E diele, 04.05.2025, 11:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Arian Galdini: Përse besoj tek e nesërmja

E shtune, 16.10.2010, 02:30 PM


Përse besoj tek e nesërmja

 

Nga Arian Galdini

 

?Duke qenë se jemi ende në vitin e 100 të lindjes së Nënë Terezës, ndërsa pyes veten përse unë besoj tek e nesërmja më kujtohet mençuria e kësaj gruaje të madhe në fjalët e saj të thëna thjesht por goditshëm: ‘E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le t’ia fillojmë sot’. Pikërisht te këto fjalë unë gjej fillin e përgjigjeve për pyetjen time: Përse unë besoj tek e nesërmja? Fillin tim e pikëtakoj sot, dhe ‘sot’ unë i them vetes sime se unë nuk kam, se ne nuk kemi nevojë për fjalë e përbetime, përdëllime e ankimime, sot unë, sot ne duhet të vendosim. E për t’ia nisur mbarë ne sot do të na volitet t’i hedhim hapat me një qasje të re me shtysë e qëllim që jo vetëm ta nderojmë Nënë Terezën, sikundër mirësisht u bë nga shteti, politika, institucionet fetare, grupet sociale, civile apo akademike shqiptare, me fjalë e fjalime, me përkujtimore, përshpirtje, lutje, koncerte, e memoriale, por ta nderojmë vërtetësisht dhe sinqerisht në plotësi dhe me përunjësi duke ndjekur dhe përbrendësuar shembullin e saj. Pikërisht këtu te nevoja madhore për përbrendësimin e modelit të Nënë Terezës fillon edhe ngasja për sfidën dhe betejën më të bukur e më të vështirë me të cilën mund të ballafaqohet individi, qytetari shqiptar i kohëve tona që ne vetë shpeshherë i konsiderojmë si kohë të marrëzisë. Kjo sfidë është as më shumë e as më pak, por sfida për të përsosur vetveten. Kjo sfidë assesi nuk mundet t’u kërkojë llogari të tjerëve, pretendojë nga të tjerët, presë nga të tjerët etj., etj. Kjo sfidë është mirëfilli një ekzaminim dhe ushtrim i drejtpërdrejtë i kapaciteteve për të ujdisur punët vetëm dhe vetëm me vetveten. Askush nuk na ndihmon dot në këtë sfidë, askush nuk na dëmton dot në këtë sfidë, përveç vetes sonë. E të mendosh se udha nëpër të cilën kalon kjo sfidë është një paradoks i stërmadh i kohës dhe ambientit ku jetojmë. Vini re paradoksin nëpër të cilin të gjithë ne jemi të detyruar e përcaktuar të kalojmë e durojmë, qofshim me veshë e sy të mbyllur apo të hapur, qofshim me mendje të mbyllura apo të hapura, të bindur apo të pabindur, me dinjitet apo pa dinjitet, me zemra kurajoze apo me zemra të trembura dhe frikacake. Paradoksi është i dukshëm deri në dhimbje, i prekshëm deri në tronditje, ulëritës deri në gufosje, arrogant e shpërfillës deri në asgjësim të ndërgjegjes qytetare. Vini re paradoksin: Të gjithë thonë se në ditët e sotme, në këto ditë të territ dhe keqnajës sistemike, në këtë mënyrë sesi funksionon sistemi këtu në vendin tonë të shtrenjtë, të jesh mashtrues është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e gati-gati natyrshmëri. Të jesh i korruptuar, hajdut, i babëzitur e batakçi është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të jesh servil, i bindur, kokulur, është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të thurësh lavde, e bësh hosanara për "Udhëheqësitë" dhe Shefat që të shpërblejnë e japin bukën e gojës apo karrierën e padrejtë dhe të mallkosh, mohosh, përbaltësh, fyesh e shash të gjithë të tjerët që janë jashtë rrethit tënd të interesit apo edhe thjesht pse janë të ndryshëm nga ty apo të kundërt me ty është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të jesh mediokër, i paaftë, i mbushur me xhelozi dhe zili sociale për të tjerët që rrezatojnë e shkëlqejnë nga talenti, kreativiteti, virtytet dhe mirësia, është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të jesh mohues i palodhur, përbaltës, shpifës, biçakues i passhpinës, të tradhtosh, shesësh miqtë, t’ia fusësh kujt të mundësh për përfitim personal apo në grup, të skemosh, është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të jesh me vese, imoral dhe amoral, para-dashës, pushtet-dashës, famë-dashës me çdo kusht dhe çmim, është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Të jesh pa integritet, pa dinjitet, pa fytyrë, pa emër, pa numër (no face, no name, no number), të jesh firmëtar i bindur, është e domosdoshme, d.m.th e lehtë e natyrshmëri. Ja kështu pra, mund të vazhdojmë gjatë e më gjatë me zbulesën e këtij paradoksi që në Shqipërinë e këtyre 20 viteve është shndërruar dalëngadalë në mënyrë e stil jetese. Ndaj edhe them se në ditët e sotme kur në vendin tonë ka pllakosur kaq fort zezona, shthurja morale, shpërbërja e dinjitetit, grabitja e pronës së shtetit dhe tjetrit, gardhëzimi i lirisë, trajtimi i shtetit si plaçkë lufte që ndahet për të shpërblyer 'të babëziturit' dhe 'barbarët' që luftuan apo bënë numrat për fitoren, sfida e vërtetë, sfida kthjelltësisht dhe këmbëngultësisht personale është që të jesh kundër rrymës. Sot në Shqipëri, të jesh dalëzots/e është shumë e vështirë, madje në kufijtë e të pamundurës, d.m.th je kundër rrymës. Të jesh i virtytshëm dhe të përballesh plot kurajë e urtësi me vesin kudo që e sheh, është kundër rrymës. Të jesh i moralshëm është kundër rrymës. Të flasësh me vërtetësi, drejtësi, kurajë, mençuri e urtësi kur të gjithë kanë frikë të flasin, është kundër rrymës. Të jesh i mbushur me mirënjohje e të shprehësh pareshtur mirënjohje, në një kohë kur të gjithë e kanë shkulur me gjithë rrënjë pemën e mirënjohjes nga shpirti e mendja e tyre, është kundër rrymës. Të mos pranosh padrejtësitë dhe paudhësitë e shefave dhe udhëheqësive arbitrare dhe abuzive, është kundër rrymës. Të bësh gjimnastikë të përditshme mendore dhe shpirtërore duke i thënë vetes çdo ditë pa pushim: Unë jam, unë mundem; unë jam dalëzots/e; unë nuk vjedh, unë nuk mashtroj, unë nuk skemoj; unë i dua shqiptarët, unë e dua Shqipërinë, unë e dua Perëndimin,  është kundër rrymës. Të ndërtosh moral personal, të ndërtosh vlerë publike nëpërmjet talentit, zotësisë, dijeve, përvojës, karakterit, dinjitetit dhe virtytit tënd, nëpërmjet angazhimit, pjesëmarrjes, fjalëve, aktivizmit dhe përfshirjes tënde është kundër rrymës. Të ngjitesh lart, të arrish suksesin, të bësh karrierë të drejtë dhe të merituar, të realizohesh, duke ndihmuar, lartësuar, vlerësuar, mbështetur dhe ngritur të tjerët, është kundër rrymës. Të flasësh fjalë pozitive, të falësh pa u lodhur e pa pushim ata që të lëndojnë e të bëjnë keq, të flasësh me dashuri dhe mirësi, të mendosh pozitivisht, të shpërndash paqe brenda vetes tënde dhe rreth e qark vetes kudo që jeton, ecën, rri e punon, është kundër rrymës. Të kesh mendje dhe zemër ndërtimtare, ofruese, komunitare, të duash dhe respektosh të tjerët, këdo, të afërmit, të ndryshmit, të kundërtit, madje edhe armiqtë, është kundër rrymës. Të mbrosh plot energji dhe pareshtur lirinë tënde, të drejtat e tua, hapësirat dhe pronën tënde, identitetin, integritetin dhe dinjitetin tënd personal, por edhe të të tjerëve, është kundër rrymës. Të jesh mbi të gjitha i ngritur në lartësitë ku të ngre veç përunjësia dhe modestia, është kundër rrymës. Kjo pra është edhe sfida jonë krejtësisht personale që nëse merr jetë dhe ngrihet në këmbë, i ka të gjitha shanset të përballet e ngadhënjejë mbi çfarëdolloj paradoksi të së sotmes sado i madh, i palëvizshëm dhe i paprekshëm të duket ai. Sikurse thotë Nënë Tereza: ‘.... E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le t’ia fillojmë sot’. A mundemi ne t’ia fillojmë sot që të jemi kundër rrymës? A mundemi ne t’i bëjmë virtytin, talentin, zotësinë, dijen, moralitetin, aftësinë, dinjitetin, integritetin, si kërkesa të kohës? A mundemi t’i bëjmë këto kualitete trendy, prirje për breznitë e të rinjve dhe të kohëve që po vijnë? A mundemi t’i sjellim këto kualitete në modë? E sigurt është që të gjitha janë kualitete kundër-rrymës, d.m.th i kanë të gjitha shanset që vetvetiu të jenë trendy dhe në modë. Lum kush ka kurajë të jetë kundër rrymës. E këtu sfida është për të gjithë ata që janë apo ndihen të rinj në moshë, të rinj në shpirt, të rinj në mendje, e kësisoj që kanë forca, energji, kurajë, mundësi dhe dëshirë për të qenë kundër rrymës e për të sjellë në Shqipëri këtë modë të re, këtë prirje të re. Unë dhe miqtë e mi e kemi ndarë mendjen të jemi kundër-rrymës. Unë dhe miqtë e mi besojmë tek e nesërmja, sepse jemi të vendosur të punojmë për të. Unë dhe miqtë e mi nuk jemi as më shumë e as më pak përveçse disa njerëz të thjeshtë, të kthjellët dhe të vendosur për të ofruar vetvetet tona në betejën e madhe për transformim, europianizim dhe perëndimizim të Shqipërisë. Unë dhe miqtë e mi jemi thjeshtësisht njerëz në gatishmëri të shoqërisë. Ne kemi vetëm vullnetin, vendosmërinë dhe qartësinë për të sfiduar vetëvetet tona për t’u përsosur çdo ditë. Ne nuk jemi më të mirët. Ne nuk pretendojmë e as synojmë si qëllim në vetvete të jemi më të mirët. Ne nuk jemi të veçantë apo ku di unë çfarë. Jemi thjesht njerëz që kanë gjetur arsyet, ndriçimin dhe çlirimin për kurajë për të bashkudhëtuar me njëri-tjetrin, për t’u vënë në gatishmëri të shoqërisë dhe vendit tonë, e për të punuar e luftuar fort që në Shqipëri të vijë një modë e re, një kohë e re, një prirje e re. Ne jemi kundër rrymës. Dhe a e dini pse unë besoj tek e nesërmja, pse ne besojmë tek e nesërmja? Sepse ne dimë të buzëqeshim, ne dimë të argëtohemi, ne dimë ta jetojmë jetën, ne kërkojmë më të mirën për jetën tonë. Ne duam të buzëqeshim, duam të argëtohemi, duam ta jetojmë jetën plot ngjyra e larushi. Ne dimë e duam plot buzëqeshje të themi: Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet, je Mbret!!! Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet, je Pasha!!! Të jesh me virtyte, dije, talente, zotësi, mençuri, moralitet dhe me dinjitet, është edhe moda. Si përfundim, ka vetëm dy pyetje që gjithsecili prej nesh volitet t’i bëjë vetes: Nëse jo unë, atëherë, kush? Nëse jo tani, atëherë, kur? Përgjigjja që unë i kam dhënë vetvetes, përgjigjja që miqtë e mi dalëzotsa i kanë dhënë vetveves është: Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi. Koha është tani!!!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx