E diele, 04.05.2025, 04:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Aliriza Selmani: Monografi e parë shkencore që iu kushtohet të burgosurve politikë në Kosovë

E hene, 11.10.2010, 09:58 PM


MONOGRAFI E PARË SHKENCORE QË IU KUSHTOHET TË BURGOSURVE POLITIKË SHQIPTARË NË KOSOVË 1945-1990

 

Prof.Dr. Sabile Keçmezi-Basha “Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990”, botoi SH.B. Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2010, 600 f.

 

Nga Mr. Aliriza Selmani

 

            Prof.Dr. Sabile Keçmezi-Basha, kohën e fundit i shtoi botimeve të saja edhe monografinë me titull “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990” kushtuar të burgosurve politik shqiptarë të Kosovës prej vitit 1945 deri më 1990. Ky studim është vazhdim i punës së sajë kushtuar këtij problemi edhe në veprat e mëparshme të cilat i ka trajtuar në monografitë : “Lëvizja ilegale shqiptare në Kosovë 1945-1947”, të botuar më 1998 dhe vepra tjetër “Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989” të botuar më 2003 dhe monografinë “Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), 2009. Pasqyrimi i kësaj pjese të historisë ishte preokupim i autores, e cila në librin e fundit ia ka arritur qëllimit që ta shtrojë, analizojë e kompletojë në mënyrë analitike të dokumentuar organizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi, në lëvizjen ilegale, shtrirjen, masivizimin e gjerë, si një e drejtë legjitime e mbështetur mbi një program kombëtar baza e të cilit ishte në kërkesat e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit (1878).

            Për të ndriçuar përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve tjera etnike në Jugosllavi, aktivitetin e të burgosurve politik shqiptarë, autorja ka bërë hulumtime shumëvjeçare në grumbullimin e të dhënave dokumentare, në Arkivin e Kosovës, në arkivat e gjykatave të qarqeve , materialet e proceseve gjyqësore ndaj të burgosurve politik shqiptar, materialet sekrete të sigurimit të shtetëror, literaturën e shumtë historiografike, shtypin e kohës etj. Të dhënat në fjalë i ka përpunuar me kujdes dhe na i ofron në një studim dinjitoz, duke na sjell të dhëna  sa të rëndësishme  edhe tronditëse, për përpjekjet e popullit që punoi në ilegalitet me bijtë dhe bijat më të mira, kundër një makinerie shtetërore, i cili dhunën ndaj popullit shqiptar e kishte ngritur në sistem si askund tjetër.

            Autorja, për të shtjelluar problematikën e lëvizjes ilegale nga viti 1945-1990, përveç parathënies dhe hyrjes (afër 199 faqe), librin e ndan në shtatë pjesë kryesore, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, përfundimin, rezymenë në gjuhën angleze, treguesin e emrave të njerëzve dhe gjeografik, faksimile të ndryshme, burimet dhe literaturën, shtypi dhe revistat.

            Në hyrje të monografisë, autorja e sheh të nevojshme që ta përgatit lexuesin me një analizë të hollësishme lidhur me shkaqet e organizimit të popullit shqiptarë në lëvizjen ilegale si brenda ashtu edhe jashtë trojeve të veta në Jugosllavi. Kurse shkak kryesor ishte pakënaqësia me statusin politik në Kosovë pas përfundimit të LDB, kur trojet shqiptare ishin ndarë mes tri republikave Jugosllave (Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi), si dhe vazhdimi i dhunës në forma të ndryshme institucionale ndaj një populli që kërkonte  liri dhe barazi kombëtare. Si që thekson autorja  gjenocidi  kundër shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare i filluar që nga luftërat ballkanike, kishte vazhduar në forma të organizuara me vrasjet e paligjshme edhe në ditët e përfundimit të LDB, qysh para Kuvendit të Prizrenit (1945), si që ishin masakrat në Gjilan, Ferizaj, Drenicë në kalvaret e Tivarit etj. Gjenocidi kundër shqiptarëve do të vazhdojë me Byronë Informative më 1948, ndryshimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve me kushtetutën e vitit 1953, shpërnguljen masovike të popullsisë, aksioni i mbledhjes së armëve më 1956, proceset e inskenuara gjyqësore etj. Kjo do të vazhdojë deri më luftën e UÇK-së  më 1999, dhe hyrjen e forcave të NATO-së në Kosovë.

            Dhunës dhe shtetrrethimit ushtarak në Kosovë në fillim të vitit 1945, shqiptarët iu kundërvunë me organizimin e grupeve të armatosura të udhëhequr nga intelektualët patriot për tu liruar nga robëria dhe për bashkim me shtetin amë. Në këtë periudhë në muajt e parë të pas luftës nga njësit e OZN-ës, u vranë dhe u burgosën me mijëra shqiptarë. Kurse organizata e parë dhe mjaftë masovike  e cila iu kundërvu  aneksimit të Kosovës nga Serbia  pas Kuvendit të Prizrenit më 1945, ishte Organizata Nacional Demokratike  Shqiptare (ONDSH), e cila  bëri emër me veprimtarinë e saj patriotike duke e shtri veprimtarinë në Kosovë dhe Maqedoninë Lindore. NË kuadër të së cilës, sipas disa të dhënave vepronin rreth 30 mijë vet[ dhe ishte organizata më e madhe në Evropë [pas LDB. Dhe si që thotë edhe autorja “Kjo organizatë hap një kaptinë të re në lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar”. Gjatë viteve 1946-1947, zbulohen dhe arrestohen shumë anëtarë të ONDSH-së, dhe organizohen shumë procese gjyqësore politike ndaj intelektualëve patriot, nxënës, bujq, zejtar e të tjerë, një numër i të cilëve dënohen me burgje të gjata e disa edhe me vdekje dhe ekzekutohen.

            Përkundër vrasjeve të paligjshme, masave drakonike ndaj të burgosurve politik dhe terrorit të ashpër shtetëror, shqiptarët nën okupimin jugosllav gjithnjë e më shumë u organizuan e u ngritën kundër padrejtësive  që i bëheshin në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, kulturore etj. Autorja sjell të dhëna për riorganizimin e lëvizjes ilegale para dhe pas demonstratave studentore të vitit 1968, duke bërë fjalë për organizatat më të fuqishme dhe grupet ilegale, si që ishin: Organizata “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, të formuar më 1960 në krye me Kadri Halimin, mandej “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” formuar me 1963, në krye me simbolin e rezistencës sonë kombëtare Adem Demaqin, “Grupin Revolucionar”, që pastaj mori emrin “Grupi Marksist-Leninist i Kosovës”, me Kadri Osmanin, Mehmet Hajrizin, Hydajet Hysenin, Xhafer Shatrin e të tjerë, si dhe organizata të tjera. Pastaj autorja trajton organizimin ilegal në diasporë, si veprimtarinë e organizatës “Fronti i Kuq Popullor” në Gjermani, “Lëvizjen për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi” me veprimtarët Ibrahim Kelmendi, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën etj.

            Demosnstrata 1981 bënë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe u cilësuan si kundërrevolucionare ndërsa pjesëmarrësit si armiq, kundërrevolucionarë etj. Andaj edhe u shtypën me gjak e arrestime. Sipas të dhënave  të autorës pas kësaj pranvere u burgosën rreth 70 mijë shqiptarë me kundërvajtje dhe burg të rëndë. Rreth 120.000 shqiptarë hynin në listën e të dyshimtëve politik, të përpiluar nga UDB-a.

            Një hapësirë të veçantë autorja i kushton aktivitetit të organizatave më të mëdha ilegale por edhe atyre më të vogla, të formuara pas vitit 1981, që vepruan brenda dhe jashtë vendit, analizon programet, shtrirjen, format e rezistencës etj. Duke analizuar veprimtarinë e tyre del se megjithëse ato vepronin të pavarura, kishin një program të përbashkët dhe fillimisht si kërkesë minimale synohej realizimi i statusit politik i Kosovës me kërkesën “Kosova-Republikë” dhe me kërkesë maksimale çlirimin e plotë të trojeve shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimi i tyre me shtetin amë si e drejtë legjitime historike.

            Gjatë analizës që i bënë proceseve gjyqësore politike nëpër të cilat kaluan anëtarët e organizatave dhe grupeve ilegale, duke i pasur në dorë të dhënat e proceseve gjyqësore të zhvilluara në çdo qark gjyqësor të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi vjen në përfundim se nga viti 1945-1990 (45 vjet) kundër shqiptarëve  janë shqiptuar  hiq më pak se 66.672 vjet e 7 muaj burg ose 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg. Krahasuar me numrin e gjithëmbarshëm të popullsisë në Jugosllavi shqiptarët  merrnin pjesë më 12% kurse në numrin e të dënuarve politik me mbi 90%. Dhe shton autorja   “Jugosllavia e Serbia mendonin se vetëm me burgje e dhunë do ta mbanin një popull në robëri e kolonizim. Mirëpo dënimet dhe proceset e montuara politike të cilat vazhduan me dekada, nuk mundën ta shuajnë idealin e popullit për liri dhe bashkim kombëtar”.

            Me të dhëna faktike autorja përshkruan vuajtjet e të burgosurve politik shqiptarë, mbi të cilët shteti dhe UDB-a jugosllave përdorte metoda të papara të dhunës psikologjike dhe fizike, u dënuan e vranë udhëheqës e anëtarë të lëvizjes, emrat e një numri të cilëve autorja i publikon.

            Krahas dhunës shteti në vazhdimësi zbatoi diferencimin ideo-politik ndaj intelektualëve, rinisë shkollore dhe institucioneve tjera partiake dhe shtetërore.

            Qëllimi dhe aspiratat e forcave nacionaliste vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes për çlirim të përgjithshëm kombëtar. Parulla “Republikë, Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, paralajmëronte se për një qëllim të tillë edhe do të luftohet. Ishte ky një sinjalizim i një bërthame të kësaj force që me emrin UÇK do të shfaqet në momentin e duhur historik.

            Monografia e Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha me titull “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, të cilën pas Prishtinës po e promovojmë edhe në Gjilan, i argumentuar me listën për të gjykuarit politik shqiptarë, të kësaj periudhe kohore, edhe pse autorja nuk pretendon se janë thënë të gjitha, por hap një çështje me rëndësi historike, andaj edhe është libër me vlerë jo vetëm për studiuesit që do të merren me këtë përpjekje të popullit që afër një shekull luftoi për liri dhe bashkim kombëtar, por do të jetë si mesazh brezit të sotëm dhe atyre që vijnë.

            Autorja, duhet shtuar se librin në baza të kronologjisë së gjykimeve në gjyqet e qarqeve të Kosovës prej vitit 1945-1990, e ndanë në shtatë pjesë, ku pason edhe lista me emrat e të dënuarve politik shqiptarë.

            Në pjesën e parë, flitet për të dënuarit politik shqiptarë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku gjithsej të dënuar ishin 1681 veta, me 11.935 vjet burg.

            Pjesa e dytë, flet për Gjykatën e Qarkut të Prizrenit, ku dënohen gjithsej 859 veta me 6.089 vjet burg.

            Në pjesën e tretë, thuhet se në Gjykatën e Qarkut në Pejë, janë dënuar 962 veta me 6.830 vjet burg.

Pjesa e katërt, bënë fjalë për të dënuarit politik në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ku ishin gjykuar, 610 veta me 4.331 vjet burg.

            Pjesa e pestë e librit flet për të dënuarit në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë ku janë gjykuar 288 veta, të cilët ishin dënuar me gjithsej 2.044 vjet burg.

            Pjesa e gjashtë përmbledh të burgosurit politik shqiptarë të dënuar në gjykatat civile dhe ushtarake gjatë vitit 1945-1990,

            Pjesa e shtatë, flet për shqiptarët e vrarë dhe të likuiduar nga viti 1945-1990.

            Dhe krejt në fund autores Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Bashës i uroi shëndet dhe shumë suksese në fushën e shkencës.

 

Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e librit “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, në Gjilan, më 07.10.2010



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx