Kulturë
Vangjush Ziko: Të pathënat
E marte, 05.10.2010, 09:28 PM
Vangjush Ziko
TË PATHËNAT
I kam thënë dhe s'i kam thënë.
Shumë thënie në shpirt ë flenë.
Ato flenë dhe s 'kanë gjumë.
Shpirti im u ka hedhur gunën.
Luanët e kapur në rrjetë,
Edhe grinden.Dhe duken të qetë.
Kur dalin në cirk,në arenë,
Ata zgjuar janë dhe flenë.
Dhe zbaviti ju dhe kënaqi
Edhe trembi,dridhi nga ankthi.
Nuk i them ato.Mos u trembni.
Ato flenë siç fle tërmeti.
Vetë unë do shembem i pari,
Varr' i tyre dhe lapidari.
USHTARI
Çdo mëngjes zgjohem për të shkuar në luftë
Me armiken dhe aleaten time jetën.
Çdo mëngjes ngrihem dhe ngutem
Për ta larguar dhe afruar vdekjen.
Çdo mëngje unë zë llogoren
E hapur prej gjyshstërgjyshësh.
Çdo mëngjes festoj fitoren
E paqes sime të ndryshkur.
KORNIZA E JETËS
Dikush trishtohet se po i ik.
Dikush gëzohet se po i vete.
Sa mospërfillse kjo kornizë
Me dy përmasat e kësaj jete.
Edhe magneti ka dy pole
Që një kornizë i bashkon.
I njëjti pol e largon tjetrin,
Polet e kundërta afron.
Çudi!Gëzimi e shtyn gëzimin.
Trishtimi pranë trishtimin s' do.
Portretn' e lashtë të njerëzimit
Dielli a hëna i ndriçon.
Dimri qëndron pranë pranverës.
Dita me natën përbri rrinë.
Dy ditë bashkë s' gjen asnjëherë
Dhe as dy netë që të ndrijnë.
Veç zemra jonë këtë kornizë
Dhe e çmonton.Dhe e monton.
Kjo jeta jonë një ekspozitë
Rembrand dhe Pikaso.
HESHTJA E DASHURISË
Më të mirën e zgjedh për ty.
Më të ligën e mbaj për vete.
Ti bën sikur s' të bie në sy
Dhe ma ndërron në heshtje.
Brengën tënde shpesh ma fsheh
Prapa buzës me buzëqeshjen.
Frymëmarrjen ta ndjej kur fle
Unë edhe në heshtje.
Një zemërim në çast gëlltit
Unë si helm që s' tretet.
Në syt' e tua qetë ndrit
Paqja e bardh' e heshtjes.
Ne heshtim tok si dashuria,
Si një vullkan që rri përgjumur,
Siç hesht në zemër lumturia
Në cep të saj diku e strukur.
LULEKUQET
Lulekuqet zbresin çdo mëngjes drejt dritares sime
Mbushur kupat e tyre me prushin e dielli,
Me vesën e mëngjezit që digjet
Dhe paqen e brishtë të qiellit.
Vargjet e mia venë buzët dhe pinë,
Siç pinë kecat dhe shqerkat e malit.
Pinë të babëzitura fëmininë,
Kulloshtrën e përvëluar të mallit.
Mos u çuditni me mua aspak.
Ma besoni mua çudinë.
Nga lulekuqet e kam këtë gjak,
Nga këto mëngjese e kam poezinë.