Kulturë
Dy poezi nga Vullnet Mato
E premte, 15.10.2010, 08:13 PM
Vullnet Mato
MONOLOGU I NJERIUT TË LETRAVE
Me letra sikur të mbuloj edhe detin,
nuk pres të më shtohet dikur pasuria,
por jam pronar i ligjshëm i talentit,
që më ka dhuruar bujarisht perëndia.
Frymëzimi më rrëmben të gjitha ditët,
dhe më mban nga dielli disi të larguar,
por kam një diell tjetër më të ndritshëm,
pasionin e përhershëm për të shkruar.
Nga këndi i heshtur ku kam tryezën,
vërtit një galaktikë të tërë fantastike,
por kam edhe dy ufo të largët vëllezër,
që më ndihmojnë me energji kozmike.
Duket sikur po hedh verbërisht hapa
nëpër shtigjet e errët të imagjinatës,
por kësisoj jam duke montuar llamba,
për të ndriçuar edhe sytë e zinj të natës.
Shpesh mbetem i veçuar nga shoqëria,
dhe bëj monologun deklamues me veten,
por te miqtë e shumtë të letrave të mia,
kam edhe polin e akullt të eskimezëve.
Argëtimet thonë se më mban në burg
biruca e trurit, që të zbulohen krijimet,
por dollinë e shëndetit ma ngre me fund,
kushdo që pi gotat e artit te shkrimet.
Ndoshta s’kam vëmendje të përpikta,
kur shkoj ndanë rrugëve i menduar,
por jam duke folur shpesh me librat,
që më japin emër nderi të respektuar.
Logjikës së cekët të ndonjë politikani,
mund t’i dukem kritik tepër i rreptë,
por jam kurdoherë gati të fitoj debatin
me secilin nga të mandatuarit deputet.
Duke marrë nga gjumi disa orë hua,
mbase nxitoj të shkoj te fundi i jetës,
por farëzat që mbjell pena kur shkruaj
më blerojnë lastarë edhe pas vdekjes.
Vërtetë s’kam sa duhet kohë e kurajë,
për të joshur sytë e lakmuar të bukurisë,
por më shfleton te shtrati i ëmbël i saj,
edhe ajo që nesër mund të shpallet miss.
EZMERJA ËMBËLOSHE
Një ezmere ëmbëloshe,
shtatëmbëdhjetëvjeçare,
hyri te shpella ime
me gjakun prush të përvëluar,
kur ishim në prillin e ndezjes
së zjarreve moshatare
dhe u ngrohëm përkohësisht
në zjarrin e ndaluar.
Pastaj ajo iku
të gjente shpellën e përhershme,
te një tjetër zjarrndezës
që i duhej për jetën.
E përcolla me përqafimin ndarës
të një mikeshe,
duke kujtuar shpesh
zjarrin bubulak që ndezëm.
Tani e takoj të thinjur
me mjaft nderim e respekt,
që më shkriu akullin e gjakut
në acarin e kaluar,
kur Zeusi dënonte
zjarrndezjen pa dokument
të firmosur në regjistrat e zjarreve
me hi mbuluar.
Shtrëngojmë vetëm duart,
ku na fle thëngjilli i hershëm,
si pasardhës të Prometeut
që zjarrin do ndezim sërish,
kur të na rinojë Zoti,
që dëshiron dhe në botën tjetër
të ngrohemi pranë zjarrit
të madh të dashurisë.