Kulturë
Nuri Plaku: E fshehta e lirikës së Frederik Rreshpjes
E shtune, 02.10.2010, 07:58 PM
E FSHEHTA
(Frederik Rreshpja, Në vetmi, Tiranë, Arbëria, 2004)
Nga Nuri Plaku
Në lirikën e tij, Rreshpja krijon një frymëmarrje të gjerë poetike aq sa të lë përshtypjen sikur lëviz me krahë engjëlli në të gjitha hapësirat, tokësore dhe qiellore. Lëvizja e tij është e tëra një energji metaforike, plot dhimbje dhe pikëllim të thellë shpirtëror që lidhet me fatin tragjik të njeriut dhe raportin e tij me një shoqëri të caktuar. Nëpërmjet kësaj energjie ai depërton nëpër kohë duke dhënë vlerat e saj në formën e një kuintesence shpirtërore të mermerizuar në shkrim.
Dihet se lirikët e vërtetë janë të “pavarur” nga trupi i tyre dhe shoqëria ku bëjn pjesë. Në portretin fizik të Rreshpjes dhe praktikën e të sjellurit të tij të përditshëm thuhej pikërisht ky “epitaf”. Nuk mund të ketë poezi lirike pa portret liriku. Ndryshe është njësoj sikur të flasësh për lumin pa përmendur burimin e tij. Thuhet se ai shfaqte një hutim hyjnor që konvertohej në indiferencë totale ndaj të gjallëve. Rreshpja e endte këtë hutim interesant rreth vetes si një vel të padukshëm që verbonte e ngatërronte mjaft njerëz. Nga një vështrim i vëmendshëm i lirikës së tij, pikasen pikërisht të tilla refleksione. Duket sikur brenda tij ka pasur një “natë të errët” si ajo që përjetojnë mistikët e mëdhenj, me të cilën dëshmohet potenca e shpirtrave të zgjedhur. Nga kjo “natë e errët” Rreshpja është kthyer në dritë poetike. Thuhet me të drejtë se poezia është art elitar, por sjellja e shoqërisë ndaj poetit nuk ka qenë e tillë. Shoqëria shqiptare e diktaturës dhe postdiktaturës është sjell me Rreshpjen si bujku me kashtën e drithit. Ai u kryqëzua shpesh midis mundësisë praktike të jetës dhe përjetimit hyjnor të poezisë, një kryqëzim që e rezultoi atë sfidant të përjetshëm. Janë të rrallë poetët që marrin të tilla përmasa. Po ku qendron e fshehta e kësaj lirike që sa më shumë kalon koha, aq më tepër madhohet ajo dhe autori i saj?
Një nga sekretet e kësaj lirike qendron tek përzgjedhja e fjalës. Natyrisht të gjithë e dimë këtë element të kushtëzuar të krijimit, por sekreti i saj nuk është tek “kërkimi”, por tek “e dhëna.” Fjalë të tilla vetëm vijnë. Vijnë natyrshëm prej një niveli të lartë përjetimi, sepse askush nuk do të mundej t’i zgjidhte ato nga një aradhe fjalorësh të zakonshëm. Poezia e tij është si një konstelacion yjesh ku në vend të tyre vendosen fjalët. Fjalët tek ky autor kanë shumë dritë. Ato vetëm shkëlqejnë. Madje duket sikur pena e autorit gjatë shkrimit të tyre nuk është komanduar prej tij por prej një lloji dridhjeje emocionale, prej një lloji ndjesie të hollë shpirtërore, që vjen si shtytje e fshehtë, e vetvetishme. Pa atë dridhje nuk ka fjalë të tilla dhe pa fjalë të tilla nuk ka poezi.
Një nga tiparet që fiton përzgjedhja e fjalës tek Rreshpja, është ngjyrimi i saj mistik. Gjithë lirika e tij e manifeston dukshëm këtë element. Ajo shfaq ngjyrime të tilla që lidhen me vdekjen, perënditë, fatin, statujat, trëndafilin, shirat, hënën. Nëpërmjet tyre, ai krijon bërthamën semantike të tekstit dhe atmosferën e tij të veçantë, që lidhet me pikëllimin. Rreshpja është një erupsion i pikëllimit. Është “korbi i zi” i tragjedisë së njeriut. Ja disa fragmente të tilla që reflektojnë këtë gjendje:
“Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike”, “Dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë”, “Kemi ecur në tërë shekujt para piramidave”, “Iku dhe nëna ime, nën një shi prej mermeri”, “O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri!” “Më pikëllon vdekja e vjetër e ujit/ E mira ime prej lotësh”, “Anës detit ilir, mitet, ç’do natë/ Dalin nga amforat me sytë plot lot.”, “Tani jam bir i ajrit si në ditën e parë të botës/ I mallkuar në mënyrë biblike.”
Përzgjedhja e fjalës duket veçanërisht tek paradigmat e shumta e të larmishme që krijon ai, nëpërmjet të cilave poezia përfton një shkëlqim dhe intensitet të lartë kuptimor. Të tilla janë ato që krijon me trëndafilat, hënën, shirat, vdekjen, statujat dhe perënditë. Numrin më të madh e krijon me trëndafilin, duke e përdorur atë si një simbol të gjithanshëm bukurie, fisnikërimi dhe dëlirësie. Trëndafilat kanë një përdorim të gjerë në poezinë shqipe, por tek lirika e Rreshpjes, vijnë aq të freskët, aq aromatikë e aq të bukur, sa duket sikur i has për herë të parë. Larmia e përdorimit të tyre është e pafundme, dhe përshtypja që krijohet nga ky përdorim është një magji e vërtetë. Ato japin madhështinë e ndjenjës, të dhimbjes, të dëshpërimit shpirtërore të pritjes dhe të vetmisë së përhershme të poetit.
“Trëndafilat e tu më mbetën në duar si plagë.”, “Rri sonte te unë/ Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur.”, “Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat.”, “Trëndafilat vdesin në muzg.”, “Trëndafilat jan mbyllur në pikëllimin e vet.”, “…të vdekurit ngrohnin duartë/ Mbi flakët e trëndafilave.”, “Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.”, “Trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time.”, “Është gjithmon një trëndafil,/ …bërë nga zëri im…”, “Te dritarja çeli si dhimbje trëndafili.” “Trëndafilat e vdekur.”, “Mbi zjarret e trëndafilave ngrohu duart Saadiu.”, “Heshtja që lulëzon trëndafila.”, “Nën trëndafila mermeri…”, “… mitologji trëndafilash.”, “Ah, tërë trëndafilave të botës do t’u bie në gjunjë.”, “Trëndafili çeli në kopësht mu si një psherëtimë.”, “Kori i trëndafilave derdh lotë.”, “Trëndafilat e thurur me diell.”, “…çeli trëndafili te yjet.”, “… sillmë një trëndafil prej shiu.”,
Për hënën krijohet po e njëjta mundësi trajtimi: “Ti erdhe nëpër udhën e hënës.”, “Hëna po shuhet në pëllëmbën e gjetheve.”, “Hëna e shqyer…”, “Tani te hëna shkoj i vetëm.”, “… galvanizuar me hënë.”, “…hëna ngre shkallë drite.”, “…një hënë e trishtuar.”, “…shpirti i hënës.”, “…vizatuar nga hëna.”, “… kyçur me hënë.”, “… nëpër hënë.”, “Lugina me hënë lyer.”, “Hënë e shuar nga shiu.”, “…drita e duarëve të hënës.”, “…hënë që nuk di të buzëqeshë.”, “Qiriu i hënës…”, “… gjëmim hëne.”, “… dhimbje/ Që hënëzoi këtë dimër.”, “…hënëz argjendi…”, “…pranë zjarrit të hënës.”, “Kasolle prej hëne.”, “Vijnë ciganët… me hënë.”, “Mallkuar… me hënë.”, “Kullat e hijeve i rrëzoi hëna.”, “…hëna që më vrau mua.”, “…jam bir i hënës…” , “…ç’je hënëzuar kështu?”, “… ra hëna e syve të mi.”, “Përrenj prej hëne.”, etj.
Ndërsa shirat i nënshtrohen një trajtimi shpërthyes. Ata “rrjedhin” në “përrenj” të vrullshëm figurative, duke gurgulluar rrëmbimthi nëpër relieve fjalësh të thikta dhe krijojnë “katarakte” dhe “ujwvara” me pamje mahnitëse:
“Shi i huaj, i verbër” “Kufoma e shirave” “…kryq shiu…” “Çerdhe shiu” “Krifë prej shiu” “…zërat e shiut” “Shi mermeri” “Kur vdesin shirat” “… alarmi i shirave” “…bronxi i shirave” “…shirat e vdekur” “Shira lulesh.” “Për ku vrapojnë të bëhen shi këta zogj?” “Shi i verbër…” “…lot shiu.” “Mushkat ngarkuar me shi” “…shiu i fluturimeve.” “Shi biblik.” “Shira të heshtur…” “Shira të qeshur.” “Me boçen e shiut ndër dhëmbë.” “… duart e shiut.” “…degët e shirave.” “…telat e shiut.”
Një sistem po kaq i kompletuar figurativ krijon ai me vdekjen. Vdekja në këtë lirikë bëhet një vdekje “lirike” ç’ka do të thotë se Rreshpja ia zhvesh asaj ngjyrimin e zi dhe e vesh me purpur stinësh, gjethesh, yjesh e ylberësh.
“Me pak vdekje në sy.”, “Pranvera…vdes dhe shndërrohet në vjeshtë.”, “…vdekja më hoqi prangat.”, “…erdhi ora të vdes përsëri.” “I mallkuar me pavdekësi.”, “Parajsa e drurëve të vdekur.”, “Të vdes tek shtëpia e gjetheve.”, “Një ditë e vdekur vjeshte.”, “Po mua asnjë vdekje nuk më zë.”, “Shpjermëni te lumi që vdiq.”, “Kur vdesin hënëzat.”, “…ky mëngjes do të më vdes ndër duar.”, “Ajër i vdekur.”, “Të vdekurit e mi.”, “Anija e vdekur…”, “Vdekje perëndish.”, “Vdekja e ylberëve…”, “…vdekja e gjetheve…”, “Qyqja thur këngën e vdekjes.” “Një kalw i vdekur vrapon nëpër shpat”, “…kali i bardhë/ Tërë vdekje…”
Statujat janë gjithashtu burime vlerash kuptimore dhe referenciale të pashtershme te ky poet. Nëpërmjet tyre ai krijon kulme dhimbjesh të thella, duke pasqyruar shenjtërinë e një shpirti të vërtetë. Përmes këtyre paradigmave Rreshpja reflekton ndjeshëm plagët e shpirtit të tij të plagosur, që rrjedhin lotët e nxehtë të pikëllimit hyjnor. Statujën ai e lidh me simbolin e përjetësisë dhe në këtë fokus e përdor atë edhe si një ngushëllim të brendshëm për vetveten.
“Nata gdhend në ajër statujat e hijeve.”, “Nga drurët zbresin ca statuja ajri.”, “…lotët e miteve te statuja ime.”, “Është kopshti ku kënga ime ka një statujë.”, “Statujat e legjendave zbresin nga drurët.”, “Statuja të gërryera nga urija.”, “Në çdo gur është fshehur një statujë nëne.”, “…statuja e natës troket.”, “Çdo pasqyrë e ka një statujë timen brenda.”, “Statujat fshihen pas amalgamës”.
Ndryshe nga poetët e tjerë, Rreshpja iu drejtohet perëndive në mënyrë të adresuar. Ai i referohet thuajse përherë perëndisë ilire. Herë–herë iu drejtohet edhe në mënyrë të përgjithshme, edhe perëndisë së humbjes, perëndisë së shkretëtirës apo asaj egjiptiane.
“…çdo natë zbresin nga drurët perënditë ilire.”, “Arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin.”, “ Te mermeri i rrëzuar i perëndive.”, “Bir, janë zemëruar perënditë.”, “Hapen dyertë e hijeve dhe dalin perënditë ilire.”, “Shtrirë si perëndia e shkretëtirës.”, “Kështu i shpallnin konstelacionet perënditë.”, “Më ndjek pas perëndia e humbjes.”, “Zanafilla fajëson perënditë.”, “Perënditë ilire skalitur në mjegulla.”, “Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar.”, “Ikën zëri yt…nga pas mbetet diçka prej perëndie.”, “…perënditë qenë ndërruar.”, “Në qiell retë sajonin perënditë e Egjiptit.”
Gjithë ky sistem paradigmash krijon në poezi një gjendje të ngritur perceptimi e cila kthehet në një testament shpirtëror të përkryer.
Nëpërmjet tyre ai organizon nivelet kuptimore të fjalëve, duke i bërë të funksionojnë me efikasitet të lartë brenda një teksti të mbledhur e konciz. Struktura poetike, sistemi figurativ dhe këndvështrimi i objektit poetik shpesh është e njëjtë. Kjo përbën stilin e tij të konsoliduar. Ja një tablo nga poezia “Fëminia”:
“Asokohe ngjyrat qenë shpirtra,/ Në fund të kopshtit ngrihej Olimpi,/ Mbi një mitologji trëndafilash.”
Këta janë tre rreshtat e parë të kësaj poezie dhe ne prezantohemi me një denduri kuptimore tepër të lartë. “Edhe në nivelin e fjalës, edhe në nivelin e fjalisë, ka kuptime që lwnë vend për kuptime të tjera, duke përfshirë këtu kuptimet për të ardhmen” [1]
Kemi fjalët; kohë, ngjyrë,shpirt, kopësht, olimp, mitologji dhe trëndafil. Të gjitha janë me ngjyrim të theksuar poetik, të gjitha thuajse janë fjalë simbol dhe tek të gjitha ka një tis të hollë misteri që pulson mbi kuptime të shumëfishta me intensitet të lartw.
Ndërsa struktura e vargjeve është tepër e thjeshtë. Është një “parafabrikat” i njohur për të gjithë krijuesit, një “kallëp” nga i cili duhet derdhur monedha jote, me fytyrën tënde poetike. Gjithë pesha e tyre mbahet tek harmonia e brendshme e rrëfimit, tek imazhi befasues dhe tek hapësira e madhe që rrok ky imazh. Kjo është “monedha” e floririt që poeti depoziton në bankën e letërsisë shqiptare. Mjeshtëria e tij ka arritur ta gdhendw fytyrën e vetë poetike pikërisht mbi aftësinë e përzgjedhjes së fjalës dhe vënien e saj në përdorim të harmonishëm. Nga kjo “monedhë” poetike fytyra e Rreshpjes qëndron në letërsinë shqipe si fytyra e një monarku të vërtetë. Por përkundër këtij kontributi, letërsia shqipe me Rreshpjen duket si një nuse e pakujdesshme që gjerdanin e xhevahirëve e hedh gjysëm mbi gjoks e gjysëm mi shpinë, duke lënë në pjesën e mbrapme të saj, një nga perlat më të bukura të këtij gjerdani, Frederik Rreshpjen. Lavdia e kësaj poezie fle ende “mbi shpinë” të kësaj letërsie si një perlë e pluhurosur.
Sekreti i dytë i kësaj lirike është hapësira. Poeti nëpërmjet lirikave të tij i thur himn gjithësisë. Hapësira vjen këtu herë e rrafshët, herë si shkretëtirë dhe herë me digresione të befta që të mahnisin me lidhjen organike që krijojnw midis kohëve. Ajo është e mbidheshme dhe e nëndheshme, fillon tek një Olimp dhe mbaron tek perënditë, fillon tek bota dhe mbaron tek trëndafilat, tek vjeshtat, tek dimrat, tek stinët e kudo.
Ja si vazhdojnë më tej vargjet e poezisë “Fëminia”;
“Ah, tërë trëndafilave të botës do t’u bie në gjunjë,/ Por ata tinguj nuk do t’i dëgjoj më kurrë.” Bota dhe tingulli janë fjalët kryesore në këto vargje, por mjeshtri vendos një tjetër element; ndjesinë. Tashmë fjala rrezaton më shumë shpirt. Teksti bëhet gati biblik. Ndjesia e tij është pikëllimi i thellë për të pamundurën e bukur që mbahet si një tempull i “rrënuar” nga rritja e njeriut. Ky pikëllim e bën poetin njëherazi edhe tokësor, edhe qiellor, sepse rritja është njëherazi mohim dhe pohim i qenies njerëzore. Kemi një dualitet të kundërtash që përshkon tejendanë këtë poezi. Është një përzierje që e vesh thuajse të gjithë lirikën rreshpiane duke i dhënë asaj dozat e caktuara të misticizmit.
Por ai nuk mjaftohet me fjalën dhe me shpirtin. Ai zbulon enigmën e kësaj ndjesie nëpërmjet ndriçimit të poezisë, duke përdorur thuajse përherë vetveten, elementin individual përgjithwsues.
“Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar,/ Sepse olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë.” Kemi të njëjtën lartësi, të njëjtin regjistër, të njëjtin nivel komunikimi si prej një të folure mitike. Mos vallë këtu duhej të përfundonte poezia, duke u mjaftuar me personifikimin e poetit me perëndinë? Edhe ndoshta, por poezisë do t’i humbiste një tjetër dimension, që përbën gjithashtu një tjetër sekret të kësaj lirike; humanizmin. Frederik Rreshpja ka shumë humanizëm në poezinë e tij. Ai është tejet njerëzor. “Por, o Zot, më shumë ka humbur/ Ai që nuk ka qenë kurrë fëmijë.” Brenga e tij poetike zvogëlohet befas përpara dhimbjes për brengën e tjetrit. Ai ulet në gjunjë dhe i falet Zotit, Zotit dhe trëndafilave. E tërë kjo poezi është dhimbje, por ai e përfundon atë me një dhimbje të dyfishtë, dhimbjen për tjetrin.
Mënyra e të shkruarit e kësaj poezie është përfaqësuese për gjithë lirikat e këtij vëllimi. Është “vera e shishes” së kësaj poezie. “Shishja e verës” mund të ndryshojë ngjyrë e formë por është pa shumë rëndësi.
Kjo mënyrë korrekte të shkruari shfaqet thuajse në gjithë lirikën e këtij vëllimi. Ja të tilla konture që shfaqen tek një tjetër poezi:
“Dil nga mbretëria e gurit!/ Kam kaq kohë që trokas te mermerët,/ Një mijë vjet dhe dy mijë vjet.” [2] Edhe këtu kemi fjalët e përzgjedhura; mbretëri, mermer, një mijë vjet. Është po ajo ngarkesë kuptimore, po ai tis hyjnor që të imponohet në shtresimet e tyre polisemike si tek “Fëminia”. Pastaj vjen dritëzimi nëpërmjet intimes, ndjesisë dhe trishtimit; “Jemi puthur nëpër iliadat e vjetra,/ Kur lirës i binin homerët./ O hënë e shiut,/ Bëje një iliadë për mua,/ Kur të rrëzohet edhe Troja e fundit!” Ka një rënkim të madh në këto vargje, sikur rënkojnë shekujt. Dhe më pas ai shfaq fatin e vet në këtë realitet, që e lidh me humanizmin: “Rri kyçur në gur zemra ime,/ Një mijë vjet dhe dy mijë vjet.”
Është e njëjta skemë gati kudo. Po ajo “verë e shishes”:
“Qielli i djalërisë në sqep të një zogu,/ Ra mbi korijen e fjetur;/ Nga Kashta e Kumtrit bie dhe bie/ Tërfil’ i artë i qiejve.” [3]
Qiell, Kashta e Kumtrit, korie e fjetur, tërfil i artë, të gjitha pjesë e një fjalori poetik brilant, të gjitha fjalë të “ardhura”. Pastaj vjen hapësira dhe dritëzimi nëpërmjet vendosjes së elementit të dukshëm shpirtëror. “Kambanëzat e yjeve lëkunden me hare,/ Prerë nga hëna e majit./ Qiell’i djalërisë në sqep të një zogu,/ U zhduk pas portës së ylberëve.” Dhe më pas vjen humanizmi: “Zhduket pas portës së ylberëve djalëria/ Dhe mua trishtimi më mbulon,/ Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,/ Në një botë që nuk më kupton.” A ka intensitet më të madh sesa mallëngjimi që japin këto rreshta, sidomos dy rreshtat e fundit? As hëna nuk i buzëqesh poetit, as bota nuk e kupton. Natë shpirtërore me një thirrje psherëtime për njerëzit që e rrethojnë.
Humanizmi është në përgjithësi sfondi gri i përdorur në mbyllje të poezive të Rreshpjes. Kjo mbyllje lidhet me unin e tij poetik dhe shoqërohet me një “teshtimë” trishtuese nga “alergjia” sociale. Ja disa “teshtima” të tilla:
“O Zot! Më ke mallkuar me dimër pa asnjë arsye./ Keqdashjen tënde nuk e kuptoj”. “Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë./ O Zot! Nuk kam as ku të vdes…”, “Vijnë dallgët dhe bëhen lot,/ Si lotët e miteve te statuja ime.”, “Tërë jeta ime, si këto ujwra nën thika;/ Po mua asnjë vdekje nuk më zë.”, “Po kurdoherë ka mes këngës një mesnatë si palmë,/ Që s’më lë të bëhem Saharë.”, “Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes,/ Tërë lavdia ime kjo do të jetë!”, “Pastaj u shpjegoj zogjve/ Që edhe unë jam në këtë botë pa fole.”, “Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi./ Mos e pastë njeri këtë fat!”, “Vajton qyqja për hallet e botës,/ Por mua dimri i fjalës më pret tek porta.”, “Ah, çdo të më vrasë rrufeja e huaj,/ Nëpër shira që s’i njoh!”, “Gur – gur po rritet murana ime, o Zot!” Por ajo që është më e dukshme tek ky humanizëm është qëndrimi kritik ndaj disa prej fenomeneve negative të shoqërisë. Në pjesën më të madhe të tyre, përmbledhur në ciklin “Juda”, kemi një shfaqje më të ndjeshme të kësaj kritike. Këtu poeti bëhet vëzhgues shumë i hollë i tragjizmit shqiptar, duke e pasqyruar atë herë-herë edhe me nota groteske. Ai fshikullon liderë të ndryshëm, partiakw, pushtetarw dhe “të kryqëzuar”, që shfaqen si Krishtër të rremë. “Ç’është ky njeri i pavdekshëm si Krishti?/ Nuk ka për t’u kryqëzuar kurrë ky njeri?”, “Hosana! O horra butaforikë,/ Këndoj lavdinë tuaj të pjerdhur.”, “Kaloj para portave të partive i menduar,/ Me bukën e ditës në dorë.”, “Dhe, do të gdhendë, për mallkim,/ Bronxin e ndonjë diktatori të ri.”, “Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar!”, “Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari!”, “Mrekullia e këngës, e vrarë/ Me thikën e luftës së klasave.”, “Tutje prisnin liderët demo-socialistë: Tani erdhi ora të vdes përsëri, mendova.”, “E fundit erdhi vdekja dhe më hoqi prangat: Tani, o njeri, je i lirë!”
Në tërësi teksti poetik i Rreshpjes, me përzgjedhjen sqimatare të fjalës, me velin mistik, paradigmat e larmishme, me hapësirën dhe humanizmin evident, krijon një gjendje të përkryer komunikimi që të mahnit me nivelin e saj elitar. Ajo është një gjendje poetike si një re e bardhë puplore që lundron në qiellin gri të shpirtit të tij, duke e portretizuar atë si një monark të vërtetë të lirikës shqiptare.
[1] Ann Jefferson & David Robey. Teoria Letrare Moderne, Tiranë, ALBAS, 2004, fq, 196.
[2] F. Rreshpja, Në vetmi, Tiranë, ARBERIA, 2004, fq. 121
[3] F. Rreshpja, po aty, fq.85.