E shtune, 27.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Zenun Gjocaj: Fitore e përcjellë me një bukuri që vret

E shtune, 09.10.2010, 06:22 PM


Recension

 

FITORE E  PËRCJELLË ME NJË  BUKURI QË VRET

 

Bedri TAHIRI, DIFERENCIMI (tregime), SMS, Prishtinë 2010

           

Nga Zenun GJOCAJ

 

Me veprën “Diferencimi” shkrimtari tashmë i afirmuar, Bedri Tahiri, vazhdoi krijimtarinë artistike tregimtare, duke dalur me motive të reja e të freskëta jo vetëm në pikëpamje kohore, por edhe tematike, me një frymë të re të frymëzimeve të një realiteti të ri.

  

                        Si në përmbledhjet e tjera, edhe në këto tregime, pos tjerash, autori zakonisht shquhet për tematikë të fryteve të luftës që u kurorëzua me liri që po e gëzojmë, siç është Sokoli, në tregimin “Vetmia”, një trim, ushtar e luftëtar i shquar, i cili në front merr një plagë. Të gjithave u bën ballë, madje edhe dhembjeve të plagës, por pas luftës, se si nuk mund ta përballojë vetminë që përcjellë në çdo hap, sidomos, kur Sokoli nuk gjen ngrohtësi, as realizim dëshirash për çfarë kishin luftuar. Leximi i këtij tregimi, të shpie te një asociacion filozofik. Mund të mendohet për dy e më shumë dimenzione reflektive, si Kosovë përgjithësisht e papërkrahur gjithaq (përderisa e mori përkrahjen e NATO-s), pastaj mospërkrahja e UÇK-s, madje as pas luftës dhe së treti moskujdesi e mospërkrahja ndaj Sokolit nga qeveritarët e pasluftës, për të cilën kishte nevojë. Marrë edhe nga jashtë, kjo mospërkrahje është e dëmshme edhe për vetë subjektet e dala nga rezultati pozitiv, fitimtar i UÇK-së. Te fundi ka mundësi që moskujdesi ndaj këtyre pjesëmarrësve mund t’i kthehet bumerang edhe vetë qeverisë. Si Migjeni, në “Bukuria që vret”, autori e përfundon tregimin me një cinizëm, duke u shprehur se “ … vetmia nuk është edhe për t’u sharë, siç kujtojnë shumica, andaj pavarësisht nga të tjerët, unë dua të vazhdoj me timen – përfundoi Sokoli”.

 

                        Për shkak të grindjeve për interesa të ngushta partiake e të tjera gjëra të parëndësishme të njerëzve, tani pas lufte, edhe Sokolit po i pëlqen vetmia. Është kjo një plagë e dytë, një qeshje gazepi, sepse  jeta e tij me gazep është nisur e me gazep po përjetohet. E keqja është se gjaku i dëshmorëve, është derdhur për interesa kombëtare, ndërsa Sokoli po has në interesa vetjake, për të cilat nuk është bërë luftë. Megjithatë, përkundër dëshirës, Sokolit i pëlqen vetmia, qoftë ajo edhe tis mjegullor. Ai, sikur është mësuar me këtë realitet të hidhur për vete dhe për kauzën paksa të mbetur nën hije.

 

                        Pos vetmisë,  në tregimin “Dinjiteti”, shkrimtarin (autorin) e preokupon edhe qeshja me zor. Me zor sepse, pas gjithë asaj katrahure që kishte përjetuar në luftë, pos tjerash, e përcjell edhe ironia e fatit, gjithnjë e përshkuar nga interesa të ngushta të mjedisit që e rrethon, si kusht për t’ia botuar librat, nëse përulet para akëcilës parti. Me të drejtë, autori i kundërvë faktin se dëshmorët nuk e dhanë jetën për parti, as për pushtet, por për atdhe, sipas mësimeve të Adem Jasharit:“Partia ime është Kosova” apo i partisë Popull, siç thotë V. Hygo. Ndërkaq, rrjedh se te autori ka një mesazh për mbarë pjesëtarët e kombit: që t’i lëmë interesat e ngushta partiake, nëse duam ta barazojmë kombin me popuj të tjerë të Evropës, përndryshe, “më mirë fukara i ndershëm” – thotë autori.

 

                        Monologu artistik i mësuesit të letërsisë për të parin e vendit që e ngriti veten në Perandor asnjënës të Perandorisë më të re të Gadishullit më të vjetër, i përkrahur nga grigja e bekuar e deleve të Perëndisë dhe i varrosur në hapësirë asnjanëse… në krahasim me një nënë që qan pak më tej për dritën e vetme të syve që ia fali lirisë,.”…e kishte të vetmin djalë, i cili ra dëshmor në kufirin e mallkuar shqiptaro-shqiptar, në Rrasë të Zogut, tani i varrosur e i mbetur grumbull dheu të zakonshëm. Krahasimi me varrin e Perandorit jep kontraditat e palogjikshme të mentalitetit tonë kolektiv të xhveshur nga logjika e sëmurë: jo atij që dha gjakun për liri, por atij që derdhi …janë “dy skaje të një litari”, kurrë të puçura. Fati, nipçja e sjell logjikën në binarë të duhur: kishte ditur ku t’i vë lulet. Në tregim paralajmërohet një kohë kur logjika e shëndoshë do të marrë rrugën e arsyeshme. Plotësisht e drejtë: duhej pritur derisa logjika të gjejë rrugën e vet të vërtetë, për të qitur jetën në kopsht me lule të arsyes, në fushë të meritës së mirëfilltë, ku gjaku i derdhur solli lirinë. Tjetër gjë është se a është vetëm gjaku i derdhur që sjell lirinë.  E kjo do pak kohë. (“Asnjanësia”).

 

                       Tregimi “Diferencimi me të cilin është titulluar edhe vepra, spikat e pikturon çmendurinë serbe për përpjekjet e serbizimit të Kosovës. Autori këtu spikat odisejadën / golgotën  e shqiptarëve në përgjithësi e të arsimtarëve në veçanti, “të cytur e dirigjuar nga lart, nga maja e piramidës komanduese në Beograd dhe puthadorët e tyre, … për t’ua çrrënjosur ndjenjën e atdhedashurisë” Kështu e pësoi Petrit Shkëmbi, profesor dhe klasa e tij si më e zëshmja, sepse, si thotë autori: ”si hoxha, si xhemati”, sepse doli në mbrojtje të nxënësve, që njëkohësisht ishte edhe e drejta e popullit e kombit në përgjithësi.. dijësimi i popullit e shpiejnë profesorin Petrit Shkëmbi dhe nxënësit e tij po marrshonin drejt epokës së lavdisë, duke i kënduar ditës së bardhë – lirisë, qoftë edhe me pasoja. 

 

                        Tregimi Nusja e praruar karakterizohet nga një simbolikë të mirëfilltë për Nusen që priste trimin për t’ia hequr vellon e nusërisë. Ai trim doli nga gjiu heroik i Drenicës, të cilit iu bashkuan edhe krushq të tjerë, kështu, derisa ndodhi dasma  Akrepat e orës shënonin pikën kulmore që ndante dy epokë: të djeshmen dhe të sotmen, errësirën dhe dritën… egërsinë dhe civilizimin…” Autori ka shkruar mjaft tregime të tilla, madje edhe monografinë e çmuar për kryetrimin legjendar Adem Jasharin e shumë dëshmorë të tjerë, qoftë edhe në ditët, javët e muajt e luftës heroike të fundit për liri e pavarësi.

 

                        Pason dialogu i Nusës dhe i dhëndërit: frika e tij për vonesën e Nusës e frika e nusës për drojën e Dhëndërit, mos po e ha sapunin për djathë. Simbolika e tregimit (kurorëzimi i pavarësisë së Kosovës) i jep veprës ngjyrime metaforike të një lloji të veçantë. Tjetërgjë është se Nusja nuk ka ardhur me pajën e mjaftueshme…

 

                        Vepra përballet edhe nga tematika e karaktereve kontraditore, psikologjike, varësisht nga rrethanat kontraktive e jetësore. Derisa në “Orekse të sëmura”, shkrimtari Bardhyl Shpati, (më tepër autobiografik) me shpirt, herë të bardhë, herë të ashpër, varësisht nga rrethanat situatative, ngul këmbë në vendlindje, atje frymëzohet, shkruan, boton, me gjithë ndeshjet me karaktere laramane, ku paanshmëria e besnikëria për të vërtetën formojnë një ngjyrim migjenian, një bukuri që vret. Ndërkaq, në tregimin tjetër “Gulçimi”, ndodh e kundërta. Plaku Hamit Fazliu nga fatkeqësia e vdekjes së të shoqes, detyrohet të dirgjet në qytet dhe të jetojë te i biri, ku ishte në detyrë e rronte në banesë.. Atje kënaqet me vendës, por një ditë në treg gulçon. E përbashkët për të dyja tregimet është dashuria ndaj vendlindjes / atdheut, qoftë edhe malore, ajri i pastër qetësia shpirtërore, ujët e ftohtë, rrethi i afërt etj.

 

                        Ndërkaq, harmoninë e prish edhe mërgimi, ku i gëlltiti shumë të rinj nga shkaku i papunësisë, por atje i tjetërsoi në  realitet të pakëndshëm, fare i huaj për ne, siç është Lulzim Shpati, sugari, i cili u detyrua të mërgojë, ku buka gatuhej me pelin. Atje u martua me një gjermane dhe detyrohej ta ruante qenin e saj, për ç’arsye u deturua ta ndërprejë pushimin në gjiun familjar. Është një cinizëm i përkuljes ndaj padronës, që bëhet shkak t’ia shlyejë djalit karakteret familjare e kombëtare dhe të bie në pozita nënshtruese për një kafshatë buke, prapanicë gruaje e një qen të saj. Është këtu një nënshtrim i një karakteri kombëtar ndaj një ves fare të huaj e i dëmshëm, më tepër se po të ishte në atdhe e në vendlindje, për t’iu nënshtruar, si thotë autori, tjetërsimit, një kritikë migjeniane bashkëkohore, ku një qen i huaj i një gruaje të huaj, të një shteti të huaj vlen më tepër se një familje që e rriti.

 

                        Plisi” është një tregim më tepër rrëfimor që tregon qëndresën nëntëdhjetëvjeçare të një plaku (përfaqëson një brez të palëkundur në çështjen kombëtare), i kapur fort për simbolet e saj: plisin e pushkën, me të cilin vuajti, luftoi, u sakrifikua dhe fitoi lirinë. Plisi e pushka janë pjesë e jetës së një familje dhe e një kombi.

 

                        Vepra shquhet për stilin e lehtë e të ëmbël, fjalën me peshë dhe frazeologjinë e dendur me metaforë të shtrydhur nga gjuha popullore. Shumica e tregimeve janë realitete të pasluftës, në çdo hap aktuale për mirë e për keq. Pjesa dërmuese e protagonistëve të tregimeve të Bedri Tahirit janë të palëkundshëm, me gjithë vështirësitë. Megjithatë, ka ndër ta që përkulen e tjetërsohen në rrethana të ndryshme jetësore për instikte të ulëta, siç është tregimi “Tjetërsimi” e persanazhi i tij Lulzim Shpati.

                        Vepra i përcjell ritmet e zhvillimit të rrjedhave bashkëkohore, kryesisht të pasluftës, me ngjyrime shpesh të vrugëta. nga shkaku i rrjedhave të nxitura e të papritura jetësore, shpesh të pakëndshme, nga shkaku i rrokullimit të shpejtë të ditëve e moteve, shpesh të padëshirueshëm. Autori radhit motive të ndryshme të përjetuara a të frymëzuara, të përshkuara me lirizëm të qetë, jo gjithëherë të këndshëm, konform realitetit herë të këndshëm, herë të hidhur, varësisht nga frymëzimet e synimet e autorit.

 

                        Megjithatë, autori  prej tregimit në tregim, e ruan freskinë e pasuruar me motive të freskëta, të nxjerra nga rrethanat jetësore dinamike.

 

                        Dihet se Bedri Tahiri, në mbarë veprimtarinë e vet, sadopak e sakrifikon metaforën, për t’u ofruar me shtresat sa më të gjera të lexuesve, të rinj e të vjetër, nivelesh të ndryshme të inteligjencës. Vepra e tërheq lexuesin mu për thjeshtësinë e shprehjes dhe për stilin e shprehur lehtësisht në situata të ndryshme shprehëse. Personazhet e autorit vijëzohen lehtë, por lënë përshtypje të rënda psikologjike dhe artistike, që të nguliten në kujtesë pa vështirësi dhe zënë vend për një kohë të gjatë, madje edhe atëherë kur autori e ka qëllimin e damkosjes së ndonjë karakteri negativ, siç është Lulzim Shpati në tregimin “Tjetërsimi”, me vija të lehta tregimtare lë përshtypje vrazhdta në kujtesën e lexuesve.     



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora