Kulturë
Spiro Xhavara: Besojeni edhe ju Petraq Palin
E hene, 11.10.2010, 08:49 PM
NJË VËSHTRIM KRITIK I SPIRO XHAVARËS PËR LIBRIN E RI TË SHKRIMTARIT PETRAQ PALI
"Zhdukja misterioze e Besnik Memës"
Nga Spiro Xhavara
- Shënime rreth romanit "Zhdukja misterioze e Besnik Memës"
Po , Petraq Palin unë e besoj plotësisht. Besoj në sinqeritetin e rrëfimit të tij, në vërtetësinë e tmerrit që përshkruan dhe në zërin e mezipërmbajtur të revoltës së tij. Për fat të keq nuk e njoh Petraq Palin, as atë vetë dhe as krijimtarinë e tij. Libri "Zhdukja misterioze e Besnik Memës" më ra në dorë si një porosi shoqërore për t'ia dhënë mikut tim Iljaz Bobaj.
Por këtë mundësi s'mund ta lija të më ikte nga duart. Brenda dy ditësh, në fillim si kuriozitet në faqet e para e pastaj si domosdoshmëri për të mësuar ngjarjen plotësisht, libri më rrëmbeu të tërin në leximin e tij për të dalë sa më parë në faqen e fundit dhe për të mësuar fatin tragjik të një njeriu nën diktaturë, të fisit të tij dhe të një shoqërie të tërë, të cilën ai e përfaqëson.
Ndoshta për ta lexuar më mjaftuan dy ditë. por për ta përjetuar atë, si mua dhe çdo lexuesi të thjeshtë që do t'i bjerë në dorë ky roman tronditës, nuk do t'i mjaftojnë as dyqind net pa gjumë. Net, ku do të luftojë mes fantazmave dhe sloganeve, mes vetëgjyqësisë dhe Nurembergut, mes diktaturës së shkuar "të bukur" dhe diktaturës së re me kostume ekstravagante "natoiste", "liberalizim viza-iste", etj. Unë vetë kam filluar t'i përjetoj këto net pa gjumë, në fakt qysh para leximit të romanit, po tani më shumë. Përleshem me dilemat pa fund dhe me fenomenet më të çuditshme.
( Isha duke pirë kafe me një shok, të cilën e filluam me "...ë, si sot na la shëndenë merhumi, ju harroftë emri!" Ishte krejt e befasishme se si nga tavolina ngjitur u ngrit me vrull nostalgjiku, më saktë ishte nostalgjike fanatike, e cila për pak do të na kishte goditur me ç'të kishte në dorë pse e cilësuam diktatorin "merhum").
Që nga ajo ditë s'bëjmë më biseda të tilla, se të thuash na ruat Nato-ja dhe p...e liberalizimit të vizave, apo se Shqipëria po ndryshon me ngjyra të shumëllojshme plehrash në çdo anë, ku ta dish që aty pranë nostalgjikët e diktaturës së re ç'mund të të bëjnë. E, kështu thjesht mërmërit ndonjë këngë nëpër dhëmbë "Shqipëri - malime derte/ S'u bëre kurrë për vete/ Bjer e ngriu në tërmete/ Paqe deshe-prap'në luftë mbete!"
Në këtë konceptim romani i Petraq Palit është një Nuremberg, ai Nuremberg që s'mund ta bëjë dot asnjë njeri i vetëm, as dhjetë veta bashkë dhe as një shoqëri e tërë, që s'është pastruar në vetvehte nga Nurembergu i vet.
( Në një emision televiziv të Robert Papës, një burrë, tashmë i moshuar, s'mund të më hiqet kurrë nga kujtesa, kur gjatë tregimit i shpëtuan lotët vetiu. Unë Hamdi..., komandantin e skuadrës së pushkatimit të babait tim, tha, e njoh, e respektoj dhe kur kam rast bëj shoqëri me të. S'ishte ai që më vrau babanë, ai ishte thjesht një automatik në duart e tjetërkujt. Hamdiu më ndihmoi të gjenim varrin e babait dhe të nëntë të tjerëve bashkë me të, që u vranë në raprezaljet në Mirditë, pas vrasjes së B.Bibës. E mbaj mënd babanë tënd, tha, edhe sot e kësaj dite. Si është e mundur, e pyes. Po, tha Hamdiu, kur i pushkatuam, ashtu të lidhur me tel me gjemba të gjithë bashkë, ata ranë njeri pas tjetrit në gropën e hapur më parë. Babai yt, që skish dhënë shpirt akoma, na tha "Mos, bre burra, mos na mbuloni së gjalli. Është marre!)
