Kulturë
Cikël poetik nga Vaso Papaj
E diele, 03.10.2010, 06:00 PM
Shkëputur nga vëllimi ''Jam këtu engjëlli im''
Vaso Papaj
Ç’ e madhe dritë në syt’ e tu!
Ta putha dorën
dhe dita dimërore m’u bë pranverë.
Zbathur,
sandalet me rripa,
s’do t’i harroj asnjëherë.
Me sari* mbështjellur,
si deti bardhë me dallgë blu,
ç’e madhe dritë në syt’ e tu,
ke mbetur përgjithmon kështu.
Dhe u betova:
Të mbetem shërbëtor.
Në çdo fat tjetër,
pa drojë, do t’isha gazëtor.
Zot, mos mbeça kurrë spektator!...
Tretet Migjeni, atje, në shesh.
S’e fsheh
S’duron hipokrizi, po buzëqesh.
Lum kush e sheh!
Ndaj dorën tënde putha sot,
sandale, rripa – burgu im.
Në det të bardhë u zhyta not,
me dallgët blu në përqafim.
E le të ngrihen plot shtatore, të ftohta,
me çfarëdo emër.
Ty do të mbaj, fshehur nga bota
Shenjtorja ime, do të mbaj në zemër.
sari – veshje e misionareve të Nënë Terezës.
Titina
Të pashë, Titinë në dhè të huaj,
në trotuar shpejtonim.
E s’ na u duk se qemë harruar,
aq sa të mos ndalonim.
S’ ishe Titina, si më parë.
Sa shumë kishe ndryshuar!
Nga dita kur një djalë i mbarë,
dorën ta kish kërkuar.
Dikur na kishte zënë qymyri,
një tramundanë na ndau.
Qymyri ynë ishte si pluhuri,
në fusha e dete shkau.
Kur ike, dorën si zhapi,
nga ty mora kujtim.
Të shkretën time biografi,
Ta kishin dhënë me shkrim.
Nga ty Titinë, pak kishte mbetur,
një dritë në fund të syve.
Të kuqet faqe ishin tretur,
Ç’ habi na zu të dyve.
Ajo pak dritë në trotuar
ish gati të më gozhdonte.
Ti me fëmijë, unë me fëmijë,
kjo gjë tashmë nuk shkonte.
A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?.
(poemth)
Mira Stankoviç,
Shkup,
në “Restorant Piza” atë natë,
e solli rasti të jemi sup më sup.
Unë të përshëndeta e ti s’u ndjeve hiç.
Dhe pse ishim ulur mes fëmijëve tanë,
ti më pe shtrembër, skiç
Mira Stankoviç,
rronim a s’ rronim në Ballkan!...
Ishte hera e parë,
që ulesha me ty:
Vëmendjen e kisha aty…
Befas, përballë, te muri i bardhë,
brenda kornizës:
Torra e Pizës ma bënte me sy.
Ah, Torra e Pizës…brenda kornizës…
Mira Stankoviç!
Ti vije nga një kryeqytet i madh
Unë nga një qytet i bukur antik
E njeh Dyrrahun, me detin si livadh?...
I lakmuar në shekuj .
Edhe nga Danubi kishin zbritur një ditë.
Dhe sa here ndodhte kështu,
qyteti im mbyllte korracën si iriq.
Kohën e iriqit jetonte
dhe për të mbërritur gjer këtu,
Zotin, vallet, këngët,
gjuhën e vet mbronte.
Mira Stankoviç!
Na ka ngulur fati të rrojmë pranë.
S’ësht’ çudi,
nesër të duheshin fëmijët tanë.
Çdo të bënim unë dhe ti?...
Ti, kryq floriri në qafë
Unë, në gjoks, s’kisha gjë hiç,
Mira Stankoviç.
Ma kish mësuar ai, kryqi vetë:
Ta mbaja, brënda,
në zemër
dhe në mëndje të kisha
një tjetër:
Atë,
Kryqin prej druri të vjetër
Në Golgotha jam ngjitur në shekuj
Kurrizin me gunga e kam
Kurrize të tjerë nuk kam prekur
Të parët e mi qëndresë e paqë më dhanë.
Vij nga një qytet antik,
e di?...
Jo?!...
Atëhere pse takohemi:
për vallet, lojrat, këngët,
pyete zemrën?...
Mos më shih shtrembër,
mos më shih skiç
A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?...
Rozafa
Qesh kërthi i vogël,
kur për ty më folën
dhe ca pika loti
nga gjoksi më dolën.
Ndaj kur u përpoqën
të më prishnin jetën,
nga muret e tua
njoha të vërtetën.
Donin të ma bënin
ditën të vështirë,
si muret e tua
që binin pagdhirë.
Ti m’u gjende pranë
dhe më dhe motivin.
Duhej sakrificë,
që në këmb’ të rrinin.
Natën llaç e tulla,
me mundime ngrija.
Ditën rrafsh të gjitha,
m’i bënte stuhia.
Historia jote
më thoshte përhera ,
në themele qumështi,
ujitej pranvera.
Ujitej e mira ,
pikë–pikë çdo ditë.
Ndonëse ligësia,
te ne u bë mit.
Por unë si modele
kisha ty, moj nuse,
që dhe në themele
rritje vogëlushe…
Prandaj dhe në vite
s’pata motiv tjetër:
Flijimin ma ngjite
ti mikesh’ e vjetër…
I dashuruar me jetën
Jam një njeri i dashuruar,
me jetën time sinfoni,
prandaj gjithmon kam ëndërruar,
të mos mbaronte në kuvli.
Gjithmon e doja të vërtetën,
rrëmoja fjalët në thellësi,
kërkoja të gjejë më të mirën:
Shpirtin e ri.
S’e ndryshoj dot këtë rrugë të mundit,
e ndjej timen,
gjersa të kem dhe frymën e fundit.
E dua timen të vërtetën,
gjurmoj çdo fjalët në thellësi,
kërkoj të gjej më të mirën:
Atë, shpirtin e ri.
S’më duhet kurrë një shpirt i shuar.
Dua zemër që rreh shtruar
e bindem, kur më thotë:
”Mjafton të duash thjeshtësinë,
kështu,
do t’ia ushqeje shpirtit qetësinë.”
Jam një njeri i dashuruar me jetën.
Nuk ka qënë një aventurë,
prandaj do të doja,
që ajo të mos mbaronte kurrë.
E dua pranverën e re,
por dimrin s’e harrroj.
Kthehem shpesh e rrëmoj,
kam nevojë,
gjer në fund të mësoj…
Ndryshe, do të vijë një dimër tjetër
dhe vuajtjen do të ma shtojë.