Kulturë
Ali Sh. Berisha: Nga gojëdhëna deri te e vërteta dhe paradokse
E premte, 15.10.2010, 09:57 PM
NGA GOJËDHËNA DERI TE
(Marrë nga Gallapi i Prishtinës VIII në dorëshkrim)
Nga Ali Sh. Berisha
Për të shkruar këtë vështrim, përkatësisht për të bërë një analizë lidhur me gojëdhënat dhe paradokset që ende harbojnë në disa lokalitete të Gallapit të Prishtinës, më nxitwn shprehjet “maxhup”, “potur” dhe “trent” qw pwrdoren edhe sot e kwsaj dite. Për lexuesin që nuk disponon me Gallapin I, Gallapin II, Bashkia e Llukarit I, por edhe Gallapin VIII (në dorëshkrim, që bën fjalë për trashëgiminë gojore e të shkruar të Gallapit të Prishtinës) etj, po japi disa citime të gojëdhënave e më vonë analizën e tyre pa pasur qëllim ofendimi askend, por me ngulmim të zbardhjes së të vërtetës në kontekst të gojëdhënës.
Gllokovicë
Tek gllogovicasit harbojnë dy gojëdhëna lidhur me kabiljen Aliu dhe Bekteshi. “Kabilja e Aliut thuhet se vjen nga një rrogëtar magjup. Një çikë gllogovicase dashurohet në të. Gllogovicasit ia japin dhe e qesin me shtëpi te Koliba e Ibres. (Me gjasë rrogëtari e kishte emrin Iber). Pleqtë e fshatit që shikonin kundruall tek e ndiznin zjarrin, presin të shohin se nga shkonte tymi. Tymi merr dushkajen, andaj prognozojnë: Paska për t’u bërë mëhallë e madhe” dhe vërtetë kjo ndodhi.
Ngjashëm ka ndodhur edhe te Kabilja Bekteshi. “Kinse katër shtëpi shkje paskan ardhur nga Gushinca aty dhe një vajzë e bekteshëve dashurohet në një djalë të të ardhurve. Këto familje pranojnë gjuhën dhe kulturën e vendësve dhe jetojnë bashkë. Pra, janë poturë.” Tregoi Jakup Demolli, 67 vjeçar, Gllokvicë, Kolovicë e Re, 10.04.2005. Gallapi i Prishtinës II, Prishtinë, f.128,129.
Busi – lagjja Pepiqi
Njejtë si te Kabilja Aliu në Gllogovicë, përflitet edhe në Busi e Mramuer. Sipas të dhënave thuhet se të fundit në Busi janë ngulitur Pepajt dhe se janë nipa të Busisë.(Hilmi Gashi, 98 vjeç, Busi 23.04.2005, Gallapi I, fq.282), Se para tyre në Busi jetonin dy familje, se i pari i Pepajve (njëfarë Lushi dhe Ademi, vëllezër, se cili ishte babai i tyre nuk dihet) ishte maxhup, se ishte rrogëtar në Busi, se një vajzë nga Busia martohet me të, se busiasit i ndajnë tokë dhe ia bëjnë një kolibë Te Vorri i Plakut, përkatësisht Te Kroni i Kolibës, se kur e paskan ndezur zjarrin, busialitë i paskan nxjerrë fëmijët përjashta duke u thënë: Shikoni se nga shkon tymi? Me të parë fëmijët kthehen dhe u tregojnë se tymi po shkueka ultë dhe se po zgjërohej nëpër tokë, dushkajë. Tashti pleqtë bëjnë pleqni dhe thonë: Nuk do të larghen, por do të shumohen e bëhen mëhallë. Po të kishte shkuar tymi lart ata do të largoheshin. Të gjithë në Busi thonë se Pepiqtë janë të zanë prej magjupi, përkatësisht e kanë rrajën prej magjupi.
Grashticë
Në një bisedë plotë humor haxhi Ibrahim Ajeti nga Siqeva, me banim në Kodrën e Trimave thotë: “Lëre, grashticasit janë të zënë prej të trentit”. Kur kërkohet nga Sahit Krasniqi nga Grashtica se pse është kështu, ai mbetet pa përgjigje.
Llukar
Sahit Krasniqi nga Grashtica me banim në Kodrën e Trimave për popullatën e lagjes Berisha të Llukarit thotë: “Ha, ha, ata janë të zanë pej magjupit”, ndërsa unë, intervistuesi, them duke qeshur se lagjja Berisha me jevgët kishte një afërsi gjeografike, sepse ishte lagjja e fundit e Llukarit, kurse ajo e jevgëve në të hyrë të Prishtinës, se kontaktet ishin më të shpeshta dhe se jevget kanë sjellë në lagje diçka me torbat e tyre dhe nga aty kanë marrë. (Ali Sh. Berisha” Bashkia e Llukarit” Prishtinë, 1998, fq.53 dhe 54)
Këto gojëdhëna, që u përmendën më lartë, përfolen edhe nga të tjerët në fshat, të bindur se ashtu është: Nga gojëdhëna të tilla e të ngjashme nuk kursehet thuajse asnjë fshat në Gallapin e Prishtinës.
T’i përimtojmë paksa këto gojëdhëna në përpjekje për t’iu dhënë atyre tabanin historik.
Fisi Gash zotëronte jo vetëm vendbanimin e hershëm të Graçanicës, të cilin e dokumentojnë Varret e Mramuerit, Vneshtat e Mramuerit dhe vetë kisha e Graçanicës, e cila gjatë periudhës së sundimit mesjetar serb ishte shndërruar nga një faltore katolike në atë ortodokse. Sipas dokumentave të Vilajetit Vëllk, popullata e Graçanicës (dhe jo vetëm ajo, kjo më së miri vërehet tek priftërinjët) shërbehej me dy emra e mbiemra, njërin (atë katolik) për komunikim familjar, ndërsa tjetrin për komunikim në nivel të fshatit dhe në nivel të regjimit për shkak sigurie. Ky vendbanim kishte pronat e veta në Malesinë e Gallapit dhe njerëzit e vet që përkujdeseshin kryesisht për blegëtorinë. Pjesë të këtyre pronave ishin edhe mera, andaj një numër banorësh me të humbur sigurinë u zhvendosën nga Graçanica dhe u vendosën pranë të afërmëve të tyre e në pronat e tyre, por edhe në meratë e këtijë vendbanimi në Mramuer, Gllokovicë dhe në lagjen Gubavc të Brainës. Po kështu ndodhi edhe me Fisin Krasniq të Llukarit, i cili u zhvendos në një periudhë më të vonëshme historike, gjatë luftrave austro-turke të viteve 1689-1737 në Grashticë e Radashec.
Por, t’i kthehemi Mramuerit dhe Gllokovicës. Se i takojnë një rrënje flet edhe e dhëna se gashjanët e vendosur në Gllokovicë për shkak të largësisë qetësohen nga gashjanët mramueras se në Mramuer ata do ta kishin konakun, se nuk kishin nevojë për të thirrur as për të trokitur, por të shtyenin derën dhe të futeshin brend. Në Mramuer gjendet mëhalla e Veçirakëve, mbetur kjo nga përkujdesja e një personi apo një vëllazërie ndaj kishës në Mramuer, ndërsa në Gllokovicë përkujdesës ndaj kishës ishte Dema, e cila edhe sot e kësaj dite thirret Kisha e Demës. Por, vallë e tërë vëllazëria u shpërngul në të njejtën kohë? Përgjigja do të ishte jo, sepse të vendosurit e të njejtës vëllazëri më vonë, p.sh. në Gllokovicë dhe pranimi nga ata i besimit musliman u quajtën me shprehjen që sot e kësaj dite haset në këtë vendbanim – potur që do të thotë me kalimin në vendbanimin e ri u konvertuan në besimin musliman, e meqë kjo ndodhte në periudhën e sundimit turk, do të thotë u bënë turq (serbisht poturqiti). Në Gllokovicë thuhet se paskan ardhur nja 4 shtëpi shkje nga Gushinca, por vallë ata banorë të besimit ortodoks ishin gushincas apo ishin gash që kërkonin dhe e gjetën vëllazërinë e vet në Gllokovicë. Mendoj se po, sepse deri në sigurimin e trojeve pranë vëllazërisë së vet është dashur të gjejnë strehë diku tjetër dhe me sigurimin e strehës në Gllokovicë vendosen aty por edhe konvertohen, bëhen mysliman, ndërsa banorët pritës i quajtën potur, se edhe ata më në fund u bënë turq. Gojëdhëna se “erdhën nga Gushinca 4 shtëpi shkje” bie përnjëherë, sepse shkjetë (serbët) as si individë e as si familje historia nuk shënon të kenë pranuar besimin islam, ose të jenë konvertuar në shqiptarë. Është një gjë e mundshme. Që njëri nga pjesëtarët e kabiles Bekteshi të jetë martuar me ndonjë serbe (sepse raste të këtilla ka shumë dhe në të gjitha kohët), se ajo serbe qenka bërë turke dhe se kësaj familje i paskan bërë një shtëpi tutje, që më vonë të krijohet një mëhallë, ajo e paturëve.
Ardhja e fundit e vëllazërisë Gllokovicase po këshu la gjurma, jo vetëm në krijimin e kabiles Aliu, por edhe në gojëdhënën “se janë të zënë prej magjupit”. Por, si u krijua kjo gojëdhënë. Rrogëtar magjup në malësinë e thellë të Gallapit brenda familjeve shqiptare nuk ka pasur, jo pse nuk kanë dashur që dikush të përkujdesej për bagëtinë etj., por pse thjeshtë në familje maxhupin nuk e kanë duruar. Po të kishin duruar një gjë të tillë do të qëndronin në vendbanimin e lashtë të tyre, pra në Graçanicë, ku bejlerët turq sollën serbë e maxhupë për të punuar tokën e përvetësuar tashmë mbetur djerr. Përkundrazi, ka ndodhur që familje të forta ndonjë djalë serb ta marrin për rrogëtar. Pra, puna e rrogëtarit bie. E vetmja gjë që mund të ketë bazë realiteti është qëndrimi kryeneq i paraardhësit të kabiles Aliu ndaj besimit të mëhershëm, pra ortodoks, ndërsa vëllazëria pritëse pikërisht pse nuk konvertoheshin edhe ata si të parët në besimin musliman i fyen në vazhdimësi duke i quajtur maxhup ndërsa fëmijët e tyre se kishin rrajë maxhupi. Kjo bëri që kabilja Alu të konvertohet më vonë, por nga gjeneratat që pasuan në Gllokovicë nuk u harrua ky term dhe nga përshpëritjet e vazhdueshme fitoi një përmbajtje tjetër, se kinse paska qene një rrogëtar maxhup, se është dashuruar një bi e Aliajve në të, se… Të vjetrit përkujdeseshin që pas konvertimit në besimin islam të kabiles Aliu të harrohej ky termë, mirëpo ndaj fëmijëve që e kishin dëgjuar këtë gojëdhënë nëpër oda dhe tani bashkëbisedonin me moshatarët ndërmirreshin masa të ashpra: “Derisa një ditë bisedoja me një bashkëvendas timin, babai më dëgjoi dhe i hidhëruar më qëlloi me shkop. Ma tërhoqi vërejtjen që kurrë më të mos mirrja një bisedë të tillë” tregoi Jaku Demolli. Marrë nga “Gallapi i Prishtinës” II, Prishtinë, fq.12,129
Po kështu ndodhte edhe në Busi tek Pepajt.
Sa i përket grashticasve se janë të zënë nga të trentit, populli duke i parë për qmenduri zënkat e përditshme që ndodhnin, kishin krijuar gojëdhënën e mbështetur në ashpërsinë dhe mostolerancën të veçantë të tyre, gjë që në të shumtën e rasteve kishin përfunduar me gjakderdhje.
Ndërsa banorët e lagjes Berisha të Llukarit, pas kthimit nga Radasheci ku ishin konvertuar në fisin berishë duku rreth vitit 1750, përflasin se paskan gjetur disa kasolle në Shpatin e Salihut në drejtim të Lugut të Birave, se ato kolibe ishin të maxhupëve, se banorët ishin maxhup. Lidhur me këtë ekzistojnë dy përgjigje por të papërfunduara: 1) se banorët e mbetur aty, por të besimit të krishterë, u quajtën maxhup; 2. se zotëria kishte sjellur familje punëtore në tokën e lënë djerrë për ta punuar atë tokë, ndërsa pleqtë e lagjes thonin se me t’u rivendosur në vendbanimin e tyre, pjesa më e madhe e arave dhe livadheve ishte shndërruar në therrishtë. 3. Në këto gojëdhëna nuk linin pa ndërhyrë edhe misionarë të shkollës speciale të kishës ortodokëse dhe Beogradit që kishin qëndruar këtu, po edhe në viset të tjera të Gallapit duke propaganduar në forcimin e gojëdhënave të këtilla për të mbjellur konflikte, por edhe të shpallnin para botës se gjoja shqiptarët nuk qenkan vendës dhe kështu ta përligjinin dhe ta arsyetonin ndjekjen e gjenocidin që s’i ndalën kurrë ndaj këtij populli. (Ali Sh. Berisha, Bashkia e Llukarit I, Prishtinë, 1998, fq.53 dhe 54)
Paradokset në të shumtën e rasteve lidhen me drunjët.
Bungu i Dyzit
“S’di sa është i vjetër bungu. Babgjyshin e kam pyetur për të. Më ka thënë: „Qishtu e kam zatetë“. Gjatë qëndrimit prej tri vjetësh në Turqi, në një kafene e kishte pyetur një burrë se kah ishte. Ky i ishte përgjegjur se ishte nga Dyzi i Llapit. Ai çuditshëm e kishte shqiptuar fjalën – Bungu! I kishte thënë babgjyshit se kurrë nuk kishte qenë në Kosovë, pra as në Dyz, por e kishte hasur në dokumentat turke. Që prej periudhës turke jemi falë nën të gjatë verës se e shfrytëzonim hijen e tij. Gjatë dimrit e bëmë një strehë dhe faleshim po aty. Bungu i Dyzit paraqet edhe qendrën e fshatit. Sipas mendimit tim ky lis duhet të ketë mbi 1000 vjet. Tahiri i Jetullahit e kishte shtëpinë afër Bungut. Një degë e këtij bungu zgjatej mbi rrugë dhe nën të nuk mund të kalohej, sidomos pengonte në bartjen e duajve nga arat. Tahiri hip ta presë dhe e preu, porse u rrëzua dhe e theu dorën, ndërsa lopa i ngordhi në ahur edhe pse zingjiri i saj ishte i shlirshëm” rrëfeu më 7.9.2005 Xhemail Arif Uka ,77 vjeç, Dyz.
Më datën 7.9.2005 e mata trupin e këtij Bungu një pëllëmbë mbi sipërfaqen e tokës. Ishte 8 metra vija rrethore e trupit të tij. Në llogaritje matematikore diametri i këtij trupi është 3 metra e 20 centimetra.
Fjalë popullore:
Thuhet se thashethënat dreqi i ka end, i ka përcjellë nga Bungu e te Guri i Keq, pra te Kisha dhe anasjelltas. (fs. Xhemail Arif Uka ,77 vjeç, Dyz 7.9.2005)
Vidhi 1000 vjeç në Ternavë
Në vendin e quajtur Zenica (pronë e gruas së Zenës) gjendej një vidh, tashti afër shtëpiave të tullarëve. Atë nuk e përthakonin katër veta, pra ishte i trashë 4 pash. Thuhej se ishte i vjetër rreth 1000 vjet. Këtë vidh e ka prerë një kolon (serb i vendosur nga pushteti serb aty me reformën agrare serbe më 1924. Për këtë shkak të këqia të shumta i kanë ndodhur kolonit, por edhe tullarëve, të cilët e ndihmuan në prerjen e tij.
Qarri i Hijes – Canaj, Marec.
“Në Livadhin e Litecit gjendet një lis shumë i vjetër me kurorë të madhe. Nën të janë mbajtur meshlize e pajtime jo vetëm për Marecin, por edhe për fshatrat përreth. Thuhet se këtë lis s’ka arritur kush ta krasisë për asgjë, as për ushqim dhish. Kanë hip në të, por janë rrëzuar dhe pasojat ishin thyerje duarsh, këmbësh. Thuhet se ushtria e mbretit nën të ka pushuar dhe është ushqyer. Për çudi ky lis ka shërbyer si shenjë, në të cilin kaçakët i kanë provuar pushkët. Nën të nuk mrizojnë as dhitë e as dhentë. Si duket nuk e duron ndotjen e vendit. Po shkove për të hangër e pirë nën të, koka të pushon”, tregoi Halil Canolli nga Canajt e Marect në vitin 2005.
Dardha te Roga e Jezerit, Kllokoq, Marec
“Një dardhë ka qenë midis tri rrugëve te Roga e Jezerit, por aty liqe nuk ka pasur (serbisht - jezer, shqip – liqe). Shpesh ka shërbyer si shenjë ku provoheshin pushkët nëse i shponin trupin e saj. Kjo dardhë në të kaluarën ka shërbyer për dasma. Ata që e kanë përcjellë vajzën dhe ata që e kanë marrë vajzën janë takuar te ajo dardhë dhe aty është bërë pranim dorëzimi i nuses. Serbët kanë dashur ta presin atë dardhë, ndërsa kollokoqtë iu kanë lutur që mos ta presin me pretekst se shërbente si shenjë, se në vend të saj do t’u dërgonin lisa bungu, çarri, çfarë të donin. Serbët patën hequr dorë dhe dardha shpëtoi për një kohë. Mirëpo nuk i shpëtoi Sadik Kllokoqit, i cili punonte në minierën e Nobaberdës. Në vitin 1949 e luti gjellbërësi Gojko që t’i sillte Sadik Kllokoqi drurë me pagesë për t’u përgatitur ushqimin 1200 minatorëve. Kështu, Sadiku e preu dardhën dhe në mbrëmje një pjesë të saj ia dërgoi kuzhinierit. Duke ia dërguar drutë i praptohet traktori dhe i dëmtohet fort. Kuzhinirit që quhej Gojko, në ëndërr i vie një zë: “Ti jo se jo, por as thmija i thmisë tënd berhide s’kanë me ba që e ke prishë nyjen qëndrore hekurudhore të Evropës!”. Me t’i dalë gjumi shkoi te Sadiku dhe i tha: “Një metërr dru e ke sjellë, merre dhe bën çfarë të duash me të. Paratë që t’i kam paguar për 5 metra drur mos m’i kthe. Ato dru nuk i marr e as nuk i djeg”. Kthehet Gojku në shtëpi. Sadiku me nipin del për gjueti. Në një çast nipi i duket si lepur dhe e qëllon, ia mbush trupin me saçme. “O më vrave dajë, bre!” Sadiku e sheh çfarë ka bërë, andaj me nipin në shpinë s’guxon të kalojë nëpër Novaberdë për shkak të milicëve, por merr rrugën për në Strezovc dhe nga atje me autobus e dërgon nipin në spital të Prishtinës. Djali shpëtoi. Tregoi Mehë Kollokoqi nga Kollokoqi i Marecit, Prishtinë, 2005.
Plepat e Gerdocit
Thuhet se në këtë fshat kishte fole shqiponjash deri në luftën e fundit të vitit 1999, por kurrë nuk pati më shumë se dy dhe më pak se dy. Thuhet se derisa ishin shqiponjat nuk binte breshër. Sa herë që donte të binte breshër ata çoheshin dhe ngriteshin në qiell dhe i prinin një melaqeje të verbër, ndërsa ajo u printe reve me breshër dikah tjetër dhe kështu retë largoheshin nga qielli. Ata nuk guxonte t’i prente askush. Nëse ua prente ndokush ndonjë degë, atij i ndodhte një dëm, i ngordhte ndonjë kafshë, ose gjymtohej dikush nga anëtarët e familjes.