Ai burrë s'më hiqet nga mëndja sot e kësaj dite. Por jo vetëm ai, çuditërisht, shumica e të intervistuarve nga të persekutuarit e diktaturës komuniste flasin qetë, pa irritim, s'kërkojnë kurrë revansh, s'kërkojnë kurrë hakmarrje. Të bindeni për këtë, bëni vetëm dy fjalë muhabet me të mirin T.Vëndresha. Ata të gjithë, ashtu si edhe B.Mema e kushëriri i tij Alfredua të P.Palit kërkojnë vetëm drejtësi, kurrsesi krimi të lahet me një krim të ri. Të irrituarit, hakkërkuesit janë të tjerë, janë ata që përfituan sa u ngopën nga "e djeshmja", por që s'mund të lënë t'u ikë nga duart mundësia e "së sotmes", ku korrupsioni dhe hajdutllëku, gati po marrin trajta "ligjore".
Historia e thjeshtë, por tepër tronditëse që na paraqet në romanin e vet P.Pali është vetëm njëra nga format e krimit të diktaturës komuniste. Shumë drejt këtë e përcakton edhe R.Martiko në parathënien e librit. Shtjellimi i ngjarjes qysh nga organizimi i zhdukjes, ceremonia e varrimit, shtypja me zjarr e hekur e mosbesimit më njerëzor të familjes dhe fisit të viktimës e deri në eliminimin e çdo gjurme dhe dëshmitari të krimit, tregojnë fare qartë se diktatura që kaluam ne ishte nga më të egrat e historisë së njerëzimit, nga më makabret.
Detajet për të argumentuar këtë realitet fatal të pamohueshëm, autori i gjen lehtë në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë të fshatit të B.Memës, të varfër tejskajmërisht, të ndershëm deri në kult, por edhe besnikë të verbër në ato që u thuheshin e servireshin nga lart. Këta njerëz, përfaqësues të thjeshtë e të denjë të të gjithë popullit tonë, Servet Mema, Rustem Hodua, etj, e përkrahën regjimin komunist, i dhanë atij besën e njeriut të ndershëm, njeriut që të hap portën e zemrës si portën e shtëpisë e të thotë "bujrëm". Por, megjithë paditurinë dhe besimin e verbër, ata kurrsesi s'mund të pajtoheshin me thikën pas shpine nga vetë shteti, për të cilin ata luftuan dhe punonin të forcohej. Në paraqitjen e kësaj tabloje, P.Pali është origjinal, është real deri në rrënjë, sikur të ketë qenë vetë aty, mes netëve të dilemave, hamendjeve dhe vendimeve për çvarrimin. Është origjinal dhe i besueshëm edhe në përshkrimin pa ekzagjerim të pasojave që rënduan mbi organizatorët e dëshmitarët e të gjitha ngjarjeve, ku sigurimi dyshonte se mund të rridhte sekreti makabër. "Zhdukja misterioze e Besnik Memës" është një roman letrar i vërtetë, i plotë, ngjethës dhe një roman-kushtrim. Për tipizimin e personazheve, që është dhe një nga meritat e autorit, të jepet përshtypja se P.Pali nuk është lodhur shumë, sepse vetë ngjarja, rrugët nëpër të cilat ajo shkel, është e tillë që secilit i krijon fizionomi më vete. Kështu të duket, por retushimi i hollë që ai u bën me kujdes sidomos Besnikut, Emit dhe Nurihanit, tregon për një dorë mjeshtri, një dorë që me penelin e tij nuk di vetëm të ngjyrosë, por të bëjë edhe përzierje ngjyrash fantastike.
Më tej se roman, do të thosha, ky libër është një rrëfim rrëqethës pranë oxhakut të ndezur të një fshati nga burrat e mbledhur në një memorial. Në krye të qoshes Servet Mema thith pandërprerë tymin e çibukut të tij të pashuar kurrë. Dhe tregon. Ndërsa Petraqi, diku aty mes këtyre burrave, ka nxjerrë bllokun dhe shënon. Po , prandaj personalisht e besoj plotësisht. E besoj, se sa më origjinal e jetësor të jesh, aq më i suksesshëm e i dashur, domosdo, do të jesh edhe për lexuesin. Dhe e uroj.