Kulturë
Begzad Baliu: Arkivi i kujtesës së një dekade
E diele, 10.10.2010, 11:55 AM
ARKIVI I KUJTESES SË NJË DEKADE
Bedri Neziri, “Kohë e ndaluar (Veprimtaria dhjetëvjeçare, 1990-2000 e Klubit letrar “Fahri Fazliu” –Kastriot), Kastriot 2002
Nga Begzad BALIU
Libri i Z. Bedri Neziri mund të lexohet, mund të trajtohet dhe mund të vlerësohet në shumë drejtime, duke u nisur nga shumë premisa kulturore, letrare dhe historike. Ai është një kronikë, në inventar shembullor dhe një arkiv i regjistruar me përkujdesjen, të cilën rrallë na bie ta shohim ndër botimet tona.
Në vepër janë radhitur kur me kujdes e kur përtej një nevoje për botimet si kjo, drejtues të klubit letrar, autorë, fotografi, krijime letrare, kronika të nxjerra nga dokumentet dhe fotokopje të gazetave ditore, etj., me synim që të bëhet një pasqyrë sa më e plotë e një aktiviteti të dendur kulturor, në një kohë që në Kosovë gjatë këtyre viteve, për të mos thënë gjatë kësaj decenieje ishte e vështirë, frymëmarrja kulturore vetjake dhe e organizuar ndër institucione që kishin traditë shumëvjeçare.
Sot kur kemi në dorë këtë vepër, na bie në sy edhe një defekt kulturor që gjatë i ka përcjellë rrjedhat tona kulturore, shkencore dhe madje intelektuale.
Duke parë aktivitetet e këtij klubi letrar, temat që ka trajtuar dhe më në fund misionin që ka kryer, nuk kemi se si të mos e kujtojmë sjelljen personale të shumë personaliteteve të veçanta që prezantoheshin si bartës elitar të kulturës gjatë këtyre viteve. Nuk kemi si të mos e kujtojmë punën e shumë institucioneve tona shkencore, ndaj figurave dhe koncepteve kulturore e politike që i kanë përcjellë si individët ashtu edhe institucionet.
Derisa në jetën tonë letrare dhe politike, shpesh gjatë kësaj kohe flitej me përbuzje për lëvizjet kulturore dhe politike kombëtare në përmasat historike, sikur janë: Lidhje e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë, Revolucioni i Qershorit, Lëvizja Kombëtare e pas Luftës së Dytë Botërore, Demonstratat e vitit 1981, etj., apo për bartësit e tyre mendor, kulturor dhe ushtarak, si Vëllezërit Frashëri, Fan Noli, Abdurrahman Gërguri, Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka etj. duke i quajtur anakronike për kohën, ky klub vazhdonte me ngulmë që për çdo vjet t’i kujtonte ato dhe bartësit e këtyre ngjarjeve. Në të vërtetë filozofinë e tyre ky grup e ka bartur derisa mentalitetin politik të kësaj kohe e ka rrënuar krisma e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetëse mendore dhe publike e të cilës ka qenë për më se dhjetë vjet.
Ka shumë arsye që të vlerësohet dhe të përshëndetet një libër si ky që po e promovojmë sot. Ky vlerësim mund t’i bëhet edhe nga një prizëm mirënjohjeje për autorin e saj.
Në Kosovë ka shumë institucione lokale dhe qendrore, aktiviteti i të cilave mund të vlerësohet sot, por ky aktivitet mund të harrohet nesër, sepse bartësit e këtyre institucioneve kanë harruar shpejtë djersën e tyre të bërë deri dje, dhe nuk kanë qenë deri dje, e si duket nuk janë në gjendje edhe më tej që të marrin për sipër mbledhjen dhe klasifikimin e materialeve për përgatitjen e një monografie si kjo.
Në Kosovë botohen vepra më të mëdha dhe më të vogla, për krijues letrar, dëshmorë, tema politike, e madje tema historike, por me referime shpesh të zbehta, pa hulumtime arkivore, pa shënime personale, pa memoare të mbledhura në përmasat në të cilat duhen të mblidhen, e megjithatë këto vepra quhen monografi, vepra sintetike, projekte shkencore, magjistratura, doktorata etj.
Autori i kësaj vepre ka synuar të paraqes një pasqyrë të një grupi letrar dhe aktivitetit të tij. Dhe ja ka arritur. Prandaj në këtë drejtim përpjekje do përshëndetur dhe vlerësuar si një punë shembullore. Veprat si kjo janë baza të mira për vlerësime më të mëdha kulturore, letrare dhe historike. Veprat si kjo do të duhej të ishin shembulli më i mirë se si duhet të punojmë dhe se si duhet t’i ruajmë e drejtojmë institucionet dhe aktivitetet tona. Ata që ruajnë kujtesën, thonë nuk i përsërisin gabimet. Autori i këtij libri e ka kaluar këtë shteg. E ka ruajtur kujtesën edhe pse nuk e ka bërë gabimin.
Urojmë që edhe veprat tjera t’i shkruaj me përkushtimin me të cilin e ka përgatitur veprën e parë.
Prishtinë, 6 qershor 2002