E diele, 04.05.2025, 12:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Lirika nga Daniel Gàzulli

E enjte, 14.10.2010, 09:55 PM


Daniel Gàzulli

 

Lirika

 

     Sytë e mi

 

Në këte mbramje gushti,

freskue nga flladi

e përndezë nga shikimet e etëshme

të vajzave,

do të doja

që sytë e mi pasqyrë të baheshin

e para tyne

të ndaleshin

me u shikue

vajzat e peshkatarëve,

erë kripe e jodi,

vajzat sirena,

që pijnë venë të kuqe tek “Tarraca”,

kambën përmbi kambë,

gjysmën e gjiut përjashta.

 

 

Në muzg

 

Kur mbramja bie

kujtimi i diellit përvëlues

nuk mjafton

vetminë

që shpirtin më pushton

ta ndriçojë.

 

 

Fund vere

 

Ja dhe shiu  i parë i fundgushtit,

që rrëshqet në trupat e zeshkët

                                    e fërgëllues të vajzave.

 

Nesër qielli do të jetë i pastër si sytë e tyne.

 

 

Kur shkel në të 17-tat

             - portret -        S. L.

 

Tasheparë rrëshqet duert

mbi fundin e lehtë

                         që mbi gjujë i lodron.

Një gropëz në cep të buzëve

i bahet herë nga e majta,

                         herë nga e djatha.

Bluza e hollë –

                         tendosë –

i gudulis andërrat.

Sytë i rrezatojnë

herë dritë besimi,

                         herë dritë pasigurie.

Hapat e saj kanë ritëm,

ritmi simetri:

kurse ajo asht e tana

                         grishje,

                                     grishje,

                                                 grishje.

 

 

Njëzet vjeçe ishe

 

Njëzet vjeçe ishe,

njëzet përsëri:

vallë a jam në andërr,

a në çmenduni.

 

Njëzet vjeçe ishe,

përsëri njëzet,

dhe kalue kanë

plot njëzet vjet.

 

Vallë, a jam në andërr,

a në çmenduni?!

- Jo, nuk je në andërr,

asht ime bijë.

 

 

Buzëqeshja

 

Basketbollistes së Kantungut, që mbante nr. 11

 

Ti ecën dhe buzëqesh.

Andërron dhe buzëqesh.

Përshëndet,

lot,

vallëzon

dhe buzëqesh.

 

Buqëqesh!

Hiret le të të shtohen :

Mbi trupin e derdhun kok’ e bukur,

në buzë,

perhërë,

endet buzëqeshja.

Buzëqesh, moj aziatike simpatike,

buzëqesh;

kudo në botë

njerëzit kanë nevojë për buzëqeshje.

 

 

 

Andërr

 

Një krah dallëndysheje që rrëshqet në dritare.

Zani i një miku që më thërret me emën.

Një puhizë e kaltër që përkëdhelë lulet në vazo.

 

Ju lutem, mos më zgjoni!

 

 

Kam nevojë

 

Kam nevojë për dashuninë tande, grue a vajzë qofsh ti,

ma shumë se bima për shi,

ma shumë se për qumshtin e valë e për ajrin,

kam nevojë për tanden dashuni,

grue a vajzë qofsh ti.

 

Kam nevojë për dashuninë tande, grue a vajzë qofsh ti,

për përkëdheljet e dorës tande nga rrjedh e ngrohtë dashunia,

për belin tand që këputet në krahun tim,

për prushin e buzëve –

Kam nevojë për tanden dashuni.

 

Kam nevojë për dashuninë tande,

dashuninë t’pafrikë e pa dyshime,

për dashuninë që s’njeh veç zemres të tjera pengime,

për dashuninë që rrjedh e pastër nga burimi në derdhje

e andërrat vaditë

e i ban të lulëzojnë të shëndetëshme.

 

Kam nevojë për dashuninë tande, grue a vajzë qofsh ti,

që në ditet e gëzueme të më shtojnë lumtuninë,

që në ditët e trishta hidhnimin t’ ma paksojnë.

Kam nevojë –

             për tanden dashuni.

 

Ptuh! – mbi tokën dhe bimën dhe guen që dashka shterpësi!

Lavdi asaj që do,

                         asaj që lind,

                                                 asaj që ban dashuni!

 

 

 

Këtë mëngjes

 

Me një kangë në buzë

ec rrugës së porsazgjueme

tue shkue

në takim me të papritunat e ditës

dhe shpresë

se në mes të të papritunave

do të jetë edhe qielli i përmbysun

i synit tand.

 

 

Sa e shkurtë koha

 

Nata nën qepalla

             hanën sa e thirri.

Drit’ e abazhurit

             bie mbi trupin tand,

derdhet mun te gjini.

 

Rreze të kaltëra

             përthyhen në dritare.

Përthyhet val’ e trupit.

Në bulzat e gishtrinjëve

             bulzon afsh i prushit.

 

Hana tej u tret.

             Rreze lëshoi dielli.

Ndezë abazhuri.

Se ç’na iku nata.

             Iku edhe gjumi.

 

 

Diell në mesnatë

 

Mesnata ka kalue.

Pranë shtratit tonë,

në karrocë,

gjum me arijë të çuditshëm

e dhelpna të squeta

e luleshqerra

ban Linda.

Mbështetë mbi gjoksin tim,

(pak e lodhun),

buzëqesh ime shoqe.

 

Ashtu të përqafuem,

mbyllim edhe na sytë

sepse nesër,

do të shkojmë në det

e në mes peshqëve

do të notojë

edhe flutura jonë

e bardhë si andrra.

 

Po gjum nuk kam.

Larg

kujtimet shtegtojnë,

në ditët

kur Linda ishte ende një andërr,

e pothuej i trembun

dorën zgjas në errësinë

e përkëdhel diellin.

 

 

 

 

 

Lule kumbulle

 

Nata la në dritë yjesh ishte

e nga deti,

ngjye në jod e kripë,

vinte flladi;

lulet e kumbullës

pëshpërisnin

fjalë dashunie

me hanën.

 

Të përqafuem

zbrisnim nga Kodër e Kështjellës

tue rrëshqitë të lehtë

në maje të gishtave

e tue iu gëzue

thërrimeve të fundit

të një andrre.

 

E ma nuk thamë asnjë fjalë.

Ndërsa duert në ajër

largoheshin,

largoheshin,

në sytë e tu

pashë lotët të ndrinin

e në ta të përthyheshin

rrezet e hanës.

 

Që nga ajo mbramje

vizatoj

lule kumbulle

ngjye

në vjollcë e në të kaltër.

 

… dhe kalue kanë vitet.

… e përhi flokët janë.

Vetëm sytë tu

mbetë kanë

lule kumbulle

përndezë

nga prushi i përjetshëm

i dashunisë.

 

Karafili

 

Çdo mëngjes

nga ballkoni shikoja

mos kish çelë karafili i fqinjit në vazo.

Papritë, një ditë,

e pashë të skuqte

mbi bluzën e bardhë

të së bijës

shtatëmbëdhjetëvjeçare.

 

 

Një dorë e ngrohtë

 

Si llampë e shueme

pres

një dorë e ngrohtë të më prekë

dhe përsëri

dritë të buroj.

 

 

Sa të kam dashtë ....

                                     - kangë -

 

Porsi fllad i ngrohtë

vije ti drejt meje.

Shmpleksë flok i bukur

përmbi gjinjë të derdhej.

Derdhej prush i gjinit

tutje nëpër deje.

 

Rrugëve kur kalon,

gji i bukur tretë,

shikimin më hedh,

drit’ e bebzës flet.

Flokët shtrue mbi qafë

përkrah me një tjetër.

 

Mall i rinisë

ç’më shtërngon në grykë.

Ndalu dhe një herë

sa të të shikoj sytë.

Vitet tutje shkojnë:

Tehu malli yt.

 

Grua e dashunueme

 

Jo, askush nuk troket në dritare.

Janë tingujt e vargjeve të mia

që mbi xham përplasen

                                    e bahen thërrime,

ndersa er’ e marrë

tej i vërvitë

në degët e xhveshuna të pemëve.

 

Mos u zgjo herët.

Asht e kotë t’i pastrosh

me leckë e detergjente;

në retinë të zemres

ciflat kanë ngelë.

Leni të prehen.

Kanë mërdhi gjithë natën.

 

 

Peizazh

 

Një fushë mbushë me lulëkuqe

dhe diell 

e diell

e diell.

 

 

Një ditë prilli

 

Ç’përpëlitesh kështu,

zemër e marrë?

Mikja po vjen,

e lehtë

dhe zemërdridhun,

ndoshta

shkallët po ngjit,

të pandjeshme

ndaj hapave të saj të pasigurtë.

 

Ajo po vjen.

Shoh

buzët e saj pak të hapuna,

shikimin e ndezun

e të ndruajtun,

ndërsa duart lëviz

sikur kërkon

ku të mbështesë

andrrat e saj.

 

Ajo po vjen.

E ti përpëlitesh ande,

si ateherë

kur,

pothuaj fëmijë,

shkonim në takim

me dashuninë e parë.

 

Mikja po vjen.

Le t’ia hapim dyert

zemër e marrë.

 

 

 

Mbi flatra andrrash

 

Yjet në qiell

shpupurisha.

Në mes tyne

të kërkoja ty.

 

Me bulza të gishtrijëve

përndava lulet aromëdehëse,

mes petalesh të paçeluna

mos gjeja ty.

 

Mora shtigje pyjesh,

mes sorkadheve

mos lodroje ti.

 

U ndala i lodhun dhe të gjeta

strukë në zemrën time

tek përkëdhelje

bebëzen e shpirtit tim.

 

Mbi flatra andrrash,

të përqafuem,

ku vemi, vallë?

 

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx