryshim” që drejton. Është zgjedhur ”Ambasadore për Paqen” nga Federata e Familjes për Paqen Universale, ndërsa "Connect Us Communications Canada" në edicionin e vitit 2007 ka shpallur Kozetën një ndër gratë e vitit 2007 (Woman of the World – 2007). Eshtë anëtare e World Poets Society (W.P.S.), Union of Poets & Writers dhe Poetëve për të Drejtat e Njeriut. Në 2009 është nderuar me Çmimin e Dytë në Takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri dhe Çmimin e Parë për cikël me poezi nga Redaksia NOSITI. Ka qenë bashkautore në 1976 në librin me poezi “Këngët e para” dhe në 1978 në vëllimet me tregime 2-4-6 “Heronj të heshtur”. Ka botuar nga 1997-2002 gazetën periodike të SHGPA-së “Edhe menaxhere”. Në vitet 2000 – 2002 vëllimet 1 e 2 të librit “Gra që më kanë frymëzuar” dhe në anglisht “Women who have inspired me”. Në 2005 botoi vëllimin ”Halfworld”, në 2007 vëllimin ”Gjysmëbota” dhe Buletinin “Të Drejtat e Njeriut” botim i QSHDNJ. Në 2010 -vëllimi poetik “Shtegtare”.
Në këtë mëngjes të bardhë
Mbi vazon time kristal
thyhet drita.
Qielli mbulohet nga drita verbuese.
Kristalet e shpirtit thërrmohen,
bërtasin e ulërijnë,
duke goditur me forcë
muret e tejdukshme të heshtjes.
Retë ndalin hapin
mbi frymëmarrjen e diellit.
Lotët e zogjve vesojnë ndër degë
e mbushen me gjethe pranvere.
Në dhomën time heshtja është ulur në fron.
Përpëlitem në shtrat e ngrihem;
Grimca fjalësh mbledh
nën avuj trëndafili.
Eci udhëve të vargut,
ku vërshojnë kujtimet,
që zmadhojnë fushën e gjelbër
brenda syve të mi.
Në këtë mëngjes të bardhë,
që prej shpirtit mërguar ka ardh’,
miqtë e mi,
me ju bisedoj:
Mirësi e paqe kësaj toke i uroj!
Pranverat e mia
Mëngjeset e mia,
si ujëvara të kristalta
rridhni pambarim
thellë shpirtit tim:
Ndaluni e çlodhni pak sythat
mbi degët e gjelbra të këtyre vargjeve!
Mes zogjsh të bukur, krahëshkruar
që në zemër kanë folenë
Ëndrrën çukitin të gëzuar,
pemën e jetës tek e ngrenë.
Mëngjeseve me vesë,
bashkë me cicërimat e zogjve
çelën mimozat e para
e sythat e pranverës.
Kur çelën filizat, thonë,
stina pati furtunë.
Ishte 8 mars
kur çela edhe unë...
Luledelet e vendlindjes
Luledelet më mungojnë, e di.
Dua ta dini edhe ju,
miqtë e mi!
Brodha e brodha e pagjumë,
shumë u lodha
në parajsën e perëndimit magjik;
Evropë e Amerikë.
Të gjeja një gjerdan perlash
për të më veshur me lavdi…
Luledelet më mungojnë, e di
Por ç’kërkova kaq larg, tej në oqeane
kur zemra ime nuk gjeti qetësi?!
Luledelet më mungojnë, e di!
Harlisur kodrave të Moravës
luledelet-çelësi,
për të hapur zemrën e kyçur
kraharorit tim.
Luledelet-hoje, ngjyra,
ku rri fshehur gjithë natyra.
Ndaj mos më shkoni larg:
Luledelet e vendlindjes,
do ti lidh kordele në varg.
Pranverë, ti mos vdis!
Me luledelet e vendlindjes
gjithë botën dua ta stolis.
Udhërrëfyesja ime
Nga eteri zëri yt ende vibron.
Thyen kafazin e heshtjes e më vjen pranë,
me shpirtin që veç qetëson
dhe eshtrat e frikës gozhdon.
Vdekja jote më shpon,
qelizave deri thellë
e shpirtin më lëndon.
Rrëketë e pikëllimit nuk rreshtin,
në detin e dhimbjes sosin,
luginat e shpirtit duke gërryer...
Buzëqeshja jote,
me butësinë e mëndafshit
më rrethon.
Si sfinks përjetësie
shpresën më zgjon.
Shpirti yt rreze ndritur,
si qerpik mbi hënë,
qiellit të natës më afrohet,
më ndriçon
e diç më thotë...
Ti, e shtrenjta nënë
mbetesh
Udhërrëfyesja ime,
përgjithmonë.
Më lini, ju lutem
Çarçafi i bardhë tërhiqet nga zgjimi.
Hap sytë dhe kërkoj veten,
larg ëndrrës, afër saj.
Kërkoj të meditoj çfarë kam pirë
nga gota e moshës.
Ç’ka mbetur në të;
Ujë pa ngjyrë apo..ujë deti.
Më lini pak vetëm, pak pas zgjimit
T’i flas vetes si shoqe
T’i flas vetes si nënë
edhe si grua…
Pastaj çarçafi të fluturojë
dhe të bien petale bajamesh mbi shtrat.
Kur më del gjumi dua veten
ta shaj edhe qortoj
apo ta përgëzoj.
Më lini, ju lutem!
Gllënjka e Karaibeve
E piva edhe gllënjkën e fundit
nga gjinjtë e Karaibeve,
sikur t’u jepja puthjen e fundit.
Gjethet shumëngjyrëshe,
ndryshuan ngjyrë,
për të më mbuluar
në fshehtësinë e tyre.
Habitshëm folën zogjtë kureshtarë:
Mos ka shkalluar kjo valle?!
Por unë s’bëj asnjë prapësi.
Veç me natyrën
luaj e dashurohem;
herë me erën, herë me retë,
herë me rrezet e diellit të nxehtë.
E në këtë lojë aspak të fshehtë,
palmat kureshtare më ndjekin me sy.
U them:
Mos më keni zili!
Unë do të iki përsëri.
Ju i keni të gjitha mrekullitë.
Më lini t’i shijoj, të paktën dhe një ditë!
Eh, Karaibet,
një ëndërr e rrallë.
Pranvera më zgjoi në një përrallë....
Shtegtare
Në rrënjë shkëmbi gjeta lulen
Krip’ dhe diell rritur bashkë.
Dot nuk munda ta këpus,
dhimbshëm veç e preka pak.
Dal nga dallga magjiplote
Përball jetës s’jam asgjë.
Jam a s’jam një shtegtare
Kam dhe unë diçka për të.
Përhap ngjyrat dhe rris lulen,
Ndrin si gjemb, rritur nga dallga.
Shkëmbit s’mund t’ia hiqja erën,
Veçse një zë gonxhe hapa.
Shtegëtoj mes ngjyra petalesh.
Jam si era dhe si shpirti.
Dal nga dallga, si krahë mjelmash,
marr ngjyrë allen e perëndimit.