E diele, 28.04.2024, 11:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Pasqyrimi i bëmave të kohës në roman

E shtune, 09.10.2010, 07:53 PM


PASQYRIMI I BËMAVE TË KOHËS NË ROMAN

 

Pal Ndrecaj: “Lista e zezë”, roman, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2010

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Preludi

 

Krijuesi Pal Ndrecaj, u lind më 1960 në fshatin Moglicë të Gjakovës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmin në Gjakovë, ndërsa studimet i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe. Disa vite ka punuar në arsim si ligjërues, arsimtar dhe profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla fillore dhe të mesme. Poashtu ishte gazetar në të përditshmen “Koha ditore” ku dallohej me shkrimet e tij dhe komente e trajtesa të tjera. Gjatë kësaj kohe u dallua edhe si publicist dhe la gjurmë në krijimtarinë e vet publicistike.

Pal Ndrecaj për lexuesin tonë është si njohur si poet e publicist. Ai deri tash ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Lule mbi plagë” (1993) dhe “Akti i krijimit” (1998), të botuara nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” e Prishtinës.

Poezia e këtij autori ka disa veçori që atë e bëjnë të dallohet për disa nuanca nga poezia e kohës. Duke shënuar këto veçanti, jo vetëm lexuesi, por edhe kritika letrare ka thënë atë që duhej thënë për poezinë e poetit Pal Ndrecaj. Në vargjet e kësaj poezi trajtohen elemente që kapërthejnë në figuracionin poetik, problemet e kaluara, të sotme, por edhe të nesërme të historisë sonë. Duke zbritur në esencën e tematikës për të cilën frymëzohet që të shkruaj poeti, pasqyron atë që është më dominuese, më aktuale, por edhe më elementare për të kaluarën historike të etnikumit tonë. Shenja dhe zbërthimi i kësaj jete merr elemente edhe nga fatumi biblik, andaj nuk është e rastësishme nëse kjo shihet edhe në titujt e dy përmbledhjeve të tij poetike të botuara deri më tash. Poashtu, dalluese dhe esenciale në shtresimet poetike, madje edhe strukturore të poezisë së Pal Ndercajt është edhe figuracioni dhe gjuha e përdorur. Figuracioni qëndron në rangun e përshkallëzimit dhe nivelit të domethënies poetike, ndërsa gjuha poetike e vargëzimit të këtij poeti përkon me nivelin e përgatitjes së tij shkollore dhe përvojës gazetareske e publicistike. Ajo i përmbush me saktësi të gjitha kërkesat sintaksore, andaj është një gjuhë e strukturuar bukur poetikisht.

Dhe më në fund krijuesi Pal Ndrecaj doli me veprën më të re letrare në prozë. Ai botoi romanin e tij të parë “Lista e zezë” (botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2010) dhe përmbushi thënien se koha më e suksesshme e shkrimit të prozës, gjegjësisht e romanit, për shkrimtarët, është ajo mbi 40 vjeçare. Mbase këtë element, autori Pal Ndrecaj e përmbush me përpikëri, duke e tejkaluar, madje.

Përveç kësaj, suksesin e këtij romani do ta ngritin edhe tematika, fabula, madje forma, zhanri i tij si dhe shumë elemente të tjerë, të cilët do t’i hetojë lexuesi, madje edhe kritika me rastin e leximit, gjegjësisht të interesimit për të.

 

Përqasja e ambientimit të rrëfimit

 

Romanit i Pal Ndercajt me titull “Lista e zezë”, vjen në shkrimin e romanit të sotëm me një temë dhe ambientim të një realiteti tejet të afërt, madje edhe prezent bashkë me ne, me të sotmen tonë, por edhe me të djeshmen, që është ende i pranishëm tek pragu pa e mbyllur derën për të ikur. Në tematikën e romanit, pikë së pari, vërejmë se lënda e tij bashkërenditet përmes rrëfimit tejet interesant, të ditës, përplot tragjizëm, rrëfime, ndodhi e të bëma të kësaj kohe dhe të kësaj treve. Harmonizimi i bazës së perceptimit të lëndës, gjithsesi kalon nëpër pleksjen në vazhdimësi të elementeve kriminale, policore, tragjike e të tjera, që janë themelore duke përkuar me realitetin dhe aktin ireal, në këtë rast krijues, të shkrimtarit. Edhe pse në roman dhe ngjarjen e tij kryesore fundekrye kemi të bëjmë me gjërat më të rënda dhe më tragjike që kanë uniformën e kohës në kundërshti, prapëseprapë, në ndërthurjen e saj arrihet të krijohet një vijë lineare, që mund të quhet linja bosht. Vija bosht nuk mbetet e vetmuar, por ajo, madje, ndërthuret me poret e tjera të zhvillimit të fabulës, e cila krijon segmentin e hapur ndaj rrëfimit dhe përqasjes. Korrelacioni i këtillë mëton të rrumbullakojë të gjithë parametrat që burojnë nergut për zhvillimin e fabulës, tash rrëfimit, në përqasje ambientale të kohës si domen i patjetërsueshëm në konfliktin, pse jo, edhe dramatik.

 Ngjarjet e romanit ndërlidhen krejtësisht të planifikuara dhe kalojnë pa ndonjë pengesë nga njëri skaj i zhvillimit te tjetri, duke u përmbysur dhe kthyer në çdo pozitë e situatë sipas nevojës, (siç është rasti i shkronjës U), por njëherësh ato edhe ngrihen lart, përdridhen, kamuflohen, gërvishten, kurdisen, rrjedhin, ngatërrohen e përshkallëzohen. Andaj, ato si të tilla, kryekëput, i përkasin përditshmërisë sonë, shpalosen një nga një si tragjedi të çuditshme, manifestohen me anë të lakmive e interesave të panumërta, vlojnë si reagim i brendshëm, si vegulli marramendëse, e tjerë, për t’u shkoqitur me anë të fantazisë krijuese të shkrimtarit. Sado që shumica prej tyre janë ngjarje episodike, ato kapërthehen njëra me tjetrën edhe në linjën bosht, por edhe midis skajeve polarizuese. Atëherë, në të vërtetë, duket sheshit se funksionojnë në mënyrë të njëjtësuar, herë duke ndërhyrë herë njëra e herë tjetra, gjithnjë sipas shtysës së fuqishme krijuese e imagjinatave të shkrimtarit, me qëllimin e vetëm që të gatuhet një brumë i rëndë kriminalistik dhe i ndërlikuar. Nëpërmjet kurdisjeve të shumta, përplot makinacione, thyerje, shtresime dhe përgjime, shkrimtari detyrimisht futet me penën e tij nëpër sfera të tmerrshme, të cilat aq sa ngjajnë realisht, po aq na duken të fytyruara dhe po aq i kalojnë kufijtë e njëmendësisë sonë normale. Kjo kurdisje e lakueshme krijohet në ndjesi të thellë dhe lidhet me një botë ku përplasen krimi, dhuna, shpifja, vrasja, urrejtja, lakmia, që nga ëndrrat shndërrohen në zhgjëndrra. Andaj, konkretja dhe abstraktja, e mundshmja dhe e pamundshmja, nuk kanë kufij dallues, madje as përzgjedhës. Tendenca të tilla dhe të përcaktuara për t’u shfaqur gjithmonë në trajtën e një elementi kriminalistik e policor kanë bërthamë të përbashkët. Prandaj, vetvetiu hetohet, madje edhe përcaktohet, sepse rrëfimi i këtillë ka ndërtim të përsosur, të dendur, përplot befasi dhe nuanca. Përmes rrjedhës së tij, shkrimtari ka qëllim që gjërat t’i vendosë në pozita të ngjyrimeve kriminalistike e policore për t’i kamufluar skajet reale me ato tragjike, të kurdisura, të dhunshme e pse jo edhe vdekjeprurëse.

Qëllimi i shkrimtarit Pal Ndrecaj është që për këto çështje të rrëfejë kryesisht nëpërmjet formës së rrjedhës kriminalistike në roman si mundësi artistike, ku do të mund të shpërfaqet e gjithë ajo që është thelbësore për zhanrin e romanit kriminalistik e policor brenda kohës dhe hapësirës së caktuar në Kosovën e fillim shekullit XXI dhe në kohën e organizimit e zhvillimit të pluralizmit politik. Poashtu, këtu paraqiten edhe pasojat, lakmitë, e pse jo edhe të bëmat, madje edhe tragjike, të partive politike me rastin e organizimit të zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë.

 

Krimi, kurdisja dhe tragjikja

 

Pikënisja e krejt dëftimit të krimit, vrasjeve, kurdisjeve dhe të tjerave në roman qëndron në suazat e rrafshit të njohur, madje edhe të fiksuar kohor ( 25 qershori i vitit 2002), me të cilën njoftohet lexuesi. Shkrimtari gjatë vazhdës shtjellon si mishërim kryesor transformimi e intrigës kriminalistike të krimit dhe tragjikes, duke i dhënë forcë më të madhe veprimit të beftë dhe të kamufluar. Dhe, për sa i përket kësaj, duhet thënë se krimi, kurdisja, tragjikja e madje edhe vrasja e vdekja janë jeta bazë e asaj që shihet dhe defilon përreth. Pikërisht në këtë aspekt rrënohet kufiri ndarës ndërmjet kriminalistikës dhe policores që fatkeqësisht gërshetohen sa herë që duhet të krijojnë mozaikun në rrafshe të tilla, duke e shkrirë vijën e kuqe që i ndan në mes. Prandaj edhe në këtë roman kemi të bëjmë me konceptin tipik si te romanet “Shkaba” e “Spiritus” të Ismail Kadaresë, “Thika” i Neshat Tozajt, por edhe tek romanet e Agata Kristit, të Fjodor Dostojevskit, e të tjerë. Prandaj, sipas kësaj, mund të konstatohet se edhe Pal Ndrecaj me romanin e tij “Lista e zezë” bën një paraqitje tejet fantastike të një realiteti tonë, sigurisht për t’i dhënë kuptim sa më të çuditshëm atij. Elementet kriminalistike e policore brenda këtij romani i nënshtrohet një funksionimi të pazakontë, madje edhe me përmasa jonjerëzore. Pothuajse të gjitha personazhet e romanit qysh në fillim jetojnë, veprojnë dhe sillën sipas rregullave të përcaktuara policore dhe kriminalistike, sipas parimit se likuidohet çdokush që di, zbulon, vëren apo hulumton diçka. Kjo formë e veprimit kapërdihet mjeshtërisht, edhe pse pa ndonjë ndjenjë humaniteti e njerëzoreje. Të gjitha ata që janë pjesë përbërëse e kësaj liste të zezë, duhet patjetër, ose janë detyrimisht të obliguar, madje edhe të dënuar, që t’i shpaguajnë bëmat e tyre me jetë. Ky shpagim ka erë të një mallkimi, mosbesimi, tjetërsimi dhe heqje nga rruga e “idealit” të të gjithë atyre që mëtojnë të zbardhin fatin e vet, por edhe të të vetëve. Parimi i këtillë ka tatimin e shpagimit në romanet e këtij zhanri që janë vrasja, atentati, apo vdekja misterioze. Dhe ky epilog, me prolog edhe më të vrazhdë nuk kalon lehtë, nuk rrjedh pa intriga e pasoja që kanë bagazh të rëndë e të papërballueshëm. Andaj, pothuajse të gjitha personazhet e romanit kanë një linjë jetësore të kushtëzuar, madje të njëjtësuar me krimin e dënimin që duhet shpaguar me vdekjen. Kështu Teuta, burri i saj, Avokati, por edhe Urani dhe të tjerët janë të futur thellë në hinkën e kriminalistikës dhe patjetër duhet t’i shpaguajnë të gjitha veprimet me shpagimin më të rëndë, pra me torturën, dhunën dhe më në fund me vdekjen. Parabolat e tilla mbesin të hapura dhe janë të mbushura përplot me tragjizëm. Këto janë përçapje me kurdisjen, pasojën dhe vdekjen. Unaza e mbështjelljes dhe veprimit të rrëfimit sipas kodit policor nuk është i një veprimi dhe as i një linje. Kjo bëhet me veprim e linjë të kurdisur dhe tejet efikase që funksionon me elementin e njëshit, që në këtë rrëfim quhet Shefi, i cili shpesh me bashkëpunëtorët e tij njihen vetëm me pseudonime apo emërtime krejt të thjeshta si ai, ajo, i cili, e tjerë.

Vetë titulli i romanit “Lista e zezë” ka në bërthamën e vet një konspiracion të vendosur mbi dy shtylla që e sqarojnë veprimin e fabulës në bazë të referencave artistike, në këtë rast kriminalistike që marrin. Andaj lidhëza “e” që qëndron në mes fjalëve “lista” dhe  “zezë” ndan kufirin e kuptimit të tyre, por jo në gjendje të ngurtë. Në mes kësaj hapësire shtrirëse manovrojnë të gjitha të kurdisurat e veprimit që i hynë në punë shkrimtarit për ta shtjelluar veprimin fabulativ të ngjarjes në tërësinë e saj si dhe të episodeve veç e veç. Dhe kjo gjë ka hapësirën e veprimit policor, kriminalistik dhe të kurdisjeve me likuidime. Kjo gjë mundësohet kur fjala “lista” merr ngjyrimin e zi, pra shtrihet në hapësirën e zezë. Cilësori “e zezë” pas emrit “lista” merr konotacionin e frymës së akorduar me zhdukjen e çdo gjëje që del përpara, ose më mirë me thanë, që bëhet pengesë. Dhe kodet e tilla janë funksionale në faqet e romanit “Lista e zezë” të Pal Ndrecajt.

Edhe gjuha e romanit përkon dhe rrjedh nëpër poret e tij duke u bashkëdyzuar me të folmen e personazheve. Bile, kjo gjuhë përshtatet edhe me zhanrin e romanit, por edhe të syzheut, fabulës dhe të tjerave që zhvillohen aty. Andaj, me të drejtë mund të thuhet se edhe gjuha e përdorur në romanin “Lista e zezë” të autorit Pal Ndrecaj është gjuhë e rrjedhës dhe tingëllimës paksa kriminilastike e policore, por i përmbush mirë të gjitha rregullat sintaksore dhe të tjera.

Ky roman sigurisht se do ta plotësojë në përgjithësi prozën tonë, por në veçanti romanin me zhanrin e romanit kriminalistik e policor, duke e bërë më të pasur dhe më të avancuar.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora