Kulturë
Vullnet Mato: Kur të kam pranë
E marte, 05.10.2010, 08:07 PM
Vullnet Mato
KUR TË KAM PRANË
Kur të kam pranë,
bëhem çoban me kërrabë të madhe.
Më bëhen në sy
lëndina me luledele.
Rudinat gufojnë gjinjtë e bardhë
me qumësht trëndelinash,
nën diell vere.
Mjel cicat e rrumbullta
me thithkat manaferra
dhe lëngu diellor më rrjedh
mes gishtave të fortë.
Shuaj etjen,
e më kullojnë në mjekër rrëkera,
derisa mbushet kova e gjoksit
me shkumën e ngrohtë.
Ledhatoj manarin tënd
me qime të ndritura
dhe jetoj çaste magjike
më të lumtura se në përrallë.
E mëkoj me flladin e vakët
te buzët e uritura,
dhe kap me kërrabë në qiell
yje të gjallë.
Kur eksitimi magjik shuhet
nga kapja e një ylli
dhe kërraba e çobanit
kthehet në llastik,
më duket vetja
kozmonaut i zbritur nga qielli
dhe ti anije e përsosur
për fluturim kozmik.
Për të kapur sërish yje
me kërrabën e çobanit,
për të fluturuar sërish
në qiellin paanë.
Kur të kam pranë...