Kulturë
Dy poezi nga Janaq Pani
E diele, 10.10.2010, 10:39 AM
Janaq Pani
RRUGËN NIS MBI MALE E DETE
Kam një grua, një lanete
rrugët nis mbi male e dete
kapërxen kufij e shtete
në kurbete larg na vete.
Ajo rrugën nis prej hallit
digjet shpirti i të gjallit
krahë bën ai prej hallit
se atje ka sytë e ballit.
Atje zemra, atje syri
atje vajza, atje biri
nipat - gurë xhevairi
mbesat si kalem floriri.
Këtu mbet i shkretë pragu
mal këtu rritet meraku
këtu ujë të bëhet gjaku
brengat - s'ka të sosur vargu.
Këtu dhëmbjet, këtu derti
këtu loti që plumb treti
shpirti akull këtu mbeti
shpresa - syrin nga kurbeti...
TË LUTEM EJA GJYSH
Të lutem nisu e eja gjysh
e pranë të dua ti moj nënë,
këtu ku jam lloj-lloj CD-ish
përditë po më vënë.
Ninullat këtu nuk dëgjohen
ndaj eni e më këndoni,
se s'dua që të fle e zgjohem
me këngë magnetofoni.
E ku ka shpirt magnetofoni,
s'ka zemër që t'i dhëmbë,
prandaj të vini, më premtoni
i miri gjysh, e mira nënë.