Kulturë
Mihal Gjergji: Mes rreshtave të romanit “Jeta ime në sytë e një vajze”
E hene, 04.10.2010, 09:40 PM
Një shkrim i porositur
Mes rreshtave të romanit: “Jeta ime në sytë e një vajze”
Nga Mihal GJERGJI
As mund të mendoja se këtë libër do ta kisha blerë apo ta merrja diku ( rastësisht) për ta lexuar. Autori (një tip i çuditshëm!) mu afrua një ditë prej ditësh, ma dha librin dhe më kërkoi një mendim, porse deshi që unë ta publikoja. Madje më tha se pretendonte shumë, për një çmim prestigjoz. Këmbëngulja e tij më befasoi më shumë sesa libri që mora në duar. Nxitova ta pyesja se çfarë po lexonte këto ditë. Ajo që dëgjova më befasoi sërish.- Unë s’lexoj gjë, më tha bashkëbiseduesi,- kam kohë që s’lexoj asnjë autor. S’dua të ndikohem nga të tjerët... U ndava prej tij dhe mendoja për vetminë primitive të njeriut përballë artit të krijimit. Shumë pak ndryshon bota absolute e njerëzimit nga bota relative e krijimtarisë. A nuk i zhduk kufijtë kohorë mjeshtëria artistike?! Sikur të ndodhte kështu me të gjithë krijuesit! Librin në fjalë e lexova gjatë tre mbasditeve, në të cilat isha më pak i zënë me punë. E cila ishte përshtypja, mund të pyesni? E lexova ( s’po nxitoj për ta etiketuar: dramë, novelë apo roman !) “Jeta ime në sytë e një vajze”, dhe mora një ngarkesë emocionale, të cilën, në një farë mënyre desha edhe ta shprehja në këto pak rreshta. Mirëpo edhe mbasi e mbylla librin, më bëhej se mes fletëve të tij, vazhdonte të lëvizte i shqetësuar autori, drama e tij familjare hapte dhe mbyllte siparin, duke afruar dhimbje edhe për dëgjuesin e zërave njerëzor.. S’u ndala për të bërë kritikën, sepse s’munda të bindja veten time për një punë të tillë, por vetëm disa shënime. Them disa shënime, sepse s’arrita të dalloj fabulën e zgjedhur për të ashtuquajturin roman, intrigën që do lartësonte konturet e projektit të ideuar nga autori, stilin e paformësuar që s’mund ta emërtoj ende, as gjuhën që besoj se mund t’i sjellë kënaqësi vetëm lexuesit të nivelit mesatar. Sidoqoftë, mendimet dashamirëse (është e parëndësishme nëse janë brenda ose jashtë kuadrit të kritikës) nuk e prishin asnjëherë kënaqësinë, përkundrazi, ato ndihmojnë në përcjelljen e ideve të cilat i ka shprehur edhe autori i romanit në fjalë. Tema e trajtuar nuk është pjellë e fantazisë së tij, përkundrazi, është jeta e tridhjetë e tetë viteve, duke filluar që nga mosha 13- vjeçare kur ka filluar të kompozojë këngën e parë e deri në ditët e sotme. Autori Pëllumb Muka ka guxuar të shkruaj në detaje dramën e tij, kalvarin e vuajtjeve që e kanë shoqëruar pandërprerë duke ecur në rrugën e fatit të vet. Çdo njeri e ka dramën e tij, madje do të të thosha se edhe sundimtarët kanë dramat e tyre, por rrallë guxojnë që t’i tregojnë lakuriq në sytë e botës dhe të përcjellin kumtin domethënës: Ja, kjo është jeta të cilën jetojmë, këta janë njerzit bukëshkalë, cmirëzinj e hakmarrës, ky është trualli në të cilin mbjellim ëndrrat tona.
Të guxosh të thuash të vërtetën është vlerë, megjithse ajo ka nevojë gjithmonë së paku për dy veta, njëri ta tregojë dhe tjetri ta dëgjojë e kuptojë atë. Autori e ka mbaruar detyrën e tij, ndërkohë që duhet të flasë lexuesi. Një jetë e mbushur me shumë të papritura, por e shoqëruar me një këmbëngulje të pashembullt për të ecur përpara nga heroi kryesor i romanit, Eljos Meka. Ai ka parimin e tij, kërkon që kudo të jetë i pari. Në sajë të vullnetit dhe të besimit të madh në vete dhe tek zoti, arrin që ta realizojë këtë; në bangat e shkollës, në punën me muzikën, në punën me skenën, në punën e hamallit, mandej edhe në biznes. Mirëpo kudo, të papriturat e sulmojnë, mosmirënjohësit e shkatërrojnë shpirtërisht, njerëzit shumë të afërt gjer edhe vëllai i tij Agroni, i cili kërkon t’i rrëmbejë nderin e gruas së tij të bukur (kunatës) Julit, arrijnë që ta mbyllin Eljosin edhe në çmendinë. Edhe vëllai ?! O zot! Ç’Kain i ri kërkon që të rivrasë Abelin ?! Megjithatë, ai ka moralin e tij domethënës : i ka falur të gjithë dhe s’i kthehet më të kaluarës, kërkon të eci vetëm përpara. Gjykatës le të mbetet zoti. Ky libër mund të titullohej shumë mirë edhe dramë, e cila kompletohet me të tri aktet e saj: ferrin, purgatorin dhe parajsën. Eljosi kërkon që të qëndrojë në mes, i gatshëm për të bërë shkëputjen në kohën e duhur, mirëpo dallgët e rrëzojnë pa pushim dhe ai lufton që të ringrihet.
Përshkruhet në mënyrë interesante skena rrënqethëse kur gruja e Eljosit, Juli, për shkak të xhelozisë i gris fytyrën me thonj Kleas, kësaj qënjeje të brishtë që ushqen me shpresë shpirtin e trazuar të Eljosit. Të njëjtën gjë bën edhe e bija, Alba, sepse maçoku i nxjerr kthetrat kur e thërret gjaku i orgjinës. Një veprim mesjetar. Si mund ta pikturonte një skenë të tillë Mikelanxhelo me mjeshtërinë e vet artistike? Mund të qëndronte e denjë në krah të Monalizës? Është folur gjatë për poetin italian Dante Aligeri, nëse e krijoi vetë ferrin brënda veprës së tij, apo ferri në të cilin jetonte e imponoi fuqishëm ta pasqyronte në poemën e tij të famshme “Komedia Hyjnore” .
Realitetin e hidhur e të pamëshirshëm pasqyron edhe Teodor Drajzer në veprën “Krimet e një gruaje”.Mos kërkon autori ynë t’i ngjajë këtij romancieri moderrn? Jemi rreth dy shekuj larg kontinentit tjetër, mjedisit, qytetërimit dhe ritmeve të tij. Krejt ndryshe është realiteti shqiptar. Ky realitet dhe forca zakonore që na tërheq zvarrë, është bërë edhe tema e romanit “Pse” , e shkrimtarit Sterio Spase ( pesëdhjetë vite më parë) në të cilin personazhet kanë fatin e tyre tragjik. Gjuha e përdorur nga Muka afron me atë të Spases, edhe realitetet gjithashtu. Fjala e romancierit për të cilin po flasim është e thjeshtë, si e një të dënuari që i kërkojnë spjegime në sallën e gjyqit, dhe ai është i shtërnguar të flasë. Dhe pikërisht, ata që ka ndihmuar dikur, sot kërkojnë ta kryqëzojnë, mbasi e kanë rrënuar ekonomikisht.Këtë gjë kërkon të thotë edhe Pëllumb Muka, por, përpara se ti vijë turp nga të tjerët , atij i vjen turp nga vetja në qofte se do të hesht për ato të cilat e torturojnë aq shumë dhe i ngjallin revoltën brënda shpirtit. Rrëfimi i tij fillon të bëjë vënd në sytë e thellë e të magjishëm të Honelës.
Në përkthimin e Biblës nga greqishtja e vjetër, fjalët Geena dhe Haides, kanë një kuptim interesant. E para nënëkupton shkatërrimin dhe e dyta ringjalljen. Personazhi i Pëllumbit më kujtoi Haides që bart me vete shpresën. Ndoshta është përkim i rastit, ndoshta është zgjedhur enkas nga autori, por misionin e kanë të njejtë. Të njëjtën përshtypje të bën edhe personazhi kryesor Eljos Meka që po t’a përkthesh do të thotë diell. Po pse pikërisht Meka si mbiemër, ky vend i shënjtë?! Edhe kjo të jetë rastësi, apo autori kërkon që të realizojë një lojë shenjtorësh? Po Klea, nuk krahësohet me një ëngjëll, me një qënie hyjnore? Mirëpo fati i gremis ëndrrat e Eljosit. Gruaja e tij kërkon që ai të jetë një kalë pune, vetëm për t’i sjellë lekë, ndërsa kënaqësitë duhet të jenë të kontrolluara Ai duhet të jetë skllavi i saj, ndërsa ajo zoti. Dhe robi s’mund të ngrihet kundër zotit, pamvarësisht se s’ka ç’të humbas veç prangave . Jeta ka të papriturat e saj . Provon të merret edhe me politikë, mirëpo ajo i ngjan një xhungle dhe ai s’mund t’i rezistojë. Personazhet e saj i shkruan me emra konkretë mbasi ata njihen shumë mirë nga çdo lexues dhe s’ka nevojë për gjykime e komente nga autori ndërkohë që sikush ka portretin e tij në bazë të kontributeve konkrete . Pastaj i rikthehet përsëri biznesit , mirëpo ai s’mund t’a realizojë atë suksesshëm pa praninë e bukurosheve të cilat ja ka dërguar enkas zoti për të kompesuar ato që jeta ia ka marrë pa mëshirë.
Autori, shumë herë tenton të ngrihet në lartësinë e gjykimeve, të bëjë abstarksione, porse pa rezultat. Jo rrallë fjala e tij është e papeshuar mirë, e paskalitur, me teprime të panevojshme. Shkurt, nuk e njeh mjeshtërinë e përdorimit të fjalës, artin e gdhëndjes së saj. Emri i një personazhi, emërtimi i lokalit ku pihet kafja, emri i një vendi ku zhvillohet ngjarja, të gjitha kanë rëndësi dhe efekt të padiskutueshëm te lexuesi. Si mund të bëhet proza tërheqëse ? Kuptohet, kur autori e njeh mirë artin e narracionit, befasimin, detajet e vëzhgimeve të pandërprera, etj. Kjo ndodh kur romancieri ka krijuar individualitetin e tij krijues, ndryshe vepra e tij përfundon si një monolog, më saktë akoma : një vajtim i llojit budist, ku filozofia e këtij sekti predikon çlirimin nga dhimbja. Dua t’i kujtoj autorit se çdo njeri, jeton jo vetëm nga kujdesi që tregon për vetveten, por edhe nga dashuria që ushqen për të tjerët. E kundërta ndodh mes personazheve te ketij libri. Ka doza të mëdha mërie, një urrejtje që vërshon gjithandej, mungojnë detajet aq të nevojshme në prozën e këtij lloji. Brenda rreshtave, lexuesi duhet të përfytyrojë saktësisht vendin dhe personazhet për të cilat shkruhet, e nëse përshkrimi është i mangut, e tillë mbetet edhe cilësia e veprës, doemos edhe kënaqësia e lexuesit. Ndjenja është primare. Në vënd të mendimeve të peshuara me gjakftohtësi, flet shpirti. Mandej guxon t’i thotë lexuesit: ja , kjo është gërmadha në të cilën jetoj me gjithë shkretimin e saj, shikojeni, binduni dhe gjykoni ndërkohë që shpirti im bashkë me atë të Kleas do të ngjiten në qiell. Mbasi përfundova së lexuarai librin, kërkoja zgjidhjet që autori duhet të jepte në këtë dramë (që ai e ka quajtur roman). Personazhet e tij vazhdojnë të bashkëjetojnë, pavarësisht nga gjëndja alarmante mes tyre. Të jetosh në një çati me atë që kërkon të të bëjë varrin ?!
Meqënse autori flet për veten e tij, na paraqitet si një “Romeo”, porse s’guxon të sakrifikohet për “Zhuljetën” që e çmon aq shumë, Klean, pra guximi i tij mbetet një guxim teorik. Unë s’arrita të veçoj ‘unin’ krijues ( të autorit) nga ai i heroit kryesor të romanit. Për të qënë më i saktë në gjykimet e mia, harxhova edhe pak kohë, lexova dhe dy libra të tjerë të po këtij krijuesi : « Përtej ferrit ka një disko » dhe « Kryeqyteti i krimbave ». Fatkeqësisht përsëriten të njëjtat skena, e njëjta dhimbje mes rreshtave, me ndryshime të vogla për lexuesin e vëmëndshëm. Pra, autori përsërit vetveten. Kjo tregon një varfëri mendimi, për rrjedhojë edhe analizat mbeten të cekta, me sa duket, ora e tij ka mbetur në vend, pikërisht në klinikën ku e kanë shpurë forcërisht, ngjarje të cilën s’mund ta harrojë së gjalli. Veç asaj, kërkon të bëjë trajtesa psikologjike, për ngjarjet dhe personazhet. Përsëri mendimi i tij s’arrin të depërtojë në skutat e errëta të shpirtit njerëzor, s’arrin të gjejë rrënjët e së keqes. Ndoshta kjo ndodh ngaqë ai s’lexon, s’di se ç’bëhet me të tjerët apo rreth vetes, si pasqyrohen dhimbjet e këtyre përmasave në veprat e romancierëve dinjitozë, etj. Nuk e di autori që pa luftë s’mund të ketë heronj? Alarmi që jepet në këtë libër, është i qartë, është zëri i autorit që flet me gjithë forcën e tij:- nuk e shikoni si jam katandisur, si më kanë braktisur njerëzit e gjakut, si më kanë shpërdoruar bukëshkalët…Atij i duket s’e askush s’e dëgjon, sepse harron që sikush ka dramat e tij, shoqëria është e mbushur me dhimbje të tilla, prandaj rrënjët duhen kërkuar më thellë dhe mendimi duhet të shkojë më larg. E di autori se, jo vetëm rastësia, por edhe mjedisi, kushtet e jetesës e përcaktojnë të nesërmen tonë, madje shumë. Cili autor romanesh apo lexues i thjeshtë do ta dëshironte jetën e personazhit të Lev Tolstoit, fatin e muzhikut rus, Kornei Vasiliev? Sigurisht asnjëri. E dini ju se ç’bëri Vasilievi? Shumë shkurt po ua tregoj kurreshtarëve. Ishte i pasur në fshatin e tij, jetonte mes të mirave, mirëpo mbasi kreu shërbimin ushtarak, deshi të afrohej me qytetin.U bë tregëtar, merrte mall nga Çerkasi dhe e shiste në Moskë. Lekët ju shtuan, edhe dëshirat. Bënte jetë qyteti, duke harruar kështu familjen dhe fshatin që e rriti. Kthehej rrallë te gruaja e tij e re dhe e bukur, që vyshkej në vendlindje, shumë rrallë, ja si tani, me karrocierin që priste pasagjerët te stacioni i trenit. Karrocieri që e shpinte në fshat ( mbasi piu një shishe vodkë në hanin buzë rruge) i tregoi Korneit, se gruaja e tij, Marfa, kishte marrë një argat të ri, të fuqishëm, Jevstingei Bellin (nga fshati i saj i lindjes), që s’i punonte vetëm arat rreth shtëpisë, por edhe atë që duhet ta bënte i shoqi i larguar. Kornei mezi e mbante veten nga inati. Sa mbriti në shtëpi, takoi nënën, pastaj i foli gruas dhe filloi t’i kërkonte llogari. Mandej e rrahu barbarisht, i theu brinjët. Vajzën e vogël dy vjeçe, Agashkën që po qante pas të ëmës, e rrëmbeu dhe me sa fuqi që kishte e flaku në një qoshe të dhomës, i theu kështu njërën nga duart e vogla. Filloi të dyshonte se as djali dhe as vajza nuk ishin të tij. U largua nga fshati i xhindosur. E mbyti dëshpërimi dhe e lëshoi veten pas pijes. Çdo e keqe që i shtohej në jetë e kishte shkaktarin: gruaja tradhëtare. Ndërroi disa punë derisa mbeti i braktisur dhe pa një kopjek në xhepat e grisur. I terur e i plakur, pas shtatëmbëdhjetë vitesh merr rrugën për në shtëpinë e tij. Një natë para mbritjes te familja e harruar prej kohësh, e ktheu në banesën e saj një vajzë e re, ju dhimbs plakushi endacak.Ishte mbrëmje e vonë, errësirë. E mirëpriti me bujari. Kornei e njohu, mbas spjegimeve që i bëri e zonja e shtëpisë, ndërsa ajo s’kishte se si. Ishte e bija, tashmë nëntëmbëdhjetë vjeçare, Agashka, që dikur e kishte flakur si leckë, ishte martuar në fshatin fqinj. Të nesërmen në mëngjes u nis për te shtëpia e tij. E shoqja, tashmë edhe ajo e plakur, bëri sikur se njohu dhe e përzuri nga shtëpia. I gjori plak mori përsëri rrugën e kthimit. U gdhi edhe një natë te vajza e tij, një natë të vetme. Ju lut zotit t’ia fikte kandilin e jetës. Ashtu ndodhi vërtet. Atë mëngjes dha edhe frymën e fundit. Vajza ja mbylli sytë, edhe buzën, edhe arkivolin, edhe hallet, edhe...Tolstoi thotë se në varrim mori pjesë edhe e shoqja, mirëpo unë se besoj. Si thoni ju, mund t’iu dalë grave inati kaq shpejtë, brenda dyzet viteve, në një kohë kaq të shkurtër ?!