Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Vaso Papaj

| E diele, 03.10.2010, 06:00 PM |


Shkëputur nga vëllimi  ''Jam këtu engjëlli im''

 

Vaso Papaj

 

 

Ç’ e madhe dritë në syt’ e tu!

 

Ta putha dorën

dhe dita dimërore m’u bë pranverë.

Zbathur,

sandalet me rripa,

                      s’do t’i harroj asnjëherë.

Me sari* mbështjellur,

si deti bardhë me dallgë blu,

ç’e madhe dritë në syt’ e tu,

ke mbetur përgjithmon kështu.

              Dhe u betova:

                           Të mbetem shërbëtor.

Në çdo fat tjetër,

                    pa drojë, do t’isha gazëtor.

Zot, mos mbeça kurrë spektator!...

 

Tretet Migjeni, atje, në shesh.

                                                   S’e fsheh

S’duron hipokrizi, po buzëqesh.

                                  Lum kush e sheh!

Ndaj dorën tënde putha sot,

sandale, rripa – burgu im.

Në det të bardhë u zhyta not,

me dallgët blu në përqafim.

E le të ngrihen plot shtatore, të ftohta,

                                       me  çfarëdo emër.

Ty do të mbaj, fshehur nga bota

Shenjtorja ime, do të mbaj në zemër.

 

sari – veshje e misionareve të Nënë Terezës.

 

 

Titina

 

Të pashë, Titinë në dhè të huaj,

në trotuar shpejtonim.

E s’ na u duk se qemë harruar,

aq sa të mos ndalonim.

 

S’ ishe Titina, si më parë.

Sa shumë kishe ndryshuar!

Nga dita kur një djalë i mbarë,

dorën ta kish kërkuar.

 

Dikur na kishte zënë qymyri,

një tramundanë na ndau.

Qymyri ynë ishte si pluhuri,

në fusha e dete shkau.

 

Kur ike, dorën si zhapi,

nga ty mora kujtim.

Të shkretën time biografi,

Ta kishin dhënë me shkrim.

 

Nga ty Titinë, pak kishte mbetur,

një dritë në fund të syve.

Të kuqet faqe ishin tretur,

Ç’ habi na zu të dyve.

 

Ajo pak dritë në trotuar

ish gati të më gozhdonte.

Ti me fëmijë, unë me fëmijë,

kjo gjë tashmë nuk shkonte.

 

 

A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?.

(poemth)

 

Mira Stankoviç,

Shkup,

në “Restorant Piza” atë natë,

e solli rasti të jemi sup më sup.

Unë të përshëndeta e ti s’u ndjeve hiç.

Dhe pse ishim ulur  mes fëmijëve tanë,

ti më pe shtrembër, skiç

Mira Stankoviç,

rronim  a s’ rronim në Ballkan!...

Ishte  hera e parë,

që ulesha me ty:

Vëmendjen e kisha  aty…

Befas, përballë, te muri i bardhë,

brenda  kornizës:

Torra e Pizës  ma bënte me sy.

Ah, Torra e Pizës…brenda kornizës…

 

Mira Stankoviç!

Ti vije nga një kryeqytet i madh

Unë nga një qytet i bukur antik

E njeh Dyrrahun,  me detin si livadh?...

I lakmuar në shekuj .

Edhe nga Danubi kishin zbritur një ditë.

Dhe sa here ndodhte kështu,

qyteti im  mbyllte korracën si iriq.

Kohën e iriqit jetonte

dhe për të mbërritur gjer këtu,

Zotin, vallet, këngët,

gjuhën e vet mbronte.

 

Mira Stankoviç!

Na ka ngulur fati të rrojmë pranë.

S’ësht’ çudi,

nesër të duheshin fëmijët tanë.

Çdo të bënim unë dhe ti?...

 

Ti,  kryq floriri  në qafë

Unë, në gjoks, s’kisha gjë hiç,

Mira Stankoviç.

Ma kish mësuar ai, kryqi vetë:

Ta mbaja, brënda,

në zemër

dhe në mëndje të kisha

një tjetër:

Atë,

Kryqin prej druri të vjetër

 

Në Golgotha jam ngjitur në shekuj

Kurrizin me gunga e kam

Kurrize të tjerë nuk kam prekur

Të parët e mi qëndresë e paqë më dhanë.

Vij nga një qytet antik,

e di?...

Jo?!...

Atëhere pse takohemi:

për vallet, lojrat, këngët,

pyete zemrën?...

Mos më shih shtrembër,

mos më shih skiç

A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?...

 

    

Rozafa                

 

Qesh kërthi  i vogël,

kur për ty  më folën

dhe  ca pika loti

nga gjoksi më dolën.

 

Ndaj kur u përpoqën

të më prishnin jetën,

nga muret e tua

njoha të vërtetën.

 

Donin të ma bënin

ditën të vështirë,

si muret e tua

që binin pagdhirë.

 

Ti m’u gjende pranë

dhe më dhe motivin.

Duhej sakrificë,

që në këmb’ të rrinin.

 

Natën llaç e tulla,

me mundime ngrija.

Ditën rrafsh të gjitha,

m’i bënte stuhia.

 

Historia  jote

më thoshte përhera ,                  

në themele qumështi,                     

ujitej pranvera.                       

 

Ujitej e mira ,

pikë–pikë çdo ditë.

Ndonëse  ligësia,

te ne u bë mit.

 

Por unë si modele

kisha ty,  moj nuse,

që dhe në themele

rritje  vogëlushe…

 

Prandaj dhe në vite

s’pata motiv tjetër:

Flijimin ma ngjite

ti mikesh’ e vjetër…

 

 

I dashuruar me jetën   

 

Jam një njeri i dashuruar,

me jetën time sinfoni,

prandaj  gjithmon kam ëndërruar,

të mos mbaronte  në kuvli.

Gjithmon e doja të vërtetën,

rrëmoja fjalët në thellësi,

kërkoja  të gjejë më të mirën:

Shpirtin e ri.

S’e  ndryshoj dot këtë rrugë të mundit,

e ndjej timen,

gjersa  të kem dhe frymën e fundit.

 

E dua timen të vërtetën,

gjurmoj çdo fjalët në thellësi,

kërkoj të gjej më të mirën:

Atë, shpirtin e ri.

S’më duhet kurrë një shpirt i shuar.

Dua zemër që rreh shtruar

e bindem, kur më thotë:

”Mjafton të duash thjeshtësinë,

kështu,

do t’ia ushqeje shpirtit qetësinë.”         

 

Jam një njeri i dashuruar  me jetën.

Nuk ka qënë një aventurë,

prandaj  do të doja,

që ajo të mos mbaronte kurrë.

E dua pranverën e re,

por dimrin s’e harrroj.

Kthehem shpesh e rrëmoj,

kam nevojë,

gjer në fund të mësoj…

Ndryshe, do të vijë një dimër tjetër

dhe vuajtjen do të ma shtojë.