E shtune, 26.07.2025, 01:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Shtëpia e Nënës Tereze në pikëpyetje

E diele, 10.10.2010, 12:14 PM


Pamje nga Prizreni, Foto nga Laura Hasani
Pamje nga Prizreni, Foto nga Laura Hasani
Ardianë Pajaziti, Kosovapress

 

Shtëpia Muze për Nënë Terezen në Prizren që është dashtë të përurohej në fund të këtij viti akoma nuk ka nisë punimet. Mbështetësi i këtij projekti, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, me rekomandime të stafit të këtij institucioni patën paraparë që një objekt ekzistues të rinovohej, që më pas të shërbente si Shtëpi Muze, mirëpo, pas analizave të bëra, u pat marrë vendim që ky objekt të fillojë së ndërtuari që nga themelet e saj.

“Tash sa ka përfunduar tenderi për ndërtimin e këtij objekti, së shpejti do të shpallet edhe fituesi”, ka thënë Shefki Ukaj, këshilltar i ministrit të MKRS-së, Lutfi Hazirit, njëherësh edhe koordinator i Këshillit Organizativ të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze.

Sipas tij, lokacioni për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm kulturor është ndarë nga Komuna e Prizrenit dhe punimet do të fillojnë shpejt. “Lokacioni i ndarë për këtë objekt është në afërsi të Kishës Katolike, dhe mu në atë vend ka shërbyer për disa vite Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Tereze”.

Mirëpo, se a do të kryhen punët e këtij objekti që të përurohet në periudhën e paraparë, Ukaj nuk ka mund ta konfirmojë një gjë të tillë, pos asaj se me shpresë mund të kryhet. “Shpresojmë se do të arrijmë në kohë, nuk është ndonjë objekt i madh. Punimet do të duhej të përfundojnë shpejt. Fillimisht është me rëndësi që punimet e vrazhda të kryhen, e më pas të përfundohen edhe pjesët e tjera”, ka thënë Ukaj.

Në anën tjetër, aktivitetet e shënimit të 100 vjetorit të lindjes

së Nënë Tereze do të përfundojnë në fundvit, ashtu edhe sikur e ka vendosë ish presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, që shënimi i këtij përvjetori të bëhej edhe në Kosovë, ashtu sikurse është bërë edhe në shumë shtete të rajonit dhe të botës.

Nëse do të përfundonin punimet në objektin e Shtëpisë Muze në Prizren brenda këtij viti, atëherë në këtë shtëpi do të vendosen libra, fotografi dhe shumë gjëra të tjera që do të ndërlidhen me figurën e rëndësishme shqiptare Nënë Terezen. “Kemi në dispozicion 280 tituj librash që janë shkruar nga autorë të huaj për Nënën Tereze, dhe pasi që do të bëhet një ekspozitë e këtyre titujve, atëherë do të vendosen në objektin e Shtëpisë Muze”, ka thënë Ukaj.

Po sipas tij, në këtë objekt do të vendosen edhe DVD-itë me filmat dokumentarë që janë punuar për Nënën e Botës, si dhe dokumente të tjera që kanë të bëjnë me këtë figurë. Për pasurimin e këtij objekti, sipas Ukajt është duke punuar edhe Don Lush Gjergji, njëri nga njohësit më të mirë të biografisë së Nënës Tereze.

Shtëpia Muze është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe për këtë objekt ky institucion kulturor ka ndarë një shumë prej 100 mijë eurove. Ukaj ka thënë se këto mjete janë ndarë me fond të veçantë të MKRS-së, në përjashtim të fondit që është ndarë në tërësi për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze. Ndërkohë, akoma nuk është menduar mënyra e përurimit të këtij objekti, pos asaj që Ukaj ka thënë se do të jetë një ceremoni shumë e madhe, por që është duke u punuar në këtë drejtim se si do të shënohet përurimi i këtij objekti. 



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx