Kulturë
Isa Mulaj: Fjalori i Pejës dhe Istogut
E marte, 12.10.2010, 09:59 PM

Nga Isa Mulaj
Hyrje
Termat të cilët do t’i lexoni në “Fjalorin e Pejës dhe Istogut” dhe përkufizimet e tyre janë më tepër të karakterit zbavitës, ndonëse hasen shumë shpesh në realitet. Ata përdoren shumë në gjuhën e folur, disa janë humoristik, me prejardhje nga gjuhët tjera (barbarizma), terma të vjetër (arkaizma), madje disa duken edhe si racist. Sidoqoftë, të gjithë janë pjesë e kulturës dhe gjuhës, me një fjalë janë pasuri që nuk bënë të injorohen, dhe meritojnë hulumtim të mëtejmë.
Për studim standard të terminologjisë në gjuhën shqipe, me theks të veçantë në lëmin e ekonomisë, mund të shikoni një përmbledhje në këtë adresë: http://www.zemrashqiptare.net/article/Speciale/7337/, me titullin: S’ka zhvillim të qëndrueshëm pa standardizimin e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe”, i cili është pjesë e punimit me titull: “Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe: gjendja, problemet, detyrat.” Punimi mund të kërkohet i plotë (i ka diçka mbi 10 faqe) nga autori për botim në ndonjë revistë përkatëse në shqip. Përmbledhjen e ka edhe në anglisht.
Vërejtje:
Situatat humoristike janë përdorur në shembujt e përkufizimeve me qëllim që lexuesi ta kuptoj termin më lehtë dhe më mirë. Shembujt janë përdorur si vërtetim i përkufizimeve. Këtë e kam bërë për shkak të vështirësive që po hasi tani në kuptimin e disa fjalëve të huaja në gjuhën e folur shqipe. Për shembull, shpesh po e dëgjoj në shqip fjalën gjermane "Baushtellë". Shembuj: "Punoj në baushtellë. Me pas punu t'i n'baushtellë ma mirë ish kanë se rroga ma e madhe", etj. E pyesja një kushëri që e dinte mirë gjermanishten se çka është kjo “baushtella”; far shanku i kafiqave, terminal i aeroportit, a çka? Thoshte jo, jo. “Baushtella asht ven i rrethum me do drrasa ose plloça t’mdha t’hekurit a t’betonit, e aty mrena tyne punojnë puntort me armaturë, skele, krana, beton, blloka, çekiça.” E kulma a punojnë, e pyesja unë? “Jo kulma ma rrallë.” Ani çka asht “baushtella” pra, e pyesja me nervozë? “Po a t’kallxova niher?”
Kur shkuam në Pejë, kaluam pranë një ndërtese në ndërtim dhe vendi ishte rrethuar me pengesa nga rruga, atëherë po më tregon: “Qe, qikjo çka po bajnë puntort qaty mrena asht baushtellë.” Kur shkuam në Pejë, kaluam pranë një ndërtese në ndërtim dhe vendi ishte rrethuar pengesa nga rruga, atëherë po më tregon: “Qe, qikjo çka po bajnë puntort qaty mrena asht baushtellë”. E ki fjalën për ndërtimtari, i thash unë? “E s’di, veç kon te nijsh pej shqiptarëve n’Kosovë që janë n’Gjermani t’u thanë punoj n’baushtellë, tash pe din çka.”
**********************************************************************
Badifoke = kuletë; lloj çante xhepi e lëkurës për bartjen e parave të letrës, sidomos “napolanave” (nga frëngjishtja “napoleon” – monedhë ari në vlerë prej 20 frangave) dhe aty-këtu edhe të “metelikëve” (monedhë turke me vlerë prej 10 qindarkave).
Në Istog “badifokes” i thonë edhe “qese”, ndërsa “qeses” (nga najloni, letra, pëlhura) i thonë “kese”. “Qese” përdorej edhe si njësi monetare. Mos po u duket kjo diçka e ngatërruar? Jo, jo. Ja si e kuptojmë shumë qartë dallimin për termin e njëjtë me domethënie të ndryshme kur marrim shembuj nga praktika:
Shembull 1: “Kqyr mirë mos e kam harru qesen n’xhep t’qasaj setre që po do me e la.”
Shembull 2: “Deshta me i marrë 8 thasë somborka (lloj speci) për turrshi po m’i la 1 000 qese (do të thotë: 1 000 dinarë të ish-Jugosllavisë – a u kujtohet ajo kartëmonedha me ngjyrë të përhirtë 1 000 dinarë?) e m’u dok shtrejt, kshtu që e mora niher veç ni thes për 100 qese (a u kujtohen 100 dinarë jugosllav me kali t’kuq, në gjuhën popullore të njohura edhe si “dhet mi (10 000) dinarë?). “Qese” është zhdukur nga përdorimi prej futjes së Euros si valutë e huaj (sikurse edhe Dinari) si njësi monetare në Pejë dhe Istog, por mbahet si emërtim për “kuletën.”
Shembull 3: “Po t’i daj birrat n’dy kese se nja tutna s’t’i man tana? - Jo a din çka bon?; shtini krejt niher me ni ven, e tani kit kesen e shtin me ni kese tjetër; e man sa t’dush. – Ani, qashtu po ja bojm; edhe dej t’shkojsh te shpija qysh je ti pijan i pin nja dy, e e leton pak për me kanë ma i sigurt.”
Banja e Pejës = emërtim i një qyteze të vogël në emër të Pejës që i përket komunës së Istogut.
Barabë = emër që rrjedh nga gjuha çifute “Barabba”, i burgosuri më i famshëm në provincën romake të Judesë që kishte nxitur kryengritje kundër pushtetit romak dhe ishte akuzuar për vrasje. Sipas Biblës (Luka 23:18), “Por e gjithë turma thërriste: Vrite këtë (Jezu Krishtin) dhe na liro Barabën.”
Ky emër në gjuhën shqipe i atribuohet personit që i ka flokët pak të gjata dhe si të shprishura, është pak i pa rruar në fytyrë, vishet me rroba të shtofit dhe madhësisë pak më të gjëra se që i përshtaten në trup, është çakallë prej goje (flet shumë) dhe pak i pa sjellshëm, por është humorist. P.sh. barabë mund të jetë ai far Casey (që po e quajnë dhëndrri i Kosovës, një amerikan që flet shqip), ai Fatosi që luan në komedinë Kafeneja e Jonë (në RTK), etj.
Bêka = emri i deles se si e quajnë fëmijët. Ka rrjedhur nga zëri i deles (blegërima) beeeee – kjo është Bêka.
Borokë = i ka dy kuptime: 1) lëvore e pishës e mbushur me rrëshirë; dhe 2) gjysma e kungullit e cila ka mbetur e zbrazët (vetëm si lëvore) pasi t’i jetë marr pjesa që nevojitet për kungullor (lloj i pites me kunguj).
Shembull: “Valla sen s’mora vesh. E ku me marr vesh ti qe e ki ata kry borokë; sen s’ki n’ta!”
Cakum-pak = përputhje mekanike e përpiktë ndërmjet dy gjërave, sendeve, ose objekteve pa lënë lluft ndërmjet tyre. Shembull: “A e pave kur e shtina vitrinën nërmjet ormanëve qysh i erdh cakum-pak!”
Cofile = ngritje manuale komplet e peshës së ndonjë sendi, objekti, njeriu dhe zhvendosja e tij në një vend tjetër. Shembull: “Kape cofile ormanin e mos e ngreh ashtu zhag se pe çkyn tepihun.”
Çakar= syri i personit i cili është pak në gjendje jo të balancuar apo ka pak devijim standard nga syri normal. Shembull: “Ta hangsha synin çakar!”
Çagjë = blozë; lloj hiri që krijohet nga materialet që digjen (p.sh. dru ose thëngill) dhe që vishet në gypat e shporetit, stufës, oxhaqeve të shtëpijave dhe fabrikave. (ang. Blackburn, qytet dhe ekip i futbollit në Angli).
Çapin = identifikohet me ngjyrën e gjelbër të cilës në Pejë dhe Istog i thonë “e verdhë”, duke aluduar në ngjyrën e hardhucës së gjelbër (Latinisht: Lacerta Viridis), të cilës i thonë “Zhapin.” Shembull: “Me pa qysh ish ba livadhi mas qeti shiu që ra; verdh si çapini.” Pra, nuk thuhet “verdh si zhapini”, por “verdh si çapini.”
Çpurdhit, i/e = qenie, sidomos njerëzore, e shkathtë dhe me aftësi manovruese të lartë, me së shpeshti në situatat kur zihet pick në diçka dhe ia del mbanë ose gjen zgjidhje.
Çubardhake me sy t’verdhë = bionde (me flokë të verdha) dhe sy të kaltër. Fjala bionde ose biondinë nuk është shqip (rrjedh nga fjala italiane biondina). ‘Qytetarët’ e Prishtinës e përdorin fjalën serbe pllavushë. Çubardhake është e vetmja fjalë adekuate në shqip. Janë shumë të popullarizuara në Pejë dhe Istog (për shkak të mungesës së tyre në atë rajon) duke i përfshirë edhe ato me flokë të ngjyrosura në të verdhë, por vetëm nëse i kanë sytë e kaltër me qerpikë të mëdhenj dhe të shminkatur/grimosur.
Emërtimet e ndryshme kanë rrjedhur varësisht nga pushtuesit; nga italishtja gjatë Luftës së Dytë Botërore ka rrjedhë biondina (Dukagjini ka qenë i pushtuar nga Italianët); gjatë Socializmit Vetqeverisës pllavusha, nën administrimin e UNMIK-ut kullerka.
Dajmi da = vazhdimisht, pandërprerë. Përdoret edhe si “hon-e-don”.
Dapyll = mashkull i gjatë me shtat dhe në gjendje të mirë fizike. Shembull: “Merre more këtë far dapylli ta çkarkon mallin? – Kon? Isën a? O me shku me Isën si me shku me ni gru!”
Dardha Pejane = lloj i dardhave të shijshme. Janë më shumë prezente në Istog sesa në Pejë. Dikush u thotë “dardha turke”, kurse në Istog si “dardha bugarke”.
Duduk = pipëz me rabush të bishtit të qepës apo pjesës që nuk hahet. Po ashtu, pipëz me lëvore të shelgut. Përdoret për ta karakterizuar personin që është kokëtrashë dhe qe s’merr vesh. Për dallim nga personi qe e ka kryt borokë, duduku ka diçka në kokë por nuk pranon tjera ide. Shembull: “Kur po vjen n’3 ora t’natës, ish kon pas pi e ba duduk krejt”.
Filikaqë = pipëz e të gjitha llojeve, qoftë e shelgut, me bisht të luleve, të kauçukut apo metalit. Dy llojet e fundit i përdor SHPK-ja në Pejë për ta rregulluar komunikacionin në udhëkryqin e vetëm me semafora aty afër selisë së saj. Mbajtjen e rendit në atë udhëkryq SHPK-ja e bënë drejtpërdrejt nga selia e saj, ngase është afër. E tëra çka bënë SHPK-ja është se e hap dritaren dhe i fishkëllon veturave te semaforat pasi ato t’i jepin “shllajf”. Tash i kanë hequr krejt semaforat dhe kanë ndërtuar një rrethrrotullim.
Fitilaç = shirit i llampës ose fitil i ndonjë sendi tjetër (psh. shkrepsave Zippo) i ndezur që shërben për dritë, vënien e flakës ndonjë objekti tjetër, dhe aty-këtu për dekorim në rast festash.
Flugë = ndjekë ose i vihem pas dikujt apo diçkaje me vrap të madh. Shembull: “E flugke si qeni.”
Gilipter = djal me veshje ekstravagante që përfshinë: gjaketë të shkurtë të lëkurës një rrip i së cilës është pak i lëshuar në pjesën e poshtme të gjaketës pasi personi t’i ketë futur duart në xhepa të pantollonave; farmerka me rrip pak të trashë që ka ndonjë markë të njohur si p.sh. Boss, Wrangler, Lee Cooper, Calvin Klein, këpucë të zeza në formë trekendëshi në pjesën e përparme dhe me take pak të gjata; i ka flokët me gell, dhe ngacmon vajzat e shkollës, e sidomos te komerciales në Pejë dhe gjimnazit Haxhi Zeka ne Istog. Gilipteri dallon nga baraba në kuptimin që i pari është më pedant.
Godit/Gudit = ndreqje, riparim, meremetim, rregullim, përshtatje. Sa sinonimet për një term të vetëm! Shembull: “A e gudite kerrin, çka kish pas; naj prishje t’madhe? – Po. M’u dasht me ia nrru shofer shajmet, angllaserat edhe bosh-pumpën, veç tash po m’punon si sahati serkisuf.”
Guriq = lloj kungulli i madhësisë së vogël nga familja kungullore (Lat. Cucurbitacea) me lëvore (membranë) të fortë. Guriqi përdoret vetëm për qëllime zbukuruese. Nganjëherë, “guriq” i thonë edhe personit guxhel (shiko më poshtë “Guxhel”) kokëfortë dhe ngatërrestar. Shembull: “I rashë kry me ni stupc, e thash pe shti dy metra n’tokë, po hiq se nikke guriqi!”
Guxhel = shkurtabiq; njeri shtatshkurt ose nën mesataren e gjatësisë së shumicës së njerëzve (Ang. dwarf). Në shkollën fillore e përdornim si një prej shprehjeve më ofenduese kundër nxënësve shtatshkurt kur ngatërroheshim me ta. Shembull: “O guxhel! Pse s’i ke thanë nanës me t’dhanë cic ma shumë e me u rrit pak ma i madh, po ta ka da gjinin para vakti, t’ka mashtru me cucëll e t’ka lanë gjysëm fabrikat!”
Gjallni = ekonomi; mënyra se si shoqëria dhe familjet e Pejës dhe Istogut i shfrytëzojnë resurset për t’i përmbushur nevojat e tyre. Shembull: “A po muj gjallnon hiq? Paj po po, nom; djali po shet n’dyqan (d.m.th. sektori i shërbimeve), unë pe punoj tokën (d.m.th. sektori i bujqësisë), vajza është në shkollën komerciale (d.m.th. investime), e ai djali i vogël u bo haker (d.m.th. sektori informal)”.
Halet = nëse përdoret në numrin shumës “halete” (rrjedh nga turqishtja), e ka kuptimin e veglave (kryesisht të punës). Nëse përdoret në numrin njëjës “halet”, e ka kuptimin e organit gjenital të gjinisë femërore dhe pjesëve përbërëse të tij, madje shpeshherë identifikohet me tërë femrën me krejt çka ka shkaku i “haletit” (më falni në shprehje).
Horë = rrjedh nga fjala angleze “whore” (kqyrne n’fjalor se çka do të thotë se po m’vjen marre me ju kallxu). Përdoret si shprehje që tregon turpërimin. Shembull: “Na paske bo horë.”
Hormoç = bredhi; lloj i drurit që i përket familjes së pyejeve halore. Përdoret në tërë botën si dru për ndërtimin e pullazeve të shtëpijave, duke përfshirë edhe shtëpinë tuaj. Në pjesët tjera të Kosovës nuk ka ndonjë emërtim tjetër për këtë lloj druri dhe shumica gabimisht e identifikojnë me pishën.
Shembull: “Drrasa t’hormoçit.”
Sabit xhupi = Sabit Rrahmoni, kryetari i Partës Demokratike të Ashkalive të Kosovës. E ka marr këtë emër në Pejë pas mashtrimeve që i’u kishte bërë Pejanëve duke u marr atyre para e duke mos ua kthyer, përfshirë këtu edhe funksionarët komunal. (Ang. “Sabit the gipsy”).
Istogu i Pejës = ky emërtim më herët është bërë nga ata që nuk e njohin sa duhet Gjeografinë, ndërsa kohëve të fundit përdoret vetëm nga Pejanët për t’ia përmirësuar imazhin Pejës pas mashtrimeve që ua bëri Sabit xhupi. Nuk thuhet Klina e Pejës apo Deçani i Pejës, por vetëm Istogu i Pejës. Bile për Deçanin, Pejanët me dëshirë do të thonin se është i Malit të Zi apo i malokëve të Bajram Currit në Shqipëri. Shembull: “Pej kahit je? Pej Peje. Largom Zot pej teje”. Shembull tjetër: “Gacë pej meje, tim pej Peje.”
Istogshire = emri i Istogut në gjuhën angleze po që se bëhet bashki.
Izraelt = këtu nuk është fjala për çifutët, por për një lagje të fshatit Rakosh të cilës i është dhënë epiteti i Izrealitëve nga banorët e atij fshati. Ky përshkrim është bërë gjatë Intifadës në Palestinë në vitet 1980-ta, në kuptimin që një lagje e vogël por kompakte e Rakoshit ishte unike kundër tërë fshatit, sikur Izraeli kundër vendeve arabe. Shembull: “Izraelt e Rakoshit (Ang. the Rakoshi Jews).”
Jezit = kjo me gjasë ka rrjedhur nga fjala e gjuhës kurde Jezid (Yazid, një sekt fetar) por në Istog përdoret me të madhe për ta përshkruar personin i cili është i shkathtë, qoftë në pikëpamje pozitive apo negative.
Jerëm = moment kur zgjohemi nga gjumi shumë të trullosur, ende nuk jemi kthjellur, nuk kuptojmë se çka na pyesin të tjerët dhe në rastet më të shpeshta u kthejmi përgjigje palidhje, ose në raste kur nuk flasim bëjmë disa veprime të pakontrolluara. Shembull: “Ej, po m’doket tek je çu jerëm ti diçka sot!”
Kapedomi = burgu i Dubravës (Istogut) që gjindet 3-4 kilometra larg Istogut në anën e majtë të rrugës Istog-Mitrovicë.
Kapuç për binjakë = brusvallter; lloj i veshjes së brendshme për femra që vihet në pjesën e sipërme dhe të përparme të trupit për t'i mbajtur "binjakët". Shembull: “Nuk ka sen qe e kam provuar dhe nuk jam mësuar me të me t’parën herë, por gjithmonë po kam problem me i zgjedh kapuçët për binjakë që m’bijnë taman e m’përshtaten.”
Sipas një studimi në Angli, rreth 70% e Anglezeve kanë probleme në zgjedhjen e brusvallterëve. Për Kosovë nuk ka ndonjë studim, por nëse femrat blejnë brusvalltera të madhësisë B32 ato janë nga Peja, kurse ato që blejnë të madhësisë B35 janë nga Istogu.
Katullaqë = trupi, më së shpeshti i gjarprit dhe brevës, i përqendruar ose përmbledhur në formë të rrumbullakët. Shembull: “E pash ni gjarpen n’kerrsh katullaqë” (Ang. I saw a snake curled up on the rok).”
Shënim: gjarpri më i njohur në rajonin e Pejës dhe Istogut, dhe njëkohësisht më helmuesi në Evropë, është “Gjarpri i gurit”, ndryshe i njohur si “Hundraku”. Si duket ai? Është i shkurt, më së shumti diçka rreth 1 metër gjatësi, me ngjyrë gjysmë të përhirtë (sidomos në pjesën e poshtme) dhe gjysmën tjetër ose kurrizin e ka, ose: i) me ngjyrë të kaft; ose ii) me ngjyrë portokalli. E ka marrë emrin “Hundraku” shkau i formës së përparme të kokës që ka një lloj briri ose hunde të ngritur përpjetë. Nuk është manovrues i shkathtë si disa gjarpërinj në viset tjera të botës, ta zëmë “Kobra”, por helmin e ka të rrezikshëm.
Kojshme = tekstualisht “e shijshme” për aromën dhe shijen. Përdoret edhe në rastet e bashkëbisedimit ndërmjet femrave për ndonjë femër të tretë, si p.sh. “Ashtë diqysh shumë e kojshme” (në këtë rast do të thotë “e lezetshme”), edhe pse këtë më mirë mund ta testojnë meshkujt, po nejse.
Kokallë = goditje që i bëjmë dikujt në kokë me gishtin e mesëm të dorës, nganjëherë edhe bostanit (shalqinit) për ta vërtetuar në bazë të tingëllimit se a është pjekur. Përdoret edhe si shprehje në përzgjedhjen e ngushtë ose përfundimtare. Shembull: “Ti po don me zgjedh femra me kokallë, a po?” Shembull tjetër, kur i biem dikujt në kokë me gishtin e mesëm të dorës: “Tek o pjekë bostani! – Rri bre mos ma hi qashtu.” Ang. “flick.”
Kutrrum= formë e trampës; shkëmbimi i mallit me mall ose dy sendeve tjera por zakonisht pa e bërë vlerësimin e tyre ose baraspeshën se çfarë vlere ka njëra, e çfarë tjera.
Kompira t’leshtë = Kivi, lloj agrumi. (Ang. Woollen potatoes).
Lëkura e trashë e femrave = kjo fjali mund t’iu duket e pakuptimtë jo vetëm juve por edhe studiuesve më të spikatur të gjuhës shqipe. Është vështirë të gjendet ndonjë përkufizim i shkurtër dhe i përshtatshëm. Megjithatë, si fjali e kam dëgjuar shumë shpesh kur kam qenë i vogël (diku në moshën 6-8 vjeçare) kur shkoja nepër dasma në rajonin e Pejës dhe Istogut. E ju e dini se në atë rajon gjatë dasmave fëmijët i lënë te gratë. Duke qenë edhe unë në mesin e atyre fëmijëve, dëgjoja se si bisedonin gratë ndërmjet vete rreth bukurisë së femrave që ishin prezente aty. Njëra thoshte: “Uu sa e mirë ish qajo n’veshë t’katunit! Tjetra reagonte: “E jo valla, a e ke pa diqysh,...e kish l'kurën e trashë.....,do buçka palidhje.... e atë lkurë si t’kalit!”
Pas vështrimit me kujdes të thënieve e kish “l’kurën e trashë” për 7-8 femra, tash jam në gjendje t’i identifikoj lëkurëtrashat në shiqim të parë në distancë prej së paku 20 metrave.
Llaçkavitë = ngjyrosje e pakujdesshme ose shkel e shko.
Llavesh = djalë ose burrë që s’merr vesh për disa vërejtje kur bënë disa punë në dëm te të tjerëve.
Lluft = zbrazëtirë apo vakuum që ka mbetur gjatë ndreqjes së ndonjë objekti, kryerjes së ndonjë pune, ose është krijuar gjatë funksionimit të ndonjë pajisje apo mjeti. Shembull: “Më duhet ta dërgoj veturën te automekaniku se goma e prapme ka pak lluft.”
Mërdhezt = gjendje kur dikujt papritmas i skuqet fytyra nga hareja ose gëzimi.
Mshele shitoren = vërejtje ose propozim që i bëhet një mashkulli ose femre kur ai/ajo ka harruar të hapur patentin e pantallonave. Shembull: “Ej, mshele shitoren se po ta then kush”, që do të thotë: mos u bëjë provokativ/e në publik.
Neni = nyje; pjesët e forta të drurit nga të cila dalin degët. Shembull: “Hormoçi është dru i lehtë dhe i butë për t’u punuar por e ka nenin e fortë; ma ka thy sharrën e re t’Gjermanisë.”
Nerký = veprim i ngutshëm në bazë të instikteve dhe shpesh pa kontroll. Shembull: ishim në sportelet e elektrokosovës për pagesën e faturave të rrymës elektrike, ishte radhë e madhe, veç kur po vjen njani po i shtyn të gjithë, e shtini kryet aty n’sportel e po i bërtet arkatares: “Pse ju po na e nalni rrymën neve e po i shitni Shipnisë?” Si i nerkým!
Pelim = shumë i hidhët (për shijen e gjërave ushqimore).
Presoll = shije shumë e njelmët ose me kripë tej mase.
Pulë e nukt = pulë të cilës i janë ndukur puplat. Përdoret si shprehje për t’i ofenduar vajzat shtatëhollë (skilipece), pak të shkrutëra, me flokë të pakëta dhe të rralla. Shembull: “Kqyri kto qikat e Prishtins qysh janë si pula t’nukta.”
Qeremide t’maxhupit = lloj i tjegullave të vjetra që përdoreshin për mbulimin e pullazeve (shiko ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit). Janë të vendosura mbi pullaz në atë mënyrë që në të gjitha rendet tjegullat vendosen në pozitë konkave, dhe pastaj secila gjysmë e rendit konkav mbulohet me tjegulla që vedosen në pozitë konvekse, d.m.th. një rend konveks mbulon dy gjysma të rendeve konkave.
Republika e Gjakovës = emërtim i një qyteti dhe rajoni nën juridiksionin e krahinës së Pejës.
Rixhê = lutje që i bëhet dikujt. Shembull: “Boll i bam rixhe po ka t’jen s’deshti me nejt.”
Rrekný = rrëzim i gjërave qoftë me qëllim ose pa qëllim gjatë punës, kontrollit, apo kërkimit. Shembull: “E çka dreqin ja kah rreknen qatje bre!”
Rrum pëgjyst = ndarje në dy pjesë të barabarta ose ½ (Ang. Fifty-Fifty).
Rrusfaj = harxhim i shpejtë dhe pa plan i kapitalit ose gjërave për funksionim, të ardhurave, mjeteve për ekzistencë, etj. deri në bankrotim të plotë. Në një intervistë për gazetën “Lajm”, Haki Shatri (ministër i ekonomisë dhe financave, është nga Istogu) kërkesës së disa subjekteve për më shume fonde nga buxheti i Kosovës i është përgjigjur: “Nëse dikush ka vendos me ba shtetin rrusfaj, atëherë kjo është mënyra më e mirë!”
Saora = shumë shpejt ose aty për aty.
Sarrakuqë = gjendje e kundërt me atë të merdhezt, pra kur dikujt papritmas i skuqet fytyra nga inati, dëshpërimi, marrja, dhe turpi.
Semt = gjendje, pozicion i volitshëm ose mundësi e mirë për të realizuar diçka, qoftë për të mirë apo për të keq. Shembull: “E qysh s’mujte me vra leprin; qesajde ka hunt t’kapërcej?” Paj s’um erdh n’semt. “Jaa, ty s’t’vjen n’semt kurrë. Edhe për banderi me ta lidhë e me gjujt ton ditën, ti s’un e vret se st’vjen n’semt!”
Sixhim = fije (spango) të krijuara nga juta që përdoren nga autokombajnat për lidhjen e duajve të kashtës dhe sanës. Përdoret edhe në foljet si “binte shi sixhim” (ang. It was raining cats and mice).”
Sorran/Sorrajkë = djalë apo vajzë me pikla të verdha në fytyrë. Më tregoni si i thonë në anglisht, gjermanisht, dhe gjuhët tjera se nuk e di. Ka mbetur në përdorim edhe emërtimi nga serbishtja “zhuti”. Shembull: “Zhuti i Halil Canit.”
Spikt = term i vështirë për t’u përkufizuar. Posa të provojmë ta përshkruajmë se çka është dhe të sjellim ndonjë shembull, do ta kuptoni. Ashtu si e kuptoj unë, e ka kuptimin e lënies së ndonjë sendi në një vend që i ekspozohet rrezikut nga rrëshqitja, paqëndrueshmëria, rënia dhe dëmtimi. Shembull: “Ra servisi i gastareve pej vitrine, e u ba cpirra krejt! – Po se e ke lanë n’spikt e s’ka pas qare pa ra.” Shembull tjetër: “Bonja venin ma mirë bre qetyne enëve se boll “spikt” i paske lanë. Veç nja me ba me prek dikush, krejt kërrsh bahen.”
“Spikt” nuk duhet të ngatërrohet me “çpikt”, term i cili për rajonin në fjalë nuk e ka kuptimin e “çpikjes ose shpikjes” (zbulimit) të diçkaje, por lidhet me dëmtimin në formë të pikës të ndonjë objekti ose pajisje. Shembull: “E bana kutrrum Passatin me ni Volvo po ai tipi s’um kallxoj që e kish pas karburatorin e çpikt dhe e rrjedhke benzinin, e m’u dashte me çu te mjeshtri e me pikë.”
Strincë = emri i një lloj shpendi të egër pak më e madhe se trumcaku; përdoret edhe si shprehje për ta përshkruar ndonjë vajzë që është skilipece, e shkathtë, dhe pak e fshtirë. Shembull: “Aa strinca që ashtë ajo! (ang. Hensparrow).”
Shllapatan = person i madh me shtat i cili ecë rrugës disi në formë të çrregullt si “shllap-shllup-shllap-shllup.”
Shulevek = pozicion në lojën e cicmicit sipas të cilës njëra palë ka fituar epërsi taktike dhe në bazë të saj mund të fitoj tërë lojën. Shuleveku dallon pak prej pozicionit “dôn-e-dôn” (“dôn” andej, “dôn” këndej) në kuptimin që ofron më shumë mundësi për “dôn” në shumë anë. Sa herë arrihet të ekzekutimi i opsionit “dôn”, kundërshtarit ia hiqni cilindo lojtarë nga loja ose ia merrni një kokërr (me përjashtim të atyre që i ka të mbrojtura në varg si “dôn”). Lëvizja paraprake ose veprimi para “dônit” njihet si “cêk.” Kjo është analoge sikur në luftën me armë zjarri kur merrni në shenjë (cêk), pastaj gjuani dhe e goditni shenjë (dôn). Dôn në cicmic nuk bënë të ngatërrohet me një term tjetër për goditjen “ton” që sqarohet më poshtë.
Terrmekt = gjendje e turbullt mendore e shoqëruar me veprime të pa kontroll. Shembull: “A u çpi bre ai qe ish kon pas ba duduk pramë? Po get qe po, veç kur u qu sot hala ecke si i terrmekt.”
Teveqel = që është pak i metë nga mendja dhe i llastuar. (Ang. “zombie”; a e keni dëgjuar muzikën tekno “Zombie Nation - Kernkraft 400?” Nëse jo, kërkojeni në Youtube me këtë emër që ua ceka, ose vizitoni drejtpërdrejtë këtë adresë: http://www.youtube.com/watch?v=z5LW07FTJbI&NR=1, dhe do të shihni se ata që vallëzojnë nuk quhen dhe nuk duken kot si “kombi i teveqelave”).
Tërpijan = grykës; person që ha shumë ushqim e s’di të ngopur. Sinonim i kësaj deri diku mund të jetë edhe fjala “llaskuc.” Shembull: “Eu tërpijani që ish; ky vlla po t’lajke! Shumë hangër bre dreqi n’bark ja hangt!”
Ton = i ka disa kuptime. Këtu po përjashtojmë njësinë e peshës prej 1 000 kilogramë ose një “ton” sepse kjo dihet çdo kund ku flitet gjuha shqipe. Kuptimi tjetër është “i tërë, krejt, gjithsej”. Shembull: “Ton atë hajni që e bani, prap enet shlirë ton ditën; edhe qasajde kalojnë policia e nuk e arrestojnë!” E ka edhe një kuptim në gjuhën e folur që identifikohet me “goditjen” në formë të onomatopes. Shembull: “S’dojke jeziti me dalë pej fushës t’lojës e s’na lejke me lujt, veç kur te ka fshi “korromoqi” ni letfë e t’i ka ra kry ton-tërrt, e la kopërdak.”
Tranallë = njeri me sjellje agresive të pa arsyeshme, qoftë edhe ndaj atyre që nuk i bëjnë gjë ose janë të pafajshëm.
Tita = urdhër që i drejtohet fëmijëve për të mos prekur ose bërë diçka.
Thuras = shmangie nga rruga kryesore dhe zgjedhja e një rruge alternative, zakonisht më të shkurtë por me më pengesa për të depërtuar ose shkuar diku. Shembull: “Për me shku te shpija e filanit, hin livadheve trup, e masi te kapërcejsh shkallën e funit t’livadhit, aty hin n’t’thur me ni udhë komsore nëpër llugë, vazhdon qashtu thuras dej t’dilsh n’lagje t’tyne, e aty t’kallxon dikush. Mos shko udhs krysore se t’bjen shumë gat.”
Uf(u)lla = lloj i lëpjetës me shije të thartë që mund të hahet edhe ashtu si e gjeni në livadhe. Nuk duhet të ngatërrohet me uthullën në gjendje të lëngët që blihet në shitore për t’ia hedhur sallatës.
Uva = shprehje në gjuhën e folur që përdoret me rastin kur ndiejmë të ftohtë të madh. Shembull: “Uva, uva u mërdhina, m’kapi plaka m’shtini n’tlina...(s’po e vazhdoj më tutje se po e di çka keni në mendje ju!)”
Vek/u = formë e manifakturës familjare që përbëhej nga disa pajisje të prodhuara nga druri të montuara ose integruara në formë të sistemit ose mekanizmit për prodhimin e produkteve të tekstilit, kryesisht të qilimave. Pyesni dikë nga Peja ose Istogu mbi moshën 50 vjeçare nëse e dinë çfarë ka qenë Veku dhe nëse familja e tyre ka pasur një të tillë.
Vilispic = biçikletë; nganjëherë përdoret edhe si “bicikull”.
Xhixha = Në rastin më të shpeshtë nënkupton shkëndijat që lirohen gjatë prerjes së metaleve apo saldimit. Kuptimi tjetër lidhet me rrymën me tension shumë të ulët dhe dritë të dobët. Shembull: “E kemi rrymën krejt xhixhë”.
Përdoret edhe si paralajmërim ndaj fëmijëve për pasojat që mund të sjell prekja e ndonjë sendi, ose ndonjë veprim që konsiderohet i rrezikshëm për fëmijën. Shembull: “Tita! Xhixha”!
Xhguft = zbrazëtirë ose hapësirë më e madhe brenda diçkahit se që mendohet në fillim, ose fryrje e ndonjë objekti për ta treguar më madhësi më të madhe. Mund ta ketë edhe kuptimin e vakuumit, ndonëse dallon prej tij.
Zogu i malit = trumcaku, vremçi. Ang. “Cocksparrow.”
Zgorç = lisit të cilit i është brejtur zemra e trungut. Shembull: “Fort i mirë m’u dokke qyky ahu, po kur ja shtina matorrin m’dul zgorç, e lash e nuk e rr’xova”.
Zhuvatë = skijim, qoftë me skija, saja apo edhe me patina.
Mbiemrat më të përhapur në Pejë dhe Istog:
Mbiemra fisesh:
- Gashi
- Krasniqi
- Kelmendi
Mbiemra tjerë tipik të Pejës dhe Istogut
- Rugova
- Zekaj
- Lajçi
- Rexhaj
- Blakaj
- Bujupi
- Llapi
- Shatri
- Buleshkaj
- Gusturani
Personalitetet më të njohura të Pejës dhe Istogut:
- Haxhi Zeka (1832-1902), themelues dhe kryesues i Lidhjes së Pejës më 1899.
- Muhmet (Akif) Ersoy – Mulaj (1873 – 1936): poet kombëtar, akademik, dhe deputet i parlamentit turk, autorë i himnit të sotëm (i shkruar më 1921) të Turiqisë: http://en.wikipedia.org/wiki/Mehmet_Akif_Ersoy, dhe shqip http://sq.wikipedia.org/wiki/Mehmet_Akif_Ersoj.
- Ahmet (Nuhi) – Mulaj (1900-1945), një prej luftëtarëve më të njohur të Podgurit gjatë Luftë së Dytë Botërore në kuadë të Ballit Kombëtar: http://www.malesiaforum.com/showthread.php?t=11086
- Riza Sapuxhiu (1925 – 2008), kryeministër i KSAK-së (1980-1982), anëtarë i kryesisë së RSFJ-së (1989-1991).
- Ibrahim Rugova (1944-2006), themelues dhe udhëheqës i LDK-së dhe kryetar i Republikës së Kosovës (1990-2006): http://sq.wikipedia.org/wiki/Ibrahim_Rugova
- Faruk Begolli (1944-2007), një prej aktorëve më të njohur në ish-Jugosllavi.
- Sylë Dreshaj (? - ?), mjeku më i njohur popullor në Kosovë për thyerjet (frakurat) e eshtrave dhe dëmtimeve trupore.
- Etj.
Njerëzit më të njohur në bazë të profesioneve të tyre dhe specifikave:
- Smajl Pasuli, kuzhinieri më në zë i komunës së Istogut. Emri dhe mbiemri i tij i vërtetë ka qenë Ismajl Alushaj. Shënim: Istogu ka ushqimin më të shijshëm dhe ujin më të mirë në Kosovë.
- Malush Këpurdha (mbiemri konfidencial), grumbullues dhe blerës i këpurdhave.
- Uka i Gatë (mbiemri konfidencial), ka qenë personi më i gjatë në atë rajon derisa i janë rritur djemt, të cilët janë po aq të gjatë, nëse jo edhe më të gjatë se babai i tyre.
- Shaban Arusha, ka qenë nga Peja. Më tepër nuk di gjë rreth këtij emërtimi. Plotësoni kush dini diçka.
- Sahit Shporetxhija, Lush Kovaçi, Sadri Nallbani, etj.
Miss Kosova nga Peja dhe Istogu
- Blerta Syla, Istog (Istog i Poshtëm)
- Adelina Ismajli, Istog (Istog i Poshtëm, nënën e ka nga atje ndërsa ka lindur në Prishtinë)
- Agnesa Vuthaj, Istog (Vrellë)
- Besa Gashi, Pejë (?)
Shkaku pse Istogu prinë bindshëm me bukuri njerëzore në nivel të Kosovës, sidomos të gjinisë femërore, gjendet edhe nga bukuritë natyrore unikate sikur kjo në fotografinë e bashkangjitur.
Personat kontrovers më të njohur:
- Ramë Çekerlaqi, vrasësi i nipit të tij, Selman (Kadri) Hasanaj. Selmani kishte vrarë Miliq Kërstën.
- Korromoqi, një emërtim ky shumë specifik për një djalë (emri dhe mbiemri konfidencial) sikur Barabba në provincën romake të Judës. Nuk e di se kush e ka shpikur këtë emër dhe çfarë domethënie ka menduar se ka. Tingëllon sikur person që “korr kollomoq”, ndonëse veprimtaria e tij ka qenë krejtësisht tjetër.
- Ka edhe shumë shpijuna, mercenarë, hajna, të cilëve nuk po ua përmendim emrin. Mos nxitoni tash t’i përmendni disa prej tyre se duhet një listë e gjatë.
Trajtat e disa emrave në Pejë dhe Istog
Trajta origjinale Trajta falls!
Brahimi Ibrahimi
Elmija Hilmiu
Humdija Hamdiu
Isaja Isai
Lizabeta Elizabeta
Skeneri Skënderi
Smajli Ismajli
Sufadini Sefedini
Zymeri Zymberi
Disa gabime në përkthim nga gjuha shqipe në angleze në Pejë dhe Istog (por edhe në tërë Kosovën).
Shprehja Shqip Përkthimi gabim Përkthimi i duhur
deklaratë declaration statement
e parafundit before the last one last but not least
me lujt k... playing with t...... playing cats and mice
më në fund in the end eventually
mihje sipërfaqësore surface digging open cast mining
teknologji moderne modern technology state-of-the-art technology
realizoj realize carry out
sipas nevojës as needed as appropriate
sensibilizim sensibilisation awareness
subvencionet subventions subsidies
etj. etc. and so on
*************************************************************
Ja pse më së shumti mise të Kosovës vijnë nga Istogu! Bukuria natyrore përputhet me atë njerëzore. Në fotografi: Burim uji termal në Banjë të Pejës që i përket Istogut. Uji termal simbolizon ngrohtësinë e istogasve!
Fotografia është marrë nga: http://www.istogu.com/modules.php?name=coppermine&file=displayimage&meta=lastup&cat=0&pos=1058
Ndalohet kopjimi i Fjalorit të Pejës dhe Istogut pa lejen e autorit dhe të botuesit.
© Isa Mulaj, 2010.