Kulturë
Ferit Ramadani: Naim Frashëri - Monumenti i virtytit dhe vetëflijimit kombëtar!
E marte, 12.10.2010, 09:57 PM
NAIM FRASHËRI - MONUMENTI I VIRTYTIT DHE VETËFLIJIMIT KOMBËTAR !
Nga Ferit RAMADANI
Të shkruash për Naim Frashërin pas një shekulli e nje dekade e nje viti vdekjeje, nuk është as shpërthim vrulli që del nga kujtesa, as përfundim i asaj të keqeje që e ka pllakosur kombin duke u ndarë nga poeti, patrioti, humanisti, vetëm fizikisht! Naim Frashëri është bërë qysh në të gjallë të tij lidhja e përherëshme dhe ka kaluar në pavdekësi për aspektin parimor që e shprehu në krijimin e një niveli letrar artistik, poaq edhe në aktivitetin e zgjidhjes së çështjes shqiptare! Pikërisht për këtë, ai në çdo distancë kohore, edhe në këtë 111 vjetor vdekjeje, është po aq i afërt me ne, dhe vepron në linjën e parë të aktivitetit! Ai është po aq premtues për ditët e ardhmërisë! Është sfiduesi më i saktë që përballet me realitetin që nganjëherë del i rëndë në dëshpërime e në të këqia! Megjithatë, saherë bie zezona mbi Atdheun dhe shqiptarët, gjegjësisht ata i gërryen ligësia dhe përçarja, Naim Frashëri është monumenti i një ngritjeje i cili në shumë aspekte të ndez me dashurinë dhe me parimet e të mirës për ta na rimbledhur bashkimi e për ta rimbajtur në zemër Shqipërinë!Nga shprehjet poetike të Naimit , shqiptarët e kanë bërë rikthimin e gjendjes shpirtërore! Vargjet e tij, ua kanë shtuar emocionet, dhe ata kanë mbledhur edhe forcën edhe mendjen të veprojnë për interesat e Atdheut! Sepse atij kurrë nuk i ka munguar gatishmëria që t’i përgjigjet dilemës e cila është shtrirë në aspektin propagandistik për ta zhbërë e për ta rrudhur Atdheun e shqiptarëve që ishte Kalaja e enciklopedive për veprimet mbijetuese! Përpara rreziqeve dhe kanosjeve të shpartallimit të Shqipërisë nga interesat e fuqive robëruese, ai doli gjithmonë me një veprim unikat : Për bashkimin dhe pavarësinë! Gjithmonë duke e pasur në kujtesë Heroin Kombëtar të shqiptrëve, Skenderbeun, ai doli me dëshmi - nxitjet, se shqiptarët gjithkah në univers janë të tillë!
“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë
armët e tij kur i pashë
në Belvedere, në Vjenë,
-sikur pashë Skenderbenë”.
Është manifesti i mobilizimit që del e ngrit poemën “Parajsa”, që Naimi ua vë përballë shqiptarëve për qëllime taktike, se vetëm prej të tillëve mund të mbrohet atdheu dhe kombi, ashtu siç u mbrojtë nga Heroi ynë kombëtar! Me këtë dendësi qëndrese, të cilën e ka trashëguar nëpër shekuj shqiptari, ka mundur të mbrohet Atdheu nga egërsia pushtuese për të mbetur bota e qytetëruar e cila edhe për karakterin e të drejtës, të urtisë dhe të vërtetës mbeti Iliri! I prekur thellë në sedër për realitetin praktik dhe pasojat e atdheut të robëruar dhe, shqiptarëve të syrgjynosur, Naimi, bashkë më Abdylin dhe Samiun, dhe me shumë Rilindës të Lidhjes shqiptare, pareshur veproi për ta krijuar Platformën e Zgjimit për Çlirimin Kombëtar!Nëpër dallgët e përmbytjeve robëruese përmbyllej kaptina e Atdheut , përmbyllej syrgjynosja e shqiptarëve për ta larguar nga zemra e nga shpirti edhe gjakun, edhe shqipen edhe Shqipërinë! Që nga Porta e Lartë e Stambollit e deri tek Tanzimati! Që nga Kuvendi i Berlinit e në Paqën e Versajës, apo, në Shën Stefan, gjendja e Shqipërisë shkonte drejt katandisë! Parafyturimi i rrëmujës dhe rrëmetit, Naimin e prekën në ndjenjat e frymëzimit për t’i shkruar krijimet për dhembjen, mallin dhe dashurinë e Atdheut:
“Mendje merr fushat e malet!
Jashtë, jashtë nga qyteti!
Nga brenga, nga thashethemet,
nga rrëmuja, nga rrëmeti!”
Nëpër kohën e kësaj errësire, nëpër gjithë këtë tirani osmane shkuar bizantinëve, Naimi nuk u mposht nga dëshprimi. Ai u ringrit në një kolos që do të derdhë gurrën letrare për të krijuar kryeveprën, poemën Bagëti e Bujqësi, e cila me nivelin e saj artistik, me përmbajtjen dhe tërësinë, simbolin dhe metaforën, hapi horizontin ku hynin dhe gjenin frymëzime për t’u mobilizuar me ndjenjën atdhetare gjithë shqiptarët. Ky patos i brumosur i forcës shprehëse për shqiptarët u bë kushtrimi më i fuqishëm që i nxiti nga Stambolli e deri në Bukuresht ta kërkojnë lirinë! Hovet krijuese të mishëruara me hovet e përhershme shpirtërore të Naimit që i pati në parim e në platformën vepruese të tematikës patriotike, e bënë atë Pris Shpirtëror të shqiptarëve, të cilët e çmuan dhe e admiruan si kombin dhe Atdheun! Sepse, ai ua shpaloi të vërtetat për të cilat duhej këmbëngulur me guxim, ashtu siç ishte edhe poema “Shipëria” se:
“Bota , që kur është zënë,
Shqipëria gjall’ ka qenë!
Pellazg ‘ u thoshin më parë,
më së fundi shqiptarë...
Mos durofsh, i madhi zot,
të jetë në zgjedhë sot!
Poema “Shqipëria” është sa entuziazmuese, poaq edhe dokumentuese, për shqiptarët!Ajo është e një qenësie faktike e cila, që nga krijimi ka përjetuar goditjet e perandorive të ndryshme, të cilat, ende e godasin dhe padrejtësisht vazhdojnë t’ia mohojnë edhe gjenezën , edhe gjakun, edhe gjuhën, ashtu siç u përpoqën t’ia ndryshojnë gjeografinë, që pastaj, në hapësirën e saj të kultivohej çdo farë e fe në damin e shqiptarëve!Naim Frashëri , del si monument për t’ua zbardh të vërtetën shqiptarëve që të mbesin gjithmonë krenar dhe të ndjejnë dashuri për atdheun! Del edhe si parandalues këmbëngulës kundër gjithë atyre që i kanë pretendimet robëruese ndaj kombit! Mbase, i bindur edhe në fuqinë e “I madhi zot”, se nuk do t’i duronte padrejtësitë e tilla të mbetjes së Shqipërisë nën zgjedhë! Është sa e domosdoshme po aq e nevojshme të theksohet në kohën tonë, se Naim Frashëri edhe sot e paskëtaj është Mësuesi ynë i madh i cili na ndërlidh me temat që u ka rënë misteri, megjithatë ai i bën të dashura, dhe brezat që vijnë i detyron të ndjehen krenarë! Sepse:
Pa shihni ç’ gjuhë e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur edhe e dlirë,
si gjuhë perëndie!
Në realitet, kush nuk do t’i përkasë cilësisë së tillë?! Kush nuk do të përpiqej ta flasë atë pos djajve të cilët me çdokusht u përpoçën ta fshijnë nga autoktonia e saj me aneks administratat barbare! Megjithatë, meç ishte e cilësuar si e tillë nga Naim Frashëri - monumenti i virtytit dhe vetëflijimit kombëtar, ajo përkundër gjithë tendencave të perandorëve, bashkë me shqiptarët në çdo skaj të botës përjeton një zhvillim karakteristik! Në këtë proces të zhvillimit është edhe Lëvizja për liri kombëtare! Ajo i ka marrë nuancat e një përbetimi të përhershëm të shqiptarëve të cilët që nga lindja e deri në vdekje e mbajnë si amanet dhe gjatë gjithë jetës së tyre përpiqen ta sëndërtojnë:
“ Shqipëri ti më jep nderë,
më ep emërin shqipëtar,
zemrënë ti ma gatove
plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Gjithë kjo jehonë e ndërgjegjes sonë kombëtare nuk është vënë kurrë në binarët e mohimit të vlerave të të tjerëve! Për ato, Naimi gjithmonë ka pasur respekt dhe ka ofruar bashkëpunim! Ai në kuptimin e këtij krijimi ka ringritur shpjegimin i cili hyn në misionin e ndriçimit për rreshtimin e drejtë dhe përcaktimin e plotë të Atdheut, kombit dhe gjuhës së tij, pa të cilat as që do të bëhej trashëgimia, as kultura, as trimëria! Me një fjalë, historia do ta ndjenjte mungesën për ta shkruar efektin e të ngjarave që mbeten epope të papërsëritura! Ashtu siç mbeten unikate edhe krijimet artistike të Naim Frashërit për vetëflijimin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët:
Do të tretem , të kullohem,
të digjem , të përvëlohem,
që t’u ndinj mir’ e të shihni,
njëri - jatërin të njihni.