Kulturë
Hysen Këqiku: Në ty e kam shpirtin (IV)
E diele, 10.10.2010, 01:39 PM
HYSEN KËQIKU
NË TY E KAM SHPIRTIN
LITAR NË TRASTË
Kanuni i hëngri
odat e shkreta
tok me përmbytjen
e çardakëve të mjerë
- nusen e fundit
hëna
e mori për rreze
fshati
me një thes shekujsh
ia mësyni rrugëve
litar në trastë
rrënjët i harruam
nën themelet
e kullave
nën ëndrrat për diku
edhe nën psherëtimë...
HISTROIA IME
Buzë rrugës së shkretë
një qyp me thesare
edhe kalimtarët e verbër
i fusnin duart në të
edhe pranë burimit
edhe në breg të detit
nëpër udhëkryqe
rrokullisej qypi arkaik
të gjithë merrnin
po, ai nuk shterrej dot
Merrni, merrni
-bërtiste orakulli
në të paska për të gjithë
Dhe merrnin, me pangopësi
Kalimtarët
me prirje artistike
qypit
ia ndryshonin grafitet
mëkatësisht
mori tjetër pamje
mbeti i shëmtuar
i ngrysur
i mbërthyer
I kujt është qypi
Imi thotë i verbëri
Imi thotë hajni
Imi thotë i humburi
Imi thotë i paemri
Imi thotë kalimtari
Të gjithë thonin
Imi, imi...
Qypin e kthyen përmbys
Iu derdh thesari i fundit
Ikën hijeve të mëkatit
Qypi mbeti në erën me lagështi
në shqotë
Ai nuk i përngjan vetes
stolisur me grafite barbare
pa asgjë brenda
i zbrazur, i alivanosur
me grykë e fund të thyer
Barbarët
vazhdojnë ta tundin
Të paemrit
me gënjeshtra
mbulojnë gjurmët e krimit
Hajnat
shesheve shpërndarë
e akuzojnë për vjedhje
Të humburit
ia tregojnë shtigjet e mbyllura
Uzurpatorët
nuk e ndalin tregtinë
me copat e qypit të thyer
Mëkatarët
janë mëkatëruar
Indogjeni
mbi Rezolutën eurorrmoke
shkruan histori
për copat e qypit të shpërndarë...
YJET LUAJNË VALLE
BUZËQESHJA
MË TËRHIQTE
Unë mendoja
se po t’i mëkoja plagët
kur nxirrja litarin nga trasta
mendoja se do të më shpinte
kah burimet e erës
tok me petalet e rëna
për tokë
më dukej se më tërhiqte
buzëqeshja jote
tok me fluturimin e zogjve
ti ishe atje
ku puthiteshe me retë
vetëtimat
bubullimat
atje kur mornica të ftohta
pikonin nga qielli
ti nuk kishe dridhje
shkëlqim vese ishin ato
në relievin e mbushur
rrudha brengas
. . .
Ecja
me hapin
lodharak të vargut
të varur
në verig
ecja
për qëllimet
e tua
të mira
në reale
jo në ëndrra
me ankth
vargu i dalë
nga metafora
ecjen time e bëri hap
pas hijes sate
e freskët si hija
e valës
s’munda ta kap
as në dimër
as në vapë
GLLABËRIM
Fjalët e rralla
i gllabëroi harresa
luginat u mbyllën
për logje
e unë nga ta hedh
vështrimin
me peshën tunxh
mbi shpatulla
mbase në mes nesh
rritet (pa)gjumësia
SE NDALI KËNGËN PËR TY
Sy të ëmbël
me shikim të beftë
ma ndez një rreze rubin
ma shfaq ngrohtësinë e rrënjës
dhe nuk dorëzohem dot.
Sy të ëmbël
Me çerpik të praruar
ma ripërtërinë mendimi për ty
ma rikthen ngrohtësinë e fikur
dhe nuk më zë gjumi.Dua të ëndrroj
Sy të ëmbël
me kaltërsi deti
m’i zhdavarite valët e zgjimit
m’i trembe peshqit n’harrim
dhe unë s’e ndali notin
Sy të ëmbël
me kthjelltësinë e burimit
ma ndez një flakërimë në shpirt
ma trete vajin në harrim
dhe unë këngën për ty se ndali
VALLJA VAZHDON RITMIN
Të grumbulluara ishin të gjitha
Pagjumësia e ankimit
edhe ankimi i pagjumësisë
melankolia e patretur
edhe patretësia e melankolisë
kuptimi i rraskapitjes
edhe rraskapitja e kuptimit
pendimi i faljes
edhe falja e pendimit
Të gjitha e luanim vallen e heshtjes
heshtja luante vallen e dritës
drita luante vallen e yjeve
yjet luanin vallen tonë
Vallen tonë
e luanim edhe ne
në hapin e ecjes
për t’u larë në rrezet e hënës
karkalecët e natës i patëm krushq
Vallja e vazhdon ritmin e lojës
MREKULLIA
Mrekullia i ka hapat e padukshëm
ajo shihet vetëm kur je symbyllur
psherëtin
merr frymë
lëviz dhe nuk ndalet
Nuk dëgjon zhurmë ecjeje
nuk flet as nuk ofshan
pik si loti
nga qepalla
Rrëshqet tatëpjetë
me heshtjen e dhembjes
lëmim i botës së pluhërosur
gjuhë e pafajshme
loti
Ta njohë shijen e kripës
Nën flakën e flakërimës
Ta njoh
edhe thellësinë e malit
me misterjet e xixëllonjave
mrekulli pa adresë
me hapa të padukshëm
Nuk kemi peshë për tokën
kemi peshë për zemrën
ajo na mba të mbyllur
Do ta gjejmë vallë pendëlkuqen
që të na mbyllë në thellësi të zemrës
RREZJA E REJA E DIELLIT
Vesa na e tha
mirëmëngjesin e parë
në atë fllad përcëllues
me gugunë e kumrisë
me telin e skuqur dridhërues
Si më vjen
pendël zogu
Nuk guxoj të marr frymë
kam dro se të largoj
as të kollitem
as të teshtijë
nuk dua
Duart shtrihen përpara
kë do ta mbërthesh
kënaqësi
shkëlqimin e gjetheve
heshtjen e mrekullive
rrezja e reja e e diellit
Afëroditë nga ti kërkova
të ma afrosh mëngjesin
të qenit gjallë
të shfajësimit të gjuhës
se nuk dinte fjalë tjera
veçse Të dua
SA HERË TË SHOH
Saherë të shoh
e di se mbin një lule e re
ma merr një ofshamë
edhe një pikë loti
Në krahët e zogut
me sqepin penë për pentagram
edhe dridhësen e grimcuar
në mes dy telave shtrënguar
Idila ta fal një tingull
“Moj e Mira
me dy lira
afrohu më ngat
të priftë e mira”...
Do ta vazhdoja
po të mos këputej teli
e pse o Zot
në prapamejen time
mjegulla ka rënë
Do të doja të kam përpara
të të shoh si në pasqyrë
të krehur
dhëmblarë...
PSHERËTIMË PËR NËNËN
E MADHE JE O NËNË
E dashura nënë,
jam ulur
mbi dheun që t’i mbulon eshnat
po i numëroj vitet
të stolisura
me grafite rrudhash
Nuk je tretur fare
ke mbetur në psherëtimat e mia
të përfytyroj ashtu siç ishe
ti nuk je mplakur
Kam mbetur i uritur
të ftohtit e dridhjeve
si etja
nuk më hiqen
Nuk kisha ditur
për të ta shijuar
ngrohtësinë tënde përvëluese
pak ta kisha njohur
dhembjen e psherëtimave
II.
Nuk ta dëgjova grahamën e fundit
as nuk ta dhashë lamtumirën
Shpresoja se do të të gjeja
te portat e oborrit
duke më pritur
Çfarë meraku i pashuar
të të shihja
në atë çast lamtumirës
-O nënë
isha larg shtëpisë
Besoja se nuk do të të mposhtte
unë të dija për të fortë
III.
Nuk di kë mallkova
kur mora lajmin se nuk rron më
Sa i dobët u bëra
nuk besoja se mund të jetoja
me peshën e dhembjes...
46 herë çeli lulemolla verore
46 herë dallëndyshja bëri çerdhen
nën strehën e shtëpisë
Unë i numërova
me shumë pika loti
o nënë...
Mollët më të mira i ruajta
ua dhashë fëmijëve
-merrini!
janë të nënës sime...
IV.
T’i mbaj në mend këshillat
t’i mbaj në mend dhurimet
“Dallëndyshja është ndjellamirë
cicërima e saj është recitim
Si lutje për bekim”
E madhja ime
të pengonte mjegulla
ajo mbulonte majet e bardha
ngrinte edhe heshtjet
Në shpirtin tënd o nënë
kujtimet i mbaje të forta
V.
Shpresat
besnikërisht
i lidhje me lindjet
I ushqeve
me melmesën
jetë
Me gjakun
dardane
Me djersën
ujëvarë
Me pastërtinë
ylber
Me dritën
diell
Me freskinë
pranverë
Me etjen
ujë burimi
Me përkëdheljet
miklime
Me ofshama
të lagura
VI.
Dheu që t’i mbulon eshnat
ma shpalon
thellësinë e ngrohtësisë
Mos më anko o nënë
kësaj ngrohtësie
as unë nuk i largohem
kjo tokë do t’më pranoj
se kurrë se përbuza
as s’e braktisa
edhe në shkrumb të saj
gjeta ngrohtësinë tënde
Kjo tokë më fali ngrohtësi
unë zemërgjerësi
kjo më fali hapësirë rrite
unë besnikëri
kjo mua më fali shpresë
unë ia ruaj kujtimet
Tash jam më i mplakur se ti kur vdiqe
jam baba
fëmijët e mi e kanë edhe nënën
Ata m’i dëgjojnë psherëtimat
“oh nënë”
sado që mundohem t’i them pa zë
E madhe je o nënë
e maaaadheeee!