Kulturë
Luan Çipi: Nurua shlyen borxhin e babës në monedha ari...
E diele, 17.10.2010, 03:44 PM
2)Nurua shlyen borxhin e babës në monedha ari...
(Bëmat e Nuros, nga Luan Çipi)
Nuriu bënte shaka të bukura dhe linte gjurmë të thella ngacmimi, sidomos për ata që hiqeshin me të madh, për “fodullët”, si thoshte ai dhe për “llupësit”, për ata që lakmonin e kërkonin të merrnin e të bënin të tyre edhe atë që nuk u takonte.
Një të tille ai trajtonte dhe gjirokastritin Mitat, që nuk dukej i tillë dhe që shtirej një burrë i urtë dhe për të tjerë gëzonte emër të mirë, po që Nuroja e kishte përjetuar ndryshe edhe sepse i kishin folur keq, se gjoja kishte shpifur për të, duke aluduar për një marrëdhënie rinore dashurore të Nuros, ndaj ai nuk duronte dhe priste rastin e parë që t’ia lante borxhin dhe ta poshtëronte publikisht. Mitati, në kohën e këtij tregimi, ishte shitës në një dyqan shtetëror, që tregtonte pjesë këmbimi automjetesh. Dyqani ishte te blloku tregtar kryesor i qytetit, afër Merkatos së Sahatit, në qendër të Vlorës së vjetër. Ai ishte një burrë i moshuar, i gjatë, po çalonte në një këmbë, prandaj mbante gjithnjë pranë bastunin, për t’u mbështetur, sepse pengohej edhe ne ecjen e zakonshme, pa le po të ish nevoja për të ndjekur e gjëmuar një njeri me vrap.
Një ditë, që në mëngjes herët, sapo Mitati hapi qepenin e dyqanit, sheh pas tij Nuriun. Kthehet e takon, e përqafon dhe përshëndetet me të paksa i befasuar dhe dyshues. Ku ta dinte i ziu Mitat se në atë mëngjes korriku kishte radhën për t’u ballafaquar me një ngjarje të çuditshme, me një rëngë tjetër, të përgatitur nga Nuriu me kujdes, që do ta poshtëronte dukshëm dhe do të të bënte bujë aqsa do të mbahej mend për shumë kohë, duke u quajtur si ngjarja e vitit.
-Mirëmëngjesi, Tate! Si mu gdhive sot? Përshëndeti me intimitet të shtirë Nuriu, duke shpënë buzën në gaz.
-Mirë, faleminderit! Po, ti? Përse e ke prishur gjumin? Pyeti Mitati, dyshues.
-Ç’gjumë ziu, mo? Unë, s’kam fjetur fare, gjithë natën. Sa rashë, më zgjoi një ëndërr e llahtarshme: Mu shfaq, si i shpërfytyruar, qoftë larg babai im, ndjesë pastë dhe i egërsuar, me zë të lart e të çjerrë, më tha:
-Nuro, more i mallkuar! Nuk po më tret dheu more bir! Më bëre të ngrihem lugat! Si, more i paudhë, ende nuk ja ke kthyer borxhin zotit Mitat ?
-Cilin borxh, more baba, e pyes unë i çuditur.
-Pse bën të pa diturin, ma ktheu me më shumë inat. Nuk e ke hapur fare sundukopollon time të seneteve? Dhe, pasi unë heshtja i habitur, ai vazhdon me një ton urdhërues: Hape që tani dhe nesër, që në mëngjes, të më lashë borxhin, ndryshe të bëra lanet. Çelësin e ke te kamarja në avlli. Paratë jepja një për një Mitat Agait. Dëgjove - M I T A T I T…
U zgjova i lebetitur, po jehona e zërit vazhdonte … M I T A T I T.
Hapa shpejt e shpejt arkëzën e vjetër të babait dhe e gjeta senetin, të mbështjellë me një letër të vjetër pergameni. Ja ku e kam, ta solla, shikoje vet, o Mitat vëllai!
Mitati e kishte humbur fare dhe dëgjonte i habitur, duke u futur në temë me vështirësi. Kur Nurua nxorri nga xhepi “senetin”, Mitati, megjithëse i zgurdulloi sytë ndenë syzat me xhamat optik plus pesë, ca nga që nuk shihte mirë, ca se ende nuk i kish dalë mamurllëku i gjumit, ca se u befasua nga ky lajm i pa besuar, që po i pëlqente gjithnjë e më shumë, i hoqi instinktivisht syzet, i fshiu disa herë, i emocionuar e i gëzuar gjithnjë e më shumë se po mendonte e parashikonte një si dhuratë të madhe nga Zoti. Meazallah, nuk e dallonte dot se çfarë shkruhej në atë letër të zhubrosur, që Nuriu enkas me qëllim mosleximi, po ia tundte nën hundë duke qeshur.
-Po, ç’thotë mo gaz, ç’thotë ajo kartë e bekuar, ai senet perëndie? Folmë se më plase!
-Seneti, me firmë dhe me dëshmi e vulë noteri, thotë që babai yt, ndjesë pastë, i ka dhënë babait tim të ndjerë si borxh, plotë 100 lira flori.
Mitatit, që kuptoi se këtu ishte një punë a lojë me shumë leverdi, në fillim i shkoi mendja për një shumë të vogël, por kur mori vesh për këtë vleftë marramendëse, si thesari i Ali Babait dhe që po ta kishte atë, familjarisht automatikisht e shpëtonte nga fukarallëku që e kish pllakosur atë dhe sërën e vet, nisi të thurte me mend plane të mëdha se si do t’i harxhonte dhe… thuajse po çmendej fare. Aty për aty mendoi dhe vendosi, që mos t’i pranonte të gjitha, gjoja për fisnikëri e zemërgjerësi. Ky veprim, në të njëjtën kohë, bëhej për të hequr në sytë e botës, namin që i kishin nxjerr të tjerët, si llupës e si koronac gjirokastre. Tha kështu dhe bëri hesap shpejt e shpejt me mënd: Patjetër do t’i lë ndonjë pjesë Nuriut, se megjithëse ca birbo e i prapë, po tregohet bujar e namusli!
Kështu që, pasi u plas e zuri vend në një karrige, gjithnjë me bastunin pranë, i djersitur e i çakërdisur, mendoi fillimisht ta marrë shtruar dhe t’i bjeri anës e anës, si dinak që qe dhe i thotë, enkas indiferent Nuriut:
-Po, pastaj …, ç’ke ti me këtë borxh të baballarëve tanë? Ata kanë vdekur që të dy! Ku ka borxhe të vjetra tani? Qeveria komuniste nuk i njeh më këto farë borxhesh.
-More, tuhaf! Ç’punë ka Qeveria me borxhet tona. E merr vesh ti që për këtë punë babait tim nuk po i treten kockat në varr, po ka dalë e bredh nëpër botë si lugat nate dhe që, pikërisht për këto teneqeçka mua do të më bëjë lanet, do më mallkojë dhe ti e di nëma e babait dhe e nënës të zë pa një pa dy, kudo që të jesh dhe unë më e pakta do bëhem ulok, më keq nga ti!? Ndërkohë, për t’u bërë më i besueshëm, sipas planit të parapërgatitur, Nuriu fut dorën në xhep dhe trazon e nxjerr tingëllima monedhash metalike.
-Po, ti, o Nuro vëllai, ndërhyn i mallëngjyer Mitati, ( se u bind për të vërtetën e madhe dhe gjoja ri i nënshtruar e gati i përlotur) - si e mendon ti praktikisht këtë punë?
Unë them se 100 napolona flori, janë ca si shumë. Të merremi vesh. Unë them t’i ndajmë në mes, gjysmat unë dhe gjysmat ti. Unë edhe kaq i kam shumë, qelepir i kam, se sikur po m’i dërgon Zoti, nga qielli. As kam ditur dhe as që kam dëgjuar për këtë borxh. Pastaj, po mendoj se ato, të shkretat flori janë me rrezik, se i kërkon dhe i mbledh shteti komunist. Ata, për kësi punësh, si të pangopur e gjakatarë që janë, kanë burgosur e deri kanë vrarë njerëz. Edhe për t’i thyer në bankë a gjetiu, me ato të miat, unë nuk kam guxim të merrem, ti do merresh.
-Jo, jo ! Të gjitha monedhat e florinjta tani do të ti kthej! Të njëqinda! Më pas, shohim e bëjmë. Dakord?
-Epo, mirë. Llafi tënd, në vesh të Perëndisë! Dakord!
Pas kësaj ujdie, i madhi Nuro, aktori, humoristi i përjetshëm, e fut prapë dorën në xhepin e pantallonave, kthehet nëntëdhjetë gradë, e ngre pak lart, të thyer në gju këmbën e majtë dhe thotë, duke u shtrënguar pak : Merri…bër, …bër…,bër. ..,bër…bërr. Nuroja kish marifet që i nxirrte gazrat me lehtësi, sa herë të donte dhe si të donte tek e tek dhe me breshëri, me timbër tenori, apo me timbër basi. Si e dha breshërinë e parë pesëshe bas, ia dha vrapit. Mitati i shokuar, në fillim u step, se goditja qe e papritur, zhurmëmadhe dhe e rëndë. Pas pak, si e mposhti goditjen dhe hutimin, u ngrit me bastunin, çalë, çalë pas delenxhiut, po hajt ta zije Nuron e shpejt. Ai, fare i sigurt, i qetë dhe i vendosur, vazhdonte programin duke i numëruar goditjet, këtë radhë zë holla e si të çjerra. Te cepi i Merkatos, ndenë Sahatin e Madh, Nurua, pasi kishte shmangur, me një kërcim akrobatik, bastunin e Mitatit, që ia kishte hedhur së largu cingëlthi, i thotë atij :
-Tani, merre, prite të njëqindtën. Dhe i këput një të fortëve zë basi, si top…brrrr, që sa s’theu xhamat e shumta të Merkatos Publike dhe duket sikur këputi zemberekun e Sahatit, që prej atij çasti ngeli dhe nuk punon edhe sot e kësaj dite.
- Borxhin unë e lava. Kjo ka lidhje me ato llafet e pavërteta që më kanë thënë se ti ke shpifur për mua dhe për të tjerët. Mirë mbetsh e mos u ngopsh! Ta kesh porcion dhe mësim për gjithë jetën!!!
Vazhdon...