E hene, 05.05.2025, 11:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik Jeton Muçollari

E shtune, 02.10.2010, 07:04 PM


JETON MUÇOLLARI

Ka lindur në krahinën e Gorës të rrethit Korçë.

Ka mbaruar shkollën e Mesme për Argonomi në vitin 1979 me rezultate të mira. Për arsye ekonomike nuk vazhdoi shkollën e lartë. Punon në bujqësi e më pas në minierë ku dhe aksidentohet në vitin 1991. I detyruar nga jeta e ndryshuar fillon të lexojë.  Deri tani ka botuar:

 

1-‘’Shpirti brengosur’’ libër me vjersha e poezi 2006

2-‘’Dhimbjen në poezi e kam kthyer’’ libër me poezi 2009 sh.b. Toena

 

 

Dy fjalë për librin

 

Nga Bardhyl Xhama, Shkrimtar

 

Vëllimi poetik “Në poezi dhimbjen do ta kthej” është libri i dytë me vjersha i autorit Jeton Muçollari.

Siç kuptohet edhe nga titulli, Jetoni ka pasur e ka një jetë të dhimbshme e me shumë vështirësi. Para 18 vjetësh, në moshë ende të re, ai është aksidentuar dhe gjymtuar rëndë duke punuar në një minierë të Pogradecit.

Si  një invalid me aftësi të kufizuara, i mbetur për jetë në karrocën me rrota, Jetoni  ka mundur t’i mposhtë dhe t’i kapërcejë deri diku vështirësitë e jetës me përpjekjet e tij, me kujdesin e veçantë dhe dashurinë e pathyeshme të gruas së tij fisnike dhe vajzës së vetme, tashmë moshatare me vitet e aksidentit. Kështu, Jetoni, siç thotë në disa nga  poezitë, i ka thyer muret e izolimit, e ka mposhtur dhimbjen e gjymtimit dhe të vetmisë, pavarësisht se shoqëria e shteti ende nuk po tregojnë përkrahjen e duhur  për t’i siguruar të drejtat ligjore.

Dhe është pikërisht poezia ajo që e ndihmoi dhe po e ndihmon fuqishëm që ta shohë të ardhmen më me optimizëm. Këtë e shpreh në shumë nga poezitë e vëllimit, në njërën prej të cilave thotë: “Pas më kokën nuk e kthej”. Kjo është një nga karakteristikat dalluese të librit, krahasuar me të parin me titull “Shpirt i brengosur”, ku vjershat pesimiste  të një shpirti të brengosur zënë më shumë vend.

Në vjershat e Jetonit  shpërthen bota e tij e brendshme, me emocione herë të skajshme e herë të shtruara, herë si “poet dhimbjesh në mjerim”,  herë optimist për jetën e kujdesin familjar, për krahët që i jep poezia të shprehë në vargje atë që ka provuar në jetë, që ndjen në shpirt, që sheh në vendlindje dhe në realitetin e sotëm.

Janë të shumta poezitë për jetën e tij, për dashurinë, për vendlindjen,  për shokët e të njëjtit fat me aftësi të kufizuara, të cilëve u bën dhe një thirrje të fuqishme që të mos rrinë të ngujuar në fatkeqësinë e tyre, por të shpërthejnë me vlerat dhe aftësitë e çmuara që kanë, që të mund të ecin bashkë me të tjerët. Në vëllim gjen edhe vjersha për probleme të mprehta të shoqërisë së sotme, si për emigracionin, për fshatin e lënë në harresë,  për sjelljen e moralin, për veset e virtytet etj. Vend të veçantë zënë poezitë për natyrën, ku Jetoni ka derdhur me sukses aftësitë e tij poetike. Pra, vëllimi përfshin poezi me një tematikë të larmishme, madje  edhe disa vjersha me karakter filozofik.

Pavarësisht nga ndonjë e metë e vogël teknike, që lidhet me ritmin, rimën, strofën, apo me disa vargje prozaike,  kam bindjen se ky vëllim poetik  është në nivel më të lartë artistik se i pari, gjë që tregon se Jetoni po punon më me ngulm dhe pa u ngutur që të na japë poezi cilësore, jo vetëm me ndjeshmëri që prekin zemrat e njerëzve, por dhe me një figuracion më të pasur e gjuhë letrare  sa më të arrirë.

Ai që do të lexojë  këtë vëllimin me poezi, jo vetëm që do të ndjejë kënaqësi dhe emocione të veçanta, por do të mësojë e do të kuptojë sadopak për vullnetin e papërkulshëm, shpirtin heroik dhe guximin e Jetonit, për një familje të qëndrueshme edhe në fatkeqësi të tilla madhore, duke u bërë kështu një shembull frymëzues për të gjitha brezat. Kjo, mendoj, është një ndër meritat e veçanta të këtij libri poetik.

Së fundi, dua të falënderoj edhe në emër të Jetonit e të familjes, por edhe të televizioni ‘News 24” që trajtoi në emisionin “Me zemër të hapur” shqetësimin e Jetonit për botimin e poezive, zotin Fatmir Toçi, President i Shtëpisë Botuese “Toena” dhe zonjën Irena Toçi, Drejtore Ekzekutive, që morën përsipër sponsorizimin dhe botimin e këtij libri poetik.

Këto fjalë hyrëse për vëllimin me poezi të Jetonit, me një paraqitje të shkurtër të ideve e tematikës, i bëra i shtyrë edhe nga përfundimi i suksesshëm i emisionit “Me zëmër të hapur”, ku pata rastin të jem i ftuar dhe u zotova ta radhis vëllimin e shkruar me dorë në kompjutër, ta redaktoj e t’ia çoj “Toenës” të gatshëm për botim.

                                                                                

 

Cikël poetik nga Jeton Muçollari:

   

 

Për poezinë tradhtoj

 

Më tha gruaja: burrë i mbarë,

Ti mbrëmë më tradhtove,

Të prita për të ardhë,

Dy orë ku qëndrove?

 

Buzëqeshur, i habitur

Mos e ka me të vërtetë,

Kur e pashë të mërzitur,

I përgjigjem me lezet:.

 

-Shpirti im, ti e di,

S’më flihej mua të shkretit,

Nata është për poezi,

Frymëzimi i poetit.

 

Poezinë time të vyer,

Natën në “studio” rreshtoj,

Ndaj gruan time të mirë

Shpesh netëve e tradhtoj

 

Korrik 2006

 

 

Trotuaret

 

Ju që ecni në trotuare,

Shkallët kapërceni me nge,

As që e mendoni fare,

Se dikush ngecet atje.

 

Të inatosura janë veturat,

S’pyesin për shenjën “ngadalësim”,

Pa kapak janë pusetat,

Era e vdekjes pas më vjen.

 

Tek më shohin kur mundohem,

Dikush vjen e vë një dorë,

Veç atëherë ata kujtohen,

Çfarë mungon në trotuare.

 

Ju, o arkitektë të nderuar,

Mos po doni t’u kujtojnë

Se me aftësi të kufizuar

Disa jetën e kalojnë?

   

22 korrik 2006

 

 

Vrastare bëhesh

 

Fëmijën e saj të ngjizur

Nga seksi e gjykojnë,

Nëse s’u pëlqen,

Për ta hequr ( vrarë ),

Te doktori shkojnë.

 

Me dashje po e prish

Raportin natyror

Dhe me ndërgjegje të plotë

Njeriu bëhet vrastar.

 

Ej! Ç’bën ti o Zot atje lart

Për ata që urdhrin ta thyejnë,

Ndëshkim për ta si nuk ka?!

   

15 korrik 2006

 

 

Dashuri adoleshence

 

I ndrojtur, i heshtur, symprehtë,

Vjen rrotull për femrat përditë,  

Taktikë e përdorur në Mesjetë, 

E ëmbël dashuri plot dritë.

 

Natën pranë ballkonit do këndoja,

Serenata, cicërima  melodie,

Oh,deri në agim do të qëndroja,

Për një puthje të ëmbël largësie.

 

Imazhi yt më shfaqet në gjumë,

Përqafuar, shtrënguar, nxehtësi,

Djersët të dyve na rridhnin si lumë,

Ekstazë dashurie pakufi.

 

15 tetor 2006

 

    

Zgjimi

 

Gjumi letargjik më kish zënë,

Humbur thellësive më kish lënë.

 

Nënshtruar fatit, zhytur në errësirë,

Logjika e mbrapsht më kish mpirë.

 

Koha kishte rrjedhur, vitet kishin ikur,

Nga gjumi u zgjova një ditë papritur.

 

Do të shfaq idetë që kam grumbulluar,

Dhimbjen që jetoj kam për ta treguar.

 

Përvoja e jetës diç më ka mësuar:

Po ece mbi dhimbjen, do jesh i fituar.

 

Po t’i nënshtrohesh fatit si i marrë,

I humbur do të jesh gjer sa të shkosh në varr.

    

22 janar 2007

 

 

Kontrast

 

Ti që vilën ke ngritur me shumë kate,

Jo me punë, po me të tjera “zanate”,

Si e si të shtosh më shumë paratë,

Zë miq vetëm me kravatë.

 

Por...

 

Je më i varfër se më parë,

Kur shtëpinë e kishe me trarë,

Se atëherë e kishe zemrën e bardhë.

    

25 janar 2007

 

 

Vargje që presin

 

Vargjet e mia u ngjajnë hapave të fëmijës,

Që rrëzohet e ngrihet qindra herë,

Pret nënën, babanë apo tjetër njeri,

Ta mbajë për dore, t’i japë siguri.

 

Vargjet e mia rrinë të heshtura,

Më presin mua t’u jap jetë,

T’i bëj të ecin, të fluturojnë,

Te lexuesi të shkojnë.

 

Më presin gojëkyçur nëpër sirtare.

Dhe unë pres një sponsor gjeneral,

T’i bëj të flasin e të këndojnë,

Zemrat e njerëzve të pushtojnë.

 

Presin vargjet e mia nëpër fletore

Ditën kur të dalin prej kësaj dere.

     

26 janar 2006

 

 

Dyert e izolimit do t’i flak

 

Mbeti fshehur një dëshirë

Që nga koha e rinisë,

S’vlerësova ç’ish më mirë,

Mbeta peng i varfërisë.

 

Si në fshat dhe në minierë

Punova rreth dhjetë vjet,

Ndërsa në vitet e tjerë,

Mbeta gjymtuar për jetë.

 

Do t’í çaj portat e vetmisë,

Dyert e izolimit do t’i flak,

Do të rend drejt diturisë,

Ndaj të keqes do marr hak.

 

Çerek shekulli largësi,

Banka e shkollës po më thërret,

Tani që kam pjekuri,

T’i jap vetes dinjitet.

   

30 janar 2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx