E enjte, 24.07.2025, 10:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Thirrja e thellë

E merkure, 06.10.2010, 09:01 PM


THIRRJA E THELLË

 

Nehas Sopaj: “Larg” (zgjedhje poezish të reja dhe të vjetra), botoi KSH “Jehona e Karadakut”, Kumanovë, 2009

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

a) Nga njëra kohë te tjetra

 

Kur e lexojmë vëllimin poetik me titull “Larg” të Nehas Sopajt, vetvetiu lidhemi me dy kohë që kanë të bëjnë me krijimtarinë letrare të tij; në njërën anë është e kaluara që shënon fillimin e kësaj ecurie dhe, në anën tjetër, është edhe e tashmja që shënon vazhdimësinë e plotë të saj.

 

Vetë fakti se brenda librit në fjalë gjejmë poezi të vjetra dhe të reja, siç i ka quajtur autori, ato na shpiejnë në rrafshin e një vështrimi kronologjik, pra në atë retrospektiv dhe në atë perspektiv, sigurisht, në radhë të parë për ta ndjekur me vëmendje rrjedhën zhvillimore të këtij autori, por aq më tepër edhe kontekstin e perceptimit të poezisë së tij.

 

Shikuar nga kjo pikëpamje duhet thënë pa ngurrim se N. Sopaj në fushën e letrave hyri me një vetëdije të lartë krijuese, përkatësisht u shfaq me një epërsi të theksuar në marrëdhënie me lexuesin e kohës, jo për ta anashkaluar apo për ta braktisur atë, por thjesht për ta mbudhur drejt vlerave të mirëfillta.

 

Si një krijues tipik dhe me konceptualitet modern, jashtë të gjitha stereotipeve e klisheve të vjetëruara e tradicionale, pa mëdyshje, ai u ngrit mbi lexuesin e kohës së tij, tërthorazi duke e bindur se natyra e vërtetë e artit poetik është thellësisht lirike, e përqëndruar katërçipërisht në lojën e pafund të gjuhës, në strukturën e quajtur metaforë në kuptimin më artistik të saj.

 

Kështu ky autor qysh në fillim e hapi vizionin e nevojshëm të krijimtarisë, duke lënë të nënkuptohet se poezia e tij ishte më avangarde sesa shija e lexuesit që dilte nga mjediset e një shoqërie të pakonsoliduar në pikëpamje ekonomike, arsimore e kulturore.

 

Për sa i përket kësaj, ndoshta ishte e pritshme që edhe poezia e tij të mos këqyrej në mënyrë të natyrshme e të shëndoshë, ose thjesht të mos pandehej në mënyrë normale. Ndaj, ndodhi ajo që ndodhi, në disa raste ajo u vlerësua në mënyrë shumë të pamerituar.

 

Megjithatë, tani kanë ndryshuar shumë gjëra; nga ky kohëvrojtim del se të gjitha etiketimet e bëra atëherë, sot kanë mbetur si gërmadha të turpshme që i takojnë historisë. Mbase edhe vetë lexuesi e ka të qartë se fjala është për një poet të veçantë, që kurrë nuk u përul ndaj diktateve ideologjike e platformave socrealiste, por vendosmërisht qëndroi besnik në vazhdën e pastër lirike, duke dëshmuar përnjëmendthi se koncepti krijues i tij puqet plotësisht me shijen e lexuesit të vërtetë, ose lexuesit model, siç e quan U. Eko, në kuptimin më elitar në fjalës.

 

Me një përshtypje të këtillë, nevojitet të veçojmë se libri “Larg” i N. Sopaj shfaqet si një sintezë e re funksionale, në kuptimin e një tërësie me peshë të veçantë artistike, e cila dëshmon fuqishëm se poezia qëndron mbi çdo kohë e mbi çdo diktat. Pavarësisht nga keqkuptimet, fushatat tendencioze, cilësimet antiestetike etj., ajo e gjen udhën e vet për t’u bërë trashëgimi e patjetërsueshme e lexuesit dhe e historisë së letërsisë.

 

b) Leximi i konceptit

 

Kur i marrim parasysh këto pikëpamje, së këndejmi situata është shumë e qartë dhe e prerë; leximi i përmbledhjes poetike “Larg”, në të vërtetë është lexim i konceptit estetik të N. Sopajt, sepse pikë së pari na fut në natyrën e dëlirë të pozisë lirike, në atë që realisht është shqiptim vetanak i subjektit që e artikulon botën shpirtërore. Deshëm apo s’deshëm ne, zgjedhja e kësaj sfere

është thelbësore në kuptimin më të hollë të fjalës, është përcaktim shumë i vetëdijshëm që të çon në atë rrafsh, ku zotërohet kryekëput nga ligjësitë poetike.

 

Me përpjekjen e pareshtur për të qenë vetvetja, autori duket se gjithkund ia del ta konkretizojë pozicionin e tij në marrëdhënie me rrethanat konkrete. Në këtë drejtim fare çiltërsisht e mbithekson unin e tij në të gjitha përmasat e shqetësimit, duke u mishëruar thellësisht me objektet dhe subjektet e nduarnduarshme, vetëm e vetëm që ta vulosë qenësinë personale. Sado që bashkëjeton me gjithnajën e pafund ku lëvizin gjërat e panumërta, ai përsëri mbetet vetvetja, qoftë edhe sa një grimë e vockël. Në fund të fundit, kjo është krenari individuale e poetit, parakusht elementar për të vepruar me një synim të admirueshëm. Prandaj shprehet tejet qartë:Unë, megjithatë, jam tjetër

Lorkë jo, për shembull

(fq. 17)

Nga kjo mund të kuptojmë se autori gjithnjë krijon pozicionin distancues nga të tjerët, megjithëse ata mund të jenë një parakusht shumë i mirë për t’u bërë idhuj të tij. Pra identifikohet lehtësisht dhe kryekëput vetëm me unin e vet, duke u orvatur që nëpërmjet ligjërimit poetik ta përkufizojë qenien e tij në të gjitha situatat ku ndodhet.

 

Zhvendosja ose përplasja nga rrafshi real në atë fiktiv, dhe anasjelltas, nga ai fiktiv në atë real, është një lëvizje fare e natyrshme që e bën ky poet, është një ecje e domosdoshme drejt thelbit të gjësendeve që ndikojnë drejtpërdrejt tek ai, për të marrë një qëndrim ose për të ndërtuar një gjykim të caktuar. Përmes kësaj ia del ta krijojë gjithë diskursin lirik si një brumë të stërholluar e të përzgjedhur me kujdes të jashtëzakonshëm. Pikërisht nga kjo duket se gjuha poetike në përgjithësi shfaqet si një reagim i çastit, ose si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar, ose si një gjykim i arsyeshëm për atë që e sheh dhe që e ndien. Pra, në tërësinë e vet të ndërlikuar e gjithë mikrostruktura gjuhësore shndërrohet në një metaforë dinamike tepër heterogjene, e cila vazhdimisht transformohet dhe zbërthehet në shumë forma kuptimore. Ajo bart nuanca dhe ngjyrime të mjaftueshme, për ta shënuar të vërtetën e çështjeve me të cilat autori preokupohet gjithë kohën e lume.

 

Sido që të shkoqitet, del se fuqia e kësaj metafore është e pashtershme, e ngjeshur maksimalisht me kuptim, siç do të thoshte E. Paund. Andaj, rrjedhimisht na bëhet e qartë se, nëpërmjet përdorimit të saj përshkohet gjithë struktura e diskursit lirik të poezisë, si një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë me qeniet e gjalla dhe të vdekura, me gjërat konkrete dhe ato abstrakte, me ato reale dhe fiktive. Domethënë, nga ky aspekt i veçantë dhe i përgjithshëm njëherësh matafora është kryefigura që ngjet si dëshmi dhe si fytyrim, si koncept dhe si vizion, por edhe si topos dhe si emërtim. Ajo paraqet përqëndrimin e vazhdueshëm brenda fjalës, gjakimin e madh për ta patur si lojë të pafund. Me sa duket, poeti e kërkon pushtetin e çuditshëm të saj duke e përmbysur në të gjitha mënyrat e mundshme, sepse ashtu dëshiron të arrijë efektin e plotë artistik. Thjesht, ai gjurmon me ngulm të pandërprerë, me një zgjuarësi të pashoqe, që si e si fjalën ta bëjë domethënëse në rrafshin artistik, ta vendosë në një lëvizje me përmasa të gjera. Mbase kishte të drejtë edhe O. Paz kur thoshte se poeti është vetëdija e fjalëve. Edhe N. Sopaj e përdor gjithë vetëdijen e tij krijuese për ta funksionalizuar fjalën në kuptimin metaforik.

 

c) Zbërthimi i paradoksit

 

Gjatë leximit të librit “Larg” mund të vërehet se autori krijon përplasje të shumta paradoksale për ta ngritur fuqinë metaforike në nivel edhe më të lakmueshëm dhe ashtu t’ia hapë rrugën një perceptimi më të pasur e më nxitës njëkohësisht. Është situata e përcaktuar nga vetë autori që e bën të pyesë në mënyrë retorike:

Pa më thuaj, ç’pate hënë e verdhë,

e verdhë në atë qiell të zi, të zi?

(fq. 55)

 

Nga këto vargje, midis një pozicioni të kundërt ose të panatyrshëm, në të vërtetë fshihet një gjendje e tendosur shpirtërore, ku na hapet shtegu për ta nënkuptuar ose për të hamendësuar atë që ka ndodhur. Pikërisht brenda saj e sodit ralitetin kundërthënës, që autorit nuk i shpëton pa e zhbiruar qoftë edhe nëpërmjet një konteksti tragjik e paradoksal. Në të gjitha këto peripeci të zhurmshme na shpie drejt një këndvështrimi shumë thelbësor: Meqë tani po del qartazi se diskursi artistik është mjaft i rrokshëm, atëherë realisht edhe poetit s’i mbetet asgjë tjetër, përveçse të këndojë për gjithçka që e gërryen përbrenda. Prandaj nuk është për t’u habitur kur midis vargjeve të tij ai shfaqet aq i zëshëm e shpërthyes:

 

Këndoj. I çartur, i harbuar vrapoj

Rrugës me hithra, shkoj. Pas teje, pas erës,

Pas rrufesë së njerëzve, pas pranverës,

nxitoj. Cicërroj. Ti në një shkëmb, hesht.

Thërras. Rrugës me vaj qyqesh, ngas. Pas teje,

pas hënës së purpurt e dallëndysheve, pas helmit,

Bërtas.

(fq.8)

Në këtë mënyrë këndon dhe rend përgjatë udhës së vet, i shqetësuar, i pagjumë, me ankth, me dhembje, me vajtim etj., duke mëtuar të arrijë atje ku gjallon njeriu i duhur, paqja e vërtetë, ose dashuria. Ky vrapim marramendës është ngushëllues, thirrje mbushamendëse, çlirim nga të gjitha frenimet. Për këtë arsye ai e kumton lirshëm gjendjen në të cilën ndodhet:

Tash po bie ora e shpirtit të vrarë.

Ora e shiut të blertë.

Ndërmjet katër heshtjeve,

tash po bie orë e dhembjes.

Orë e ëndrrave. Qershive. Trëndafilave.

Tash po bie ora e hënave,

orë e verbër.

(fq. 63)

Kështu e zbulojmë preokupimin e thellë të autorit me situatën fatale, ose me makthin e kapërthyer fund e krye. Kjo është vetmia personale kundruall një atmosfere të ngrysur. Ose, ky është vëzhgim i pashmangshëm vertikal, qasja filozofike ndaj realitetit të pazakontë, ku njeriu vepron pothuajse krejt i pafuqishëm ose edhe i katandisur në humbëtirën jetësore. Siç duket, njeriu është vizion i zymtë, qenie paradoksale, me çka na i kujton fjalët e apostullit Pal kur thoshte: “Duhet bërë mirësi, nuk e bëj. Nuk duhet bërë ligësi, e bëj. Disi e ngjashme bëhet edhe gjendja e njeriut të cilin e kundron poeti N. Sopaj, ngaqë atë e përjeton deri në një dhembshuri tragjike. Qëndrimin ose gjykimin që e mba ai, është i vetëkuptueshëm dhe i lexueshëm në suaza të poezive; ato bartin rëndesën e shpirtit të tij. Nëpërmjet trajtës diskursive ai çjerr groteskun e jetës dhe të njeriut, krijon shtrirjen reale të përjetimit dhe të ndjeshmërisë shpirtërore, duke e shndërruar poezinë në një forcë të vërtetë tronditëse, por edhe në një thirrje të thellë para lexuesit. Ky është zëri i poetit N. Sopaj që vjen i gjallë e i fuqishëm nga njëra kohë në tjetrën, për të kumtuar thelbin e gjërave që ndodhin brenda nesh në raport me realitetin e çrregulluar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx