E diele, 04.05.2025, 08:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Dy poezi nga Vullnet Mato

E hene, 11.10.2010, 08:20 PM


Vullnet Mato

 

 

PRET NJË GRUA NË VERI

 

Është një shtëpi fshati larg në Veri,

mes borigave halore pranë një pylli,

një shtëpi bore me të pjerrtën çati,

te një livadh i bleruar që puth dielli.

 

Në atë shtëpi me qeleshe reje mbi krye,

pret një malësore me llërë të përveshura,

një faqekuqe që kënaqet me lexime poezie

dhe te buzët nuk i perëndon e qeshura.

 

Ajo grua më ftoi mik para disa vitesh,

bashkë me burrin, një malësor trupfort,

të shkruaj vjersha e të veroj aty pushimet,

por nuk pata rast dhe nuk shkova dot.

 

Ajo çdo mëngjes, kur fshin oborrin,

shkund gjoksin e madh duke vallëzuar,

mjel lopën, zien qumështin, zë kosin

pastaj pjek kulaçin e grunjtë për mua.

 

Ka dërguar letra me disa re bardhoshe

ku ka shkruar me lapsin e kuq të rrufesë:

“Eja, or mik, se ne po të presim prej kohe!“

Do shkoj t’i lexoj këtë vjershë para se të vdes.

 

 

KUR NXEHEN POLITIKANËT

 

Kur dëgjoj politikanët

në ekrane apo foltore të kuvendit,

tek nervozohen fare kot

dhe gërthasin rreptë,

them me vete,

u mungon autokontrolli i personalitetit,

për tu frenuar

para mijëra dëgjuesve krejt të qetë.

 

Nervat e tyre

tregojnë se kanë hardiskun e trurit

pa kapacitetin e nevojshëm për argument,

dhe duke mos përballuar

mbingarkesën që i futin,

procesori i logjikës u nxehet shpejt...

 

Ndaj në pozicione ku politika

peshën e shtetit mban,

nevojiten kapacitete të fuqishme

të veprimtarisë trunore.

Të durojnë ngarkesa mendimi

me shumë gigabajt,

për nivele të larta që kërkon

logjika bashkëkohore...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx