E diele, 28.04.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me poeten dhe studiuesen Irena Gjoni

E enjte, 07.10.2010, 09:58 PM


 

Intervistë me poeten dhe studiuesen Mr. Irena Gjoni dhënë Arsim Halilit për revistën  “Perspektiva” Bujanoc si dhe Agjensinë e lajmeve për Albanologji “Lajmëtari”

 

IRENA  GJONI

Master në Letërsi

 

IRENA GJONI ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Eshtë në ndjekje të shkollës doktorale po pranë këtij Universiteti. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, si dhe  mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini”.        

            Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008  boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të  Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010).

 

Jeni poete dhe prozatore, ku e gjeni komoditetin krijues?

 

(Irena Gjoni) Përshëndetje ju dhe lexuesve të kësaj reviste simpatike, duke ju falenderuar per ftesën e bërë për të realizuar këtë intervistë.

Procesi laboratorik i krijimit është i çuditshëm brenda shpirtit dhe  prania e muzave po kaq magjike dhe e pashpjegueshme. Të dyja janë pjesë të fluides, të nënndërgjegjies, të ajrit, të tingullit, të gjuhës. Që nuk dihet dhe ndihet kur vjen, por veç kur është gatitur gjithçka mund të jetë e perceptueshme. Dhe ky proces lind brenda unit, përcillet përtej tij për te lexuesi e për t’u rikthyer përsëri brenda vetes  në një formë riciklike. Pra kur lexuesi merr në dorë krijimin, ajo çka lexon përmes gjuhës nuk është vetëm materializimi i mendimit, por edhe pafundësi e shpirtit njerëzor. Kjo është udha e krijimit, apo e zbulimit të vetvetes, e krijimit e rikrijimit të gjithësisë dhe universeve te ndryshme (njerëzore, ose jo) përmes fjalës. Asnjëherë nuk them tani do shkruaj poezi e pastaj do shkruaj prozë, sepse tani gjendem me komode për të lëvruar këtë apo atë lloj letrar. Perceptimi i realiteteve, (në mënyrë të vullnetshme, apo të pavullnetshe), përvoja e akumuluar, talenti i lindur, forca të pashpjegueshme hyjnore, aftësia e trillit pleksen së bashku duke u përthyer në prizmit artistik për t’u shfaqur përtej tij me pamjen delikate e plot finesë të poezisë, ose pamjen fisnike e sharmante të prozës. Me të dyja ndihem e kompletuar dhe e plotësuar

 

Bota e juaj imagjinatave shkon përtej shekujve, duke  trazuar mitologjinë, pse ndodh kështu?

 

(Irena Gjoni) Nëse po flasim për poezinë, mund të aprovoj që bota imagjinative shkon përtej shekujve. Këtu kam parasysh disa prej poezive të vëllimit poetik “Tatuazh në shpirt të detit” që janë të ndërtuara mbi bazën e disa miteve. Ku mund të përmend disa të tilla si “Kohë te shtyllat e Herakliut”, “Shtoi Zot vallet”, “Përndritje (F)loçke”, “Jetonin në të njëjtën tjetërbotë” etj. që kanë qenë dhe ndër më të pëlqyeshmet nga lexuesit. Kjo shpjegohet me faktin se kam nje afeksion të madh për mitologjinë, por se dhe prania e tyre i jep poezisë një “Bukuri të egër”, pra natyrale.

(KOHË TEK SHTYLLAT E HERAKLIUT

Më në fund.../Më në fund mbërrita/ tek Shtyllat e Herakliut/ Gdhendur në njërën/ (Ndoshta prej parambërritit tim/ A ndoshta prej mbërritit të parë/ pas Herakliut)/ deri në shpirt te shkëmbit/ gati në thërrmim gjeta fjalët:/ “KOHA SHËRON GJITHÇKA,/ PAÇKA SE ME VONESË”/ Në hutimin tim,/ në të pabesë më puthi/ Perëndia e Diellit/ Unë riktheva të puthurën/ po në të pabesë/ Në gdhendje tek shtylla tjetër:/ “PO NËSE S’KE MË KOHË,/ MOS NDOSHTA/ ME PLAGË TË PASHËRUARA/ TË DUHET TË VDESËSH?”/ Më në fund.../ Më në fund mbërrita/ Tek Shtyllat e Herakliut/ Para më pak se të më dilte gjumi...” )

A, nëse po  flasim për praninë e miteve te   libri im studimor me të cilin kam mbrojtur gradën shkencore Master (“Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian  me ato  ndërkufitare”), nuk behet më fjalë për imagjinacion. Ajo është një punë mirfilli studimore. Karakterizohet nga një vetëdije dhe qartësi e trajtimit për të shkuar drejt mitit, ka analizë e sintezë shumëplanëshe, vështrim sipas këndvështrimeve bashkëkohore, shfrytëzim të një bibliografie të gjerë për të shpjeguar mitin e Bregdetit Jonian shqiptar.

 

Libri juaj me poezi ka titull metaforik “Tatuazh në shpirt të detit”. Ashtu si valët e Jonit edhe poezia juaj ngrihet lart, mandej pushon qetë- qetë  tek lexuesit. Prej nga e gjithë kjo kënaqësi?

 

(Irena Gjoni) Është kënaqësi ose jo leximi i poezisë sime, këtë më mirë i takon ta thotë lexuesit. Ndërsa për krijuesin është sa ekzaltim, aq dhe robërim shpirtrash. Ja si dallgët e detit: aty të përkëdhelin duke të ofruar ndjesinë e paqtë, ndjesinë e kënaqësisë, të miklimit, të lazdrimit, të të dashuruarit. Ndërsa sa hap e mbyll sytë nuk e kupton se si nga valë joshëse, shndërrohen në luanë e tigra deti dallgë krefëbardha rebele vargjesh që të marrin me vete për të të çuar në sa e sa udhëkryqe “të rrezikshme”.

 

Akoma shpirti i juaj do të qëndroj pranë detit  dhe çfarë do të marrë nga ai?

 

(Irena Gjoni)Ah Deti! Të mrekullon sa e sheh. Të magjeps me trajtat e ngjyrat që merr dhe të lind dëshira që sikur të kishe mundësi, ta rrokje të gjithin në krahët dhe shpirtin tënd! Detin jam munduar ta shoh në kompleksitetin e tij (sigurisht asnjëherë të ezaurueshëm), tek libri im studimor “Marrëdhënie të miteve...”. Kulti i detit është tejet interesant me utilitaritet kontravers. Herë është ndëshkues e herë është kurues dhe shpëtimtar. Ndaj me arsye karakteri i detit definohet në libër me dyfytyrësinë e tij sipas kulteve dhe miteve të Bregdetit Jonian. Mitologjikisht detit i luten me gradën “Zoti Det”. Atributet e Posejdonit grek, të Redonit ilir, Neptuni latin, mendohet se i ka te kaonët një hyjni deti në trajtë ikone, madje të antropomorfizuar. Ndonëse fatkeqësisht kjo ngelet vetëm një hipotezë e nuk kemi një emër të saktë të hyjnisë së detit në zonën e Bregdetit Jonian, egzistenca e kësaj hyjnie nuk është mohuar asnjëherë. Për këtë na bind fakti se Deti në vetvete në Bregdetin Jonian është konsideruar si hyjni dhe gjithmonë i janë adresuar lutje. Madje këtu deti shfaqet me një funksion të dyfishtë: edhe si hyjni, edhe si altar ku adhurohej e lutej. Sepse Detit i është blatuar (sipas të dhënave gojore) si në periudhat pagane, ashtu edhe në ato kristiane. Ka shumë të ngjarë që në Bregdetin Jonian, pasardhësi më i vonë i hyjnisë së antropomorfizuar të jetë Shën Spiridhoni. Këtu shfaqet më i pranishëm edhe gërshetimi i elementit pagan me atë kristian. Në Bregdet është e njohur thënia: “Ç’ka stereja, ka deti”. Mos të harrojmë praninë e shumë gjallesave mitologjike që gjenden në të. Thellësitë e detit Jonik, paralelizohen me misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes.

Të vazhdoj më për detin? (Qesh). Pas këtyre që thashë, pyetja juaj se a do të qëndrojë shpirti im pranë detit dhe çfarë do të marr nga ai, e ka përgjigjen brenda.

 

Çfarë  ju bënë që ndjeheni krenar pranë brigjeve të Jonit dhe  çfarë ju prish imazhin kur ktheheni në viset urbane?

 

(Irena Gjoni)  Të gjitha këto sa thashë për detin, sa shpesh herë mendoj se këto i ka vetëm deti im (Jon), a nuk duhet të më bëjnë krenare? Shtoi kësaj dhe një pasuri shumë të madhe të trashëgimisë kulturore të cilat do t’ia kishte lakmi çdo vend. Bregdeti ka qenë i banuar qysh në shekullin XII p. l. K. Këtë e dëshmojnë qartë gërmimet arkeologjike, varret dhe qeramika në kalanë e Badhrës në Borsh e shek. XII p. l. K. Pasojnë kalaja e Himarës e shek V - IV p. l. K, kalaja e Sopotit e shek. IV p. l. K, kalaja e Karosit dhe e Dhoknës e shek III - II p. l. K. A nuk duhet të krenohesh me pasuri të tilla si: Manastiri i 40 shenjtorëve më tej nga ka marrë emrin dhe qyteti i Sarandës, Manastiri i Krorëzës, një Sinagogë- Bazilikë e rrallë në Evropë, kalaja e Lëkurësit apo dhe Butrinti? Kushdo që vjen pranë brigjeve të Jonit, nuk mund të rrijë pa i vizituar.

Ajo që të prish imazhin kur kthehesh te viset urbane, është tendenca për ta betonizuar. Megjithatë, janë shumë më tepër ato elementë që më bëjnë ta ndiej veten krenare.

 

Na thoni, sa është e pasur  bota shqiptare me mitologji ?

 

Irena Gjoni) Më është dashur të hulumtoj shumë  në këtë fushë si në literaturë shqiptare e të huaj, ashtu edhe në terren, çka sot është e vështirë. Madje tashmë që jam në proces doktorimi intensitei si dhe gama e këndvështrimeve, është zgjeruar. Konkluzioni im është që bota mbarëshqiptare (kam parasysh këtej dhe përtej kufirit zyrtar), është  shumë e pasur me mitologji dhe për  t’u theksuar fakti që kemi shumë pasuri mitologjike autoktone. Problemi është që tek ne, mjerisht, nuk ekziston ende të paktën një sprovë konkrete institucionale, për të përmbledhur në një botim botën mitologjike shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe, në disa vise, e ruajtur dhe e gjallë deri më sot. Por megjithatë, materiale të mbledhura, vështrime dhe studime kemi, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga studiuesit shqiptarë. Edhe unë përpiqem që modestisht, përmes punës sime, të ve një gur.

 

Kur do ta gjej  Irena gjysmën tjetër të dashurisë dhe t’ua falë lexuesve të saj?

 

(Irena Gjoni) (Qesh) E kuptoj që e keni fjalën për librin tim më të ri, vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010). Dhe nuk bëhet fjalë për “Gjysmën e dashurisë”, por për shumë “gjysma”. Pra për ekzistencën e shumë lloje dashurish erotike, amësore, gjaku, miqsh, natyre etj.. Çdonjëra prej tyre ca për shkak të natyrës njerëzore, ca për shkak të fatit e rrethanave, ca për shkak të pamundësive absurde, kurrë nuk është e plotë. Dhe ato “gjysma” janë përtej Irenës e ndodhen te çdokush. Tërë jetën  njeriu investon shpirt, ndjenjë, përditshmëri, intelekt, fantazi, ëndërr, idil  e gjithçka  tjetër në funksion të plotërisë së dashurisë. Në këtë aspekt, unë dhe lexuesit jemi në rrugëtim. Nëse ata i “gjejnë” më herët se unë, le të m’i falin ata mua. Meqë përmendëm lexuesit, libri është pritur shumë mirë prej tyre dhe është vlerësuar shumë. Unë po shijoj këtë impakt  tejet pozitiv që ka pasur “Gjysma dashurish”.

 

Letërsia shqipe është e vërshuar nga krijimtaria me dhe pa kriter, si studiuese e letërsisë  ju pengon kjo gjë?

 

Siç e përmendni edhe ju, letërsia shqipe është e vërshuar nga krijimtaria me dhe pa kriter. Ka një superprodhim librash. Mungon botimi i sistemuar dhe me rregulla strikte të botimit. Dhe këtë problematikë e ka gjithë letërsia panshqiptare si ne Tiranë, Tetovë, Prishtinë etj. Sigurisht është shqetësim, por më brengos më tepër jo sasia e botuar, sesa mundësia që kanë këta lloj librash për të depërtuar te lexuesi, duke krijuar një standart mediokër të shijes. Dhe në këtë kaos duhet të ishte kritika që duhet të vendoste pikat mbi “i”. Megjithatë, shpresoj se me kohë, them se në këtë lloj  sasie do të bëjë të mundur edhe seleksionimin e një letërsie sa më të mirë.

 

Kritika letrare  sot veprën e studion të shumtën e rasteve  vetëm nga njëra anë e medaljes , mendoni se ka kritikë objektive, sipas teje?

 

(Irena Gjoni) Po e nis përgjigjien nga obsioni a ka kritikë objektive ose jo. Po marr një rast të njohur në letërsi, atë të vepres “Don Kishoti” të Servantesit. Që në fillim u konsiderua thjesht si një roman kalorësiak më tepër dhe jo si një që u kundërvihej pikërisht romaneve kalorësiake. Interpretimi i këtij romani ka ndryshuar në shekuj me ndryshimin e periudhave historike dhe të këndvështrimit të interpretuesve. Vetëm në shekullin e XIX hyri në atë që quhet Weltliteratur, në panteonin e veprave të mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit. Pra është e vështirë për të pasur një kritikë objektive në përgjithësi. Megjithatë, problemi i kritikës shqiptare sot, është gjetkë. Ka një tendencë përgjithësuese, mosprishaqefëse, plot lavde për miq e të njohur dhe ka mungesën e tendencës për të shkuar drejt objektivitetit, edhe pse të vështirë për arsyen që përmenda më sipër. Si dhe ka një tendencë, (si e kam përmendur në një shkrim) për t’u marrë me emrat e konsoliduar, pa rriskuar për më të rinjtë. Në kritikën shqiptare mungon thënia që “Çezari të marrë atë që i takon Çezarit”.

 

Sa arrini  që të përcillni krijimtarinë letrare shqipe jashtë hapësirave të shtetit amë?

 

Vetë profesioni im ma kushtëzon leximin e letërsisë në përgjithësi dhe të prurjeve të reja. Në mungesë të kritikës letrare për ta orientuar lexuesin, kjo vështirësi rritet kur bëhet fjalë për krijuesit jashtë hapësirave të shtetit amë. Për shkak të problematikës së shpërndarjes së librit, nëpër libraritë shqiptare gjenden vetëm ata autorë të këtyre trevave që kanë mundur të botojnë në shtëpitë botuese shqiptare. Megjithatë sot përmes komunikimit internetor, kontakti me atë letërsi është më i lehtë për t’u realizuar. Vërej se në atë vërshim letërsie (ashtu si e përmenda më lart), veç penave të konsoliduara, po evidentohet bindshëm një brez i tërë  krijuesish ku spikatin emra që janë në avangardë të letërsisë mbarëshqiptare. Kjo më e dukshme në poezi.

 

Sa  arrini që ta përcillni tek gjenerata studentore pasionin artistik  dhe profesionin pedagogjik dhe ç’ ndjesi ju sjellin ky gërshetim art- studim?

 

(Irena Gjoni) Kryesore është që unë përpiqem ti përcjell tek gjenerata e re pasionet e mia. Megjithatë, nuk është e lehtë sepse janë të “bonbarduar” me lloj –lloj botimesh e informacionesh  internetore ose jo. Ajo që unë i mëshoj fort në përcjelljen e pasionit artistik, është kultivimi i shijes duke i orientuar drejt vlerës së pakontestueshme. Ndërsa sa për pasionin pedagogjik, ndihen të egzaltuar kur të dëgjojnë me sa pasion u përcjell ato që di, sa gati të gjithë duan të zgjedhin fushën akademike. Por kjo dëshirë zbehet kur bëjnë “llogaritë”. Eh, më vjen keq që ky brez është më pak idealist se sa ne.

 

Pedagoge universiteti, studiuese shkencore dhe krijuese artistike, sa arrin Irena të gjej kohë të lire për t’u relaksuar?

 

(Irena Gjoni) Jeta ime ka qene gjithmone mes adoleshenteve dhe te rinjve. Dhe puna me ta të bën të ngelesh i ri, plot pasione dhe me dëshirën për t’u argëtuar. Njeriu nëse është i predispozuar për diçka, studim a argëtim qoftë, e gjen mundësinë. Udhëtimet, deti dhe vallzimi janë pasionet e mia por dhe ato që mbushin kohën time të lirë. Kohë që e gjej për të gjitha, falë edhe suportit tim të madh familjar

 

Na folët shumëçka për ju dhe artin tuaj krijues me çfarë porosie do të përmbyllni këtë intervistë për lexuesit tanë dhe tuaj?

 

(Irena Gjoni) Po e përmbyll me një falenderim për ju Arsim dhe gazetën tuaj që më dhatë mundësinë të shpërfaq një pjesë të profilit tim enkas për lexuesin kosovar. Një falenderim të veçantë edhe  për këta lexues që e kanë mirëpritur krijimtarinë time. Dhe përmes kësaj dashamirësie  dhe vlerësimi kam bërë shumë miq kosovarë. Duke  ju uruar gjithçka të mirë, faleminderit!



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora