E hene, 05.05.2025, 02:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Manifestimi i ritit të vjeshtës në rrethinën e Prizrenit

E premte, 01.10.2010, 09:12 PM


Tradita popullore shqiptare: Manifestimi i ritit të vjeshtës në rrethinën e Prizrenit

Një rit i lashtë i traditës iliro-shqiptare me karakter universal, që vazhdon të shënohet sot nga më të zellshmit e traditës. Ka mesazh falënderimi për natyrën që dhuroi begatinë dhe ushqimet për njerëzit. Simbolika e kësaj dite është se po fillon vjeshta me një ekonomi familjare të përforcuar nga të vjelat e verës

Më 12 shtator shënohet riti i vjeshtës. Një fillim mëkëmbës dhe i mbarë i stinës. Vera mori fund, gjërat shkuan mirë. Ekonomia familjare është përforcuar nga të vjelat e verës. Erdhi dita kur duhet të përfundojnë punët e fushës (bujqësisë), që në popull njihet si Dita e Kërstovit (12 shtator). Sipas traditës është dita e parë e vjeshtës. Bazuar në kalendarin e vjetër popullor gjithnjë data 13-të e muajit është dita e parë e çdo stine. Si datë kalendarike sot vazhdon të jetë e evidentuar në fshatrat Opojës, Vërrinit,  Lumës, Prizrenit. Nuk ka ndonjë ritual të veçantë religjioz ose pagan. Ka karakter universal dhe vazhdon të shënohet në heshtje nga më të zellshmit e traditës. Ka dhe të tillë nga rinia që shumë pak e njohin ritin. Manifestohet në mënyra të ndryshme dhe si ditë e parë e vjeshtës ka mesazh falënderimi për natyrën që dhuroi begatinë dhe ushqimet për njerëzit. Shënohet nga shumëkush në mënyrë jo shumë të dukshme. Ky rit nuk është ruajtur ashtu siç ka qenë para qindra vitesh, sikurse në kohën e arbërve dhe ilirëve. Ndër shekuj, nga kontaktet dhe ndikimi sllav, ritit i është vënë emri i sllavizuar “Kërstov” duke shtrembëruar identitetin e ritit dhe traditës iliro-shqiptare.  Pas këtij riti vjen Shëmitri (Shëmitri, 9 nëntor). “Kërstovi” në vazhdimësi është transformuar sikurse jeta e banorëve. Është koha kur ditët shkurtohen në mënyrë progresive, e temperaturat ulën ndjeshëm, dhe njerëzit nuk ekspozohen dhe aq në diell. Në tryezën e familjeve menyja ditore kur shënohet riti është: gatime të ndryshme, byrjon me oriz, ose pjekje mishi, ose pite, djathë, kos, perime, misër i zier, kungull i zier, pemë, kafe. Kjo ditë ndjell fisnikërim, ruajtje të vlerave humane, respekt dhe bashkëpunim, optimizëm  për të ardhmen, mbarëvajtje dhe shëndet në familje, fuqi shpirtërore për një vjeshtë të qetë dhe me fruta. Riti i “Kërstovit” simbolizon se përfundoi piku veror, në mëngjes fillon të duket bryma. Nis vjeshta. Në lartësitë e bjeshkëve ndryshon ngjyra e peizazhit, merr pamje vjeshtore, ndryshon klima dhe shfaqet mjegulla dhe shirat e stinës.

Pas vitit 2000, në dhjetëvjetëshin e fundit kjo ditë e shënuar ka filluar të reduktohet në publik. Derisa ndër shekuj ka humbur karakterin fetar. Në popull manifestohet si datë e përcaktimit kohor, sepse fillon dita e parë e vjeshtës. Para disa vitesh, në ditën e “Kërstovit” në Plavë (Opojë) kositeshin barishtet e fundit - “otavat” dhe jonxha në livadhe. Në këtë ditë blegtori - fermer dhe bagëtia zbresin nga bjeshka së bashku me bagëtitë dhe bulmetin e grumbulluar. Transporti bëhet me kamionë, traktor dhe minibusë transportues. Në fshatin Plavë para disa dekadash bariu kthehej nga kullotat e fushës së Llopushnikut (Opojë), për të dimëruar. Që nga kjo ditë dashi “ogiç” u lëshohet deleve për ndërzim, për reproduktim, dhe para festës së Shëngjergjit (6 maj) delet pjellin qengjat. Qethën delet për të dytën herë gjatë vitit. Një organizim ky ku marrin pjesë mjeshtrit dhe stilistet e qethjes së deleve, dhe në përfundim përgatitet një darkë me ndonjë qengj ose dash të pjekur dhe gatime të tjera. Leshi i qethur i deleve shfrytëzohet për punimet artizanale, dhe shitet tek tregtaret e tekstilit. 

Derisa bagëtitë zbresin nga bjeshka shpeshherë gjatë rrugëtimin ato ndiçen nga ujqër, çakej, arinj dhe kafshët e egra që tentojnë të kapin gjahun e tyre. Kopetë e bagëtive janë të mbrojtura jo vetëm nga blegtori - fermer por dhe nga qentë specifik të Sharrit, që janë të racës së madhe, besnik, dhe të gatshëm për dyluftim me ujqër dhe arinj. Kjo racë qensh është e kërkuar jo vetëm brenda Kosovës por dhe në Gjermani, Zvicër nga dashamirë dhe kultivues të kafshëve.

Në bjeshkë janë të ndërtuara shtëpizat “stanet” ku gjatë verës banojnë kujdestarët e bagëtisë, dhe ahuret ambulante (kotaret) ku për çdo mbrëmje vendosen kopetë e bagëtisë dhe kuajt transportues. Shtëpizat “stanet” janë të pajisur me agregator që prodhojnë rrymë elektrike për nevojat e blegtorëve. Por në ditën e “Kërstovit” boshatisën bjeshkët dhe stanet. Blegtorët plisbardhë nuk dukën më andej deri në Shëngjergj (6 maj). Megjithëse janë të rrallë ata fermerë - burra tradicional që mbajnë plisa në kokë, si simbol i shpirtit kombëtar shqiptar që. Plisin e bardhë kryesisht e blejnë në dyqanet e artizanalëve në Prizren.

Deri në fillim të shek. XIX ky rit kremtohej me organizime të veçanta familjare . Nga vitet e ‘80-ta e ’90-ta riti ka pësuar ndryshime. Por ende figuron si ditë e saktësimit kohor, nga pleqtë e fshatrave të zonës.

Opoja, Vërrini,  Luma, Prizreni, shtrihen rrëzë bjeshkëve të Sharrit dhe kufizohen me Prizrenin, Kukësin, Tetovën. Bjeshkë këto të me një bukuri përrallore, të pasura me shumë ujëra e lumenj, që burojnë nga lartësitë dhe derdhën poshtë në lumenj në Drinin e bardhë në Kukës dhe në Drinin e zi në Maqedoni. Është i veçantë lumi i Plavës, lumi Radika që kalon nëpër Dibër (Maqedoni), etj. Këtu jetojnë mijëra banorë, njerëz mendjehapur dhe të emancipuar, me tradita, e shumë mikpritës. Viteve të fundit vendbanimet e këtyre zonave kanë një peizazh urban, me ndërtesa të reja, rrugë të asfaltuara, infrastrukturë moderne, ujësjellës, elektrifikim, telefoni mobile, internet thuajse në çdo shtëpi. Zhvillohet një jetë dinamike, me shumë lëvizje të makinave luksoze.

Jeta është transformuar dhe modernizuar. Në këtë kohë arsimtaret të veshur me kostume dhe kollare u kthehen shkollave, vogëlushet shkojnë në çerdhe, parashkolloret të shoqëruar nga prindërit fillojnë ciklin në klasa, shkollaret rikthehen në bankat e shkollës pas pushimeve verore. Studentet u shtrohen provimeve në fakultete dhe synojnë një karrierë. Karakterizohet me një nivel të lartë të blerjes së librave, fletorëve, lapsave, sepse fillon viti akademik. Mbyllen pishinat freskuese si gjithkund ashtu dhe në zonën e Opojës, sikurse mbarojnë pushimet në plazhet e detit Adriatik e gjetiu. Mbaron sezoni masiv i dasmave dhe ahengjeve. Mërgimtarët kthehen në vendet ku punojnë, sikurse në Gjermani, Zvicër, Itali, Austri, Francë, Angli, SHBA. Në ndërkohë fillon sezoni i ligave sportive: futboll, basketboll.

Ikin bjeshkatarët dhe sportistët e lartësive të Hikingut, që vijnë  nga shoqata sportistësh nga Zvicra, Gjermania, Austria, Italia, rikthehen në vendet e tyre. Disa nga ta gjatë muajve të verës qëndrojnë dhe pushojnë në kampingje, kamp-shtëpizat  e drurit në bjeshkë, në mes të fshatit Struxhe (Prizren) – Zapluxhe (Opojë).

Për “Kërstov” fillon vjelja e perimeve, patateve të mbjellura në ara, fasulja, mistri, kungulli. Fillon vjelja e pemëve në pemishte. Vazhdon vjelja e boronicave në bjeshkë, ndërsa grumbullohen edhe kaça për çaj gjatë dimrit, mollë të egër, kulumbria, këpurdha, e fruta të tjera, bimë mjekësore që u shiten organizatave të ndryshme. Tregjet dhe dyqanet janë të furnizuara me pemë dhe perime të freskëta.

Vjeshta është stina kur njerëzit fillojnë të ndërmarrin masat mbrojtëse para stinës së ftohtë të dimrit. Përgatitën turshitë, reçelet dhe ushqimet e dimrit. Sigurohen drurët që përdorën për nxehje në dimër. Dallëndyshet, lejlekët largohen nga zona dhe shtegtojnë drejt vendeve të ngrohta në bregdet. Fillon lëvrimi i arave hamullore me teknologji të re, me traktorë, të cilët që prej vitesh i kanë nxjerrë nga funksioni kuajt dhe qetë që tërhiqnin plugun. Dhe më pas mbillen drithërat e vjeshtës, sikurse gruri.

Në Opojë, Vërri, dhe Prizren ka gjurmë të dukshme monumentesh antike e historike. Njerëzit e ndryshëm shpeshherë kanë gropuar dhe kanë marrë gurët mureve të monumenteve të lashta. Në fshatin Brrut të Opojës ekzistojnë muret e një kështjelle Ilire, e shek VI, që sot quhet Hisar, dhe ku deri më 1912 ishte i vendosur garnizoni turk. Janë gjetur dhe monedha bakri të shek. XII që janë përdorur në Opojë.

Festat shekullore, apo kalendari i kremteve dhe riteve popullore në Plavë (Opojë) është si vijon: “Pitet e Djemve”( 6 janar); “Muaji Arbaini”  (fundi dhjetorit – fundi janarit); “Kur moti kthehet kah vera“ (23 Dhjetor);” Plakëzat”  (Nata e Plakave 12 janar); Ditë e kulmit të dimrit (fundi janarit); “Muaji  Hamsini” (shkurt – mars); “Dita e hithrave (10 Mars); “Verza (Dita e Verës 12 – 13 mars); Ditë e Sulltan Nevruzit (21 Mars); Të hënat dhe të enjtet që nuk punohej (Prill- Maj); “Të Qethmet” (Maj – shtator); Ditë e Shëngjergjit (6 Maj, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut);”Tri të merkurat që nuk punohej (Maj) ;Ditë e Jeremisë (14 Maj); Ditë e Shënkollit (22 Maj);  Ditë e I’shilbutit (I shëlbuesi, e enjtja pas Shënkollit, Maj); “Korolana” (Kërshmët )- ose Darka e Lamës (korrje shirjet, korrik – gusht); “Mesi i Verës” (Gusht); Ditë e Kërstovit (12 shtator); “Shëmitri” (9 nëntor);  Bajrami i madh; Bajrami i vogël, muaji i Ramazanit.

Opoja është një trevë shqiptare që bën pjesë në skajin jugor të Rrafshit të Dukagjinit, rreth 20 km larg nga Prizreni. Nga pjesa lindore përmes Bjeshkëve të Sharrit kufizohet me Tetovën (Maqedoninë) ndërsa nga perëndimi Mali i Koritnikut e kufizon me Kukësin (Shqipërinë). Lartësia mesatare e vendbanimeve të Opojës është 1105 m. Përbëhet nga fshatrat: Blaçi, Bresana (Brodosana), Brezna, Brruti, Buçja, Buzezi, Bellobradi, Kapra, Kuki, Kuklibegu, Pllajniku, Plava, Renci, Shajna, Kosava, Xërxja, Zapluxhja, Zgatari, Zymi, Qellopeku.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx