E premte, 25.07.2025, 08:13 AM (GMT+1)

Kulturë

“Poeteka” nis me kujtime

E merkure, 06.10.2010, 07:20 PM


Edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar të poezisë, “Poeteka 2010”, i cili nis sot në Tiranë, do të çelet me katër personazhe që nuk jetojnë më: Nënë Tereza, Martin Camaj, Ndoc Gjetja dhe Jamarbër Marko

 

Edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar të poezisë, “Poeteka 2010”, çel sot dyert në Tiranë. Gjithçka do të nisë në orën 18:00 në Teatrin e Metropolit, me lexime poetike, art instilacion, performanca të artit pamor e muzikë. Ceremonia zyrtare e hapjes së festivalit do të vijojë më pas me një vetëprezantim të pjesëmarrësve në këtë veprimtari. Mbrëmja e sotme u është kushtuar ndërkaq katër personazheve që nuk jetojnë më. Do të flitet në nder të Nënë Terezës e Martin Camajt. Organizatorët kanë menduar që në vend të një ngjarjeje njëditore ose një monumenti fizike për nder të Nënë Terezës, të propozohet një mënyrë jetese e zhvendosur në drejtimin shpirtëror. Nga heshtja në kujtim, nga kujtimi në përkujtim, dhe nga përkujtimi në nderim dhe ndikim në mënyrën se si mund t’i bëjmë tonat vlerat shpirtërore të Nënë Terezës dhe atyre veprimtarive që organizojmë në emër të saj, për të dëshmuar se shpirti i Nënë Terezës është i gjallë dhe ndihet mirë në Shqipëri. Kjo është një mundësi e mirë për t’i dëshmuar vetes dhe botës që di pak mbi lidhjet Nënë Terezë–Shqipëri, vlerat dhe qëndrueshmërinë e kësaj lidhjeje. Po sot, organizatorët kanë menduar të kthejnë edhe një herë në kujtesën e dashamirësve të poezisë dy poetë shqiptarë të cilët u ndanë nga jeta para pak kohësh. Ndoc Gjetja e Jamarbër Marko do të kthehen në vëmendjen e të gjithëve përmes vargjeve të tyre poetike. Të dy këta autorë që u ndanë nga jeta këtë vit do të përkujtohen për krijimtarinë e tyre poetike, për vargjet dhe gjithë sa lanë pas.

Këtë vit “Poeteka” do të organizohet në Tiranë nga data 4 tetor, deri më 10 tetor. Tema kryesore e "Poeteka VI" do të jetë Ballkani, vështruar në problematikën bashkëkohore të artit, komunikimit, integrimit kulturor, shoqëruar këto edhe me vlera të tjera që Ballkani ofron edhe në fusha të tjera. Të ftuarit, poetë, piktorë, muzikantë e figura të tjera të kulturës, do të përpiqen të bisedojnë duke kapërcyer kufijtë ngritur mes popujve. Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti vijnë nga 20 shtete të ndryshme të botës si: Austria, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Izraeli, Italia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Shqipëria, Zvicra, Turqia dhe SHBA. Këtë vit, tema kryesore e “Poeteka VI” do të jetë “Ballkani”, vështruar në problematikën bashkëkohore të artit, komunikimit, integrimit kulturor, muzikës, atmosferës, promovimit, ekspozeve, master klasit dhe artit të kulinarisë. “Poeteka” do të ofrojë gjithashtu një hapësirë të veçantë për autorët që do të diskutojnë mes tyre mbi tematikat e Ballkanit (tema të cilat nuk kufizohen vetëm në kuptimin e ngushtë të Ballkanit si rajon) dhe më gjerë, rolin e kulturës në shoqëritë post-traumatike, kulturat në tranzicion dhe në fillimet e hapjes si ndaj kulturave perëndimore, ashtu edhe ndaj njëra–tjetrës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx