E shtune, 27.04.2024, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Të vallëzosh në shi

E enjte, 07.10.2010, 09:58 PM


Suzana Kuqi

 

Të vallëzosh në shi

 

Ndjeu mbi lëkurë ujin e ftohtë, e kuptoi se ç'kish qenë ai tingull kërcitës që kish dëgjuar disa minuta më parë. U mblodh me peshqir e duke mallëkuar ditën e gjithë sa i kish sjellë ajo, u çapit në kuzhinë. Siç e kish imagjinuar, kaldaja kish kaluar në tilt dhe ish fikur. E ndezi dhe e riprogramoi me duar që i dridheshin nga inati. Edhe këtë kish patur mangut atë ditë...

 

… që e kish parë tek i vardisej në rrugë vajzës me sy pranvere. Koha nuk ja kish ndryshuar sytë, mbushur me makutëri dëshire të cilën ajo e kish marrë për pasion e dashuri. E kotë që ish munduar ta mbyllte pas asaj porte më të rëndë se guri, në atë kthinë që kish ndërtuar në mendjen e saj e i kish vënë atë bravë me çelës gjigant të cilin e kish hedhur në honet më të thella të detit, atje ku asgjë dhe asnjeri nuk kish për ta gjetur. Ndryshe, binte pre e asaj stuhie turpi, tmerri, zemërimi e poshtërimi. I ish fanitur shkëmbi i asaj nate që kish kaluar pragun e shtëpisë ku ishte mbyllur muaj të tërë. Por me të vënë këmbën jashtë, ish bindur se bota sa e madhe po aq e vogël ish për t'ju arratisur dhimbjes...

 

Kish shikuar me indiferencë atë brez shkëmbinjsh që i përgjigjeshin me po aq indiferencë poshtë ndërsa shkuma e bardhë e dallgëve i lëpinte si një gjuhë e stërmadhe me të njëjtin insistim të një kafshe prehistorike tek pastron këlyshët. Kish ndjekur një të tillë tek tërhiqej honeve të errëta e kish përcaktuar udhën e saj të përmëtejshme drejt horizontit. Vetëm atëhere kish vënë re se sa i çuditshëm e i mrekullueshëm ishte peisazhi i asaj mbrëmje. Hëna, që për habinë e saj nuk e kish parë kurrë aq të madhe e në atë ngjyrë të portokalltë sa mund ta ngatërronte me një diell në perëndim, zbulonte vetëm gjysmën e sipërme ku re të shndritëshme vizatonin një direk që shpaloste velat. Pjesa tjetër ishte zhytur në një brez resh të murrme që ndryshonin ngadalë pamjen e tyre deri sa u dukën si valë të lëvizëshme. Hëna... lundronte... mund ta thosh me tërë kuptimin e kësaj fjale, lundronte... Befas një vetëtimë kish çarë qiellin me kthetra gjarpërues që u ndanë në gjarpërushe të shpejta verbuese e përfunduan në rropullitë e detit. Të tjera e kishin pasuar në horizontin që vinte e bëhej më i errët, ndërsa hëna vazhdonte të lundronte mes tyre. Në velat e saj nisën të duken njolla të murrme që merrnin në të zezë. Kurrë nuk i kish pëlqyer e zeza, por ajo aty e ndillte me një fill të padukshëm, si ndjesi e pakuptuar që të mësyn përpara se të ndodhë diçka jashtë të zakonshmes... gëzim... a mynxyrë...

 

Kish parë detin që copëtohej ndër shkëmbinj. Ndoshta... mbase... mbase nuk do të kish asgjë pas atij kërcimi në boshllëk përveç se dhimbjes së fundit... Mbase ferri e priste. Ose do të zgjohej në një ëndërr të trupëzuar, balerinë që vallëzonte mbi anijen hënë... Dallga u tërhoq. Tjetra do të turrej mbi shkëmbinj. Mbajti frymën. Asgjë ose një përjetësi për t'u zbuluar. Mbylli sytë e bëri hapin e parë...

 

E kish stepur zhurma rrambullitëse, e vetmja gjë që e kish bërë t'i urrente motorrët. Njolla e zezë në velën e hënës sikur e përpiu një çast e çastin tjetër... Sa hap e mbyll sytë motorri kish dalë nga rruga e ish përplasur në një shkëmb duke e hedhur trupin që mbante sipër në një hark fluturimi që mbaroi pothuaj pranë këmbëve të saja. I palëvizur, futur në pantallona e xhup të zi. I kish kallur tmerrin mendimi se ai trup mund të ishte i vdekur megjithatë ish përkul mbi të dhe i kish zbërthyer kaskën. Një fytyrë më shumë prej fëmije se sa të rrituri kish dalë prej saj. Një ëngjëll, kish menduar padashur dhe ish munduar të sillte ndërmend se ç'i kishin mësuar në atë kurs të ndihmës së parë. Nuk i erdhi ndër mend gjë tjetër veç se nuk duheshin luajtur se mund t'u shkaktonin dëmtime të mëtejshme. Me keqardhje kujtoi se nuk kish as çantë dhe as celular me vete. Kish dalë ashtu me rrobat që rrinte në shtëpi. Hoqi trikon, e palosi me shpejtësi dhe ja vuri ndënë krye. Kërkoi në xhepat e xhupit të tij e nuk gjeti. E dëshpëruar i zbërtheu xhupin e vuri gishtat mbi qafën e tij. Ndjeu pulsin që shuhej. Bashkoi duart dhe ja mbështeti fort mbi krahëror e nisi të shtypte me forcë.

 

- “ Fort, fort, sa më fort, mos çani kokë edhe nëse ndjeni kockat të thyhen, ato rregollohen më pas, rëndësi ka që zemra...”- i jehoi në veshë zëri i profesorit.

 

Duke ngulçuar ish përkul mbi gojën e tij. Buzët e saj nuk e kishin cikur ende kur dëgjoi një:

 

- Hhooooo – me tepër se mërmërimë qe një ofshamë e fortë thithëse pas së cilës djali hapi sytë.

 

- Celularin?

 

Djali bëri shenjë nga pantallonat e u orvat të lëvizte.

 

- Mos lëviz! - e urdhëroi prerë dhe kërkoi në xhepat e pasme të pantallonave të tij. Kish ndjerë zhurin e rrugës t'i gërvishtëte lëkurën e duarve por e injoroi derisa e gjeti. Pasi kish bërë numrin e urgjencës, nuk i mbetej veç të priste. Ish lëshuar përdhe pranë tij dhe i kish marrë dorën për t'i kontrolluar pulsin. Ai ja kish kapur të dyja duart e nuk ja lëshonte.Vetëtimat ishin shtuar ndërsa retë i ishin ndërsyer hënës. E kish parë të shkëlqente sërish tek lundronte mes tyre, me atë njollë të zezë që mbërrinte tek ajo në një fill të padukshëm. Diku atje larg kish nisur një stuhi që nuk do të vononte të vinte edhe aty. Kur kish dëgjuar sirenat e autoambulancës kish dashur të ngrihej por nuk ish shkëputur dot nga duart e djalit, aq të dobët e ndjente veten. Një ftohtësirë e kish pushtuar që nga thellësia e trupit. Ish rrëzuar duke dihatur. Ajri që i dilte prej mushkërive ishte aq i fohtë sa pas pak dhëmbët i ishin dukur si copa akulli që ja kishin ngulur në gojë. Kish qëndroi mbi shpinë, me sytë mbi hënë tek shihte veten balerinë tek vallëzonte mbi velat e hënës që lundronte në stuhinë e vetëtimave së cilës rrebeshi i akullt që i derdhej mbi trup nuk ja ndalte ritmin e gëzuar. Kur mbërriti autoambulanca, kish humbur ndjenjat.

 

Ulur galiç në dush, e kish lënë vehten në mëshirë të ujit të nxehtë se mos ja shkarkonte ndopak nga supet atë fëlliqësi që ndjente sipër. E kishin mashtruar ata sy, i ishin vardisur aq kohë, e ajo kish lënë mëndjen pas tyre aq sa e kish ndjekur në atë vilë jashtë qytetit. I ish dhënë me dëshirë, trup e shpirt, kish shijuar çdo prekje të lëkurës së tij, e kish menduar se atë shtrat nuk do ta ndante me njeri tjetër në jetë të saj... Pastaj kishin hyrë ata... shokët e tij... Ai dëfrim i shfrenuar mbi trupin e saj... “Orgji”, kish thënë njeri... “Le të bëjmë ca orgji”... Lotët shkriheshin me ujin e ngrohtë tek i erdhi ndërmend se ata maskarenj as që e dinin se kuptimi fillestar i kësaj fjale ishte rit fetar, i shenjtë, diçka që kish të bënte me pastrimin e shpirtit. C'kish mbetur nga e shënjta në atë fjalë? Asgjë, ashtu siç nuk ka mbetur asgjë e shenjtë në kripën e lotit që del nga shpirti i gruas së poshtëruar... së poshtëruar trup e shpirt deri në dhimbje. Po për dhimbjen ç'dinin ata...

 

Për dhimbjen ç'dinin ata... e dinin se... se duke e përjetuar deri në palcë, përtej palcës... Ndjeu tek rritej e rritej e rritej deri sa kaloi atë cak të mbidhimbjes. Mbidhimbje... nuk dhemb më sepse dhemb më shumë se sa sensorët e trupit e shpirtit mund ta perceptojnë e masin... siç nuk mund të shohim veç një diapazon ngjyrash e dritash, siç nuk mund të dëgjojmë veç një diapazon tingujsh... e universi i ka të pafund... Siç është i pafund e gjithëherë i pranishëm ai fill i padukshëm që lidh anën e errët të hënës me shpirtin e gruas. Mbylli rubinetin, doli nga banjo e hyri në dhomë të gjumit. Ashtu, veshur veç në lëkurë mbi të cilën shndrisnin ende pikat e ujit ndezi disa qirinj e i vendosi në formë rrethi mbi dysheme. Qëndroi në mes tyre, palëvizur duke mprehur veshët. Ju desh pak kohë të filtronte të gjitha zhurmat që vinin nga jashtë. Një moment ndjeu vetëm rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen e vet lehtë e të rregullt. Pastaj... ngadalë por këmbëngulëse atë filarmoni të mrekullueshme të universit të pafund në kaosin dhe harmoninë e tij tek lindnin e vdisnin yje... Mbylli sytë, tek ndjente energjinë që çlirohej nga poret e lëkurës së saj e shkrihej me atë të universit duke e veshur me rreze të mrekullueshme të të gjitha ngjyrave e nuancave të tyre. Energji... nuk ish tjetër veç energji e ngurtësuar në atë trup që lirohej ngadalë e ngrihej e merrte formë mbi hënë... në një rrotullim që merrte hapat e një vallëzimi ritmik e të hareshëm. Hapi sytë e pa reflektimin e trupit të saj në pasqyrën e madhe të murit tek vallëzonte në ajër me qirinjtë e ngritur nga dyshemeja të cilët e shoqëronin në lëvizje të harmonishme, duke ju rrotulluar këmbëve, belit, duarve e kokës. Shtoi ritmin e u shndërrua në një piruetë drite. Pastaj e ngadalësoi e me lëvizje të hijëshme komandoi qirinjtë te uleshin në vendin e tyre. Qëndroi një çast pa lëvizur në mes të rrethit. Ngjyrat në dhomë u fashitën e mbeti drita e një dite të zakonshme që hynte nga dritarja. Ju afrua dhe pa qiellin. Koha dukej e kthjellët dhe e bukur por ajo e ndjeu nga thellësia e mushkërive stuhinë që përgatitej diku në horizontin e largët.

 

- Jam gati dhe unë!- mërmëriti.

 

Doli ndaj të ngrysur dhe qëndroi në të njëjtin shkëmb të asaj nate duke soditur detin që thyhej e shkumëzohej poshtë këmbëve të saj. Horizonti fantastikonte me retë e murrme duke i lënë hapësirë të mjaftueshme hënës të ngrihej. Një disk mahnitës, pa ngutje, me sigurinë e një gruaje të bukur e lozanjare, zbulonte fytyrën mes reve që hapeshin si vel i lëvizshëm misteri. Shkëlqim dhe hije, dritë dhe mister që fshihej në njollat e zeza, dukej sikur hëna kish prishur ekuilibrin e saj e herë herë tregonte anën e errët të saj. Ai fill i padukshëm u bë i prekshëm. Si atë natë... në veshë i jehoi ajo klithmë ofshamë kur djali kish mbushur mushkëritë me frymën e saj e padashur gati e kish vrarë. Dora dorës që ish mbushur me jetë ajo ish shprazur. Do të kish vdekur atë natë nëse nuk do ta kishin çuar në spital. Do të kish vdekur ditët në vazhdim sepse askush nuk e gjeti dot arësyen përse ish katandisur një thes kockash, një calik lëkure prej së cilës linfa arratisej me shpejtësi marramendëse. Trajtimet e ndryshme që e përmirësonin përkohësisht e pastaj... rizbrazja. Intuita... ajo jehonë që vjen nga honet fillestare të jetës, ai tingull, ajo ofshamë jete rinore që ngërthehet me thonj për të mbijetuar... kish filluar aty. Mbase kish qenë rastësi, mbase...” Zoti nuk luan me zare”... Kish hapur rastësisht atë faqe interneti, e po rastësisht sytë i kishin rënë mbi të formulë të mësuar dikur në shkollë...

 

... formula nuk i thosh gjë. Ishte koncepti... se jemi lëndë e energji... Jemi energji e ngurtësuar në kohë në një kënd të universit të pafund... Kjo sikur i dha përgjigje asaj se pse kur zemërohej pas asaj nate, çdo gjë që kapte me dorë prishej, thyhej, asgjë që ndodhej në një dhomë me të nuk ishte më e sigurtë. Kish vendosur ta nënshtronte, ta zotëronte këtë forcë e të hakmerrej...

 

 

Hakmarrje... ish përpëlitur në zemërim sepse nuk ish në natyrën e saj të hakmerrej. E mira... e keqja... Ajo bindje se ishte fiksuar aq shumë pas së mirës sa e bënte ta ndjente veten të dobët deri në neveri e torturonte. Por atë ditë... ata sy që lëpiheshin me lakmi mbi kurmin e vajzës me sy pranvere që për ironi të fatit ish e dashura e djaloshit me të cilin kish krijuar nje lidhje e një afrim të paspjegueshëm, më të fortë se me njerëzit e gjakut, kish vënë në lëvizje një ingranazh të pakthyeshëm.

 

Pikat e para të shiut e gjetën aty. Vetëtimat ua shkëputën thellësive çelësin e ja kthyen. Pa ju dredhur duart hapi portën e ndjeu të keqen të çlirohej prej saj t'i hynte në gjak, t'i rridhte damarëve e t'i helmonte mendimet. Mori të njëjtë rrugë ku vite më parë kish parë shpirtin e saj të thërmohej e mbytej në gropëzat e asfaltit të konsumuar. Këmbët e çuan para asaj vile ku ai me shoqërinë e tij mblidhej fundjavave për t'u dëfryer pasi linin gratë në shtëpi. As nuk e provoi nëse porta ishte e mbyllur apo jo, u kacavjerr mbi mur dhe u u hodh në oborrin ku me shiun përzjehej drita dhe muzika nga dritaret e hapura të katit të parë. Brenda silueta të lara me dritë bisedonin duke pirë e qeshur. Nga fundi i oborrit u shkëput hija e dy qenve të mëdhenj. Nuk lëvizi, priti sa i erdhën pranë duke i parë drejt e në sy. Pastaj ngriti dorën e i përkëdheli. U larguan të heshtur. Vështroi me kujdes përreth. I tërhoqi vëmëndjen pishina. Hoqi këpucët e eci këmbëzbathur drejt saj duke u zhveshur e hedhur rrobat një e nga një me hapat. Ish krejtësisht lakuriq mbi trampolinë ku mbylli sytë e bëri të heshtnin të gjitha zhurmat në veshët e saj. E fundit ish e qeshura e urryer e tij e cila këmbënguli disa sekonda para se të zhdukej. Një çast, heshtje e plotë, pastaj ngadalë e këmbëngulëse ajo filarmoni e mrekullueshme... Nisi të vallëzonte ngadalë, duke u rrotulluar nën ritmin e saj, ndërsa mbi lëkurë ndjente ritmin e shiut. Vuri buzën në gaz tek ndjeu lotët t'i rridhnin faqeve duke u shkrirë me shiun duke i çliruar shpirtin. Pyeti vehten nëse ai autor i dashur e kish imagjinuar se si ndjehej ajo tek kish shkruar: “Gjithkush mund t'i mbijetojë stuhisë... mbase rastësisht... mbase se ka fat... por arti i vërtetë... të dish të vallëzosh në shi...”

 

Poshtë u hap një derë e një siluetë burri u duk në të:

 

- Bukuroshe, eja vallëzo brenda!

 

As nuk e kish idenë se ajo nuk i dëgjonte fjalët e tij. Duke qeshur e përsëriti kërkesën pa ja ndarë sytë atij kurmi të bukur femëror që befas u shkëput nga trampolina e rrotullua në ajër. Një vetëtimë çau qiellin duke u ndarë në gjarpërushe që mësynë tokën. Sa hap e mbyll sytë, pa i dhënë kohë të kuptonte se çfarë po ndodhte, njëra prej tyre preku gishtin e valltares, u pështoll me të në një siluetë drite verbuese e pastaj u sul drejt tij. Pas një sekonde, nga ajo ç'kish mbetur prej tij largohej në formë tymi duke marrë me vehte imazhin e fundit të valltares së bukur që vallëzonte duke buzëqeshur në shi. Disa minuta më vonë, ajo ç'kish mbetur prej tij u mbulua nga mbeturinat e shtëpisë që i ranë sipër.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora