Kulturë
Leon Lekaj: Rutinë
E enjte, 14.10.2010, 09:43 PM
Leon Lekaj
RUTINË
Prozë
Kam dalë në kopsht dhe dita që i afrohet muzgut është e bukur. Edhe sot do të bëj të njëjtat gjëra për të kënaqur shijen time të ngopur me të zakonshmen, të prashis dhe ujis. Por më duhet të reagoj ndaj ca gërthitjeve të çuditshme. Janë kopshtarët e tjerë ata që më shqetësojnë, më tepër me habinë e tyre se sa me veprimet. Më shohin me një ngulm të hidhët, a thua se jam unë përgjegjës për çudinë e tyre, që në të vërtetë jam. Hedhin shikime nga unë, e në intervale kohe të barabartë shohin nga qielli. Kjo më bën të reagoj. Ah, ja tek qenka relacioni ynë i reagimit! Një balonë fosorishente, në ngjyrë portokalli, kishte mbërritur tek “Parajsa e Kopështarëve”.
Them me vete se do të jetë mirë që të vazhdoj rutinën time, por më duhet të ndalem sërish. Ata mbajnë në duar ca shkallë të gjata, që mua më duken krejt të çuditshme. Nuk guxoj të pyes arsyen e mundimit të tyre, më tepër i shtyrë prej asaj që të jep një veprim, i cili më lë të kuptoj diçka. Të tjerët më përbuzin ngaqë thjesht i shoh. Nuk dua t’i shoh por ata janë kudo. Nuk e di se përse më duken qesharakë, ashtu me shkallët e tyre mbi shpinë, por më tepër për idenë që mbartim mbi shpirt. Se tani e kuptoj që gjithsecili prej tyre ka vetëm një qëllim: Të kapë balonën.
Prashis lulet. Më tej iu hedh ujë dhe këndoj një këngë të Çelentanos, apo Modunjos, deri sa dikush më afrohet krejt pranë fytyrës: balona po kalon pingul mbi kokën tënde, e ti je pa shkallë. Vërtetë, përsëris me vete, jam pa shkallë. Atij nuk i them asgjë. Më dhimbset. Thjesht më dhimbset. Pas pak balona qëndron pingul mbi kokën e tij. Fqinja im ngutet me shkallën, unë zhvesh një lule prej degëve të thata, e balona është larguar. Fqinji im lëshon atë ah-un e njohur. Mjeti ngjyrë portokalli lëviz e ndalet në “Parajsën e Kopështarëve”, pingul mbi kokat e të gjithëve. E njëjta psherëtimë kudo. Mosrealizim. Dështim. Unë ujis lulet e përsëris motivin e Çelentanos, a të Modunjos dhe me sytë e mendjes arrij të shoh fillin transparent, të cilën e mban një krijesë, që fshihet diku lart, në ato dy tre re të vogla të atij perëndimi të përflakur, atë fill, të cilin para një nate ma kishte paralajmëruar në ëndërr një shenjt i rremë a i vërtetë, as këtë nuk e kujtoj...Dhe vazhdoj rutinën time.