Kulturë
Hysen Këqiku: Në ty e kam shpirtin (III)
E diele, 03.10.2010, 02:44 PM
HYSEN KËQIKU
NË TY E KAM SHPIRTIN
AI RRON NË ZEMRAT TONA
(Hysen Vokshit)
Dita kur dhe shpirt
për t’u nisur në amshim
ra bora e parë e atij viti
ajo na e kujtoi kohën
kur ishe fare i ri
E fillove punën e mësuesit
me një xhaketë të hollë
e zemër të ngrohtë
atëherë kur unë isha në klasën e parë
një vogëlush me tlina
e këmishë kërpi
Luli i vocërr isha
mësuesi i Lulit ishe
E mbaj në mend
përkëdheljen tënde
psherëtimat e tua
protestat e heshtura
ato nuk dolën jashtë
xhaketës së hollë
se tjetër xhaketë nuk kishe
Qielli pareshtur lëshonte bubullima
e goditën edhe shkollën tonë
ti nuk u tunde
lëshove kushtrimin e diturisë
i shpalle luftë errësirës
si Gjeto Basho Muji
në log të mejdanit
me kral e bajloz
Pushkë më pushkë e top më top
flakë për flakë e tym për tym
ti nuk u dorëzove
ti mbete në kushtrime
të një lufte të drejtë
Legjendë për ditë të reja
Mësues me xhaketë të hollë
e me xhemper të leshtë
abetaren e pate armë
jastëk nën krye
ëndërrim për nesër
Erdhe me tabelë nën sqetull
Sa hije të pat shkumësi
në mes dy gishtave të mbetur
Sa larg pe me atë syrin tënd dritëplotë
sa hapa qite në horizonte
me ecjen tënde
sa hirësi mbolle
në djalërinë e hershme
i forcove shpresat
të lidhura për atdhe
Mësues me ardhmëri në duar
me 36 shkronjat shqipe
shkrove alfabetin e jetës
vulose fatin e atdheut
Velia Glaua jataku yt
Velia Glauan e gjete në psherëtimë
me gjak në plagë të luftës
me shtëpitë shkrumb
mbi shkrumb shkrove shkronja
me gjakun e derdhur për abetare
O mësues
ti po e vazhdon ecjen
rrugës së ngjyer me ngjyrën e lapsit
Ajo ngjyrë
e njëjtë
me gjakun e dëshmorit
Shtyllë e asaj ngjyre gjak
bamirësia
në motet e bjerra nëpër rragama
Shtylla e asaj ngjyre gjak
kujdesi për të pamundurit
do ta shndritë rrugën
me qiririn e Naimit
Jo ti po ndërron jetë
ti nuk vdes
nuk vdes mësuesi jo
Ai rron në kujtime
ai rron në zemrat tona...
(Për herë të parë është lexuar gjatë ceremonialit të varrimit. Në Dardanë më 3. 11. 2006)
QAN SHIU VJESHTOR
Galabria ime
relievqëndisur
i ngjan qiellit
thellësisë pjellore
fluturat e ëndrrës shqim
tretur në qenien time ...
vegimi
të kundërmon nën flatra
guri
të shndërrohet në strall
stralli
në zog
asnjë xixë
asnjë këngë
qan shiu vjeshtor
TË KUNDROJ
Mëngjeseve të përlotura
të rrëshqet mjegulla
nga majat
mbetesh
nuse e zhveshur
të të përkëdhelë dielli
reliev pa menges
shoqëruar nga grigja e gurëve
që ma kullosin
qetësinë e kohës
në shuplakën e kohës bjerrë.
nëse ndonjë zog
fluturon mbi ty
le të dehet
me erë të lulemalit
nga pika e lartësisë
kur ty të përkëdhel
ajri i dehur
me dritën e xixëllonjave ndezur
në arat
pa grurë
e thekër
unë e kundroj
veten
në përqafim
të ahut hollak
me shijen e lëmashkut
në kujtim
të vajtimeve ndarëse
për kothere
pa kthim
bari e ruan freskun e lagies
si bari i larë në lot ligatash.
. . .
E kemi harruar
betimin
në gurë e dru
ai rri varur
në rrëketë e strehëve
në bjerrje të kohës
gjethet farfurojnë
të njoma
nëpër duart tona
kur tymi dilte nga oxhaqet
fjollë e hollë
shoqëruar me erë misërnikeje
në ëndrrat e cfilitura
krojeve të kallura
shtohen stivat
bigoreve të ftohta
çka të them
më ka rrëshqitur
kaherë
nga kujtesa
tisi mëngjesor
shoqëruar me blegërima
- ah harmoni e virgjër
tretur në brendi
të heshtjes
Vajtuesja e nemitur
tash
kur unë po shkruaj
mbi ty vigjilon
edhe unë e shoh
ajo e di
dhembjen time
UDHËTIMI
Lundrimi i reve të zeza
mbi ato bjeshkë
me zemrën rreshkë
janë tik-take të historisë
edhe të marrëzisë
edhe të çmendurisë
unë nuk mund t’i numëroj
hapat e lodhjes
ato i latojnë
leqet e gjunjëve
për tokën
unë nuk mund t’i numëroj
udhët janë
litar në thes
gdhin vallë dielli natën
në bjeshkën e ftohtë
nga kalërimi i reve
SIMFONI DITORE
As parë
as dëgjuar
bora nuk i fshin
gjurmët e erës
qetësinë e ka hëngër
fishkëllima
nga lehja e qenve
- ata kuisin nën hijet e fshehta
qentë
atë e kanë
simfoni dite
qentë atë e kanë
mjeshtri dresimi
HAPAT E MI NË RELIEV
Mos më pyet cila është
më e vjetër
bubullima
apo rrufeja
më pyet
cila është më e shpejtë
të të tregoj
unë njoh
edhe shpejtësi
edhe vjetërsi
një rrap i stërvjetëruar
më tha
i kam grafite
në lëkurën time
ato
nuk janë të zgjebosura
edhe pse
më kruhen dhe i kruaj
janë hapat e mi
në relievin tim
të përziera me vaj vetmie
APOSTROFË
Hej thërras
- s’e di kë
i mbështetem
bjeshkës
largësisë
së thellësisë
thellësisë
së largësisë
përsëri e thërras
livadhin e rrafshët
me ëndje
të hidhur
prit - më tha
se lind dielli i natës
NË PESHOJË QENSH
Në kandarin e qenit
zogu është
mizë përdhese
cicërima
shurdhohet nga lehja
- pëshpëriti qepalla
në hulajë rrezesh
me një pikë loti rubin
qentë e duan natën
lehja
u dëgjohet larg
- tha e bija e kukuvajkës
e vendosur
për banim
në vegim
NUK LËVIZ NGA VENDI
Tash bjeshka ime
eshka ime
rreshkë
më flaku
në një skutë
për ta dëgjuar
ulurimën
e urisë
së ujkut
ma rrëqeth
lëkurën
ma mbush
me mornica
dhe nuk lëviz
nga vendi
edhe unë i bjeshkës
po jo ujk
edhe bërtas
edhe kush nuk më dëgjon
Shlliga shpresën shalon
GJURMË
Koha
pamëshirshëm
e ha kohën
pus i ri
e pështyn të vjetrin
mallëngjimi
me theke
- deri kur
qielli t’i gëlltitë kundërmimet...
ashku pjell psherëtimën
bletët
le t’i hanë dardhat
derisa mjalti të dyllëzohet
ujku
trason rrugën hijeve
nëpër lëmashkun
e kërmillit
- hije tymi
nuk ka mbi dëborë
ERA DJERSITET
Pranë gardhiqeve
të kalbura
qelben kockat
e harresës
nëpër to beronja
dredharon
harkun
për shteg
ja edhe një gur
i shekullit
era djersitet
për t’ia prishur
lëmashkun e diellit
duel i paimagjinuar
mbështjell me çarçaf të natës
këndejza
këndojnë
këndesa
kush t’i tagjitë
mëngjeset e arta