E diele, 04.05.2025, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (IX)

E diele, 10.10.2010, 01:46 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

*   *    *

 

Rruga nëpër kryeqytet nga spitali deri në Mëhallën e Xhehenemit ishte përplot gropa të mbushura me baltë e ujë të ndotur, që spërkatnin kalimtarët e rastit. Kur rrotat e makinës  së vjetëruar të   komandant Gurrës përplaseshin  në gropa dhe kur  dilnin   u përngjanin gomarit topall. Sapo hyrën në fillim të sokakut të ngushtë, Lushi u habit kur pa mëhallën e vet që aq shumë kishte ndryshuar . Pallatet   tre- katërkatshe me fasada të reja ngjyrash të ndryshme, sipas shijes së pronarëve,  para luftës nuk kishte në  Mëhallën  e Xhehenemit. Tani gjithçka kishte ndryshuar rrënjësisht. Pa u ndryshuar kishte mbetur vetëm rruga  me kalldërm që nga  koha e sundimit turk. Dikush thoshte se  kalldërmin e kishte shtruar Hasan Prishtina , qëkur ishte deputet i Parlamentit turk për t’i  shpëtuar nga balta  banorët, ndërsa  ata e kishin shpërblyer duke ia hedhur kokrrat për deputet. Thuhet se Kaje maxhupja ,zonja e parë e mëhallës, valltare dhe defatore me nam, që e dëfrente   mbretin në haremin e  Stambollit për ta shpërblyer hirësinë e Hasanit, që kishte shpëtuar mëhallën nga balta e verdhë e kryeqytetit të Vilajetit,  kishte vajtur në Stamboll te mbreti  dhe kishte  lobuar  fuqishëm që Hasani të zgjedhej anëtar i parlamentit  turk!

Imazhin e pallateve  shumëngjyrëshe me  kolorit monoton e prishte vetëm shtëpia e vjetër e Lush Rebelit  e ndërtuar me qerpiçë  dhe e mbuluar me llamarinë të vjetëruar, të cilën dhëmbi i kohës e kishte rrëzbitur. Lushi nëpërmes xhamave të parafangos së makinës pa sa kishte përparuar mëhalla e tij , për të cilën kishte dëgjuar se ushtria e gjeneral Gexhës në çastet e fundit të luftës para se të ikte, e kishte djegur deri në themele.Duke u ngjitur përpjetë sokakut të mëhallës , e cila iu kishte bërë tebdil, Lushi pyeti komandant Gurrën të kujt ishin  ato ngrehina  të reja në mëhallë.

- Kjo pesëkatëshe është pallati i Akun Bisht Kanit! Kjo shtëpi me fasadë të gjelbërt është e Ziban Ziut! Kjo tjetra me ngyrë blu  është pallati i Lugatit, ndërsa kjo me ngjyrë dheu e Haram Harambashit!- shpjegoi komandant Gurra.

-Ndoshta  po tallesh me mua, komandant!?- reagoi Lushi. Nuk e besoj që paslufta të jetë në shërbim të tiranëve! Nëse paslufta ka filluar t’i shpërblejë kriminelët e luftës, mallkuar qoftë lufta ime dhe  jotja me gjithë pasluftën !

- Janë regjistruar si  minorenë, miku im i vjetër! Këta evropianët që kanë pushtetin na kanë futur në një vegsh edhe neve edhe kriminelët! Të jesh  sot minoren  i sojit të Akunve do të thotë të jesh i privilegjuar! Ndërsa çdo i privilegjuar shpërblehet me pallate të bukura , me restorane impozante dhe me rroga të majme! Jemi të dënuar të heshtim, shoku im i vjetër! Sapo të reagosh, këta të Evropës thonë se ju vetë na keni ftuar dhe vetë do të veporojmë si na thotë mëndja dhe si na do  zemra!

-Do të thotë se këta qenkan në anën e Akunëve!?- shprehu habinë Lushi.

- Thonë se janë të paanshëm, por animi i tyre nuk është vështirë të kuptohet! Flasin pallatet e reja! Flasin makinat luksoze! Flasin rrogat e majme! Flasin drekat e darkat e tyre në restoranet brilante! – nxori pakënaqësinë komandant Gurra, ndërsa togere Bubulina akoma nuk kuptonte gjë nga dialogu midis  shokëve të vjetër të luftës.

Papandehur, makina e komandant Gurrës nxori një ”ngiiiic” nga frerët e vjetëruar dhe u ndal mu para dyerve prej metali të ndryshkur të shtëpisë së Lush Rebelit. Akoma pa zbritur, Lushit i shkuan sytë në kapixhikun prej llamarine që shkruhej  “Mos hyn! Shtëpia është e zënë! – Haram Harambashi!!” Edhe komandant Gurra  lexoi  shkronjat me ngjyrë të bardhë të stisura me kaligrafi prej gjysmanalfabeti në ndryshkun e derës metalike. I habitur u step. Fërkoi sytë duke dyshuar në mos kishte gabuar shtëpinë në të cilën me mijëra herë kishte hyrë e dalur. Lushi dhe komandant Gurra u shikuan sy më sy, nën vetulla! Togerja kupotoi se diç nuk ishte në rregull.

- Ta paskan uzurpuar shtëpinë, Lush Rebeli!- tha me një ton të ulët komandant Gurra.

- Nuk po kuptoj si do të kenë uzurpuar shtëpinë, more?! Si bëhet shtëpia ime shtëpi e tjetrit?!- reagoi Lushi

- Paslufta Lush!  Paslufta dhe fitorja jonë e luftës na lanë me gishtërinj në gojë ! Shiko! Haram Hrambashi e paska uzurpuar!- shpjegoi komandant Gurra.

-  Meriton të vritet ai bir bushtre!- reagoi Lushi. A nuk u ngop  i ndyri që njëzet vjet më ndoqi, por edhe shtëpinë të ma uzurpojë, a?

- Po, Lush Rebeli, po!  Këta të mëhallës kanë kuptuar se koha e armëve  përendoi, prandaj uzurpojnë, vjedhin nën kërcënim armësh, nuk lënë të ligë pa bërë! Pushteti i Haram Harambashit dhe i Akunëve tashmë është më i fortë se në kohën e gjeneral Gexhës!-tha komandant Gurra, duke u përpjekur t’i  ftohë gjakun  Lushit që sa vinte e nxehehej më shumë. Duhet durim Lush Rebeli! Prapë duhet lëmuar e kruar Akunët e Harambashët e kryeqytetit! Janë në formë! Janë me pushtetin që ne vetë e kërkuam ! Kështu qëndron e keqja e punës! Kur i huaji të çliron, liria jep shpirt pa e shijuar as pa i marrë erë bile,dhe  nis lufta e re , ose kur të lidhë dikush të dikush të zgjidhë dikush, ndërsa kur lidhë veten nuk të zgjidhë njeri!

Lushi nxori një të kollitur të thellë nga  kundërmimi  i bërllogut  që digjej në një kënd të rrugës. Para derës së oborrit u mbështet në kukëza  dhe pasi u ngop mirë me frymë trokiti në derë duke thirrë ”O, i Zoti i shtëpisë!?  O, i Zoti i shtëpisë!?”Pas disa  trokitjeve dhe thirrjeve  u dëgjuan bagallamat  dhe brava e derës që u hap dhe një e kollitur provocative e Haram Harambashit si një lloj përgjigjeje provokative ndaj kollitjes së komandant Gurrës,  duke thirrë ”Kush është more?! Prit se nuk je me byth në zjarrë more ! Prit se tash po e hap!”

- I biri i qenit kollitet në shtëpinë time sikur t’ia kishte lënë baba denbabaden!- tha i mërdhezur Lushi.

-O, mirë se erdhe, Lush Rebeli! -tha i habitur Haram Harambashi kur pa  në kapixhik  Lushin, ndërsa prapa   i  vinin  tre të bijt e armatosur. A gjallë qenke , more burrë , a?! Ne kemi dëgjuar se  cifla – cifla të ka bërë mina në kufi! Shih! Shih ! Lush Rebeli qenka gjallë?! Luftë pa rrena nuk ka! Disa thoshin se mina...! Të tjerë thonin se .. gjeneral Gexha ...! Disa thonin se...?! Thonin se kishte vdekur gjatë vallëzimit në bulevardin e kryeqytetit...!

- Më prij  në shtëpinë time, Haram Harambashi e lëri pollavrat!- nxori ironinë Lushi. Musafir yti në shtëpinë time do të jem! Mos u friko , he burrë! Të njoh kush je , më njeh kush jam , por  nuk do të vritemi! Ani shih, mashallah  sa t’u paskan rritur djemt, more Haram! Inshalla nuk i kanë përngjarë babës! Ani edhe armë po mbakan! Trima si baba, a?!

- Jo, jo! Lush...! Por, policë të UNMIK-ut që të tretë janë! Sa ishin të vegjël ishin të bukur si kërriçat e gomarit, por me kohë   po i përngjajnë të atit! Ndoshta do të jenë edhe më gomarë se unë!... Kohë të liga këto të pasluftës po na dalin, o Lush-o! Sot nuk di njeriu kë ka mik e kë ka armik! Armiku gjithnjë mbetet armik edhe nëse ndërron lëkurë, edhe nëse del prej vetvetes e bëhet engjëll,  ndërsa miku që e mbaje  mik për kokë mund të shfaqet papandehur si armik! Nuk e dija kush ishit e, u thash djemve  të rrinin pak hazër! Meozallah, t’i kenë marrë për juve armët! Komshi të vjetër jemi more Lush, por kohët e këqija dhe kjo e mallkuar politike  na prishën fqinjësinë!- u përpoq të krijonte alibi Haram Harambashi, ndërsa nëpër rrashtën tullace rrëke djersësh  i rridhnin çurgë, kurse rrëke tjera i  derdheshin në sytë gacë  dhe   nëpër rrudha të fytyrës  i përfundonin diku në qafë apo fyt.

Pas Haramit në shtëpi hyri Lushi, pastaj togerja dhe i fundit hyri komandant Gurra , i cili pasi thirri: ”O, ka Zot shtëpia e Lush Rebelit, o hej?!” si i trullosur zbrazi një rafal fishekësh mu para derës së shtëpisë. Gëzhojat e plumbave  u shpërndan pa kontroll nëpër barin e rritur në oborrin e shtëpisë së Lushit. Të bijt e Haram Harambashit me të dëgjuar  krismat  u tretën pa u dukur  si shurra e pulës, si i thonë fjalës në kryeqytet.

- Rendi shtëpiak  e do të respektohet konaku, Lush Rebeli!- reagoi Haram Harambashi pas krismave të armës së komandant Gurrës.

- Qen , bir qeni , ti do të ma caktosh rendin në shtëpinë e Lush  Rebelit dhe për të gjallë të tij,a?!- shfreu pezmin komandant Gurra  dhe e mbërrtheu Haramin  për gryke. Sikur të mos ishte Lushi, komandant Gurra do t’ia nxirrte shpirtin nga prapa.

Gruaja e Haram Harambashit, një plakë uloke e  shtrirë në krevatin e Nënë Nazës, me një shami  bojëkafe të mbështjellur në kokë, të  cilën   kishte vjet   që damllaja e kishte goditur, me sy të zgurdulluar, ndonëse e belbër, shikonte ngjarjen. Si duket krismat e armës së komandant Gurrës nuk i kishte dëgjuar fare. Përpiqej të thoshte diç, por si e hendikepuar që ishte nuk mund ta kuptonte njeri. Shqiptonte vetëm  rrokjen e parë të një fjale të pakuptimtë ”Na... Na... Na...” dhe  me gishtin tregues të  dorës së djathtë, duke e mbledhur mundohej të rrëfente për vrasjen e ndonjë fatziu në luftë. Lushit i bëri përshtypje plaka e goditur nga damllaja , ndërsa kureshtja për të mësuar diç nga plaka e shndërroi në sy e vesh, por nuk arriti të kuptonte gjë. Edhe togere Bubulina  ndjeu dhembje për fatkeqësinë që kishte goditur plakën e  shkretë,u mundua të kuptonte diç, jo për të mësuar për luftën, nga simbolika  e gishtit që mbledhte, sa për të nxjerrë ndonjë diagnozë përkiazi me sëmundjen e saj.Togerja kuptoi se plaka e goditur nga  damllaja përpiqej të thoshte  diç, por nuk mundej. Ndoshta edhe mund ta shqiptonte edhe një rrokje të fjalës që përpiqej ta shqiptonte, por nuk guxonte nga i shoqi. Harami i frikësuar në mos  të shoqes mund  t’i shpëtonte ndonjë fjalë për fatin e Nënë Nazës, u përkul pranë krevatit dhe i vuri një batanije në fytyrë dhe, veçmas,  u kujdes për  t’i mbuluar gishtin tregues , që herë tëkurrej e herë hapej.

- Do ju liroj shtëpinë tuaj , Lush Rebeli!- u dëgjua një zë i ngjizur i Haram Harambashit. Unë nuk jam si Akunët e Lugati që kanë uzurpuar gjysmën e kryeqytetit! Burrë i mirë jam, more Lush! Edhe bëmirës i madh jam! Këtë shtëpi unë e shpëtova pa i futur zjarrin ushtarët e gjeneral Gexhës! Ata kishin një lloj arme speciale për zjarrvënie, që nuk kisha parë kurrë! Me një të shkrepur, sa hap e mbyll sytë, flaka përpinte përnjëherë shtëpinë! I luta të mos  i vurnin zjarrin, dhe vetëm pasi i qerasa me një shishe raki, hoqën dorë nga djegia e saj ! Ju mund të më quani spiun, mbase spiun jam, por Mëhallën Xhehenemit unë  e shpëtova pa u djegur! Aq munda, aq bëra! Pastaj, pasi mbaroi lufta hyra në shtëpinë tënde, pasi që pallatin tim u dhash me qera këtyre ndërkombëtarëve që ju i sollët në kryeqytet!

- Edhe hipokrit edhe humanist na qenke more Haram Harambashi e nuk a paskam ditur! Edhe dreç edhe profet! Edhe gjarpër edhe engjëll! I njoh mirë profecitë tuaja dhe të kastrës tënde,Haram Harambashi !- shfreu Lush Rebeli, duke mos mundur t’i  shqitte sytë nga dhoma e Nënë Nazës, që ishte katandisur aq keq. Pluhuri në xhama ishte trashur sa nuk mund të shihej gjë nga jashtë. Kundërmonte erë toaleti, ndonëse toaleti as banjoja  kishte kohë që nuk ishin pastruar. Era e plakës së goditur nga damllaja , që dhihej në shtrat, e cila kishte kohë që nuk e kishte larë njeri, ta zinte frymën.Enët e palara nëpër të cilat shëtisnin miza e minj bishtgjatë ishin të shpërndara nëpër tërë dhomën e Nënë Nazës. Minjtë nuk i bezdisnin mizat që ngulnin thimthat për të ngrënë diç të palarë në enë, por  as mizat nuk i  bezdisnin minjtë! Minjtë e mizat, si duket, kishin rënë në ujdi të plotë  për harmoni jetësore në ndytësirën e jetës së Haram Harambashit. Mizat as nuk turpëroheshin nga minjtë, kur në enë çonin dashuri apo kurvëri,duke  i hipur njëra tjetrës pa fije turpi! Minjtë ishin edhe  më të paskrupullt  gjatë skenave erotike. Kur miu i hipte minushes, do të thotë dashnores apo gruas së vet, miu në shenjë kënaqësie të derdhjes së orgazmës i këndonte te veshi minushes së vet serenadën” Cërrc...Cërrcë ... Cëëërrc...!” Merimangat  kishin thurë rrjerta në të gjitha qoshet e dhomës  ku e kishin shtrirë plakën me damlla.  Një merimangë  e ngatërruar në rrjetin e vet  përpiqej të dilte por s’ia arrinte dot. Lushi ndjeu dhembje për mundimet  merimangës që përpëlitej të dilte  nga fatkeqësia që vetes i kishte krijuar dhe u gëzua kur merimanga arriti të dalë nga rrjeti  duke u kacavjerrë në  perin  e hollë që lëshohej deri në dysheme . ”Sa të çuditshme janë merimangat!- mendoi Lushi. Janë si njerëzit! I duan lartësitë pa menduar për theqafet kur bien në tokë! Edhe njerëzit si merimangat ngrehin kurthe  e  rrjeta dhe  në kurthet e veta ngatërrhen  deri n? vdekje!”.

Togere Bubulina  mbylli me faculetë hundën e gojën nga frika në mos  do të prekej nga ndonjë epidemi, ndërsa , tinëz , qeshte me skenat erotike të mizave e minjve të pacipë, që nuk mërziteshin dot nëse i shikonte njeri, ose nëse skenat e tyre do të përfliteshin në kryeqytet si turp i minjve apo mizave!  Sidomos, togerja  shastisej nga minjtë bishtgjatë që gjatë ekstazës  erotike të trullosur nga epshet i mbështilleshin nëpër këmbë, ndërsa komandant Gurra ia plasi gazit kur nga nënbatanija me të cilën Harami mbuloi plakën, doli zëri i zgjatur i një pjerdhe të plakës. Era e pjerdhës së plakës nuk u ndie  larg, e  tretur në kundërmimin e gjithmbarshëm  që kishte pllakosur dhomën.

Haram Harambashi me gjithë dhelpërinë që kishte, si finok me nam i kryeqytetit, i njohur për kurdisje të situatave dhe i stërvitur enkas për të dalur nga situatat e liga  nuk kishte asnjë ide si do të shpëtonte kësaj  radhe!” I erdhi koha kungullit të mbytet në ujë!”- mendoi në vete, ndërsa pandërprerë griste buzët me dhëmbë. Duke grisur buzët i shkëlqyen dhëmbët  prej ari, të cilët i kishte ngjitur gjatë aferës së vjedhjes së arit të ”Trepçës, kur propagandohej se ”Trepça nuk prodhonte ari as për dhëmbë!”. Herë pas herë tinëz vidhte reagimet e mysafirëve të paftuar, ndërsa teket  e komandant Gurrës që  herë nxirrte fishekët nga karikatori i automatikut e herë e mbushte karikatorin e çmendnin. Kur komandant Gurra qeshi me pjerdhën e zgjatur të plakës, Haram Harambashi u shtir sikur u ndie i fyer, apo ndoshta realisht u ndie i fyer, kush e di, por  u mundua të shfrytëzojë nga rasti për të dalë nga situata :

- Nuk është nder të qeshësh me të gjorën, komandant! A nuk e sheh si është katandisur e shkreta, që ma hëngri shpirtin! Me vjet i rri te koka! Nuk flet, nuk dëgjon! Për gjynah të Zotit është e shkreta...! Më jepni izë të ikë nga këtu , ju lutem! Pastaj edhe plaken do ta marrë! O, Zot, sa të pashpirt qenkit ju të maleve ! Unë ju shpëtova shtëpinë nga zjarri e ju më maltretoni!- theu heshtjen  duke u mërdhezur  Haram Harambashi.

- Po e shohim, Haram Harambashi ! Po e shohim se as nuk flet as nuk dëgjon, por pjerdhët po i shkuakan mirë, besa! Pastaj ...edhe ti thua se ke shpirt, a? Pis more! Sa mirë di të shtiresh! Idiot! Ndërsa për izën kemi llafe tjera , Haram spiuni!- iu kundërvur Lush Rebeli dhe, duke u mbajtur në kukëza, doli në dhomën përballë , të cilën dikur e kishte edhe dhomë gjumi edhe dhomë pune edhe bibliotekë.Sapo hyri në dhomë, mbi tavolinën e vjetër që e kishte blerë nënë Naza para tridhjetë vjetësh,  pa makinën e vjetër të shkrimit mbi të cilën ishte shtresuar pluhuri. Preku disa tasta të makinës dhe pa se të rrahurat shkonin rëndë, por nuk ishte dëmtuar shumë. Shikoi edhe xhamat e pluhurosur, tavanin ku qëndronin të varura qindra rrjete marimangash dhe nën shtrat dëgjoi përsëri serenadat ”Cërr...Cëëëërr...Cëëëërrrrc!” të minjve, që hynin e dilnin  nga të çarat e dërrasave  të dyshemesë së vjetër, që pas çdo hapi nxirrnin  kërcëllima që t’i shponin  trutë. Padashtas, sytë i shkuan në raftet e pluhurosura të librave. I erdhi keq për librat që i kishte ”tradhtuar” me   vjet  të tërë. Nuk kishte as fuqi as fjalë të arsyetohej  para librave për mungesën e tij të gjatë. Me perden e xhamave, pasi e shkundi mirë, fshiu një shtresë pluhuri mbi librat dhe pa se shumë nga librat po i mungonin:” Shekspiri këtu qenka! Vetëm ”Hamleti” po i  mungueka! Edhe Dante e Petrarka  paskan shpëtuar! Sa  keq  Virgjili e Beatriqa  paskan pësuar nga lufta ime! Nga parajsa i  paskan  futur në këtë  ferr të trisht të shtëpisë sime ! Edhe Hegeli këtu qenka! Jesenjini...?! Po, po edhe Jesenjini...! Edhe  ”Kur’ani” i nënë Nazës. Ku është Naimi? Medet, ma paskan vjedhur Naimin! As Fishta nuk qenka ! As Noli! As Kadareja! As Qosja ...! Edhe ”Gjarpijt e gjakut” m’i paskan vjedhur! Edhe Koliqin e Martin Camajn...! O , Zot, kush qenka ai njeri që në kryeqytet dashka aq shumë të lexojë letërsi shqiptare ?! Miku im shkrimtar, kur më vizitoi në spital, u ankua se në kryeqytet nuk gjendet njeri që lexon libra dhe se Biblioteka Kombëtare e kryeqytetit më tepër shfrytëzohet për dashuriçka të studentëve se për lexim dhe , nëse  vendos që dikujt t’i dhurosh librin e sapo botuar, së pari, duhet ta prekësh xhepin sa e ke të ngrohtë se nuk e merr dot kush librin pa e qerasur bile me një kafe! Pastaj , si tha  miku im shkrimtar, që  shkruan   romane, nuk ia vlen barra qiranë të merresh me letërsi, se duhet paguar mirë redaktorin, recenzentët. lektorin... Pastaj, po nuk e pagove mirë kritikun letrar, kritika e tij mund të përtrollisë keq sa të vjen ndot nga vepra që vetë e ke  nxjerrë në këtë botë! Nëse ndonjë ”lexues”, e pyet nëse i ka pëlqyer apo jo vepra , mbase as që e ka hapur veprën që i ke dhuruar, pas qerasjes me kafe, më tha  miku im shkrimtar, pa një pa dy të thotë se nuk i kishte pëlqyer! Njëri thotë se  vepra ishte pa kriter estetik,  formalisti tjetër  ankohet se kopertinat e librit nuk i kishin pëlqyer e lartpurlartisti tjetër thotë se fabula ishte konvencionale! Kështu thonë  pa e hapur librin! Me shpirt do t’i falja të gjithë librat e mi dhe do ta qerasja gjatë tërë jetës me kafe  lexuesin vetëm të më betohej se do t’i lexonte ! Pastaj  hapi sirtarin e tavolinës ku ishte kujdesur t’i palonte dorëshkrimet . U zbeh, pastaj u shtangua kur pa sirtarin e zbrazur! Deshi të qante, por ishin togerja e komandant Gurra, zemrat e të cilëve nuk mund t’i thyente. U mendua pak dhe u nda i kënaqur që i kishin vjedhur apo djegur dorëshkrimet në kohën kur letërsia është shndërruar në biznes, në kundërvlerë, në pornografi... në lecka letrash për mbeturina, ndërsa shkrimtarët në lypsarë servilë ! Sa mirë e kishte Kolë Jakova kur e pati  lënë trestament të shkruar  dhe të firmosur me dorën e vet  që në ceremoninë e tij mortore mos t’i lejohej asnjë shkrimtari, madje as kryetarit të Lidhjes së Skrimtarëve,  të hyjë në kortegjin e tij funeral, e lëre më të shihte ndonjë shkrimtar kufomën e tij! Edhe Franc Kafka, ndoshta, e kishte mirë që një mikut  i kishte lënë amanet, që pas vdekjes  t’i digjte të gjitha  dorëshkrimet! Punë e madhe nëse skriboimanët i quajnë Jakovën e Kafkën pesimistë apo nihilistë të pandreçshëm.

Duke menduar për vlerën dhe kundërvlerën e librit dhe sidomos për servilitetin dhe poltronizmin e shkrimtarit të sotëm si ”ekspert” i hartimit të fjalimeve dhe referateve të politikanëve,  Lushi, njëkohësisht, përpiqej t’u fshinte pluhurin librave të mbetur në rafte...! I tërhoqi kureshtjen Niçeja dhe ”...Zarathustra”. E mori librin  ngadalë dhe pa  nën ”...Zarathustrën” të strukur shishen me urnën e të et , të cilën  mbase nënë Naza do ta ketë fshehur,  që helbete kur t’ia behë falanga e Akunëve dhe ushtria e gjeneral Gexhës nuk do ta gjenin! Lushi  i gëzuar lëshoi ” ...Zarathustrën” , mori shishen  ku ishte stisur shkrumbi i kufomës së të atit, këtu e pesëdhjet vjet më parë. Ndoshta i erdhi keq që braktisi ”...Zarathustrën”, por urna e Isuf Lisgurit gjykoi se ishte më me rëndësi se libri  i Niçes, që e pandehin të krisur, të cilin kurrë as kritika letrare as kritika filozofike nuk arritën  ta kuptojnë deri në fund.

- Të gjeta! Më në fund të gjeta babushi im!- tha Lushi duke i marrë erë shkrumbit të të atit që e ëma e ruante me xhelozi dhe  në konfidencë të plotë. Babush, pse je strukur kështu, more? O, i mjeri unë i mjeri si qenke katandisur babushi im  në këtë rrëmujë pluhuri e kundërmim të pjerdhëve të plakës së Haramit! Pse nuk më përgjigjeshe  kur të kërkoja?! Mos  je hidhëruar nga unë e nga nënë Naza që të kemi  lënë vetëm pa pasur me kë të flasësh, a babush ?!   Ndoshta je frikësuar nga  Xhehenemli Mëhallase se do  të nxjerrin nga shishja e do të hanin!? Ndoshta, akoma frikësohesh edhe nga Akunët dhe Haram Harambashi! ? Besa ke të drejtë të frikësohesh !  Nuk u dihet punëve së tyre, babushi im! Ende nuk kanë ngordhur ato kërma të gjalla! Disi, tash, të paska humbur trimëria e dikurshme , babush! Nuk  qenke më ai Isuf Lisguri i dikurshëm! Syri nuk të bëri ”vërr” kur Xhixhë maxhupi i Vushtrrisë e kreu me çekiç mbi kokën tënde detyrën e vet, sipas urdhërit të Novicës së Zi në Shtëpinë e Isakut të improvizuar si burg. Nuk u trembe as nga errësira as nga të ftohtit e  morgut  të kryeqytetit, kur të mbajtën tre ditë e tre netë të gjallë midis kufomave... ! Bile, thoshin se ia kishe pas shtruar muhabetit  me kufoma më mirë se me të gjallët!? Vetëm të krisurit frikohen nga kufomat më tepër se nga të gjallët, që kanë  prirje edhe të vrasin! A ka ndodh që ndokush të ketë pësuar nga i vdekuri? Jo! Po nga të gjallët me mijëra e mijëra pësojnë brenda një dite! Sa anakronikë budallenj janë njerëzit që frikohen e nuk dinë nga kush duhet të frikohen, madje as nuk dinë pse frikohen ! Edhe barcoleta të lezetshme kufomave në morg u kishe pasë rrëfyer gjatë tre netëve e tre ditëve , babushi im ...!!

Pas bisedës me shkrumbin e të et të mbyllur me kapak në shishe, Lushi u ndie i lodhur, i mundur, i thyer... Këmba nisi t’i dridhej. Edhe kukëzat i dridheshin. Nofullat e dhëmbët i kërcëllenin. Edhe sytë e lëbyrur nisën t’i bënin hile.  Druajti  mos do rrëzohej. Nuk mundi ta paramendonte veten të rrëzuar para Haram Harambashit, ndaj u  kthye ngadalë, fare i kujdesshëm,  prapë në dhomën e nënë Nazës. Komandant Gurra akoma luante me fishekët e automatikut  si fëmija me lodra  dhe qeshej me lojën erotike të minjve e mizave, kurse togerja përpiqej të kuptonte diç nga belbëzimet  anakronike Na...! Na...! të plakës së shtrirë në shtratin e nënë Nazës, kurse  gishti tregues i dorës së djathtë i plakës  vazhdonte pa kontroll të tëkurrej e të shtrihej...!

Pasi u mbështet mirë në kukza, mori frymë thellë dhe nxori frymë në trajtë ofshame , i hodhi Haramit një shikim sa ironik aq edhe vrastar  me të cilin Haramit iu dukt se po e zhbinte. Pastaj u hodhi sytë fotografive të së ëmës dhe babait të varura në mur. U afrua dhe lehtas me mëngën e xhaketës u fshiu pluhurin.Disa çaste i shikoi pa folur  dhe, ngadalë, me një ton të butë dhe lutës iu kthye Haramit:

- Ku është nënë Naza? Shishen  me urnën e babë Isufit e gjeta? Të gjitha mëkatet ndaj meje do t’i fal Haram Harambashi vetëm më trego ku është nënë Naza , të lutem...! Por, mos më gënje si e ke adet! Nëse nuk më tregon  dhe nëse më gënjen jo vetëm që do të vras , por do ta djeg tërë Mëhallën e Xhehenemit! Kupto, budalla, nënë Naza e babë Isufi kanë djalë!...

Ndërsa Lushi fliste, Haram Harambashi si i nemitur qëndroi  kokulur para tij. Kush e di ç’rren mundohej të ziente në rradake për t’iu përgjigjur  Lushit. Një mi apo minushe , ndoshta i mërzitur nga loja e dashurisë me partnerin, duke u përpjekur t’u shmangej  epsheve të dashnorit sevdali i hyri Haramit nëpër pantolla dhe iu ngjit deri te brekushet , ndërsa Harami e zuri me të dy duart, e shtrëngoi fort miun derisa ngordhi , kurse duart iu skuqën me gjak ! Derisa Harami përplitej me miun e ngatërruar në brekushe, togerja dhe komandant Gurra u shkulën së qeshuri. Pjerdhët e plakës së mbuluar me batanie u ndalën. E shkreta ndoshta më  nuk mund as të pirdhte!  Lushi as nuk qeshi, as nuk reagoi ndaj  përpëlitjeve të Haramit me miun, por priste përgjigjen e tij për fatin e nënë Nazës:

- Hë! Haram Harambashi do të këndosh apo do të vajtosh? Fol! Kësaj radhe nuk ke udhë tjetër përpos ta thuash të vërtetën!

- Po, po , do të flas , por ky i mallkuar miu m’i zhdaraviti mendimet! Do t’i them të gjitha, Lush, por asnjë të vërtetë të plotë nuk e di! Rrena i kam dëgjuar , rrena do t’i them!

Kam dëgjuar se Naza nuk kishte pranuar të dilte nga shtëpia për të hipur në trenin humanitar të gjeneral Gexhës!  Kur i  tërë kryeqyteti i këndonte  urata gjeneralit që po e fuste për ta shpëtuar në Kanalin e Gligorovit, nënë Naza publikisht e mallkonte! Kush hyri në atë kanal thoshte se atje ishte vetë xheneti ! Kam dëgjuar se Rahila e Harunit dhe e Akunit e kishte lutur ta lërte shtëpinë, ndërsa ajo si kokëfortë që ishte , nuk e kishte dëgjuar, madje as Rahilën!” Dil jashtë kurvë e the qafen me gjithë atë pis gjeneralin, se e gjallë nuk dal nga shtëpia ime ! Pastaj...? Pastaj...?-dhe prapë heshti Haram Harambashi .

- Pastaj , Haram?!- pyeti Lushi.

-Luftë ishte, Lush Rebeli! Kush ia kishte ngenë të merrej me një plakë kur kryeqyteti digjej! Nënë Naza ishte, tamam, si ajo plaka e Shkodrës, e cila kur Shkodra digjej ajo krihej! Të gjithë iknin! Rrëmujë! Iknin nga sytë këmbët burra me mustaqe vesh më vesh , tebdil, në dimija grash bile, e nënë Naza jote xhanbabaxhan, pa e prishur  tymin e duhanit rrinte ulur këtu, ku është shtrirë plaka ime dhe nuk ia ndiente as për luftën as për ushtrinë e gjeneral Gexhës!

Komandant Gurra i hodhi një shikim të ashpër Haramit dhe pasi ndërpreu lojën me fishekë, mbase Harami i shkoi në nerva me bishtrimet e përgjigjes, i ndezi dy flakaresha të nxehta në surrat, ndërsa Lushi  dhe togerja me një cep të batanijes me të cilën ishte mbuluar plaka e paralizuar, i fshinë disa pika gjaku dhe jargët nga hunda e goja.

- Fol qartë, more pis se të vrava!- u kërcënua  komandant Gurra. Edhe togerja ishte e vendosur ta mësonte të vërtetën për nënë Nazën. Pasi i fshiu gjakun, Lushi prapë iu kthye Haramit:

- Ndoshta u hidhërove Haram Harambashi?! Burrëria nuk e ka me hidhërime e me teke! Ti e di mirë sa herë ti  me Akunët më keni shtruar në dajak e unë kurrë nuk jam hidhëruar! Vazhdo ku e patëm muhabetin! As mos ma lavdo as mos ma shaj nënë Nazën! Vetëm më trego ç’ndodhi me të! A është gjallë , dhe nëse është gjallë ku gjenedet , ndërsa  nëse ka vdekur apo e kanë vrarë ku e ka varrin? Të gjallë apo të vdekur e dua nga ti nënë Nazën! A kupton, more idiot?- dhe me njërën kukzë e qëlloi mbi supe.

Haram Harambashi që kurrë nuk e kishte shijuar dajakun sa i idhët është, duke e parë se  nuk i shiteshin  truqet vendosi ta thotë të vërtetën:

- Ju lutem, ndaleni dorën! Jam plak e dajakun se duroj dot! Unë jam mësuar të jap dajak e jo ta ha vetë të shkretin! Sa të vështira qenkan flakareshat për burrin e nuk e paskam ditur, unë i marri! Do ta them të vërtetën! Për herë të parë në jetën time do ta them të vërtetën cullak , pa rrena, pa dorëza edhe nëse Akunët çmenden edhe nëse guri mbi gur nuk mbetet në këtë botë! Por, të lutem Lush, ma mbaj besën , se bëri e dëgjuan  Akun Bishti e Lugati, e pati puna ime me fis e me farë!

- Pa merak, Haram Harambashi!- reagoi Lushi me një ton bindës. Të jap   besën që e meriton spiuni se askush nuk do ta marrë vesh ç’më ke thënë për nënë Nazën!

- Ku e lash, pra Lush se të gjitha kabllot m’u kanë përzier në krye!?

- E ke lënë te ... Pastaj ...?!

- Eh! Po, po ! Tash po më kujtohet ku e kam ndërprerë!

- Fillo, de ! Mos u tall me mua se tash  kohë tjera  janë! Bluaj butë e më butë Haram Harambashi!

- Ta them, a?

- Fol të lutem, Haram ! Edhe durimi im ka kufi! Po frigohem mos do t’i ndyej duart në ty e nuk mund të m’i laj as Drini!

- Po frigohem Lush Rebeli! Midis dy zjarreve jam, i shkreti! Po shpëtova këtu nga dajaku, atje më pret pas shpine  plumbi i Akunëve! Kësaj i thonë më var  jo në këtë, por në atë tra! Po shpresoj se trari tjetër do të thyhet para se Akunët do të ma heqin trekëmshin! Nuk i njihni ju sikur unë Akunët, jo!

- Do të thotë se Akunët nënë Nazën....e vranë?!

- Jo, jo, jo! Të betohem se Akunët nuk e vranë Nazën!

- Atëherë , pra Lugati!

- As Lugati.. As Ziban Ziu!

- Mos Rahila?

- Eustekfurllah! Ajo  u mundua ta bind të ikte me trenin humanitar të gjeneral Gexhës, por Naza se dëgjoi !

- Pra , sipas teje, nënë Naza qenka gjallë diku!

-Jo more çfarë gjalli! A mund të mbetet i gjallë njeriu i therur në fyt,a! As gëk as mëk nuk  mundi të bëjë plaka kur i  futi  majen e thikës në fyt major Zhuga ! Akun Bishti e nxori me forcë nga shtëpia! Naza  flinte mu këtu në këtë shtrat,  ku fle  tash plaka ime! Ndoshta të ëndërronte ty, ndoshta të shoqin...! Ku ta di unë ç’ëndërronte plaka, por jam i sigurt se ishte fjetur! Pasi e zgjoi nga gjumi me një flakareshë fytyrës,  Akuni e zuri për flokësh dhe pasi i hoqi shaminë e bardhë nga koka , e tërhoqi rrëshqanë nëpër oborr e nëpër kalldërmin e rrugës me flokë të shprishur dhe në fund të mëhallës, duarlidhur ia dorëzoi major Zhugës, mu në ditën kur u  vetvra majori i shkretë! Kurrë asnjë fjalë nuk e foli plaka jote, Lush! Diçka mërmërinte nëpër buzë, por nuk kuptuam ç’thoshte! Rahila thoshte se plaka i lutej Zotit! Në fund e pështyu Akun Bishtin e pështyu edhe Harunin e Lugatin, e pështyu në fund edhe Rahilën ...! Lush Rebeli, plaka Nazë më pështyu edhe mua...!  Në të dy sytë më pështyu! Pastaj...!

Pastaj...!  Rahila i qiti ujë  major Zhugës  për t’i larë duart e përgjakura! Nëpër kalldërm u formuan dy vija të lagura! Vija e kuqe   mori udhë në të djathtë e tjera ishte vijë uji që eci në të majtë! Çuditërisht as uji nuk deshi të përzihej me gjak e as gjaku nuk deshi të përzihej me ujë! Uji nuk donte të bëhej gjak e as gjaku nuk donte të bëhej ujë! Gjeneral Gexha deshi ta vriste majorin që  theri plakën, por ndërhyri kolonel Xhungaliqi! Thoshte se njëqind tjerë do t’i jepte për plaken!  Nuk di pse ishte ”dashuruar” në një plakë të kërrusur, kur kishte Rahilën e Tatlije hanmin lakuriqe tek i çalldisnin defin e kërcenin  si ngjala për hatër të gjeneralit  dhe njërën pas tjetrës i ngrehnin gotat e rakisë!? Besomëni ,  kurrë nuk do të isha dorëzuar argat i Akunëve sikur ta kisha njohur gjeneral Gexhën sa kriminel ishte ! Kur ishte nisur për në kryeqytet, gjeneral Çiklopit i kishte premtuar  se në Dedinje  do t’u  shpjerte ty ose plaken të gjallë...! Ama, të gjallë e jo të vdekur ju dëshironte gjeneral Çiklopi! Dhe ...?

-Dhe?!  Ç’ndodhi pastaj?-mërmëriti si i çmendur Lushi

-Dhe...! Krejt në fund, Akuni dhe Ziban Ziu prapë e tërhoqën rrëshanë kufomën  deri te kamioni ...! E ngarkuam në kamionin e mbushur deng  me kufoma dhe pas pak arritën Apaçët e pashpirt të Amerikës! Qeni të Zotin më nuk e njohu në kryeqytet!

- Po rren , qen bir qeni...! Po rren! Nënë Naza është gjallë! Nënë Naza nuk ka mundur të vdesë pa i kumtuar burrit të vet të mbyllur në shishe se e fituam lirinë...! Me vesh të mi  një mijë herë e kam dëgjuar nënë Nazën kur fliste me hirin e babait të mbyllur në shishe se ditën kur do t’ia kumtonte lajmin për lirinë do të bënte dasmë...Do të më martonte edhe mua   me vajzën më të bukur të kryeqytetit... Pastaj...I pati premtuar edhe varr për urnën e tij...! I thoshte se  me sy të mbyllur shpirti i tij do të dilte nga shishja dhe mbi flatra të engjujve të bardhë fluturimthi do të shkonte në parajsë... Në kryeqytet do të ndaleshin vdekjet me sy hapur për lirinë! I thoshte se edhe ethet e trishta e lëngatat në kryeqytet do të pushonin! Qeveritë e kryeqytetit më nuk do të lëngonin nga lëngata e etheve  të trishta.I thoshte se edhe të gjithë të vdekurve tjerë me sy hapur për lirinë përnjëherë do t’u mbyllen sytë e shpirtat do t’u pushonin në xhenet! I thoshte se kur të vijë liria më nuk do të ketë beteja  në rrugët e kryeqytetit  midis  fantazmave   e  lugetërve...! Kurse , ti  gënjen idhët, Haram Harambashi! Sa me fodullëk thua se nënë Naza ka vdekur, kurse unë e di se nënë Naza nuk ka vdekur! Nëse vërtetë ka vdekur nënë Naza, si thua ti,  shpirti i saj do të metaformizohet në hije, në fanatazmë që do t’i ndjekë pamëshirë lugetërit, shpirtërat e këqinj të kryeqytetit! Hija e saj do hyjë në dhomat tuaja, në shtretërit tuaj, në ëndrrat tuaja...! Hija e saj do t’u kap për fyti, do t’ju zë frymën...! Do t’ju plandosë për tokë! Nga  hija e  nënë Nazës nuk do të keni shpëtim as të gjallë as të vdekur...! Nëse me hile i shpëtoni në këtë botë, në botën tjetër logetrog do ta bëjë  skëterrën e do t’ju gjejë! Ha... haaa... haaaaaaa! Pas hakmarrjes në këtë apo atë botë,  shpirtërat e parë që do të rilinden pas apokalipsit do të jenë të nënë Nazës e babë Isufit që nuk do të lindin fëmijë vëllavrasës si Kaini e Abeli, të bijt e Evës dhe Adamit...?! Nënë Naza është grua e nderit, e besës dhe e fjalës!- përfundoi Lush Rebeli.

Ndërsa zhvillohej dialogu midis Lushit e Haramit, togere Bubulinës dhe komandant Gurrës u vëlonin trutë  brenda rrashtës së kokës. U zbehën. Dridheshin. Iu merreshin mendët. Shtëllunga  mjegulle u dilnin para syve . Në vesh u vinte ushtimë si e gjolit të detit, kur dallgët e harlisura në stuhi i rrahin  brigjet.  Më nuk kishin fuqi as sa një vremç.

Komandant Gurra pasi fshiu shtëllungat e mjegullës që i vinin në sy, vërtet deshi ta vriste Haramin , por e ndaloi togerja e zhgrehur në vaj:

- Mos të lutem komandant Gurrë! Mos! Krimet e tjerëve nuk duhet ta nxejnë gjakun që edhe ti të shndërrohesh në kriminel! Nëse vret, madje edhe  kriminelin, pa iu bërë gjyq, nuk mund të thuash se i ke duart e pastra nga krimi! A s’e sheh se para se ta keshë vrarë, këtë të mjerë, e paska vrarë, Zoti, a ? Sa i mjerë qenka  Harami! Vrasje më të madhe për te nuk mund të ketë se sa të mirret me këtë plakurushen e shtrirë që i ka shërbyer dhe ka lindur fëmijë me kriminelin! Plumbi për te është shpëtim! Mos të lutem, mos e shpëto kriminelin! Mos e shpëto Haramin! Nuk ka dënim më të madh se sa ta lerësh në luftë të ashpër me ndërgjegjen e tij ! Subkoshienca  e tij heret a vonë do të zgjohet nga  labirinthet  e errta të trurit të tij dhe do t’i vrasë vetëdijen!  Pas luftës midis koshiencës dhe subkoshiencës së këtij mjerani do të pasojë çmenduria! Thonjtë, mishin , lëkurën, zermrën ...  me dhëmbë  të vet do t’i hajë! Do ta hajë edhe shpirtin e vet dhe do të ngordhë i pa shpirt, por  barkngopur!  O, Zot! Pjellë e keqe, medet, ky farë Harami...! Ky soj i fëlliqur i krijesave njerëzore u përngjet gjarpërinjve me dy koka dhe një bark. Në parkun zoologjik të Miçigenit ishte  një gjarpër fenomenal me dy koka, të cilat edhepse ushqimin e çonin në  barkun e përbashkët , kokat kurrë nuk pushonin së luftuari midis veti! Secila nga gojët e kokave donte të gllabëronte  më shumë!  Lufta midis kokave ishte e pamëshirshme! Gjithnjë ishin të përgjakura  , ndërsa vizitorët për ta kënaqur manirin e sadizmit të vet  iu hedhin mish për ta  nxitur  luftën  e re të  dy kokave me   një trup dhe një bark! As Darvini, as atavistët, para e pas tij , kurrë nuk kanë mundur ta shpjegojnë saktësisht luftën absurde të egos së kokave që kanë një bark të përbashkët dhe dy gojë!

Si duket Lushit as që i  bënë përshtypje fjalët e togeres. Madje as që i kishte dëgjuar. Syt i kishte ngulitur përsëri në tavanin e blozuar  ngjyrë kafeje  dhe te  fija e  zgjatur  e   rrjetit     merimangës që lëshohej teposhtë duke u pehatur... Diç mendoi , por as vetë nuk diti se ç’mendoi! Nga ekstaza e mendimeve e zgjoi një kollë  e thatë pneumatike, që i doli nga thellësitë e mushkërive, pastaj edhe një teshtimë që i doli papandehur. Ndoshta  zagushia e ajrit dhe kundërmimi i shtëpisë i kishin nxitur kollën dhe teshtitjen. Togerja dhe komandant Gurra si duket bisedonin për diçka   parëndësi dhe herë pas herë e pyesnin për gjëra fare të parëndësishme edhe Haramin. Biseda e tyre nuk i zgjoi kureshtjen  Lushit, i cili pas kollës dhe teshtimës nga tavani përqëndroi sytë  në një zgavër të dyshemesë së vjetëruar, thuajse tërë mendjen e shkrinte në atë birucë, nga e cila dilnin parreshtur minj  mullacakë pa qime dhe më të medhenj me bishta  . Një çast,ndoshta, u lakmoi minjve që pa brenga shëtisnin nëpër dysheme dhe kur donin hynin e dilnin  pa frikë nga  birucën e vet.

Pas disa çastesh përqëndrimi në birucë , Lushi përforcoi duart në kukza dhe përsëri u  kthye  në dhomën  e librave, që dikur e quante bibliotekë.Diçka magjike e joshte të hynte në dhomën e librave. Ndoshta librat e kthenin në ditët e ëmbla studentore.  Duke shpalosur librat dhe duke u përpjekur t’u fshinte pluhurin e shtresuar, sytë i shkuan ratësisht te Procesi   i Kafkës. Pasi i fshiu mirë pluhurin, e hapi librin,  u hodhi një sy nënvizimeve me laps grafik të vijëzuara tridhjetë vjet  më parë, që kur e kishte përgatitur provimin e letërsisë botërore. Iu kujtua edhe polemika e rreptë për Kafkën  me profesorin  tullac, i cili e kishte  trajtuar kafkën si shkrimtar nihilist dhe  mikroborgjez,  i rrezikshëm për partinë dhe socializmin, që nuk do ia vlente të lexohej. Duke shfletuar romanin e Kafkës , Lushi qeshi me  servilitetin e profesorit, të cilin  kryeqyteti e mbante si kritikun dhe historianin më të mirë të letërsisë botërore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx