E shtune, 27.04.2024, 04:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteve

E shtune, 09.10.2010, 07:33 PM


ONOMASTIKA E KOSOVËS - NDËRMJET MITEVE DHE IDENTITEVE

 

Nga Begzad BALIU

 

I. 1. Onomastika si fat

Ballkani, si me historinë ashtu edhe me gjuhësinë paraqet një pasuri të madhe dhe shumështresore të Evropës Juglindore. Më parë sesa mikrostrukturat e tij, problemin e inventarizimit të toponimisë të tij dhe rrjedhojave të saj, në këtë proviniencë të Evropës, e paraqet vetë emri i tij: Gadishulli Ilirik, Gadishulli Helenik, Rumelia, Ballkani, Evropa Juglindore dhe tash së fundi një tendencë e re për ndarjen e tij: Ballkani Perëndimor, brenda të cilit hyn edhe areali etnolinguistik e kulturor shqiptar.

Hapësirën ballkanike e përshkon një traditë e pasur dhe e thellë kulturore e gjuhësore: trashëgimia paraindoevropiane, trashëgimia e familjeve gjuhësore indoevropiane dhe joindoevropiane; një shtresim i pasur kulturash të shfaqura më shumë se askund, në toponiminë ilire, thrake, helene, romake, sase, shqiptare, sllave, arumune, turke etj., por edhe një areal gjuhësor i përbashkët i strukturës gramatikore, i njohur në gjuhësinë e përgjithshme si gjuhësi ballkanike.

Sot, vështirë të gjenden në hapësirën e globit shtresime kaq të shumta e të thella kulturore brenda një tërësie gjeografike, sikur i gjejmë në Ballkan. Vështirë të gjendet një hapësirë kaq e vogël, e cila ka pranuar dhe ka rrezatuar një kulturë kaq të pasur në Evropë, në Azi e më tej. Në këtë reflektim, toponimia ka shënuar gjurmët më të thella dhe më të pasura. Toponimia pasqyron shenjat më të sigurta të zhvillimeve historike jo vetëm në arealin historik, gjuhësor e kulturor të Ballkanit, por edhe në arealin gjuhësor, historik e kulturor të Evropës e të Azisë.

Është e kuptueshme prandaj, pse ka shumë kohë që studimi i onomastikës, përkatësisht i toponi misë, paraqet një prej problemeve të shpeshta dhe shumë interesante në rrethet shkencore ballkanike dhe evropiane. Prandaj, toponimia është bërë fushë e kërkimeve të shkollave dhe e drejtimeve më bashkëkohore të kohës; ajo është bërë sinonim i kërkimeve historike, gjuhësore, kulturore dhe madje të vetë prejardhjes së një populli a të një tjetri në Ballkan; ajo është bërë mjet i caktimit të kufijve të përshtrirjes historike të popujve në këtë rajon në shekujt më të errët të historisë.

Por, në Ballkan si ndoshta askund tjetër, toponimia jo njëherë ka qenë shenjë e (ri)krijimit të miteve të vjetra dhe e konflikteve të reja nacionale. Sikur të mos mjaftonte trashëgimia sa e pasur po aq edhe e errët etimologjikisht, toponimia e Ballkanit disa herë, këta dy shekujt e fundit, e në vazhdimësi edhe sot, vazhdon të mbështillet me shtresa mitesh bashkëkohore.

I. 2. Onomastika dhe origjina e shqiptarëve

Njëra prej fushave më komplekse të filologjisë, onomastika, ka më shumë se një shekull që është bërë temë studimi më vete në gjuhësinë evropiane në përgjithësi dhe gjuhësinë shqiptare në veçanti.

Studiuesit e huaj dhe shqiptarë, përmes kërkimeve onomastik, kanë hulumtuar:

Ø  substratin, superstratin dhe adstratin e popujve dhe të lëvizjes së tyre përgjatë historisë nga Lindja në Perëndim;

Ø  kulturat, zanafillën e etnive dhe gjurmët e tjera kulturore të popujve të zhdukur gjatë “përmbytjeve” të ndryshme historike, para së gjithash të atyre popujve, për të cilët deri me tani kanë munguar dokumentet e shkruara etj., ndërsa gjuhësia shqiptare, përmes onomastikës, ka zbuluar në detaje më të veçanta nga ç’dihej më parë, praninë e paraardhësve të popullit shqiptar në Ballkan dhe në Evropë;

Ø  nënshtresën paraindoevropiane të ilirishtes dhe mbishtresat e ndikimeve të huaja në kulturën shqiptare;

Ø  shtrirjen gjeografike të Ilirisë në hapësirën e Evropës Juglindore dhe Evropës Qendrore;

Ø  vendin e formimit të etnisë së Arbrit në trojet e sotme ku jetojnë shqiptarët;

Ø  prerjet kulturore, fetare e historike të brendshme e të jashtme të hapësirës etnike shqiptare etj.

Në shekullin XIX, studiuesit kryesisht të huaj, duke u mbështetur në strukturën fonologjike e gramatikore, e vendosën gjuhën shqipe në drurin gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane, ndërsa në shekullin XX, shumë studiues të huaj dhe studiues shqiptarë, duke u mbështetur në onomastikën e trojeve shqi ptare e më gjerë, përcaktuan prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, sidomos me fillimin e përhapjes së tezës së prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Gjatë kësaj periudhe,rilindësit, bartësit e vetëdijes kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve, e paraqisnin popullin shqiptar si pasardhës të pellazgëve. Mirëpo, pas formimit të disa brezave studi uesish në shkollat evropiane dhe pas krijimit të bërtha mave shkencore albanologjike në Tiranë e në Prishtinë, këto qendra u bënë zëdhënëset më të flakta të prejardhjes ilire të shqiptarëve, ndërsa fusha e onoma sti kës ishte njëra prej tregueseve kryesore për arritjen e këtyre rezultateve.

Gjatë dekadës së gjashtë e të shtatë të shekullit XX, kur panilirizmi i studimeve evropiane filloi të zbehej, prejardhja ilire e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe ishte miniera e vetme në të cilën gjurmonin të gjithë studiuesit shqiptarë të gjuhësisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, hartografisë etj. Treguesit më të lartë të këtij orientimi të shkencës albanologjike janë Konferencat albanologjike (1965, 1968), simpoziumi “Onomastika e Kosovës” (1979), konferenca “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, vepra e Eqrem Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes” etj.

Ndryshe nga studiuesit e Evropës Qendrore dhe Perëndi m ore, pjesa më e madhe e shkencëtarëve serbë, maqedonas, bullgarë e rusë, ndaj onomastikës iliro-shqi ptare kanë mbajtur qëndrime shpesh johistorike, joshkencore dhe madje ekstralinguistike. Metodolo gjia e kërkimeve të tyre ishte metodologji e koncepteve të kushtëzuara e të ideologjizuara, ndërsa prirjet e tyre ishin më shumë politike dhe shtetërore. Kërkimet, studimet dhe rezultatet e tyre vetjake dhe të organizuara në trojet shqiptare që nga Jovan Cvijiqi, Selishqevi, Atanasie Urosheviqi, Milica Gërkoviqi, Jovan Ristiqi etj., tubimet shkencore si “Iliri i Albanci”, “Serbia i albanci kraj XIX veka”, të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, kanë pasur rrjedhoja krejtësisht politike për fatin kombëtar-historik të shqiptarëve. Prandaj, është e kuptueshme që simpoziumi shkencor “Sllove nsko porijekla stanovnishtvo u Albaniji”, mbajtur në Cetinë më 1990, pati sjellë me kohë shqetësime mes studiuesve shqiptarë. Në parim, reagimet mbështeteshin në faktin se organizimi ishte bërë nga Akademitë e vijës fundamentaliste–ortodokse: Cetinë – Beograd – Shkup – Sofje – Mo skë, ndërsa në të njëjtën kohë shtypi shqiptar dhe institucionet shkencore vazhdonin të heshtnin para rezultateve tendencioze të tyre, të cilat nuk dallonin nga qëllimet politike, që shumë herë ia kishin vënë vetes individët, grupet, institu cionet dhe politikat shtetërore serbe. Artikulimin e kërkimeve të tyre, ata e përmblidhnin në këto teza:

Ø  prejardhja joilire e shqiptarëve dhe joautoktonia e tyre në trojet e sotme etnike dhe shtetërore;

Ø  vënia në dyshim e pranisë së shqiptarëve në trojet e sotme, madje edhe më gjerë, para ardhjes së sllavëve në Gadishullin Ilirik;

Ø  prania e etnosit sllav në trojet e djeshme e të sotme shqiptare në një masë shumë herë më të madhe nga sa paraqitet realisht në dokumentet historike;

Ø  teza për formimin e popullit shqiptar në mesjetë: “mbi bazën e mbeturinave të vogla të popujve” etj.

I. 3. Onomastika dhe politika

Mbi këto paradigma, për fat të keq është formuar edhe qëndrimi i fqinjëve tanë ndaj onomastikës së trojeve shqiptare. Qëndrimi i tyre natyrisht ishte politik, ekstralinguistik, johistorik dhe me pretendime pushtuese.

a) Pushtetarët e Serbisë, në fund të shekullit XIX, pasi shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të mbi 640 vendbanime nga Sanxhaku i Nishit, toponiminë e kësaj hapësire e ndryshuan plotësisht, ndërsa shqiptarët e mbetur në kufijtë e Kosovës së sotme, deri më 1945 krejtësisht dhe pas vitit 1945 pjesërisht, në patronimin e tyre u detyruan të marrin prapashtesat sllave -iç, -viç etj.

b) Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, Greqia i ndërroi toponimet e trojeve të pushtuara shqiptare, ndërsa banorëve shqiptarë dhunshëm ua ndërroi emrat dhe llagapet etnike e fetare (myslimane e katolike), duke ua kthyer në emra greko-bizantinë. Greqia, djepi i lindjes së kuptimit të demokracisë, edhe gjatë këtyre viteve të fundit vazhdon të bëjë etnocid mbi shqiptarët, vazhdon të bëjë krime mbi të drejtën universale të njerëzimit: të mbajtjes së emrit vetjak. Ajo vazhdon të bëjë krime mbi kulturën njerëzore duke u ndërruar emrat shqiptarëve të besimit mysliman, katolik dhe ortodoks, për t’i kthyer në emra kombëtarë grekë ose të ritit greko-bizantin, si kusht i domosdoshëm për t’u dhënë një vizë për punë të përkohshme. Dhe jo vetëm kaq. Politika shtetërore, kulturore dhe shkencore e Greqisë ka vënë në sprovë të ashtuquajturin toponim dhe etnonim vorioepirot, i cili përfshin troje të shtetit shqiptar dhe toka të shtetit të sotëm grek!

c) Në Maqedoni, deri në fillim të këtij shekulli, shqiptarëve nuk u lejohej të përdornin toponimet sipas veçorive gjuhë sore të tyre. Në administratën maqedonase të pushtetit të djeshëm, emrat e qyteteve: Shkup, Tetovë, Ohër, Kërçovë, Dibër, Manastir etj., duhej të shkruheshin dhe të shqiptoheshin vetëm sipas veçorive gjuhësore të gjuhës maqedonase: Skopje, Tetovo, Ohrid, Kiçevo, Debar, Bitola etj. Madje, në kryeqytetin e Maqedonisë – Shkup, për të cilin demografët thonë se është qyteti me popullsinë më të madhe në botë me origjinë shqiptare, vetëm një rrugë mbante emrin e një shqiptareje, emrin e Nënës Tereze.

d) I mësuar nga simotrat e tij Serbia, Maqedonia e Greqia, edhe Mali i Zi nuk qëndron fare mbrapa këtyre qasjeve. Në administratën shtetërore të Malit të Zi, toponimi Krythë shënohet Krute, emri i fshatit Milla Katund shënohet Mide, Katërkolla: Vlladimir (që është patronimi i Jovan Vlladimirit), Sukubina : Sukobin, Shtegvasha : Podstegllah, Gjonikaj : Gjeçbitriq, Kështenja : Koshtanjica, emërti mi Thtjan (Ftjan) : Tejani, Liarja : Livari, Selca : Seoce, Trieshi (Triepshi) : Zatrijebaç, Nënhelmi : Podhum etj. Këtu prapashtesat sllave –iç e –viç te patronimet e shqipta rëve janë edhe më të pranishme se sa në hapësirat e tjera të shqiptare në ish -Jugosllavi.

e) Po kaq e rëndë ishte edhe gjendja e onomastikës në Kosovën e ripushtuar nga Serbia. Gjatë shekullit XX, pavarësisht nga sistemet politike nëpër të cilat kemi kaluar, disa herë është ndërruar pamja e onomastikonit të vendbanimeve të Kosovës: emrat e qyteteve, të krahinave, të hidronimeve, si dhe vetë emri i Kosovës. Kështu, në administratën e dhunshme serbe, oikonimi Hani i Elezit shënohej me emrin e Gjeneral Jankoviqit, Ferizaji : Uroshevac, emri i qytetit të Suharekës: Suvareka, makrotoponimiLlapushë : Prekorupë, ndërsa dhjetëra vendba nime të reja, të ndërtuara për kolonët e sjellë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi e Serbia, janë emë rtuar mbi motive historiko-mitike serbe, edhe pse mikrotoponimia e asaj hapësire gjeografike nuk jepte bazë të mjaftueshme për emërtime të këtilla.

Edhe aty ku administrata e dhunshme serbe nuk kishte vënë dorë mbi toponiminë e Kosovës rrjedhojat kanë qenë po kaq të rënda. Alfabeti cirilik i serbëve nuk kishte grafi gjuhësore të mjaftue shme për të mbuluar grafinë e gjuhës shqipe, andaj onomastika në dokumentet zyrtare serbe ishte krejtë sisht e shtre mbëruar dhe e rrënuar në aspektin drejtshkri mor, drejtshqi ptimor dhe kuptimor, pasojat e të cilave i ndjejmë edhe sot në dokumentet e reja, me të cilat pajisemi në shtetin e Republikës së Kosovës.

II. 1. Etnonimi kosovar

Megjithëse në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe njësia etnonim nuk ekziston, shpjegimi për të është bërë në njësinë etnik: “që lidhet me një popull a me një komb të caktuar dhe me kulturën materiale e shpirtërore të tij. Grup etnik. Kufi etnik. Emër etnik. Përkatësi etnike”[1]. Fjalori i Rikard Simeonit, këtë njësi, e ka saktësuar më për së afërmi, për të mos thënë në nivelin që na ndihmon edhe neve. Etnik: “emër për emrin e banorëve të një vendbanimi, zone, vendi ose shteti, p.sh., zagrebas, është etnik nga Zagrebi…[2]. Pavarësisht nga kjo, në studimet shqiptare etnonimi zbritet edhe në shkallë krahinore. Në fjalorët enciklopedikë të gjuhësisë së përgji thshme etnonimi zbret edhe në nivel vendbanimesh (qytetesh), sigurisht të rëndësishme. Në Kosovë, modeli i përcaktimit të etnonimisë në shkallën e traditës popullore, besoj, është mënyra më e mirë e përcaktimit të toponimeve gjatë historisë. Tradita popullore ka zgjedhur së paku tri rrugë në përcaktimin e këtij elementi:

a) Rruga e parë duket të jetë më e moçmja dhe duket të ketë funksionuar edhe pa vlerën shkencore që i jepet sot si mekanizëm i brendshëm. Bie fjala, gratë e martuara në një vendbanim tjetër, kryesisht në zonën e Rrafshit të Dukagjinit, vendasit i quajnë (‘thërrasin’) në emër të prejardhjes së vendbanimit (fshatit), krahinës ose fisit të tyre, pavarësisht prej krijimit të përkatësisë së etnikumit në shkallë fshati, krahine ose fisi që mund të kishte.

b) Shprehjes së përkatësisë etnike me përcaktimin krahinor: rugovas, dukagjinas, llapjan etj.

c) Me përcaktimin e qytetarisë, pra të qytetit, të cilit i ka takuar, veçse kjo nuk ka pasur vlerë për të gjitha qytetet. Fjala është për etnonimet e ndërtuara sipas qyteteve të vjetra dhe me etimologji shqipe: gjakovar, pejan, prishtinas, ferizajas, gjilanas, prizrenasetj., krahas të cilave tradita njeh edhe trajtat me prapashtesa nga orienti: prishtinali, gjakovali, ferizajli, gilanli, prizrenali etj.; por jo edhe podujevas, kamenicas, gllogovcas etj. Në raste të tilla, tradita popullore ka ruajtur si përcaktues etnik vlerën krahinore:llapjan, moravali, drenicali etj. Shembull plotësues për një dukuri të tillë janë edhe patronimet: Gjinolli (Prishtinë, Gjilan); Gjilani (Tiranë); Peja (Pejë, Gjakovë); Gjakova (Gjakovë, Prishtinë, Gjilan), por jo edhe Kamenica, Podujeva, Gllo go vci etj.

II. 2. Ruajtja e homogjenitetit

Në historinë e onomastikës shqiptare në veçanti dhe në historinë e onomastikës së përbo tshme në përgjithësi ruhet një strukturë mjaft homogjene, jo vetëm e antroponimeve por edhe e toponimeve. Më në fund, është thënë edhe më parë se “emrat me të cilët njerëzit emërtojnë rrethinën e tyre paraqesin burimin e vetëm të info rmatave mbi historinë e një shoqërie, besimeve (reli gjioneve) dhe vlerave të saj”[3]. Tradita euro-amerikane ka shënuar disa raste, shembuj të mirë të rikrijimit të sistemeve toponimike nga njëri vend në tjetrin, madje nga njëri kontinent në tjetrin: Paris, Memfis, Troja, Hertford dhe Londër në Amerikë.

Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë ndërprerë bartjen e emrave vetjakë (patronimeve) dhe toponimeve të mjedisit të tyre, kudo që ata shtegtonin brenda trojeve shqiptare dhe kudo që ata shtegtonin ose dëboheshin drejt Perëndimit dhe Lindjes. Përsë ri tja e toponimeve brenda trojeve shqiptare dhe sidomos në kolonitë e tyre të reja është një realitet që dëshmon për një rregull të caktuar që është krijuar gjatë historisë edhe brenda traditës historike të onomastikës shqiptare.

Le të kujtojmë këtu bartjen e toponimeve e patronimeve shqipe në mesjetë nga shtegtarët shqiptarë në More të Greqisë dhe më vonë në Italinë Jugore ose në të dyja anët nga i njëjti burim. Po kështu ka ndodhur edhe gjatë Krizës Lindore kur shqiptarët u dëbuan nga trojet e tyre etnike, pra nga Sanxhaku i Nishit në Kosovë dhe në Turqi, ku janë përtërirë dhe ruajtur jo vetëm qindra e qindra antroponime, por edhe qindra toponime dhe po kaq antro po nime, të cilat janë toponomizuar apo patronomizuar.

II. 3. Toponimi Kosovë dhe etnonimi kosovar

Emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim janë dy elemente onomastike që do të mund të diskutoheshin jo vetëm duke iu qasur nga aspekti gjuhësor e historik, por edhe nga aspekti semasiologjik, etno-kulturor, politik, diplomatik, motivues etj. Le t’i shohim një herë emërtimet: Kosovë si toponim dhe kosovar si etnonim. Kosovë: emër historik për territorin jo aq të përcaktuar të Dardanisë antike; emër i Krahinës së Kosovës nën regjimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë; emri i Kosovës deri më 17 shkurt 2008; emri i sotëm i Republikës së Kosovës; Mala Kosova (Kosova e Vogël), emër i një pjese të Kosovës që kap kryesisht krahinën e Llapit dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës; Kosova i Metohija: trajtë e emërtimit të administratës serbe, gati, gjatë gjithë shekullit XX.

Ndryshe ndodh ndërkaq me rrafshin historik dhe gjeografik të etnonimit kosovar. Kosovar: etnonim, njëri prej etnonimeve shqiptare: dibran, mirditor, shkodran, llapjan etj., (në shumë këngë shqipe të Kosovës, thuhet “Jam shqiptar, kosovar”); përcaktues i popullatës shqiptare në territoret e ish-Jugosllavisë nga nënshtetasit shqiptarë të Shqipërisë londineze; etnonim i përbashkët për të gjitha etnitë që jetonin brenda Kosovës nga regjimi i ish-Jugosllavisë; përcaktues etnik për vetveten nga shqiptarët e Kosovës së dëbuar dhe të vendosur me ndihmën e bashkësisë ndërko mbë tare në shtetet e treta, për t’u dalluar nga emri shqiptar (albanian), të cilin nuk e pranonte administrata ndërkombë tare; cilësor i administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut e tash edhe EULEX-it, për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë,  megji thëse edhe ky nuk është stabilizuar plotësisht.

Këtyre dukurive motivuese i është nënshtruar gjatë kësaj kohe edhe vetë etnonimi kosovar. Nëse shikojmë rrugëtimin historik të tij, etnonimi kosovar, deri në fillim të shekullit XX, ka mundur të barazohet me etnonimet e krahinave etnografike: gegë, toskë, çam, dreni cas, labriot, dukagjinas, rugovas, gallapas, llapjan etj., por pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pushtimit të Kosovës nga shteti serb, etnonimi kosovar nga shqiptarët e Shqipërisë së lirë ka përfshirë banorët shqiptarë të mbetur nën ombrellën e mbretërisë serbo-kroato-sllovene që quhej Jugosllavi. Po për këta, ky etnonim ka vazhduar të mbulojë të gjithë shqiptarët deri në fund të këtij shekulli edhe nga politika shtetërore shqiptare.

Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë në kufijtë shtetërorë-politikë, shqipta rët e pushtuar nga sllavët e kanë quajtur veten e tyre para se gjithash shqiptar dhe rrallë herë kosovar, vetëm për atë pjesë të popullatës që ka jetuar brenda kufijve të Kosovës, ndërsa sllavofolësit shqiptarët i kanë quajtur me emrin e vjetër arbanas ose edhe shiftari e shiptari (pezhorativë) dhe albanci, në të gjitha rastet në shkallë të administratës shtetërore e në publicistikën vendore.

Në shkrimet gazetareske dhe në fjalorin diplomatik të Evropës, etnonimi kosovar filloi të përdorej nga të huajt për shqi ptarët që migruan në vitet ’90 të shekullit XX nga Kosova, mbase më shumë për t’i dalluar nga emigracioni po kaq vërshues nga Shqipëria.

Tradita gojore shqipe e ka sintagmën “shqiptar - kosovar” dhe anasjelltas: “jam shqiptar e kosovar” thotë rapsodi, mbase një shprehje e traditës, e ruajtur si “italo - arbëror” dhe “italo-shqiptar”. E ndihmuar edhe prej një ndërhyrjeje politike, pas vitit 1981, në traditën gojore emri malësor në shumë raste erdhi e u bë sinonim i emrit shqiptar. Këngëtari ynë popullor, në momente të vështira të sforcimit të regjimit, në shumë raste edhe toponimin Shqipëri e zëvendësonte me Malësi. Kjo trajtë, megjithëse jo në admini stratë, përdorej në bisedimet e përditshme edhe brenda qarqeve politike e shkencore serbe[4].

Pas mbarimit të luftës së Kosovës dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare, disa të ashtuquajtur teoricienë të kombit kosovar, morën nismën edhe për përkufizimin e tij.

Pavarësisht nga historia, shqiptarët në Kosovë duhet të krijojnë konceptin e tyre rreth etnonimit kosovar, sepse kam përshtypjen që etnonimi kosovar ka filluar të konceptohet nga ndërkombëta rët si një emërtim që deri dje mbulonte konceptin për etnonimin jugosllav, dhe mbulonte të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë. Në pasqyrën e regjistrimit të vitit 1972 u krijua një rubrikë e veçantë në kuadër të të gjitha etnitete ve: sllovenë, kroatë, malazezë, shqiptarë, maqedonas, jugosllavë, serbë, hungarezë etj. Teoricienët e krijimit të kombit kosovar, jo rrallë janë nisur nga konceptet çinte gruese në shkallë kombëtare, të dala dhe të reklamuara shumë në këto dhjetë vjetët e fundit për gegët dhe toskët, për Veriun dhe Jugun e Shqipërisë etj., prandaj është e kuptue shme pse mendimet e tyre janë pritur me reagime, me ftohtësi dhe madje me frikë!

Një gjë ndërkaq është më se e vërtetë. Sot edhe analistët që merren me studimin e çështjes shqiptare dhe ballka nike guxojnë të thonë se “një komb i ri po lind”. Kjo dëshmon se, brenda strukturës së këtyre grupimeve shqiptare, sot nxisin, kontribuojnë dhe lobojnë edhe një numër i caktuar i të huajve.

Le t’i përjashtojmë në parim komentet për anën historike, politike dhe padrejtësitë që trashëguam. Le të fokusohemi vetëm në gjendjen e sotme. Kosova sot është një shtet i ri, i cili po ndërtohet në proporcion të zhdrejtë me lëvizjen tonë historike. Dhe me vjen keq qe edhe ne vazhdojmë t’i kontribuojmë ndërtimit të kësaj strukture të përkundërt edhe nga aspekti akademik, në kohën kur prej nesh pritej një kontribut tjetër: ndërtimi i shtetit të Kosovës dhe rilindja shpirtërore e kombit shqiptar. Përkundrazi, po investohet shumë për ndërtimin e një kombi të ri: kombit kosovar.

Por le ta gjykojmë këtë çështje këtu vetëm nga aspekti gjuhësor. Pavarësisht nga mendimet tona për etimologjinë e toponimit Kosovë, bota shkencore emrin e Kosovës e konsideron me etimologji sllave, ndërsa ne bëjmë atë që dhunshëm është bërë nën ish-Jugosllavi. Po e ndërtojmë identitetin tonë të ri (kosovar) mbi një etimologji sllave!

A ka nevojë të mendohemi gjatë se si do të na gjykojnë pasardhësit nesër. Paraardhësit tanë na e lanë mbi kurriz një shtet sllav, ndërsa ne po ju lëmë pasardhësve në ndërdije një identitet me të cilin nuk shquhen saktë se cilët janë!

Për ne tashmë shtrohet nevoja e disku timit të kësaj çështjeje me vetëdije kritike për të djeshmen dhe të sotmen, si dhe me vetëdije historike për të ardhmen. Për fat të keq, diskutimet e gjertashme, përgjithësisht, nuk i kanë kaluar pikëpamje dhe vetëdijet krahi nore.

 

III. 1. Konteksti shqiptaro-sllav i toponimisë

Në toponiminë shqiptare sfidë më vete ka qenë, është dhe do të jetë konflikti shqiptaro-serb. Po bëhen disa shekuj që populli shqiptar dhe ai serb janë në një konflikt të përhershëm: historik, politik, kulturor, fetar, etnopsikologjik dhe madje gjuhësor. Ky konflikt i dy fqinjëve shekullorë ndeshet në disa rrafshe kulturore, në disa pika gjeografike dhe madje në disa shenja kontekstuale. Ndeshen prandaj edhe te ojkonimi Nish (Naissus), e hidronimi Moravë. Ndeshen edhe në Rrafshin e Kosovës, rrëzë Alpeve Shqiptare (një toponim i literaturës evro pi ane për ballka no logjinë), ndërkohë që ky oronim i tra di tës popullore, Bjeshkët e Nemuna, respektivisht përkthimi sllav Prokletie, një referencë tipike për luftën e tyre, vazhdon t’iu qëndrojë mbi kokë, si një e keqe e përhershme edhe për prejardhjen kuptimore të saj.

Më parë se themelet shekullore të kështjellave e faltoreve (kishat, xhamitë, teqetë) dhe përgjithësisht obje ktet e kultit, më parë sesa urat, përmendoret, reliktet e vjetra, mozaikët e muranave, si dhe shpellat e legjendat e tyre, konflikti është ndërtuar mbi emërtimin e tyre. Ky konflikt shkon e sforcohet mbi emërtimin e moçëm dhe shpjegimin më parë popullor se sa shkencor të tyre.

Kërkimet e gjertashme shkencore në fushë të toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontekst të kufijve historikë, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën më të saktë të lëvizjes së kulturave gjuhësore, etnografike e historike, si shenjat më përmbajtësore të identifikuara historikisht nga literatura greke e romake dhe nga mbetjet arkeologjike, të cilat vazhdojnë të nxjerrin krye edhe në ditët e sotme[5].

III. 2. Ndeshja: struktura e toponimisë

E parë si makrostrukturë socio-gjuhësore dhe historike, toponimia e Kosovës dhe Dardanisë përbëhet nga tri paradigma: etnike, e motivuar dhe në kontekst; ndërsa e definuar si mikrostrukturë (përgjithësisht e thelluar gjuhë sore), kjo toponimi përfshin një areal më të gjerë (historik dhe gjuhësor) dhe një numër të rëndësishëm shtresash gjuhësore mbi të cilat është strukturuar etimologjia e saj. Pra, në fondin e përgjithshëm të toponimisë së Kosovës, dhe më gjerë Dardanisë, në dy shekujt e fundit, si rezultat i ndërtimit të koncepteve nacionalromantike janë përplasur dy areale gjuhësore, kulturore dhe madje etnopsikolo gjike: ajo shqiptare dhe ajo sllave, në mes të të cilave qëndron dhe një shtresë tjetër: kontekstuale.

Fondi i moçëm i trashëgimisë iliro-shqiptare, si: Llap, Gallap, Ulpianë, Therandë, Dardanë, Sharr, Ven de nis, Bardosanë, Lumbardh, Naissus, Siparant, Margus, Bardarium, Scup etj., është ndeshur me mitin e rikonstruktuar të fondit sllav të toponimisë së mesjetës: Lazarevo, Miloševo, Obili?, Ko sovo Polje, Uroševac e Gje neral Jankovi?, për të cilin, veç ‘dëshmive’ të romantizmit serb mbi luftën mesjetare të Kosovës, sipas burimeve ekstrashkencore serbe është edhe një këngë që ’dëshmon të vërtetën’ e tyre.

Derisa fondi i moçëm i toponimisë shqiptare ubifikohet me shkrime dhe harta të antikitetit greko-romak, fondi serb i mesjetës në Kosovë shtresohet mbi toponiminë e leksikut iliro-shqiptar, roman, sasë a turk të vendbanimeve të kolonizuara me serbë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Kroacia[6]. Dhe më tej, derisa fondi i toponimisë iliro-shqiptare homogjenizon konceptet postroma ntike të shqiptarëve në interes të ruajtjes së trojeve etnografike dhe monumenteve më të lashta materiale dhe shpirtërore të tyre; fondi sllav i rindërtimit të këtyre monumenteve në Kosovë, nuk ishte gjë tjetër veç një relikt i romantizmit serb, i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ai është vetëm vazhdim i një përpjekjeje të hershme që kisha serbe, duke shfrytëzuar autonominë e saj gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane, ka ndërmarrë për mbishtresimin e toponimisë vendore me toponime të prejardhura sllave.

Fondi sllav i këtyre toponimeve me karakter identifikues për etnikumin e tyre ka qenë referenca më tipike e nismës së luftërave të reja shqiptaro-serbe dhe ballkanike, ai ka qenë referencë e homogjenizimit etnik, ndërsa fondi shqiptar i këtyre toponimeve ka qenë referencë e identifikimit të autoktonisë së tyre dhe vlerave etno-historike të kulturës së lashtë gjuhësore. Toponimet monumentale serbe përgjithësisht kanë qenë shenja të kufijve nacionalë, sipas të cilave pushtetet serbe kanë krijuar slloganin „Deri atje ku gjendet një varr serb (e kjo do të thotë një mikrotoponim që identifikon atë varr) atje është Serbia“[7], ndërsa toponimet monumentale shqiptare janë identifikuar si trashëgimi kombëtare pa pretendimin që ato të identifikohen njëkohësisht edhe me kufijtë shtetërorë dhe politikë të tyre.

III. 3. Struktura shumështresore e toponimisë së Kosovës

Një strukturë sa komplekse po aq edhe interesante për kërkimet interdisiplinare përbën shtresa linguistike, e kjo do të thotë shtresa shumëkulturore dhe etnolinguistike e toponimeve, hidronimeve dhe ojkonimeve të Kosovës, përkatësisht Dardanisë antike:

a. Onomastika ilire-shqiptare: Ulpianë, Qafa e Prushit, Gallap, Sharr, Drin etj. Tek një shtresë e vonshme në Kosovë ruhet edhe një sistem i pasur i emërtimeve të vendbanimeve me bazë tek emrat e vëllazërive a fiseve të ndryshme: Isnikaj (Deçan), Shkrel(Pejë), Gjergjicë e Stakaj (Drenas), Kopiliq i Epërm e Kopoliq i Poshtëm, Dashevc, Dashec e  Baks (Skënderaj), Balaj, Burrnik (Ferizaj), Palabardh, Bardhaniq, Fshaj. (Gjakovë) etj.

b. Toponimia me bazë nga tradita greko-bizantine: Gllogjan (Deçan), Mavriq, Mihaliq e Pantinë (Vushtrri), Manastirc, Papaz e Softaj (Ferizaj), Kolludra e Madhe (Zubin Potok), Tërpezë (Viti), Torinë (Lypian), Mojstir, Syne (Istog), Likoshan, Vasilevë (Drenas),Likoc (Skënderaj) etj.

c.  Toponimia serbe e Kosovës: Suharekë, Rahovec, Bistricë, Sitnicë, Novosellë etj.

d. Emërvendet me prejardhje orientale: Azizi (emri i vjetër i Milloshevës së Obiliqit), Hani i Elezit, Ballaban e Hajvali (Prishtinë), Karaçicë (Shtimje), Hamidi (Obiliq), Hatmaxha (Prizren), Qerim (Gjakovë) etj.

e.  Emërvendet me prejardhje latino-romane: Makresh (Gjilan), Rimanishtë (Podujevë), Beçuk (Vushtrri), Vllahi (Mitrovicë), Sibofc (Obiliq), Llukar (Prishtinë), Banullë e Magure (Lipjan), Turiçec, Magure, Mikushnicë (Skënderaj), Llajshec (Prishtinë), Llashticë(Gjilan), Llashkadrenoc (Malishevë) etj.

f.   Emërvende me prejardhje nga fisi gjerman i sasëve: Shashkoc (Prishtinë), Shashkoc (Podujevë),  Sazli (Ferizaj), Shashar (Viti)  etj[8].

Gjithë këtë pasuri gjuhësore, kulturore dhe historike, Kosova do t’ia falë një ditë Evropës së re. Kjo është simotra etno-kulturore e antikitetit europian, një freskë shpirtërore e temave universale të shkrimtarëve të vjetër grekë e romakë, të cilën populli shqiptar e ka ruajtur brenda traditës së tij mijëvjeçare. Kjo ndërkaq, mund të hapë, njëkohësisht, edhe dilemën e përkatësisë shpirtërore të temave të këtyre veprave.
III. 4. Konteksti

Një fond më vete përbën toponimia me paradigmë kontekstuale dhe e rimotivuar ndër shekuj, ku për një kohë, në emërtimin e disa vendbanimeve kisha serbe kishte rol të theksuar, ndërsa në kohën tonë kjo veçori ndërtohet edhe mbi paradigma të tjera, si: faktorët natyrorë (pozita gjeografike, përbërja gjeologjike e vendbanimit, prania e rrjedhave ujore etj.), prejardhja patroni mi ke, historia bashkëkohore etj. Shembuj të shumtë dëshmojnë për rimotivimin dhe riemërtimin e vendbanimeve shqiptare gjatë fillimit të shekullit XX nga administrata serbe në kontekst të koncepteve të tyre mitike, politike, historike, kulturore, gjuhësore dhe madje ushtarake. Bie fjala, emri i fshatit Livragonë me origjinë greke, nga administrata serbe u rimotivua dhe u rindërtua si Vragoli. Kjo krijon dyshimin e bazuar se kështu ishte vepruar edhe më parë me ojkonimet Vu?itrn nga Vi cianum, Lipljane nga Lypenon, etj[9]. Në këtë rrjedhë kërkimesh identifikohen edhe një varg mikrotoponimesh, hidronimesh e ojkonimesh të tjera me rëndësi për standardizimin e toponimisë së Kosovës. Bie fjala, pranë emrit të lumit me etimologji sllave Bistricë kontekstualisht e gjejmë fshatin Lumbardh dhe hidronimin Krojet e Bardha. Pranë objekteve me të cilat në shkallë ndërkombëtare identifikohen sot jo vetëm serbët, por edhe tradita shtetërore dhe kulturore e tyre në Kosovë (kryesisht manastiret) ne gjejmë një traditë të hershme të popullsisë shqiptare të lidhur kryesisht me burime të caktuara, të cilat identifikohen si hidronime: Pusi Manastirit t’Dragancit, Kroni Manastirit etj., në të cilët vazhdojnë të kryhen rite të vjetra, (kryesisht) besëtytnie: për shërimin e syve, plleshmërinë e grave, mbrojtjen e fëmijëve etj. Pra, nuk është fjala për tërësinë e toponimisë së Kosovës, fjala është për ojkonimet, hidronimet e oronimet, në emër të të cilave janë kryer një varg veprimesh politike, kulturore, gjuhësore, historike dhe madje ushtarake në Kosovë dhe në rajon gjatë dy shekujve të fundit.

Prandaj, kërkesa e popullit shqiptar në Kosovë në fund të shekullit XX, që disa toponime (kryesisht ojkonime) të ktheheshin në gjendjen e mëparshme ose të rimotivoheshin e standardizoheshin në kontekst të gjuhës, kulturës dhe historisë dhe traditës vendore, nuk ka të bëjë me një lëvizje ultranacionale, përkundrazi, fjala është për një përpjekje të banorëve të këtij vendi për të mënjanuar ato shenja, të cilat historikisht janë bërë sinonim i së keqes, që kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë proceset kulturore dhe qytetëruese në rajon, që vazhdojnë të bëhen pengesë e ndërlidhjes europiane të këtij rajoni, në të vërtetë, që më parë se të kryejnë funksion thjesht linguistik të tyre, që në vend se çdo njësi gjuhësore të kuptohet si njësi kulturore[10] siç do të thoshte Çabej, ato janë bërë referenca përmes të të cilave gjykohet historia dhe sidomos e ardhmja e këtyre popujve.

III. 5. Standardizimi i toponimisë dhe gjuha

Le ta shikojmë këtë çështje në kontekst të standardit të gjuhës. Po të rindërtohej mendimi i studiuesit Dubois për gjuhën standarde, atëherë përpjekja jonë do të mund të përkufizohej “si një formë e gjuhës standarde, ku në një vend të caktuar (këtë herë në Kosovë) përtej varianteve lokale ose shoqërore (në rastin tonë përtej variacioneve lokale, multigjuhësore dhe kulturore), toponimia impono het në shkallën që të përdoret në mënyrë të zakonshme, si mjeti më i mirë i komunikimit. Gjuha standarde anon drejt shuarjes së shmangieve duke imponuar një formë të vetme ndër të gjitha format dialektore”[11], në rastin tonë madje format dialektore, gjuhësore dhe historike të tyre. Në fushën e standardit, ta quajmë kushtimisht të përvojës gjermane[12], kishim parasysh besoj së paku dy elemente të rëndësishme: legjitimimin historik (te i cili, mbase, më shumë se karakterin gjuhësor, kërkonim mbështetjen politike), realizimin gojor dhe atë të shkruar, të cilat nga aspekti pragmatik, mbështesin më së miri ndërmarrjen tonë për standardizimin e emërvendeve të Kosovës.

Projekti ynë do të kuptohej më së drejti me përkufi zi min që Lewandowski i ka bërë standardit të gjuhës gjermane “si gjuhë e komunikimit mbiregjional, që ka legji ti mitet historik dhe që atë legjitimitet e ka të institu cio nalizuar, që ka për funksion komunikimin për tërë bashkësinë folëse, që ka norma gojore dhe të shkruara të vendosura përmes traditës, që mësohet në shkolla, e të tjera”[13]. Në këtë rrjedhë mund të thuhet se toponimia e standardizuar e Kosovës, e nxitur dhe e ndërtuar mbi një strukturë shumështresore gjuhësore dhe jogjuhësore, siç do të thoshte studiuesi Rexhep Ismajli, “nuk përputhet domosdo me gjuhën letrare, as me gjuhën letrare kombëtare”[14], por ajo, domosdo edhe në këtë rasë, mund të konsiderohet denjësisht e përfshirë brenda strukturës shumë homogjene të onomastikës shqiptare.

III. 6. Standardizimi i toponimisë - goditja më e fuqishme mitit serb për Kosovën

Përpjekjet e pasluftës se Kosovës për të standardizuar toponiminë, për të rikthyer gjendjen e mëparshme apo për të legjitimuar trajtën tradicionale të saj, janë synime të bartësve të tyre për ta çliruar hartën e Kosovës nga mitet serbe, një mjet bazë me të cilin populli serb dhe institucionet e tij shtetërore, kulturore e shpirtërore e kanë sulmuar Kosovën. Dhe është e kuptueshme prandaj, pse serbët  me këtë akt janë ndier të sulmuar nga shkenca dhe kultura shqiptare. Studiuesit thonë se “kur sulmohet një nga mitet e një komuniteti, komuniteti në fjalë do ta ndjejë veten të sulmuar, do ta shohë atë si sulm ndaj themeleve të tij, që vë në pikëpyetje ekzistencën e tij”. (Përpjekja, 9) Në këtë rast, shkenca shqiptare politikën serbe ndaj Kosovës e ka sulmuar në thelbin e saj. Toponimet serbe të ndërtuara mbi mitet reflektojnë përpjekjet shfarosëse, të cilat edhe më tej gjenerojnë rreziqe të vazhdueshme për banorët e këtij rajoni dhe më gjerë, dhe është e kuptueshme prandaj pse eliminimi i tyre është mënjanim i rreziqeve të vazhdueshme, ndërsa ndërrimi i tyre ose kthimi në gjendjen fillestare paraqet mbylljen e fundme të këtyre burimeve që shkaktojnë kriza të përhershme.

Toponimet serbe të ndërtuara mbi mitin e Luftës së Kosovës (1389) kanë qenë shenjat më agresive përmes së cilave ideologjia serbe e shekullit XIX dhe institucionet shtetërore, kulturore e shpirtërore serbe të shekullit XX, e kanë funksionalizuar  atë. Nëse Beteja e Kosovës, në fillim të Lëvizjes romantike serbe të gjysmës së parë të shekullit XIX, ishte një konstruksion që i shërbente një miti, pas vendosjes së këtyre toponimeve në Kosovë, miti serb i kësaj beteje, mori të gjitha konstruksionet e një miti nacional në shërbim të një agresioni të vazhdueshëm dhe antihistorik ndaj shqiptarëve. Sikur ndodh gjithmonë me mitet, edhe në këtë rast, ky ishte miti i përvojës kolektive serbe, prandaj duke mënjanuar këtë sistem toponimik Këshilli Shkencor për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës[15] ka  kryer një akt të shumëfishtë: ka çmitizuar njërin prej miteve më të rëndësishme të serbëve si kolektivitet, dhe i ka çliruar ata si kolektivitet nga prangat më iracionale të qindvjetëshit të fundit.

Mitet serbe përgjithësisht dhe miti i Luftës së Kosovës veçanërisht e kanë legjitimuar dhunën serbe në Kosovë. A do të arrijnë serbët që tërësinë e miteve të veta ta rrudhin brenda kompleksit të shoqërisë së sotme bashkëkohore, në interes të zgjedhjes jo vetëm të çështjes kombëtare serbe, por edhe të çështjeve kombëtare të të tjerëve në Ballkan?

 Nuk e di!

E di, ndërkaq se me këtë veprim Komisioni ka kryer një akt human në ndihmë lëvizjes së këtij procesi demitizues, në interes të përgjithshëm të serbëve si kolektivitet i mitizuar deri në iracionalitet dhe në interes të kolektiviteteve të tjera të Ballkanit[16].

 

IV. 1. Antroponimia - një luftë tjetër për Kosovën dhe identitetin shqiptar

Zakonisht, në historinë e njerëzimit, luftërat gjithherë kanë shkaktuar ndryshime të mëdha historike, kulturore, gjuhësore e etnografike të një populli a të një rajoni të caktuar. Ndryshime të mëdha në rirreshtimin e shumë shteteve me ndikim në rajon dhe të koncepteve të tyre me përmasa ndërkombëtare, ka bërë edhe lufta e Kosovës (1997-1999). Ajo ka sjellë ndryshime të thella në historinë e Kosovës, në aspektin e zhvillimeve të brendsh me të saj, dhe përgjithësisht ka sjellë një rrjedhë tjetër të zhvillimeve qytetë ruese në rajon. Ky realitet sot shihet edhe në fushë të toponimisë, e cila ka qenë pengu më i madh i këtij qytetërimi për disa shekuj me radhë[17].

Toponimia e Kosovës ishte një prej elementeve kulturore e shpirtërore, e cila menjëherë pas përfundimit të Luftës së UÇK-së (1997-1999) u sforcua si nevojë për rishikim që kërkonte qasje profesionale nga studiues e institucione shkencore.

Është dashur të lindte një institucion, sikur ishte UÇK-ja, që ta projektonte të kaluarën si një vijimësi të pashkëputshme të Lëvizjes Kombëtare, të asaj fryme që përcaktoi parimet 500-vjeçare të programeve kombëtare dhe rrjedhojave të tyre: që nga Kuvendi i Lezhës e deri te Lidhja e Prizrenit, apo që nga Kryengritjet për Pavarësi të fillimit të shekullit XX, deri te Lufta e UÇK-së. Pra, tërë ky proces i gjatë kishte edhe  referencat e tij historike: Luftën e Skënderbeut, si kryengritje nacionale e si reflektim në procesin e civilizimit evropian të kohës dhe luftën e UÇK-së, në fund të shekullit XX, që  reflektoi përmasën universale të lirisë dhe trokitjen e saj në ndërgjegjen e diplomacisë euro-amerikane. Në këtë mënyrë ajo rindërtoi filozofinë politike të asaj tradite luftarake, e cila gërshetohej prej përbërësve themelorë të mendimit politik të Lëvizjes Kombëtare, prej pritjes që po i bëhej asaj në kancelaritë evropiane dhe prej përkrahjes historike që kishte marrë dikur, e priste të merrte edhe më tej nga diplomacia amerikane.

Themeluesit dhe bartësit e saj kishin mësuar prej historisë, se në fillim të shekullit XX politika dhe diplomacia amerikane e drejtuar nga Presidenti Wilson, duke mbrojtur Lëvizjen kryengritëse antiosmane dhe duke përkrahur Lëvizjen Kombëtare proevropiane, me votën e tij kishte ndihmuar popullin shqiptar për të shpëtuar nga rreziku që i vinte nga fqinjët. Prandaj, ata besonin se dora e fuqishme e Amerikës që në fillim të shekullit XX rrezatonte parimet e demokracisë universale, në fund të këtij shekulli do të dilte me përkushtimin e fjalës edhe të forcës, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë edhe të popullit të Kosovës.

Gjatë tërë shekullit të kaluar, këto përpjekje mbinjerëzore kaluan nëpër periudha të rënda shpeshherë edhe të vetmisë së madhe. Por dy skajet e shekullit u përshkuan me dy pikëtakime me peshë të jashtëzakonshme. Prej presidentit Wilson (emrin e të cilit e mbajnë shumë fëmijë të Kosovës) në fillim të shekullit XX e deri tek presidenti Bill Clinton në fund të tij (me patronimin e të cilit u pagëzua Klinton (Naim) Mehaj (Tomaj - Burim, ditën kur presidenti Amerikan vizitori Kosovën në vitin 1999), përpjekjet për lirinë e trojeve shqiptare nuk reshtën asnjëherë. Brenda kësaj filozofie ka funksionuar edhe struktura e antroponimisë së kohës.

IV. 2. Paradigma toponimike e antroponimeve

Bazat e një sistemi onomastik me burim nga motivet e historisë bashkëkohore i ka ndjekur si toponi mia, ashtu edhe antroponimia, të cilat si motiv kanë burimet denomi nuese të kohës, sigurisht për shkak se toponimet dhe antropo nimet e tilla zgjojnë ndjenjat e përkatësisë kombëtare[18]. Është e kuptue shme prandaj pse, ndryshe nga përvoja e shënuar në luftërat e tjera shumësheku llore, gjatë gjithë kësaj kohe të fundit ka pasur më shumë emra abstraktë (gjithnjë të motivuar në nomenklaturën gjuhë­sore dhe semantike të shqipes), sesa emra të karakterit historik. Në Kosovë kanë vazhduar të krijohen toponime të reja kryesisht me karakter historik. Edhe në këtë rast, siç do të shprehej studiuesi Igor Gostl “fusha semantike e toponi me ve është shumështresore: në të reflektohet, ndër të tjera, varësia politike, përkatësia etnike, vazhdimësia e popu llzi mit. Me një fjalë, ato shprehin realitetin ekzistues gjeogra fik, politik ose etnik. Kështu, toponomastika merr jo vetëm nuanca kuptimore, profe sionale, shkenco re por edhe politike e gjeopolitike”[19].

Toponimet dhe oronimet e vjetra në Kosovë, nga karakteri etnografik brenda ditës morën karakter politik e historik, si ojkonimet: Likoshan, Prekaz, Lugina e Leshanit, Gllogjan, Junik, Koshare etj; emrat e krahinave shpesh të harruara, si rezultat i ndryshi­meve shoqërore: Drenicë, Rrafshi i Dukagjinit, Llap, Reka e Keqe, Rugovë etj., brenda kësaj kohe u rikujtuan dhe u bënë pjesë e historisë sonë të re.

Në dhjetë vjetët e fundit kemi qenë dëshmitarë të prirjes së formimit paralel të toponimeve dhe antroponimeve me motive nga zhvillimet e përditshme në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Në Kosovë, gjatë këtyre viteve, shumë toponime janë bërë shembull i krenarisë dhe pjesë e identitetit tonë kulturor, shoqëror dhe horizonti më i lartë i vetëdijes sonë historike. Një dekadë më parë toponimi Fusha e Lotëve gjatë Aksionit të Pajtimeve të Gjaqeve, u emërtua Fusha e Pajtimit. Toponimi me motiv legjendar Qafa e Krushqve të Ngrirë, u emërtua Qafa e Krushqve t’Pajtimit. Po krijoheshin toponi me të reja, të cilat, në mënyrën e tyre po e bënin historinë e re të Kosovës. Kështu janë krijuar edhe toponimet e tjera në këtë temë: Lugina e Pajtimit, Livadhi i Pajtimit, Fusha e Pajtimit dhe antroponimet Pajtim e Pajtime. Gjatë kësaj kohe shpesh do të dëgjojmë dhe shpesh do të lexojmë edhe toponi met e tipit: Lëndina e Dëshmo rëve, Fusha e Dëshmorëve, Kodra e Dëshmo rëve të Kombit (Gjilan), Varret e Dëshmorëve (Kukës, Shqipëri), Parku i Dëshmorëve të Kombit (Sharr) etj.

Është e kuptueshme prandaj, pse edhe onomastika në përgjithësi dhe antroponimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Shekuj me radhë shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti, kanë vazhduar të luftojnë për lirinë e tyre për shumë vjet dhe fëmijët e tyre kanë vazhduar t’i pagëzojnë me motive të kësaj qëndrese, të kësaj lufte, të çasteve të krenarisë kombëtare, me emrat e luftëtarëve të kohës etj.

Motivet kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk ka dalë jashtë veçorive të trashëguara që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por kurrsesi e dalë jashtë paradigmës denominuese të saj. Fjala është për emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë çlirimtare, krenari historike; emrat e fëmijëve që tregojnë besim në të ardhmen; emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe; tipi i emrave të traditës dhe besëtytnive, tipi i emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët, tipi i emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj.

Le të shohim këtu vetëm motivet denominuese antropo nimike që kanë mbuluar të gjitha antropo nimet e fëmijëve të lindur pas fillimit të luftës në Kosovë, dhe sidomos pas dëbimit të shqiptarëve në Maqedoni, Shqipëri, Evropë, Amerikë etj[20].

Në një regjistër të hartuar nga Shoqata “Nëna Tereze” në Dardani të Prishtinës, prej pesëqind e një emrash të fëmijëve të lindur gjatë vitit 1999, kanë dalë vetëm katër emra të paradigmës fetare: Elmedina (tri herë), Xheneta (tri herë, të kujtojmë se emri i saj nuk ka gjithnjë konotacion fetar, sepse është e mundur që prindi të ketë marrë si bazë emërtuese emrin e këngëtares Xhenet Xhekson –BB), Elfati dhe Medina nga një herë. Emrat më të shpeshtë në këtë regjistër, pjesa më e madhe e të cilëve kishte lindur jashtë Kosovës ose jashtë shtëpisë së prindërve të tyre, kishin të bënin para së gjithash me motivet aktuale të lëvizjes historike të shqiptarëve dhe lëvizjes për çlirimin e Kosovës: Flamur, Urim, Albulenë, Çlirim, Lumbardh, Laberion, Toskë, Furtunë, Albion, Arbias, Molos, Qëndresë, Arbërie, si trinom familjar: Qëndresa, Qëndrim e Çlirim, pastaj Granit, Kastriot, Ejona[21], Leutrim, Çlirimtare, Trim, Lirije, Liridon, Kosovare, Arbër; binomi: Qëndresa e Qëndron, pastaj Shpresim, Fitim, Çlirimtar, Delvina, Flaka, Skordion, Lindita, Fitore, Yll, Vatër, Lirim, Atdhe, Festa, Jon, Andrra, Gramoz, Shota, Shqipton, Shreson, Shpat, Etnik etj.

Në traditën popullore, edhe më parë ka ndodhur që fëmijët të trashëgojnë emrin e babait, të gjyshit, të xhaxhait ose të një anëtari të familjes, por më shpesh të vëllait ose të motrës së vdekur gjatë ose pas lindjes. Kjo traditë është bartur më pak ose më shumë edhe gjatë viteve kur shumë motra, vëllezër e prindër ranë në demonstrata të viteve 1981-1999[22]. Të këtyre motiveve janë edhe emërtimet e fundit, por kjo dukuri është theksuar mjaft, sidomos në rastet kur babai i të lindurit ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bashkim, Nuhi Ramiz, Halim, Driton, Ismet, Haki etj[23]. Në antroponiminë e Kosovës një sistem të veçantë paraqet Familja Jasharaj, fëmijët e të cilëve (Adem, Shaban, Zahide etj.), vazhdojnë edhe më tej të pagëzohen me emrat e të gjithë pjesëtarëve të vrarë nga sistemi ushtarak e policor i Serbisë millosheviste.

Mund të thuhet se me fillimin e liberalizimit të politi kës jugosllave, diku nga viti 1966 e këndej, në Kosovë, por fatkeqësisht jo edhe në Maqedoni e më gjerë në ish-Jugosllavi, fëmijëve filluan t’u vinin emra që tregonin jo vetëm motivin historik, e që kryesisht kishin të bënin me bartjen e emrave historikë (heronj, shkrimtarë e madje edhe emra të personazheve të veprave të tyre, piktorë etj.), por edhe me emra nga leksiku i gjuhës shqipe, që tregonin veçori të lëvizjes sonë të përgjithshme kulturore, historike dhe çlirimtare. Gjatë luftës së fundit, paradigma të tilla kanë dominuar shumë edhe në gjithë hapësirën kombëtare nga kanë lëvizur të përndjekurit dhe të dëbuarit e Kosovës, por kjo paradigmë do të dominojë sidomos për atë popullatë që do të mbetet në lëvizje të përditshme brenda kufirit të Kosovës: Çlirim, Qëndresë, Yllka, Leutrim, Herolinda, Qëndrim, binjakët Pëllumb e Çelik, Dardan, Qëndrim, Malësore, Kosovare, Çlirim, Drilon, trinom historik Drilon, Teutë, Taulant[24].

Pa dashur të merremi me krahasime të veçanta, këtu mund të them se, janë të pakta rastet kur një popull ballafaqohet, qoftë edhe për lirinë e tij, me të gjitha elementet e mundshme kulturore, mendore, ushtarake etj., madje në shkallën më masive, sikur veproi populli shqiptar. Identifikimi i idealeve të tij edhe përmes emrave të pasardhësve, besoj, është shembulli më i mirë i gjetur te shqiptarët e Kosovës. Në pasqyrën e emërtimit të fëmijëve, që nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë, e mbase edhe më parë, mund të gjenden emra që për paradigmë kanë idealet prindërore, familjare dhe shoqërore të familjes kosovare, por, sidomos pas vitit 1966, kur ndihet një liberalizim më i theksuar shoqëror, paradi gma e idealeve të tyre si bazë për t’u vënë emrat fëmijëve shtohet dhe zgjerohet shumë, për të mos thënë bëhet vlerë kryesore.

Një amzë e të regjistruarve në Shoqatën humanitare “Nëna Terezë”, në Prishtinë, në vitin 1999, më sillte një bazë paradi gma tike të fëmijëve me emra kombëtarisht të motivuar deri në 95%. Le të theksojmë se të gjithë fëmijët e regjistruar në këtë Fletore i përkasin zonës rurale të Kosovës.  Në këtë kohë, pra, në ditët më të stuhishme të luftës dhe të qëndresës popullore, shfaqen edhe emra tipikë të motivuar nga paradigma e besimit në të ardhmen, dashuria për jetën, lirinë, dashurinë etj: Rilind, Lirim, Jetëlira, Çlirim, Pranvera, Rinor, Krijona, Liridon, Agon, Endrit, Fitore etj[25].  Në pasqyrën e këtyre emrave janë shënuar edhe emra tipikë, që shënjojnë motivin denomi nues të emërtimit të fëmijëve me emra që reflektojnë veçanti kohe dhe madje momenti e vendi: Malsor, Çlirim, Flaka, Beteja, Lirije, Liridon, Qëndrim e Mërgim etj[26], por nuk mungojnë as emërtimet e fëmijëve sipas traditës dhe besëtytnisë, po është me interes të shihet edhe një ndërlidhje mes tradicionales dhe të sotmes: Vanesa, Shkurta, Fillim, Enis, Enisa etj[27].

Me këtë tip të emrave familjet e përndjekura nga Kosova i kanë nderuar edhe vëllezërit e tyre shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, si edhe ata të huaj, të cilët kanë ndihmuar luftën, përpjekjen tonë për liri, refugjatët e ndodhur në shumë vendstrehime të botës etj. Tridhjetë vjetët e fundit, fondi i emrave të fëmijëve të Kosovës, që për paradigmë denominuese ka pasur emrat e motivuar nga qytetet, fshatrat, malet, lumenjtë etj. të Shqipërisë ka qenë i madh, për të mos thënë dominues në pasqyrën e përgjithshme të emërtimeve. Mund të thuhet se janë të pakta familjet që nuk e kanë emërtuar së paku një fëmijë me bazë denominimi me një onoma nga Shqipëria. Nuk ishte e rastit kjo. Në Kosovë gjenden shumë familje që brenda tyre kanë krijuar një sistem të tërë emrash të qyteteve: Shkodran, Berat, Labinot, Elbasan, Tirana, Vlora, Gjirokastra; të maleve: Dajt, por edhe Pushkëdajt, Tomor, Shkëlzen etj; të lumenjve: Drin e Drilon, Shkumbin, Vjosa etj[28]. Ashtu siç kanë nderuar familjen, shoqërinë, Kosovën, luftën çlirimtare dhe Shqipërinë, familjet nga Kosova, me emrat e fëmijëve të tyre kanë nderuar edhe ata, që kanë ardhur nga vendet më të largëta të botës, duke i marrë emrat e tyre si relikte historike, apo emrat vendeve ku kanë lindur[29].

V. Përfundime

Toponimia dhe antroponimia edhe më shumë se dy shekuj vazhdojnë të mbeten referenca historike dhe madje paradigmatike të vlerësimit të së kaluarës sonë dhe sidomos të së ardhmes së hapësirës shqiptare. Kosova, njëra prej pjesëve të kësaj hapësire, madje vazhdon të mbahet ende peng pikërisht i kësaj trashëgimie të  rrëgjuar. Sikur të mos mjaftonte gjendja aspak favorizuese e toponimisë në konsolidimin e hartës etno-historike dhe gjuhësore të hapësirës shqiptare, në kohën kur popujt fqinjë e bëjnë të pamundurën për të ruajtur vlerat gjuhësore, kulturore, psikologjike dhe etno-hisotike, mbështetur madje edhe nga mitet romantike të tyre, shpërbërësit e kujtesës dhe identitetit kombëtar, ka kohë që po përpiqen t’ia shtojmë edhe një identitet të ri: identitetin kosovar!

Klasës politike dhe intelektuale shqiptare, pa pasur nevojë të merret me teorizime, do t’i mjaftonte mbështetja në paradigmën etno-psikologjike dhe kulturore të popullit të saj dhe sidomos të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi, për të kuptuar se asnjë prej përbërësve etno-historikë, duke përfshirë këtu edhe toponiminë dhe antroponiminë, nuk përbëjnë referencë kulturore, gjuhësore apo historike, për t’u mbështetur identiteti i ri, i ashtuquajturi identitet kosovar. Përkundrazi, shqiptarët, përkatësisht institucionet e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, prej shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, kurrë nuk e kanë pasur mbështetjen më të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare se sa në fund të shekullit XX, për të realizuar referencat historike të hartës gjuhësore dhe historike të hapësirës shqiptare, brenda kufijve etnografikë të saj, siç shprehej në fillim të viteve ‘30 të shekullit XX, diplomati nga Prishtina, Profesor Mehmet Vokshi[30].  Kosova tashmë ka bërë hapin e saj të parë.

Brenda dekadës së fundit, që me të drejtë quhet edhe periudhë historike, në Kosovë, krahas ndryshimeve të mëdha është përmbushur edhe koncepti i njohur që më parë: gjuhët ndryshojnë kur ndryshojnë shoqëritë[31]. Në Kosovë ndërkaq, ka ndryshuar jo vetëm shoqëria, por edhe koncepti mbi të. Ka ndryshuar prandaj edhe toponimia e saj. Në të vërtetë ajo vetëm ka plotësuar përbërësin kombëtar mjaft homogjen: antroponiminë.

Mbi këto parime Komisioni Qendror për Standardizimin e Toponi misë së Kosovës ka përfunduar punën e tij në kërki min, vlerësimin dhe standardizimin e emërvendeve të Kosovës. Puna e këtij nuk ka qenë as pa vështirësi dhe as pa përgjegjësi. Komisioni ishte i vetëdijshëm se më shumë sesa karakter shkencor, ai kishte përgjegjësi të karakterit kulturor e kombëtar, e pse jo edhe politik dhe historik.

 

 

 

 

L i t e r a t u r a 


·        Baliu, Begzad, Akti i fundit i punës në standardi zimin e toponimisë së Kosovës, «Gazeta e re», 19 prill 2001, Prishtinë, f. 18; Shih edhe artikujt Projekt shkencor me karakter historik, «Pasqyra», 31 mars 2000, f. 16; Ndihmesë diskutimit për standardi zi­min e emërvendeve të Kosovës, «Pasqyra», 5 mars 2000, f. 15-32 etj.

·  Baliu, Begzad, Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, «Era», Prishtinë, 2004

·  Baliu, Begzad, Jo ndryshim i emërvendeve të Kosovës, por standardizim i tyre, «Gjuha jonë», Akademia e Shkencave e Shqipërisë - Instituti i Gjuhësisë dhe Histo r i së, Tiranë, nr. 1-2/2000, f. 71-80.

·  Baumgartner, Emmanuele - Menard, Philippe, Dictionaire etymologique et historique de la lingue franqaise, Paris, 1996

·  Bellusci, Antonio, Ricerche e studi tra gli arberori dell’ellade – Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës, (Da Radici arbereshe in Italia a matrici arberore in Grecia –Testi e dokumenti), Cosenza, 1994

·  Çabej, Eqrem, Njësia gjuhësore pasqyron një njësi kulturore, «Fjala», nr. 19, Prishtinë, 1979, f. 7.

·  Çabej, Eqrem, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Tiranë, 1974

·  Carrabregu, Muharrem, Gjeo dhe hartolinguistika (Hartografia II), Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Botoi Enti i Teksteve dhe  Mejeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë 1980, f. 86.

·  Doçi, Rexhep, Përgjigje zërit të profesionit, «Zëri», Prishtinë, 15-21 mars 2003, f. 20.

·  Gashi, Skënder, «Standa r di zimi» i toponimisë së Kosovës, çfarë është ai?, i botuar në të përditshmen «Zëri», 21. I. 2003 – 24. I. 2003, Prishtinë

·  Gostl, Igor, “Egzonimia historike (Kontribut qasjes teorike)”, Gjurmi me albanologjike – seria e shkencave filo logjike, nr. 17-1987, Instituti Albano logjik i Prishtinës, Prishtinë 1988, f. 85-86.

·  Grup autorësh, Fjalor i fjalëve të huaja, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1988

·  Grup autorësh, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980

·  Grup autorësh, Puka dhe shkolla, (Sesioni i parë shkencor për toponimet, Kabash, 21 maj 1977), Pukë, 1977

·  Hoad, T. F., English etymology, Oxford - New York, 1996

·  Ismajli, Rexhep, “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”, «Dukagjini», Pejë, 1998

·  Kristal, Dejvid, Enciklopedijski reçnik moderne lingvistike (Oxford, 1985), Beograd, 1997; Kembriçka enciklopedija jezika (Cambrigde, 1987), Beograd, 1997

·  Mulaku, Latif, Emra të disa vendbanimeve të Vushtrrisë, «Rilindja», Prishtinë, 25 dhjetor 1999.

·  Onomastika e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1979.

·  Pirraku, Muhamet, Për një kujdes më të madh në shkrimin e emrave të vend b a nimeve, «Rilindja», Prishtinë, 10. 1. 1973, f. 14;

·  Grup autorësh, Regjistri i emërvendeve të Kosovës (Përfundimet e Komisionit Qendror),  Prishtinë, 2004

·  Sejdiu, Shefki, Sprova etimologjike, «Era», Prishtinë, 2002

·  Sesioni shkencor, Gjendja e onomastikës shqiptare në momentin e tanishëm, në «Gjuha shqipe», nr. 1, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1987

·  Sesioni shkencor, Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002.

·  Shefki Sejdiu, “Rreth disa motivimeve denominuese në antropo nimi”, Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike, nr. 21-1991, Instituti Albano logjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, f. 63-64.

·  Simeon, Rikard, Enciklopedijski rjeçnik lingvistiçkih naziva, I, II, Zagreb, 1969.

·  Veselaj, Nuhi, Çështje rreth emërtimit të vendbanimeve në shqipe me theks në emërtimet e propozuara në Kosovë, «Rilindja», Prishtinë, 19 mars 2001, f. 15.

·  Vokshi, Mehmet, Shqipnija e shqiptarëve, Era, Prishtinë, 2001

 

Begzad Baliu

Universiteti i Prishtinës

Fakulteti i Edukimit

e-mail: bbaliu@yahoo.com

tel: +37744173-596



[1] Fjalori, 1980, 437.

[2] Simeon, 1969, 325.

[3] Kristal, 1997, 114.

[4] Një drejtues i Bibliotekës Universitare të Beogradit, duke më njoftuar për ardhjen e një punëtori të ri në Bibliotekën e albanologjisë, në vitin 1985 më thoshte: “Kemi pranuar një punëtor nga Mali i Zi, por ai është malësor e jo cërnogorac!”, me çka më jepte të nënkuptoja se, megjithëse punëtori i bibliotekës ishte nga Mali i Zi, ai nuk ishte me kombësi malazeze, por shqiptare.

[5] Për studimet etno-linguistike dhe sidomos për kërkimet në fushë të toponimisë së Kosovës nga studiuesit shqiptarë dhe serbë, shih referencat e komentuara në librin Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, «Era», Prishtinë, 2004, f. 75-158.

[6] Për vendosjen e kolonëve serbë në Kosovë dhe fushatën e eliminimit të shqiptarëve në forma të ndryshme nga pronat e tyre si dhe shpërnguljen në Turqi, shih veç tjerash veprën e Hakif Bajramit, Rikolonizimi i Kosovës me serbë 1945-1948, “Era”, Prishtinë, 2002.

[7] Që nga mesi i viteve ’80 e deri në fund të vitit 1999, politika zyrtare e Beogradit, institucionet shkencore në krye me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë në të ashtuquajturën Francuska 7, institucionet kishtare të drejtuara nga kryepeshkopi Pavle, partitë opozitare dhe disa nga intelektualë popullistë etj., e kanë shqiptuar dendur dhe gjatë këtë sllogan, i cili, krahas luftës nacionale, çoi në luftë qytetare dhe republikane gjithë popujt e ish- Jugosllavisë.

[8] Baliu, 2000: 71-80. Për parimet e standardizimit të emërvendeve të Kosovës shih edhe Sejdiu, 2002 etj.

[9] Për kontekstin në toponiminë e Kosovës, shih sidomos studimet e Sejdiut, 2002.

[10] Çabej, 1979: 7.

[11] Dubais, et al.: 1973, sipas Ismajlit, 1998, 17.

[12] Bussmann: 1990, sipas Ismajlit, 1998, 17, 18.

[13] Lewandowski: 1976, sipas Ismajlit, 1998, 18.

[14] Ismajli, 1998, 18.

[15] Komisioni për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës: Shkëlzen Raça, (kryetar) Drejtoria per Shkencë e Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës; Shefki Sejdiu, Fakulteti i Filologjisë; Ruzhdi Pllana, Fakulteti i Shkeave Matematiko-Natyrore, Dega e Gjeografisë; Latif Mulaku, pension; Rexhep Doçi, Instituti Albanologjik i Prishtinës; Sabit Uka, pension; Muhamet Pirraku, Instituti Albanologjik i Prishtinës; Tefik Basha, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Dega e Gjeografisë; Ilijaz Rexha, Fakulteti i Filologjisë; Isa Bajçinca, Fakulteti i Filologjisë; Isak Shema, Fakulteti i Filologjisë; Muhamet Shatri, Instituti i Historisë së Kosovës; Mehmet Halimi, Instituti Albanologjik i Prishtinës; Begzad Baliu, Instituti Albanologjik i Prishtinës; Jusuf Osmani, (sekretar) Arkivi i Kosovës.

[16] Baliu, 2001: 18; 2000: 16; 2000: 15-32.

[17] Shih Regjistri: 2004.

[18] Sejdiu, 1992: 63-64.

[19] Gostl, 1987: 85-86.

[20] Pa dashur që të merrem këtu me konceptet mbi të cilat është hartuar projekti i vlerësimit në konferencën shkencore Mbijetesa etnokulturore e të shpërngulu rve nga Kosova 1999, dua të theksoj se, për mendimin tim, jo çdo i lindur jashtë kufijve aktualë të Kosovës, por çdo i lindur jashtë pragut të shtëpisë, që më parë është larguar me dhunë, është i shpërngulur, më saktë, i dëbuar me dhunë përfaqëson mbijetesë etnokulturore. Nisur nga ky parim, në studimin tonë kemi radhitur të gjithë të lindurit jashtë pragut të shtëpisë, duke e vënë theksin veçanërisht tek të lindurit jashtë Kosovës.

[21] Fjala ejona, e kthyer edhe në antroponim e toponim, përdorej nga pjesëtarët e lëvizjes kombëtare duke nënkuptuar Shqipërinë.

[22] Bardha Bardhosh (Bardhosh-emri i gjyshit) Gërvalla mban emrin e babait të vrarë nga sigurimi jugosllav në Gjermani më 1982, ndërsa babai i saj mbante emrin e babait të vetë Bardhoshit, të vrarë ndërmjet dy luftërave botërore, gjatë kolonizimit serbo-malazez në Rrafshin e Dukagjinit. Fahri (Fadil) Fazliu nga Prishtina mbante emrin e xhaxhait Fahri Fazliu, i vrarë në një kundërvënie të armatosur prej policisë serbe më 1989 në Bregun e Diellit - Prishtinë. Mustafë (Mustafë) Veseli nga Theranda mban emrin e babait të vrarë në demonstratat e vitit 1989 në Prishtinë etj.

[23] Bashkim (Bashkim) Berisha, është lindur “në Ofensi vën e Tushiles” (Skënderaj), më parë sesa për vlerë semantike kombëtare të emrit e më parë se sa emrin bashkim (si fjalë), për paradi gmë denominuese ka marrë emrin e babait të vrarë, ushtar i UÇK-së. Nuhi (Nuhi) Geci është lindur në maj të vitit 1999 në Tiranë, tre muaj ka pritur gjetjen e kufomës së babait, luftëtar i UÇK-së në Drenicë, për të verifikuar vdekjen e tij ose jo, dhe për t’i marrë emrin. Ramiz (Ramiz) Bazaj (Tërstenik) është lindur më 1 tetor 1999 dhe mori emrin e babait të vrarë si ushtarë i UÇK-së. Halim (Halim) Bajraktari (Drenas) është lindur më 1999 dhe përtëriu emrin e babait të rënë në luftë, ushtar i UÇK-së. Driton Ahmeti (Likoshan) u pagëzua me emrin e Driton Ahmetit të vrarë në familjen Ahmeti gjatë masakrës së Likoshanit të ndodhur më 28 shkurt –1 mars 1998. Ismet (Shkëlzen) Ramadani, është lindur në pyll, ka marrë emrin e gjyshit të vrarë, sikurse edhe Haki (Muharrem) Ramadani etj.

[24] Çlirim (Ragip) Krasniqi (Carrallukë, Malishevë). Qëndresë (Sabit) Gashi (20. 4. 1998, Vërbovc - Drenas) është emër përku shtimi ndaj Luftës së Likoshanit. Yllka (Naim) Bazaj (Tërste nik) ka lindur në fushën e Tërdefcit, në qershor 1999. Leutrim (Fadil) Dvorani nga Tërsteniku është lindur në maj të vitit 1999 në Malet e Tërstenikut, gjatë kohës kur pesë ditë me radhë u mbajt fronti në mbrojtjen e Urës së Spahisë në Tërstenik. Herolinda (Musli) Krasniqi (Negroc) është vajza e ushtarit të UÇK-së, i vrarë në Malet e Berishës. Qëndrim (Jakë) Bytyçi (Shkozë, Malishevë) është lindur në qershor 1999 në Gjermani. Binjakët Pëllumb e Çelik (Ejup) Thaçi kanë lindur në Malet e Berishës. Antroponimi Çelik, në këtë rast na paraqitet për herë të parë në antroponi minë shqiptare në Kosovë dhe është motiv i denomi nuar nga emri i Fatmir Limës, i njohur nga lufta si Komandant Çeliku; Dardan (Fatmir) Jashari (Açarevë) është lindur në prill të vitit 1999 te Tunelet e Ujmirit. Qëndrim (Naim) Zabeli (Rezallë), është lindur në ofensivën e parë të gushtit, vetëm pak ditë pas arritjes në Prishtinë. Malësore (Shaban) Reci (Siçevë) është lindur në shtator 1998 në Ulqin. Kosovare (Rexhep) Rexhepi është lindur në Burrel. Çlirim (Ali) Totaj (Gjonaj, Prizren) është lindur në një spital të improvizuar të një shtëpie private. Vëllain e kishte luftëtar në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, Zona e Pashtrikut; Drilon (Musa) Gashi (Prizren) është lindur në spitalin e Durrësit. Pagëzuesja, nëna e tij, siç duket me këtë emër ka krijuar një trinom historik Drilon, Teutë, Taulant.

[25] Rilind Shefki Bellaqa, Potoqan (Rahovec). Lirim Milaim Gashi (Verbovc) është  lindur në maj 1998. Lirie Fazli Koçinaj (Blaç-Sharr), është lindur në Kampin italian të Kukësit. Jetëlira Selim Sahiti (Korreticë e Ulët) është lindur gjatë ofensivës së prillit 1999, në fshatin Shtrubullovë. Çlirim Xhevat Sinani (Korreticë, qershor 1999), është lindur në fshatin Shtrubullovë. Pranvera (Zymer) Gashi (Verbovc) është lindur në prill 1999 në Çikatovë të Re, në kohën kur i ati mbahej peng nga policia serbe. Rinor Behrami(Domanek) është lindur në mars 1998 në Prishtinë. Krijona Jetullah Havolli (Resnik), është lindur në maj 1999 në Malet e Resnikut. Siç mund të shihet, emri i saj është një kompozitë e ndërtuar nga parulla Kosova Republikë e Jona. Liridon Haki Avdija (Obri e Epërme) është lindur në maj 1999, te Tunelet e Ujmirit. Agon Tahir Halilaj (Tërdevc) është lindur në mars 1999, në Malet e Tërdefcit. Endrit Fatimir Çoçaj (Gjonaj, Prizren) është lindur në fshat dhe është i biri i luftëtarit të Uçk-së. Fitore Dan Hameli (Mazrek, Prizren) është lindur në tendën e katundit, ndërkohë që babai i saj kishte rënë dëshmor.

[26] Malsor Krasniqi (Gllanasellë - Drenas) është lindur në Malet e Vërbovcit te Fusha e Mollës, në shtator të vitit 1998. Çlirim Qosaj (Ferizaj) është lindur natën e hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në kufirin Maqedoni-Kosovë. Krisma është lindur më 2 prill 1999 në Qafë të Prushit. Lirie Bylykbashi (Tërstenik) është lindur natën e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës. Malsore (Driton) Plakiçi (Nekoc) është lindur në prill 1999, në Malet e Berishës. Flaka Krasniqi (Negrovc) është lindur në prill 1999 në Malet e Berishës. Flaka (Isak) Kadriaj (Deçan) është  lindur në kohën që po digjej fshati Isniq, ku ishte strehuar përkohësisht familja e saj. Beteja Luan Kadriaj (Deçan) është lindur një ditë pas betejës së zhvilluar në fshatin Rastovicë, në të cilën mori pjesë edhe babai i saj. Po me këtë motiv janë emërtuar edhe fëmijët: Lirije Shemsi Ramadani (Vushtrri), Liridon (Nexhip) Maloku (Besianë), Qëndrim e Mërgim Rexhepi binjakë të lindur në mërgim.

[27] Krahas emrave Vanesa Mehmet Gashi (Çabiq, Klinë) është fëmijë i lindur pas shumë vitesh martese, Shkurta Vesel Rrusta (1999, Drenas), Fillim Ilir Kongjeli (Prishtinë, 1999), Enis Sylejman Zhdredha (Besianë, 1999), Enisa Aliu (Prishtinë), Shkurta Statovci (Prishtinë, 1999), Enis Ibrahimi (Plemetin – Kastriot, 1998), Vanesa Gashi (Prishtinë, 1998) etj., del edhe emri i Muharrem Nexhat Asllanit, Krushtë e Vogël, Prizren. Ai është lindur pesë ditë pas kthimit nga Shqipëria, ku ishin të dëbuar gjatë luftës. Gjyshi i tij Muharremi bashkë me të pesë djemtë, e në mesin e tyre edhe baban nipit të sapolindur konsidero heshin të zhdukur dhe për fatin e tyre nuk dihet ende. Familja e pagëzoi me emrin e gjyshit, me qëllim që, siç thuhej “të mos i sillet kobi të atit”.

[28] Më shumë sesa ndjenjë kombëtare dhe politike, ka pasur shumë vjet kur kjo paradigmë e vënies së emrave ka qenë edhe modë. Prandaj, është e kuptueshme që edhe në këto ditë të vështira, të dëbuarit do të vazhdojnë  të nderojnë edhe me emrat e fëmijëve të porsalindur Shqipërinë dhe popullin shqiptar të përtej kufirit: Albinot (Ibrahim) Doberdolani (Korroticë e Epërme) është lindur në Kukës, ndërsa Shkodran (Mërgim) Rexhepi është lindur në Burrel.

[29] “Jam shumë i lumtur që djali im ka lindur diku në Amerikë, shprehej babai i një ta sapolinduri. (...) Dhe ky është shkaku kryesor për ta pagëzuar Amerikan” (kështu e përcillte bisedën me një bujk 28 vjeçar nga Ferizaji gazetari i agjencisë telegrafike Rojters, më 6 maj 1999 nga Mount Holly, Nju Xhersi), ndërsa familja Mehaj në një fshat të qytezës së Burimit e pagëzoi të sapolindurin e tyre Klinton (Naim) Mehaj, sepse ka lindur ditën kur presidenti amerikan  Bill Klinton erdhi në Kosovë, më 1999, ndërsa po në këtë kohë ka edhe shumë pagëzime vajzash me emrin Medlin, për të nderuar Sekretaren e shtetit amerikan, z. Mendlin Olbrajt. 

·   [30] Vokshi, 1933.

[31] Kristal, 1997: 5.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora