E diele, 28.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Ikona e Shpatarakut blihet 75 mijë euro nga Hetem Ramadani

E shtune, 09.10.2010, 06:44 PM


Admirina Peçi & Fatmira Nikolli

Një ikonë e shekullit 18, me autor Kostandin Shpatarakut është shitur mbrëmjen e së hënës në një ankand larg syrit të mediave dhe publikut. Ikona e rrallë e krijuar mes viteve 1736-1768 është blerë me shumën e 75 mijë eurove nga miliarderi kosovar Hetem Ramadani, i cili jeton mes Kroacisë dhe Francës. Ankandi është zhvilluar në një mbrëmje gala me të ftuar Vip, personazhe të politikës, biznesit, artit e disa ambasadave të huaja në Tiranë, me qëllim bamirësie në emër të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë "Domenick Scaglione", i drejtuar që prej vitit 2006 nga znj. Liri Berisha. Ikona është shitur së bashku me 15 vepra të tjera arti, mes të cilave edhe një vepër e mjeshtrit Ibrahim Kodra dhe të gjitha ishin anonçuara që më parë në rradhët e të ftuarve Vip. Por vëmendjen e të gjithëve e ka tërhequr ajo vepra misterioze me motive fetare, e mjeshtrit të ikonografisë shqiptare Kostandin Shpataraku, për të cilën në fund të garës u shpall fitues biznesmeni kosovar Ramadani. Lajmi se kjo ikonë, u shit mbrëmjen e së hënës në këtë ankand, ka ngjallur shumë reagime mes specialistëve të trashëgimisë, pasi sipas tyre kjo vepër është e mbrojtur me ligj, e nuk mund të dalë jashtë Shqipërisë. 
Shpatarakut 
s'mund të shitet
 
Sipas një specialisti, që është një njohës i mirë i objekteve të kësaj periudhe, ikonat e Shpatarakut gjenden në Muzeun e Artit mesjetar në Korçë, në kishën e Shën Nikollit në Voskopojë por edhe në koleksionin privat të korçarit Gjergji Thimio. Të gjitha veprat janë të regjistruara e të kartelizuara pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Specialisti, që po citojmë thotë se sipas ligjit të Trashëgimisë, objektet e trashëgimisë kulturore të luajtshme, ndahen në objekte me vlera të zakonshme, me vlera të veçanta dhe me vlera unikale. Në këtë pikë, duhet thënë se veprat e Kostandin Shpatarakut, që i takojnë mesit të viteve 1700, futen tek veprat me vlera të veçanta. Si të tilla, ligji nuk e lejon shitjen e tyre tek persona që jetojnë jashtë Shqipërisë, e sidomos kur këta të fundit nuk kanë nënshtetësi shqiptare. Ligji nuk e lejon daljen e këtyre objekteve nga kufiri i shtetit shqiptar. Madje, në rast të lëvizjes së tyre nga Shqipëria, pra të lëvizjes e jo të shitjes, ligji i trashëgimisë thotë se: "lëvizja e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta, kombëtare dhe unikale për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Procedurat e këtyre lëvizjeve përcaktohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave, sipas konventave ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë për këtë qëllim. Në çdo rast, leja e lëshuar regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore." 
Asnjë kërkesë 
për shitjen e saj 
U interesuam në këtë qendër nëse ka pasur një kërkesë për shitje pranë saj, por burime të Gazetës mohuan të jetë paraqitur ndonjë person privat për të kërkuar diçka të tillë. Sipas specialistit që ka pyetur gazeta, ikonat e Shpatarakut nuk mund të shiten te persona që nuk kanë nënshtetësi shqiptare, e nëse kjo ka ndodhur, policia ka të drejtë ta konfiskojë atë. Nëse shitja i është bërë një shtetasi shqiptar, atëherë ai duhet të lajmërojë brenda 7 ditësh për ndryshimin e pronësisë pranë QKIPK-së. Vetë lëvizja e një objekti që cilësohet si objekte i trashëgimisë kulturore të luajtshëm, me vlerë të veçanta përcaktohet nga një komision prej 6 personash, ku marrin pjesë specialistë nga Instituti i Monumenteve, Instituti i arkeologjisë, etj. Më tej, ligji i trashëgimisë cilëson se "Objektet e trashëgimisë kulturore të veçantë, kombëtare dhe unikale, nuk dhurohen e nuk shkëmbehen në asnjë rast" dhe "Në raste të veçanta, objektet e trashëgimisë kulturore të luajtshme mund të dhurohen ose shkëmbehen ndërmjet institucioneve simotra në shtete të tjera, kur u shërbejnë interesave kombëtare dhe janë të baravlefshme. Dhurimi ose shkëmbimi bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave", por ne nuk jemi në asnjërin rast. 
E marrë nga një koleksion privat 
Atëherë si është proceduar me rastin e Shpatarakut, që u shit në ankandin e së hënës në mesnatë, për 75 mijë euro? Veprat e kësaj kategoria nuk mund të dalin kurrsesi nga institucionet shtetërore, muze, galeri, etj. Në Muzeun Mesjetar në Korçë, nuk shënohet asnjë lëvizje e veprave të ikonografit të njohur. Po ashtu në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në fondin e galerisë kombëtare dihet që janë një grup ikonash, që disa specialiste shpesh e kanë hedhur fjalën se i përkasin Shpatarakut. Por, as këto ikona do të mund të lëvizeshin nga fondi i institucionit, e jo më të nxirreshin në ankand. Mësohet se drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Rubens Shima, njëherësh edhe organizator i ankandit, duke qenë në dijeni të Ligjit që e pengon shitjen e kësaj vepre, është shprehur mes të njohurve të tij se kjo ikonë është marrë nga një koleksionist privat. 
Pyesim ndër të gjithë koleksionistët e njohur se cili mund të zotëroje një vepër të Shpatarakut dhe mësojmë se një vepër të kartëlizuar dhe të regjistruar të Shpatarakut posedon koleksionisti korçar Gjergji Thimio. Sipas tyre që një vepër të njihet si e Shpatarakut, duhet të vlerësohet nga komisioni i ngritur në Qendrën e Inventarizimit, më pas të pajiset me një kartele të veçantë, ku cilësohet edhe vlera e tij, autorësia dhe të dhëna të tjera rreth veprës. 
Sipas specialistëve, kjo ikonë e nxjerrë në ankand duhet t'i përkasë vërtet Kostandin Shpatarakut, dhe për këtë duhet të ekzistojë edhe një kartele shoqëruese e saj e lëshuar nga Qendra e Inventarizimit. Në këtë Qendër, specialistë të komisionit vlerësues na pohuan se i vetmi posedues privat i një vepre të Shpatarakut është koleksionisti korçar Gjergji Thimio. Mbase është pikërisht vepra e tij ajo që u shit të hënën në ankandin e shumëpërfolur dhe u ble nga biznesmeni Hetem Ramadani. 
Sipas rregullave dhe ligjit në fuqi, Ramadani nuk mund të bëhet pronar i kësaj vepre, e cila nuk mund të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë, vetëm në rast se pranë Qendrës së Inventarizimit paraqitet për dokumentacionet e nevojshme partnerja e tij, sopranoja Inva Mula. Por edhe në këtë rast ajo nuk mund ta nxjerrë ikonën e Shpatarakut jashtë kufijve shqiptarë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora