Kulturë
Faik Islami: Përmbysja e Botës (II)
E diele, 10.10.2010, 11:35 AM
Permbysja e Botes
Roman
Nga Faik Islami
- “Rrahman, lësho delet”, i thoshte nëna. Dhe ai pa e bërë dy fjalën e nënës, nxirrte prej vathe të tridhjetë delet, me gjithë qengjat. Kurrë nuk nxori zë kundërshtimi apo lodhjeje, si fëmijë që ishte. ”Rrahman lëri pak delet dhe eja e merr dhe dhitë për t’i lëshuar në zabel!”, dhe ai prapë ashtu bënte, si të ishte një robot në atë shtëpi. Vetëm Rrahmani, nënë Gjylja dhe e motra, Lutfija ishin si të thuash çobanët e gjithë kopeve, me tridhjetë dhen, nja pesëmbëdhjetë dhi dhe dy lopët e dy qetë e parmendës. Kaq ishin gjëja e gjallë, por nuk qenë pak edhe pse ajo shtëpi e madhe, kishte patur gjithë ato harxhe, në ato vite lufte. Por strumbullari i tërë punëve të asaj shtëpie ishte ajo, nënë Gjylja. Krah i djathtë i qe bërë i biri, Rrahmani. Kishte dhe të vetmen vajzë, Lutfijen por asaj i ishte prerë dita e martesë. Për një jave do shkonte te burri. Gorajt nuk e kishin ndarë kurrë të mirë, gëzimin, dasmat e davetet, nga e keqja e madhe që u kishte zënë dyert. Lufta tani më sikur u ishte bërë një gjë e zakonshme.
- “Eh!Luftë është kjo virane jetë!”, foli me vete, teksa i qe afruar shtratit.
- Ngrehu biri im, hapi sytë e shkruar! Do vemi ke daja, tu bëftë nënoja. Gjyshi mezi të pret. Të ka shpirt. Nënoja po ashtu. Hajde bir!
Zgjati dorën e djathtë dhe e ledhatoi në atë barkun e bardhë si qumësht deleje, por që kishte formuar një hark konveks, që tregonte se e kishte të zbrazët. Atë natë djali pat qenë tmerrësisht i lodhur. I qe prerë dhe oreksi.
- Mu shtrive i uritur, biri i nënës tënde! Më ishe lodhur e këputur sa nuk kishe fuqi as për të ngrënë. - foli më atë zërin e brendshëm, që vetëm nënat dinë ta përdorin e në atë mënyrë komunikimi, gjithë dashuri e dhimbje. Pastaj i vuri të dyja duar në punë duke e fërkuar që ai të ndjente kënaqësinë e duarve të nënës së tij dhe të mund të zgjohej. Se nënat i ruajnë fëmijët e tyre edhe nga shqetësimi më i vogël. Ajo e dinte që i biri donte të flinte.”Gjumi i rrit fëmijët”, pat dëgjuar nga e vjehrra e saj. Një grua e mençur, punëtore dhe e merakut që - Më duhet të ngre djalin. Kërthiun e nënës, Abdurrahmanin e shpirtit tim. Të mirin e nënës, të voglin e nënës, shpirtin e shpirtit tim. Kaq herët t’i vras gjumin? Ja, kështu ja! T’ia vras e ta bëj të ndjejë kaq kërthi peshën e halleve të shtëpisë. Eh!
- E tu bëftë nëna jote! Ti ke nevojë të flësh, ke nevojë për gjumë ashtu sikur ke dhe nevojë të hash mirë, por... Unë kam nevojën tënde, që nuk është as për moshën tënde e as për fuqinë tënde more biri i nënës. Por ç`të bëjë dhe nënë korba jote? Ja që duhet të ngrihesh dhe ti i vogëli i nënës. Të bëhesh punëtor pa të ardhur mosha more engjëlli i nënës tënde. - Dhe po e ledhatonte që djali të hapte sytë.
- Ah kjo virane luftë! Kjo e shuar luftë, që na nxiu jetën. Që dhe vocërrakëve të nënave si tim biri u prish rehatinë, u vrau moshën, u ka hequr gëzimin e lodrave. U ka tmerruar o bir. Ju bëri burra, pa fëmijërinë, që u duhej për të lozur, more djali im. Biri i nënës tënde! Ngriu të keqen nëna! Ngrihu se do vemi e do kthehemi me një vrap. Jemi pa kokërr miell gruri, shpirti nënës tënde. Hë ngriu të keqen! Vemi një vrap dhe vimë si era. Se kemi gjithë ato punëra. Hë të keqen, nëna jote!
Rrahmani lëvizi pa i hapur sytë.
- Hapmi sytë e shkruar, ylli i nënës tënde!
-
- Është kohë lufte, biri nënës. Nuk duhet të lëvizin gratë vetëm.
- Më flihet akoma.
- E di nëna, shpirti im. E di që ke nevojë të flesh akoma. Gjumi të rrit biri im, por ja që më duhesh të vemi tek daja. Pastaj kemi shumë punë. Na pret dasma të keqen nëna jote! Do martojmë Lulen, shpirti im. Do ta tundim edhe pse është luftë. Lulja ime do dasmë si më ka hijen e bukurisë së saj. Pastaj kemi gjithë ato punë që duhen bërë.
- Pse që tani do t`i nxjerr unë delet e dhitë, o nënë? Është shpejt akoma. Pse do vemi natën ke dajat?
- Nuk është natë o bir. Hapi sytë! Kjo punë na duhet më e para.
Ajo po fliste gati me veten sepse i biri nuk po i hapte sytë. Jepte përgjigje kundërshtuese të pavullnetshme. Gjumi nga sytë e vocërrakëve nuk ikën as me ledhatimet e nënave.
- Ngrehu Rrahmani i nënës! Hë biri im! Hë tani se vajti vonë…!
Djali lëvizi. Pastaj zuri të shtriqej dhe i dolën disa gogësima radhazi. Hapi pakëz sytë e tij tërë lëng dhe pa të ëmën në gjunjë para tij si në lutje e shqetësim. Në fillim sikur u habit. Pastaj puliti dy-tri herë sytë dhe i përqendroi tek sytë e nënës. Ai moment e bëri të dridhej. Në shikimin e saj sikur pa tërë kohën që ajo vuante. Brofi në këmbë menjëherë.
- Më fal nënë, më vinte shumë për gjumë.
- E di nëna, engjëlli im, por më duhesh. Do vemi tek daja.
- Ku do vemi? Pse kaq herët?
- Tani menjëherë! - i doli në formë urdhri nënës.
-
- Hidh nja dy grushte ujë në fytyrë, biri im! Hë freskoju! Të të bëj pak bukë me gjalpë të freskët?
- Jo nënë! Nuk më hahet.
Në pak kohë, nënë e bir morën tutje shtegut, që i nxirrte në cepin e arës së madhe. Dhjetë hapa më poshtë merrte sokaku për tek dajat. Nja pesëqind metra ishin larg. Atë mëngjes të korriku të 1944, nënë Gjylja dhe Rrahmani zunë të ecnin gati duke rendur, për në shtëpinë e të jatit. Djali, si ishte shkundur mirë e mirë nga përgjumja, i doli përpara të ëmës, si për ta mbrojtur atë nga një e keqe që ai as e shihte as e perceptonte. Por ashtu në mugullim mendimi, brenda imagjinatës së vet, mëndja i thoshte se nëna duhej mbrojtur. Mendimi, për të mbrojtur nënat është pjesë e luftës dhe ai e imagjinonte veten tamam një luftëtar, teksa po ecte para nënës. Ashtu i thoshte një zë i brendshëm. Ai kishte kohë që i dukej vetja gati burri i shtëpisë. Që kur Kasëmi, kishte zënë shtratin, Rrahmanit i dukej vetja zëvendësi, në të gjitha hallet e shtëpisë. Do të dëshironte shumë të kishte dhe ca vite më shumë, që ta zëvendësonte Kasëmin, si luftëtar lirie. Ky mendim i hante goxha kohë.
Nuk ishte në gjendje ta shpjegonte. Nuk e merrte vesh, në e kishte nga dashuria dhe krenaria, për të jatin, që kishte marrë plagë duke luftuar me armiqtë, apo nga që shikonte sa vuante e ëma. Ai e kishte mësuar dhe e thoshte përmendësh që, Kasëm Bako, partizani i “Batalionit të Dytë, të Brigadës së Shtatë Sulmuese” kishte marrë dy plagë në luftë me gjermanët. Nga kjo arsye u thoshte moshatarëve tërë krenari; ”Im atë po lëngon prej plagëve të marra”!. U tregonte edhe se ai po dergjej në qoshen e dhomës së vet, në katin e dytë të shtëpisë, duke u përpjekur t`i shëroheshin plagët, që të nisej sa më shpejt, për në brigade, tek shokët. Babai i tij besonte se në pak muaj, vendi do të ishte i lirë..! Por sa largohej prej shokëve, sikur e zinte veten në faj, që u kishte treguar gjithçka. Në fshat kishte dhe ballistë, që pasi të mësonin nga fëmijët e tyre sa u kishte thënë biri i Kasëmit partizan… mund ta spiunonin. Dhe… përhumbej në dëshpërim. Kishte moment kur jetonte me shqetësimin, që sjell të zënët e vetes në faj. Ishte treguar i pavëmendshëm, në mos mburravec, duke rrezikuar seriozisht jetën e të jatit. Jo! Të një komandanti partizan! ”Një burri të vërtetë nuk i falet veprimi që bëra unë”! - mendonte duke gjykuar vetveten. Dhe i bënte analizën veprimit, fajit…
-
- E more Kasëm vëllai, të kujtohet si u rrëzua vjet aeroplani i Aleatëve, në sinoret tona, mo?
- Ç`thua mo? Si nuk më kujtohet! - ia ktheu.
- Ai që ra, këtej tej mo, në Çestie. Aeroplani amerikan. U sa gjëra mësuam më vonë, për atë ballonë. Brënda kishte 13 doktorë dhe 13 infermiere. Katër veta ishin pilotë.
- Si? Të gjithë të…?
- Gjallë mo gjallë që të gjithë!
- E more Idriz! U rrëzua edhe gjallë njerëzit!
-
- Pa ma mollois mirë mua more Idriz, a ti Kaso, pa më thoni si mundet që gjithë ajo bina e rrëzuar dhe njerëzit të gjallë. Ku ka bërë vaki kjo more?! Dhe ku pa në arat e Çesties! Mos janë gjë fushë aeroplanësh ato? Ç`më thua, tallesh tani? - ndërhyri Mexhiti, një nipi i gjyshit nga nëna e nënës. Kishte ardhur prej Elbasani, vizitë tek dajat dhe me atë rast pat ardhur për të parë babain. Babai u ngrit me mundim në bërrylin e dorës së djathtë.
- Dëgjo mo, dëgjo si ka ndodhur! Se kur do Ai sipër i bën për së mbari gjërat. Dëgjo si na e molloisi vetë, ai kapiteni i aeroplanit. Se me urdhër të Komisar Abedinit, sa ishte dhënë lajmi na lajmëroi neve, të tre komandantët e Çetave territoriale, që me kuaj e në mënyrën më të shpejt të niseshim tek arat e Çesties. Ku dinim neve ç`kishte bërë vaki. Ndonjë përplasje me këta harrëmsëzët ballista, thamë. Rrugës mësuam se bateritë kundër ajrore gjermane, të vendosura rreth Manastirit të Ardenicës, paskëshin qëlluar dhe goditur këtë aeroplanin. E po thamë neve kot që na shpien, se aty vetëm hi e copëra alumini do të gjenim.
- Ishe vete aty?
-Vetë o po qysh! Me këta sy i pashë të gjitha.
- Hë, pa hë!
- Ja ta mollois unë, se e kemi shtjelluar gjërë e gjatë në brigadë atë mesele, - ndërhyri babai.
- Ekuipazhi me gjithë ata vetë ishte nisur nga Katania (Itali), për të gjetur dhe ndihmuar amerikanët e plagosur në fushë betejat e Aleatëve me gjermanët e mareshalit Keserling. Një stuhi ajrore e detyroi pilotin të ndryshonte drejtim. Fati i tij, që përfundoi mbi qiellin tonë, në Ardenicë, tek Manastiri. Aty, ai, u godit prej artilieries kundër ajrore gjermane. Piloti, qerrata amerikani, ashtu në flakë, manovroi shumë dhe e uli në ato dy arat e mëdha të vrionasve, në Çestie! E merr vesh që ishte dhe është territor në duar tona. Ama as dyqind metra larg territorit ballist. Sikur ta dinte ai piloti i Aleatëve. Sapo aeroplani pati rënë, duke rrëshqitur mbi tokë, e patën parë disa njerëz të ndodhur aty afër. Dhe shtëpitë e fshatit afër atyre arave janë. E panë të gjithë ngjarjen. Qenë vërsulur aty, gra e burra. Prej atyre u dha haberi në shtabin partizan të zonës. Le të vazhdojë Idrizi! - si duket u lodh babai.
- Komisari dha urdhrin dhe u bëmë erë. - ia filloi gjene Idrizi.
- Gjetëm aty nja pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë burra e gra. Erdhën një grup kalorësish partizanë. I nxuarrëm të gjithë si pasagjerët dhe ekuipazhin.
- E çu bë me ta, si ishin? Pati të plagosur rëndë prej tyre? - Pyeste ai nga elbasani.
- Të plagosur thua! Kishte o, posi nuk kishte. Ato vajzat a gratë, se nuk merrej vesh ça ishin, të gjakosura qenë. Ama, ata burrat, doktorët dhe ata pilotët diva ishin. Partizanët u dhanë ndihmë dhe ushqim të menjëhershëm të tridhjetë amerikanëve.
- Kam qeshur me vete, dëgjon more Kasëm!
- Pse more, ç`kishte për të qeshur aty?
- Ishte njëra prej atyre gocave infermiere, që dukej më rëndë. I qe ënjtur kupa e gjurit të mëngjër fakires. Bërtiste nga dhimbja e shkreta. I afrohet plaka e Servet ballistit, Fatimja. Ajo që bën ato mjekimet me barëra. Ja pa gjurin dhe po e pyeste:
- “Të dhëmb këtu koce?”
- Hiç amerikania.
- “
- Amerikania zuri të rënkonte.
- “Qepë të bardhë dhe ma vini në prush!” E dha si urdhër ushtarak Fatimja.
- “Ikë o plakë, se këta janë doktorë, ti thua më bini qepë të pjekur në prush!”, ia ktheu Dashamiri, zëvendës komisari.
- Ishin të gjithë ata të Shtabit?
- Krejt aty erdhën. Të këshillave po që po. Mos ma merr për të vërtetë, por dëgjova se kishte dhënë urdhër të prerë vetë shoku
- Di se ç`bën ai burrë. Kjo lëvizje u shfrytëzua prej Tarasit dhe Shtabit të Përgjithshëm, për një propagandë shumë të nevojshme atë kohë dhe sot. Them se kudo që kishin për të kaluar dhe kaloi grupi amerikanëve, nga forcat tona partizane u paraqiten si “Aleatët tanë amerikanë”.
- Vallahi, i mënçur është ai burrë!
- Ashtu, ashtu është.
- Pasi i mjekuan dhe u lidhën plagët në spitalin partizan, ata në gjëndje të mirë, kërkuan tu tregonin rrugën për në Vlorë. Në Karaburun, seç dëgjova të përmendej.
-
- Nja tri vajza, prej atyre infermiereve, që ishin vërtetë rëndë, i vunë në barela dhe më duket se, për në Berat i nisën ato.
- Kujdes të madh treguan për ato amerikanet, për atë Zot!
- E do puna e luftës. I kemi Aleatë. - foli Kasëmi dhe sikur ndjeu lodhje. Kur Idrizi dhe elbasanlliu kishin dalë, Gjylja zuri të fliste nëpër dhëmbë.
- Idrizit i ka mbetur mëndja tek Aliatët. - mërmëriti Rrahmani që kishte ndjekur në heshtje tërë bisedën e të mëdhenjve.
- Përherë, për atë historinë e aeroplanit “aliat” të rrëzuar me tridhjetë vetët brënda, në arat e Çesties, i kujton babait. I habiti të gjithë ajo historia e atij aeroplanit që u rrëzua me tërë ata vetë dhe nuk vdiq asnjëri. Babai atë histori e di më mirë nga Idrizi. Ja u pat treguar, në fill e në pe, vetë komisar Metushi, të nesërmen e ditës që ndodhi. Ashtu ja u tregovi babai atyre të këshillit të fshatit, kur bën mbledhje një natë në shtëpinë tonë.
- “Kjo ngjarje, zuri tu fliste babai, burrave të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të fshati, që po e dëgjonin gjithë habi u bë problem i Shtabit të Përgjithshëm”.
- Tamam, pas nja pesë apo gjashtë ditësh, si kishte ndodhur ajo punë, babai pati ardhur me shumë partizanë në fshat. Njerëzit delnin nga do që ishin dhe mblidheshin të dëgjonin për luftën. Kur vinin ata të Ballit, delnin vetëm ata që qenë me ta. Pak ishin me ta. Ca se i besonin krerët e tij, …”si të dyerve të mëdhaja…”, de, thoshte babai. Të tjerë patën vajtur për hir të miqësirave, ose që nuk e merrnin vesh fare, pse bëhej llaf. Kishte dhe nga ata që dëgjonin propagandën e Ballit,… se komunistët do të merrnin pasuritë pas lufte. Pati dhe nga ata që bëheshin me të ballit nga inati e mëritë. Si Pertefi i Hamzait, atij që ishte plagosur në njëzetën, kur po mbahej Kongresi në Lushnjë. Ju bë ballist i biri, sepse ishte bërë partizan Maliqi i Temes. Qenë zënë bashkë dhe mu për atë punë i tha të ëmës, Minushes, kur e mallkoi pse vate me të ballit. ”Vajta për inat të atij, surratsëzit, Maliqit të Temes”. Burrë mirë e i urtë sa nuk ka shok tjetër Hamza Miftari, thoshin fshatarët nëpër muhabetet e ndarjeve ca andej e ca këtej.
Me të Nacional Çlirimtares qenë shumica e fshatit. Sa e mori vesh Idrizi, me vrap dhe erdhi tek neve. Sa hyri tek dhoma e madhe, ku ishin shtruar në muhabet burrat, ai ja nisi:
- E more vesh mo, Kasëm vëllai? U rrëzua një aeroplan i Aleatëve, në sinoret tona mo!
Nëna pati shtruar rakinë. Babai bënte sikur nuk e dinte atë mesele. Bënte të paditurin me qëllim. Ashtu bën ai për herë kur do të thotë i fundit diçka. Ose për të mos ia prishur tjatrit. Ashtu bënte dhe kur i ardhi për vizitë komisari i brigadës. Ilir e quanin. Sa dinte ai! Edhe atë natë u mblodhën plot tek dhoma e madhe. Ishin nga të forcave partizane, të këshillave të nja dy apo tre fshatrave dhe gjithë ata njerëz, prej fshatit. Sa muhabete bënë atë nate! Për luftën. Për... Ballin dhe… dale përse e pyetën atë komisar Ilirin. Hë, po, për një parti tjetër që e kishte emrin me Lege… a lega... nuk e mba mënd mirë.
- Anglezët por mundet dhe amerikanët prisnin që në vendin tonë të shpërthente një luftë civile aty nga shtatori i vitit që iku... Mbase nuk e donin, por faktikisht i shërbyen duke mbështetur veglën e anglezëve, kryetarin e “Legalitetit”, Abas Kupin.
Të gjithë e dëgjonin sa nuk ndjehej as miza. Sa dinte ai burrë! Dhe shumë i madh në moshë nuk qe, por do kishte shkollë ai.
- Kjo punë, me dy fytyra e aleatëve, ka nisur qysh kur kapitulluan italianët. - vazhdoi komisar Iliri. - Balli Kombëtar, ra në ujdi të bashkëpunonte me gjermanët. Partia e Legalitetit, e drejtuar nga Abaz Kupi, për aleatët, dukej se ishte i vetmin grupim antikomunist, që dukej se kishte vullnetin të luftonte kundër gjermanëve. Por ka prapë një problem: Kupi nuk do të luftojë me gjermanët. Kupi kërkon që ta pajisin me armë, anglezët, para se ai të vendosë për të sulmuar gjermanët. Qeveria angleze i kërkoi atij të hynte njëherë në luftë dhe pastaj ta furnizonte me armë. Përfaqësuesit e shërbimit sekret anglez në Shqipëri, kur ishin me Kupin në malet tona veriore, i kërkuan qeverisë së tyre të mbështeste Kupin, si e vetmja shpresë e mbetur si alternativë e ndikimit të madh të lëvizjes tonë, komuniste. Por ata nuk e kuptojnë se ky ndikim vjen nga që populli ynë, i cili po e shikon me sytë e tij se kush ka luftuar dje dhe kush lufton sot e gjithë ditën kundër pushtuesve nazifashistë. Ja, pse qeveria angleze u detyrua të mbështesë forcat tona partizane, luftën e komunistëve shqiptarë dhe jo Ballin apo Legalitetin, edhe pse këtë të fundit e mbushi me armë dhe flori. Të gjitha u shkuan kot me Legalitetin. Anglezët, më në fund u bindën që partizanët, ndën udhëheqjen e Partisë Komuniste shqiptare, mbetemi i vetmi grupim me vendosmëri për të luftuar gjermanët. Shtetet e Bashkuara ndoqën shembullin e anglezëve. Kur ne luftojmë e përleshemi me nazifashistët, Abas Kupi bën plane që të korrë fitoret pas lufte. Por të... ka për të korrë!
- Shumë dhelpër ky njeri, o komisar!, ndërhyri kryetari i këshillit të fshatit.
- Abas Kupi, nuk shkrepi asnjë prej dyfeqeve nga të katër ngarkesave me armë që i hodhën anglezët, në nëndor të vitit të shkuar. Megjithëse u kishte dhënë llafin e “burrit të malësisë” se sapo t’i vinin ato armë ai do bënte gati dhjetë mijë forca, me të cilat do të sulmonte gjermanët...! Do bënte namin gjoja! Lesh në lëmë bëri!. Nuk e shkrepi as në një dasmë, pa le më në luftë se... i qe lagur baruti, qeshën që të gjithë.
- Ishin sajuar edhe mësymjet nga anglezët, për ta provuar atë se sa e mbante fjalën, Abaz efendiu. Ai thoshte se po t’i jepnim para, do të kishte përkrah jo më dhjetë mijë luftëtarë, që i paskej gati, por shumë e shumë të tjerë. Ama anglezët si bij k... që janë nuk i besonin shumë. E dinin dhe ata që Bazi, është një dhelpër e vjetër dinake. Sipas mendimit të Shtabit të Përgjithshëm, Abas Kupi, nuk kishte ndër mend të luftonte. Ky mosveprim i Abas Kupit, jo vetëm që e dobësoi shumë palën e tij, të cilët prisnin pas gardhit, si ajo puna e dhelprës që ndjek mos i bien koqet dashit, mbase dobësoheshin forcat tona, nga përleshjet me gjermanët dhe forcohej takëmi i Kupit, por që mund të ishte në favor të tyre edhe zhvillimi i ngjarjeve në sheshet e luftimeve me gjermanët kudo në Evropë e sidomos në Bashkimin Sovjetik. Mendonin se forcat tona, në përleshje me gjermanët, do të dobësoheshin deri në atë pikë sa ai mund të na mposhte. Për këto arsye ai u nxori anglezëve “arsye të shumta” për t’u shmangur nga lufta, përfundoi komisari fjalën e vet. Ngriti gotën dhe uroi:
- Për një Shqipëri të lirë, shokë!
- “Për Shqipërinë e lirë..!”, uruan të gjithë. Nuk u pyet më për punën e Legalitetit dhe të anglezëve. Por ca, si Idrizi, atë punën e inglizit nuk para e shkëpusnin nga mëndja. Plot herë i kam dëgjuar jo inglizi kështu e jo inglizi ashtu. Edhe nuk i dinë aq mirë sa babai im, punët e luftës, e prapë se prapë bëjnë sikur dhe ata çoç dinë nga ato punë. Gjen rast kur nuk ka nga njeri që i di ato punë dhe fët e po aty e sjell llafin Idrizi. Tek zotësitë e mëdha të… inglizit. Njëqind herë po atë ngjarjen e aeroplanit që u rrëzua në Çestie. Atë mollois muhabeteve. I ka mbetur në mëndje ajo, se ai, ishte në të parët që vajti dhe ndihmoi të shpëtonte “aliatë”. I duket vetja sikur bëri një kushedi çë të madhe. Ai u thotë “aliatë”, babai im aleatë.
- Amerika dhe inglizi, aliatët, më merr vesh Kaso, do bëjnë, që jermani të dorëzohet, po i thoshte parmbrëmë babait.
- E ke gabim, ia ktheu im atë. Bashkimi Sovjetik, me Stalinin në krye e ka vënë përpara bishën naziste. Ajo bishë, aq e egra sa ishte në atë fillim, tani nuk po i qëndrojnë më këmbët. E hëngri mirë në
- Edhe inglizi ja ka veshur me bumbardime sa namin po i bën, vazhdonte në të tijën Idrizi.
- Ingliz k...., dëgjova për herë të parë nga babai atë fjalë të keqe. Që i hedh bombat, nëpër urat rrangalla tonat dhe nëpër qëndra me shumë popullsi..! Do të duket se po i bën namin gjermanit. Kërkon të jetë fyelli më i parë në fitoren, por... aha! Ka zot hauri jonë tani. Inglizi, hem me ne e hem me ata të Ballit, mollukrepset. Ditën me na, partizanët, e tërë natën e natës ha pula me ballistët. Fërkohet me ata e kruhet me neve! Këpucë, për një këmbë neve e napolona ari cave… të Legalitetit, vetë Bazit të Canes.
- Inglizi, ajo dhelpër e vjetër, nuk rri që nuk rri pa dalë ajo e para. Mua nuk më mbushet mëndja që inglizi të mos dalë, si të gjitha herët, i pari në përfitimet… Inglizi dhe amerikani do bëjnë atë që duan. Kanë njerëz, industri, armë. E mba mënd që edhe të qëlluar, e ulën aeroplanin vjet në arat e Çesties? Për atë nur Allahu nuk kam parë më si ata.
Ku pushonte ai, por vajti nëna tek shtrati i babait, për t’i ndërruar plagët. Ku ikte Idrizi nga muhabetet me tim atë! Ai hem vjen për të dëgjuar sa thotë im atë, hem bën sikur i di të gjitha vetë! Nëna mërzitet kur vjen Idrizi. Nuk shqitet kollaj nga im atë. Do ta ngacmojë dhe bën sikur merr dhe ai vesh.
”Partizan, komunist, “fajër”, bërtiste gjermani, sapo Bexheti i tregonte me gisht shtëpinë, asaj shtëpie i delte flaka përmbi çati. Një nga ata ushtarët gjermanë, mbante një si kuti të madhe në kurriz dhe përpara në dorën e djathtë kishte një bisht të gjatë nga ku lëshonte një flakë zjarri. Me atë flakën e atij kazanit mbi kurriz i dogji të gjitha shtëpitë që i tregonte Bexheti. Luani ecte serbes, në krah të të jatit. Pastaj na mburrej neve. Që babai i tij, dinte gjuhën e gjermanit dhe… me atë gjuhë, që si nuk ju tha fare, u fliste dhe iu tregonte gjermanëve… se cila nga shtëpitë e fshatit… duhej djegur më përpara. “Se ishin shtëpi partizanësh u thoshte qëni!”. Në fshat të vet bën këto i poshtri”, thoshnin atë ditë njerëzia e tmerruar e Gorajve! “Harrëmsëzi Bexhet, që ju shoftë emri“, e mallkonte edhe nusja e xhaxhait të vet, Hanko Selimeja, një grua e gjatë dhe fjalë pak, por shumë e sertë. E mallkovi se Bexheti u bë sebep, për gjëmën që e gjeti të shkretën grua! Ai u tregoi gjermanëve, që i vëllai i saj, Resmiu ishte partizan, në “Brigadë të Parë Sulmuese”. Atë emër brigade, gjermanët e kishin tmerr. U dogj e u bë shkrumb shtëpia dykatëshe e Resmiut. Ju dogjën dhe tri lopët e dy qetë e parmëndës që nuk kishin dalë akoma nga burgu i asaj shtëpie. Nuk e harroj pëllitjen e lopëve dhe të dy viçave, që po piqeshin të gjallë në burg! Sa gjynah, sa gjynah! Ç`erë e rëndë erdhi, për shumë ditë nga ajo përcëllima e kafshëve! Të gjithë e urrenin Bexhetin. Vetëm njerëzit e nja tre apo katër shtëpive, që kishin njerëz në radhët e Ballit, nuk flisnin, për ta mallkuar. Por dhe ata jo se ishin të një mëndje me Bexhetin. Të gjithë, në Goraj, Suaras, Ledhas e kudo, ishin bindur që ai e të gjithë si ai, ishte bërë një me armiqtë. Kot nuk e mallkonin.
“Për Bexhetin e ka marrë ferra uratën!, dëgjova të thoshte im atë. Do bëjnë dhe ca zarare, do bëjnë, por do vijë sahati, që të japin llogari para popullit”.
Rrahmani edhe u krenohej shokëve, por edhe frikësohej për të jatin. Trembej, si fëmijë që ishte. Mëndja e fëmijës bën dava me vetveten. Frika u rri si çekan mbi kokë. Trembej mos fjala e tij e pa matur, për kohën që i jati nuk qe në brigadë, nuk ishte në mal, por mu brenda shtëpisë, mund ta rrezikonte jetën e tij...
“Një spiunim nga ata të ballit, si Bexheti dhe… atë mund ta… të gjallë! O Zot! Ç`bëra unë!” - lutej e dridhërohej Rrahmani.
Kishte muaj që kishte marrë mbi vete përgjegjësi të shtëpisë. Të ishte ai vetë edhe pjesa e të keqes së saj? Kishte përgjegjësi edhe për ruajtjen e një partizani çfarëdo, jo më për të jatin. Ai dhe nëna ishin bërë mbrojtësit, por edhe krahu punëtor i asaj shtëpi. Më shumë ai ndjente përgjegjësinë tek sa shihte sa lodhej dhe sa vuante e ëma. Shtëpia ishte pa kokërr miell gruri, për dasmë dhe ajo nuk qe gjë e vogël. Ku mund të mendohej dasmë në Goraj dhe në tërë atë kaza, pa patur miell gruri. E ëma kishte detyrën kryesore në atë dasmë. Për të mos munguar gjë se për organizimin ishin dhe xhaxhallarët. Nëna përgjigjej për të ushqyer tërë ato gojë. Qenë dhe xhaxhallarët me nuset, por Lutfija ishte bija e saj.
Ai e imagjinonte sa vuante e ëma. Si ndjehej ajo kur kishte
Ngrihej që në katër të mëngjesit dhe ia niste me mjeljen e të dy lopëve pëlleja. Pastaj milte të pesëmbëdhjetë dhitë dhe më në fund ato që i quante të urtat e nënës, të tridhjetë kokët e deleve. Qengjat kishte ditë që i pati ndarë prej nënave, por ajo sikur ndjente një shqetësim tek sa dëgjonte blegërimën qarëse të qengjave të ndarë me tharku më vete. Nja dy prej qengjave i pati prerë për të shoqin. Por gjene kishte veçuar ata të dasmës për Lutfijen, të bijën. Ato ditë ajo sikur kishte mbi supe tërë Tomorrin. Dhe ai fëmijë vocërrak rrekej sikur të hiqte prej shpinës së nënës së vet gjysmën e asaj barre.
Rituali i ditës ishte gati i njëjtë. Si mbaronte tërë ato punë, në gati një ore, nënë Gjylja merrte qumështin dhe e vinte në kusitë për ta zierë. Veç të deleve, veç të lopëve e veç të dhive. Sapo lindte dielli, nënë Gjylja i shkonte të voglit të saj tek shtrati... I ngrinte anën e velenxës dhe e shikonte me dashuri dhe dhimbje bashkë. E shikonte gjatë, tek sa i bri flinte si një qengj kërthi. I vinte dorën e saj gjithë kallo mbi ballin e kërthiut të saj dhe ia fërkonte ëmbël. Pastaj dora i rrëshqiste lehtë tek gusha gjithë ledhatime duke zbritur poshtë në gji. I fërkonte ëmbël gjoksin. Ndalej tek sa dora ndjente rrahjet e zëmrës së vogëlushit. Aty nëna sikur dëshironte të ndalonte zëmra e saj, për të mos u shqetësuar ajo e të birit. Ndjente se bëhej një me rrahjet e zëmrës së fëmijës. I dukej se zëmra e saj niste të therte, nga që po trazohej ajo e të birit. Donte që me ato fërkime ku pleksej dashuria, dëshira me nevojën, i biri të rritej sa më shpejt... Ishte një ndërthurje midis hallit dhe dashurisë së nënës, ajo që e bënte atë nënë të trazonte me ato fërkime qetësinë e të birit. Si dhe këtë mëngjes vere, kur ajo nga nevoja po e ngrinte më herët nga të gjitha të tjerat. Me ato fërkime ajo synonte ta zgjonte. Në fakt t`i prishte gjumin, që vocërraku i saj të bëhej pjesë e punëve të asaj shtëpie të madhe… Ai fëmijë nisej herët mëngjeseve për ditë me dhëntë e dhitë në kullotë. Ndërsa me lopët niste të bijën, Lulen. Por Lulja e saj dhe pak ditë dhe do të ikte nga ajo shtëpi. Do shkonte… në të sajën.
- “Vajzat i bën për botë, mendoi nëna dhe zuri e meditonte. I rrit me
”Dëgjo këtu bija ime, më tha. Do bëhesh nuse pas ca kohësh dhe do ikësh nga unë. Zoti vajzën e ka bërë për derë të botës. Duam nuk duam, kështu e ka jeta. Do vesh në një derë tjetër. Por kujdes ama! Atje nuk do më kesh më mua, por do kesh burrin, tët shoq, shartin me të cilin lidh çiftet i madhi Zot. Do kesh vjehrrin e vjehrrën. Ata do kenë plot të mira, por mund të kenë dhe huqet e tyre. Do t`i digjoshë, për sa të thonë e të të kërkojnë! Do t`i durosh edhe në se kërkojnë gjëra që ty të duken jo të drejta. Durimi është paja, dhurata më e madhe, për vajzën, që është bërë nuse. Atë quaje pajën e nënës tënde për ty! Do jesh nuse e tyre. Atje nuk më ke mua të të shaj a të të qortoj. Atje do jesh para syve që të vrojtojnë e të peshojnë. Derë bote po vete. Në qofsh e zonja ta bësh derën tënde, nga durimi dhe kujdesi, ke dalë e fituara. Kjo varet vetëm nga ty. Kjo do të jetë lufta jote e jetës. Nusja është në provë, deri sa nuk i ka lindur dashuria për burrin, por edhe për të dashurit e tij, respekti.