E diele, 04.05.2025, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (X)

E diele, 17.10.2010, 11:51 AM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta (X)

 

(Roman)

 

                                           *   *   *

 

Uturima e motorit të helikopterit që fluturimthi  sillej vërdallë në qiellin e  Mëhallës së Xhehenemit nuk i tërhoqi vëmendjen Lushit tek shpaloste njërin pas tjetrit librat. Komandant Gurra e togere Bubulina  hapën  kapakët e dritares dhe panë helikopterin që rrinte pezull mbi çatinë e shtëpisë së Lushit duke fluturuar llamarinat e vjetëruara mbi çati. Lushi akoma vazhdoi të shfletonte librat, kurse komandant Gurra e togerja dolën jashtë, Edhe Haram Harambashi doli jashtë dhe përpiqej t’i thoshte diç policit në helikopter që  mbante  në shënjestër komandant Gurrën, togeren, apo  ndoshta edhe  Haram Harambashin. Papandehur, oborri i shtëpisë së Lushit u mbush përplot policë vendës dhe ndërkombëtarë nga  njësitet komando të veshur me jelekë antiplumb dhe me koka të mbuluara me helmeta çeliku, ndërsa brenda në shtëpi gjendej plaka e shtrirë në shtrat, zorrët e së cilës vazhdonin avazin e këngës monotonte të urisë,  kurse Lushi grindej me profesorin për  hebreun Franc Kafka.

 Përballë shtëpisë së Lushit, nga pallati i Harun Bixhozxhisë nëpër vrima të roletave Lugati, Akun Bishti, Rahila e Harun Bixhozxhia  shikonin skenat e arrestimit të Lush Rebelit, komandant  Gurrës dhe të Haram Harambashit, duke fërkuar duart të kënaqur  se edhe njëherë, në emër të demokracisë së instaluar ndërkombëtare në kryeqytet, ngadhnjyen mbi Lush Rebelin.

- Ja, i vurën prangat Lush Çalamanit! E lidhën si qenin atë fakir! Ani vet u zgjati duart t’ia lidhin! Edhe unë, sikur këta,  sa herë e kam lidhur të poshtrin , por nuk munda t’ia çrrënjos bindjet politike! Eh, sa herë më ka pështyrë surratin, ndërsa pas këty eci pa naze, si zagari pas gjuetarit! - tha Akun Bishti.

-Edhe atë tjetrin me mjekër të zezë e lidhën! Ia morën edhe automatikun! Shih ...Shih si ia ulën kokën duke e futur në makinë!- tha duke u dridhur Haruni.

- E,atë zogzën?- pyeti Rahila e shqetësuar, që derdhte lot për Lush Rebelin.

-Jo, jo! Atë amerikanen nuk ua mbajti ta lidhin! E ka Klintonin prapa, more. Kujt ia mba të ketë punë me Amerikën, allahile? Mos u bën e marrë, Rahilë , pakistanezët nuk janë budallenj si gjeneral Gexha t’i shpallin luftë Amerikës!- ndërhyri Lugati. Pastaj...?

Pastaj, ajo zogëza,si thua ti, është motër imja! Nëse do ta prangosnin do të ndërhyj te administratori i kryeqytetit dhe shpejt do ta liroj. Ka vëlla Lugatin  togerja amerikane?! – u mburr Lugati që sa vinte e mërdhezej.

- Ha, Haaaaa! Haaaaaaaaa! – u shkri së qeshuri Rahila . Pse Lugat gënjen se zogëza e Amerikës është motër jotja!

- Motër imja është togere Bubulina, Rahilë! Një herë  tjetër do ta rrëfej historinë si jemi vëlla e motër  unë e togerja amerikane!

Si duket oficerit pakistanez , një dyzetvjeçar me mustaqe të zeza e të holla si bisht miu,  me ten lëkure si çokolatë, nuk ia mbajti ta prangosë togere Bubulinën pasi që u identifikua si shtetase amerikane .

Tre të bijt e Haram Harambashit zgërdhiheshin dhe fryheshin si bibanët, kur u vardisen  bibave, ndërsa u nisën teposhtë , nëpërr kalldërmin  e Mëhallës së Xhehenemit.

 

 

 

 

 

 

 

7

Një javë pasi që Klanit të Xhehenemit i  shpërndau  peshqeshet e  gjeneral Gexhës që i kishte sjellë Lugati nga meszona kufitare e Mërdarit, Lugatii thirri anëtarët e Klanit në një mbledhje që duhej të mbahej me urgjencë dhe në rrethana top sekrete . Mbledhjen e kishte paraparë të mbahej në pallatin e Ziban  Ziut, që gjendej mu në mes të mëhallës. Tre të bijt e Haram Harambashit dhe dy të bijt e Ziban  Ziut i kishte urdhëruar të bënin roje. ”As flutur , as zog mali nuk bën të fluturojë mbi mëhallë përderisa  mbahet mbledhja!” ishte urdhëri i  prerë i  Lugatit,i cili ishte kujdesur që të gjitha dritat të fikeshin në mëhallë. Derë më derë e vesh më vesh Lugati kishte vajtur për t’i ftuar anëtarët e Klanit, duke u komunikuar edhe kohën kur do të mbahej mbledhja, njëkohësisht, duke i porositur që me vete  mos të merrnin telefon, diktafon apo ndonjë mjet tjetër përgjimi. Mbledhja duhej të ishte plotësisht konfidente  dhe e mbajtur në ilegalitet të thellë, e cila sipas tij , do të ishte me  rëndësi të veçantë.

Sapo ra errësira, Mëhallën e Xhehenemit atë natë e mbuloi një mjegull e dendur. As gishti para hundës nuk shihej dot. Pasi Lugati fiku dritat e mëhallës, errësira e mjegulla të fusnin trishtim . Të bijt e Haramit dhe Zibanit, tanimë, ishin në krye të detyrës, duke u pozicionuar mirë në roje, sipas urdhërit të Lugatit, i cili i kishte urdhëruar që edhe  anëtarët e Klubit t’i kontrollonin dhe të kujdeseshin t’i identifikonin mirë sapo të hynin në mëhallë, pasi që konform rregullave të veprimit  të Klanit në rrethana ilegaliteti të thellë, në mbledhje duhej të shkonin të maskuar. Akuni kishte vënë maskë  fytyrë tigri, Haruni  fytyrë dhelpre, Harami  fytyrë hijene ... E veçanta e asaj nate  ishte se  vetëm Rahila ishte nisur në mbldhje pa vënë maskë. As nuk ishte krehur e pispillosur si  rëndom. Rruga nga pallati i Akunit ku jetonte Rahila deri  te pallati i Zibanit nuk ishte e gjatë, por mund të kishte befasi të pakëndshme, prandaj për shkaqe sigurie, Rahila pasi i mbushi qarkun  revoles, e futi në brez. Pa pandehur , rrugën i zuri roja,  tre të bijt e Haramit, të cilët edhe pse e njihnin mirë Rahilën, i kërkuan dokumentin e identifikimit. Rahila buzëqeshi lehtas dhe pa i përfillur fare i urdhëroi t’i hapnin rrugën, por të bijt e Haramit këmbëngulnin se nuk mund të kalonte njeri , madje as zog mali pa maskë në fytyrë, duke zbatuar me përpikëri urdhërin  e prerë të Lugatit. Sapo Rahila nxori nga brezi revolen, tre të bijt e Haramit të lemeritur ia mbathën tatpjetë Mëhallës së Xhehenemit, kurse Rahila qeshi me zë të lartë me trokun e rojeve nëpër kalldërm, që iku me nguti dhe mendoi se  ilegalitetit tanimë i kishte ikur koha. Ndërsa të bijtë e Haramit iknin teposhtë mëhallës, Rahila ngadalë- ngadalë u  ngjit përpjetë . Kur arriti para portës së pallatit të Zibanit  takoi dy shoqet e vjetra ,Dudie hanmin dhe Tatlije fallxheshën, që sapo kishin zbritur nga një taksi. Pasi që u përshëndetën të tri  mikeshat e vjetra, që dikur mbaheshin  si zonjat e para të kryeqytetit, filluan ankimet se tanimë kishin nisur të plakeshin. Dudie hanmi u ankua se po i dhembnin ijet, fallxhesha u ankua për kurrizin, kurse Rahila ishte hera e parë që ankohej se po vuante nga pagjumësia. Që të trijat kapën njëra tjetrën  nga krahët duke druajtur në mos do rrëshqisnin në trotuarin e shtruar  me granit italian në oborrin e pallatit të Zibanit. Para derës së pallatit i prisnin Lugati dhe Haruni, të cilët pasi që zonjave  u puthën duart , sipas rregullave të Klanit, u hapën derën e pallatit. Të tri zonjat provuan në shenjë respekti  t’i jepnin njëra tjetrës përparësi për të hyrë brenda, por si duket nuk mundën të binin në ujdi se cila do t’u printe në mbledhjen urgjente që duhej të mbahej në konfidencë dhe ilegalitet të thellë:

- Prij Rahilë,mori! Prij! Ç’dreç ke sonte që ngul këmbët si thiu në akull! Tridhjet vjet na ke prirë e tash po bën naze!- u dëgjua zëri i ulët ,  i shterrur dhe i ç’akorduar i Dudie hanmit nga dihamat e frymëmarrjes  që kishte nisur ta  ngulfaste.

- Jo besa,  unë më nuk do t’u prij! Tanimë jam ngopur  duke ju prirë, mikeshat e mia! Nuk jam më Rahila e dikurshme, jo! Kam nisur të plakem! Kërcejt e këmbëve kanë nisur të më kërcëllejnë si kërçelë! Edhe kurrizi ka nisur të më bëj hile! Mendët po më mirren! Veshët po më ushtojnë sikur të më kishte hyrë në kokë çakallë mulliri! Sytë m’u kanë lëbyrur! Nga një figurë njeriu përpara po më dalin dhjetëra silueta njerëzish! Edhe ëndërra të trishta po shoh! Nuk po më merr as  gjumi dot! Gjatë tërë natës po përpëlitem me kufoma të luftës duke  mos ditur  a jam  ëndërr apo zhgjëndërr! Sytë e hapur dhe të zgurdulluar të kufomave që gjatë luftës i ngarkonin në kamionë po më çmendin! Sytë e  fotografive të  varura në kangjelat e rrethojës së parlamentit po më trishtojnë! Besomëni, më nuk mundem ta duroj këtë torturë shpirti! Disa sy të hapur të kufomave më thërrasin t’ i shpëtoj! Disa tjerë më duket sikur më mallkojnë! Disa tjerë më thonë të rrëfehem për gjithçka që kam parë! Në ëndërra  më kanë hyrë dridhjet e lotët e Gëzimit të vogël, kur e vrau i biri i major Zhugës! Edhe portreti i majorit me duar të përgjakura që nuk e mbaroi piktori me mjekër! Nënë Naza po më çmend! Nuk po më hiqet asnjë çast nga mëndja  çasti kur majori i futi thikën në gabzherr! Pastaj, kujt dreçi i ra ndër mend t’i varë aty fotografitë e atyre fatzinjve, sytë e të cilëve herë luten, herë mallkojnë, herë shikojnë vëngër e herë derdhin lot?! Sy të tillë të trishtë s’ka kund në botë! Hë, ku është tash ai pis Lugati që nuk i mbyllë! Dikur mburrej se nuk lejonte njeri në kryeqytet të vdiste me sy hapur, kurse tash të gjitha sheshet e kryeqytetit janë mbushur përplot me fotografi të kufomave me sy hapur që nuk ia varin Lugatit, as klanit të lugetërve!

Lugati e dëgjoi Rahilën ç’fliste. U befasua si guxonte të fliste aq hapur mu në derën ku ishte mbledhur Klani i Mëhallës së Xhehenemit. Dyshimet e më hershme se Rahila do ta sabotonte  Klanin , të cilat i mbante sekrete, tashmë i dëgjoi me veshët e vet. I dëgjuan edhe fallxhesha  e Dudie hanmi.

- Ngutu pak,mori spiunja plakë, e mos mbaj ligjërata në terr!- u dëgjua nga errësira zëri i Lugatit, që erdhi  sa ironik aq edhe urdhërues. Që të tri gratë u habitën kur dëgjuan zërin e Lugatit, ndërsa duke  e shtyrë njëra tjetrën me bërryla që të trijat përnjëherë hyrën brenda.

 Në sallonin solemn të pallatit të Ziban  Ziut ishte një dritë që herë  shfaqej e  gjelbër e herë e verdhë, herë e kuqe, nga e cila grave iu morën mendët, ndërsa Rahila , sikur të mos ishte mbështeur në krahun e Dudie hanmit, do të  rrëzohej. Drita herë e verdhë , herë e gjelbër, herë e kuqe  jepte përshtypje se gjendeshe në  ballo të  rinjsh. Sapo hyrën gratë, burrat u ngritën në këmbë , duke vënë dorën në zemër në shenjë respekti dhe mirsearedhjeje. I pari u ngrit në këmbë  nikoqiri i pallatit,Ziban Ziu, pastaj Haram Harambashi. Pak më vonë u ngreh edhe Haruni duke u liruar vend  të uleshin në minderin prej kadifeje. Në një cep të murit rrinte varur   piktura e Mona Lizës së Mikelangjelos. Përballë Monalizës fotografia e një sinagoge të Abrahamëve, ndërsa në tavan ishin  vizatuar toteme të ndryshme budiste.Vetëm Akuni nuk lëvizi nga vëndi. As nuk vuri dorën në zemër as nuk u dëshiroi mirëseardhje. Dreçi e di ku i kishte ikur mendja, tek kishte mbështetur  nofullat në shuplaka. Mospërfillja  dhe  sjellja  indolente e Akunit, e zemroi edhe më shumë Rahilën. Pasi që u ul në minder e shikoi shtrembër, fytyra e të cilit herë dukej e gjelbër herë e verdhë, herë e kuqe, varësisht nga ngjyrat e dritave, duke  i përgjasuar më tepër  fatomorganës se fytyrës së njeriut. Kurrë si në ato çaste nuk e kishte urrejtur Akunin. Përnjëherë, fytyra e Akunit, Rahilën  e  ktheu në të kaluarën e saj. Iu kujtuan kohërat kur ishte vajzë e padjallëzuar. Pastaj iu kujtuan çastet e njohjes me Akunin dhe  nata e parë e martesës , dita e celebrimit në zyrën e ofiqarisë së kryeqytetit dhe nënshkrimi me të cilin kishte aprovuar se pranonte martesën me dy vëllezërit binjakë.E tretur në mendime, në kokën e Rahilës mallkimet vinin njëri pas tjetrit. Mallkoi veten, jetën e vet, martesën... Mallkoi Akunin e Harunin dhe, sidomos mallkoi ditën e parë të punës në zyrat e UDB-së së kryeqytetit. Nga mallkimet e shtresuara vite me radhë e solli në vete shfaqja e shërbëtores së pallatit të Ziban  Ziut, e cila i serviri kafenë. Shërbëtorja ishte një vajzë e  re, leshverdhë, rreth të tetëmbëdhjetave,  me fytyrë pak si të zbehur, në të cilën shquheshin sytë e kaltër mbi të cilët rrinin vetullat  e holla e të zeza dhe qepallat e trasha, rreth të cilave rrinte bukur grimasa ngjyrë blu. Fustani i shkurtër, i hollë dhe gati i tejdukshëm  i shërbëtores  që e quanin Fjolla nuk i mbulonte dot  kofshët e verdha, belin e supet. Vithet , kërthiza dhe ijet harmonike që fiksoheshin nën fustanin  e hollë  dhe ecjet ritmike me taka të papuqeve të stolisura me rruza shumëngjyrash nëpër parket bënë që sytë e të gjithëve të lëpiheshin në kurmin e vajzës që nuk fshehte disponimin  rinor.

- I paske qitur shumë sheqer, zonjushë!- regoi Rahila me një zë lutës.Nuk pi kafe të ëmbël! Kafenë e pi të idhët! Jeta e idhët , kafja e idhët!

Vajza u ndie e turpëruar nga musafirët dhe vrapoi si flutur në byfenë e pallatit t’i ziente kafe tjetër, por e ktheu zëri i Rahilës.

- Kthehu,  bukuroshe, kthehu!

Vajza e skuqur  u kthye  dhe qëndroi  në këmbë para Rahilës. Dukej si engjëll derisa  pandërprerë i kërkonte falje Rahilës për kafenë me sheqer, që duhej medoemos të ishte e idhët. Rahila e mori vajzën  me të mirë dhe e ftoi të ulej pranë saj. Në fillim vajza reagoi , duke u arsyetuar se e prisnin shumë punë, por pas ngulmimit  të Harunit dhe Dudie hanmit se dëshira e Rahilës nuk guxon  të refuzohet, vajza e turpëruar u ulë fare afër Rahilës. Sapo vajza u ul , Rahila nisi t’i miklonte flokët e verdhë dhe përpiqej t’i rregullonte kurdelin e kuq , që i varej në ballin me baluket e verdha. E përgëdheli në supe e shpinë dhe papritmas shpërtheu në vaj.Lotët e vakët  ngrohën faqet e vajzës që nuk kuptonte përse qante Rahila , ndërsa Rahila e ngashëryer derdhte lotë e dëneste, Akuni qeshej. Harunit që ishte nxehur në muhabet me Haram Harambashin as që i bëri përshtypje vaji i Rahilës. Fallxhesha ngadalë iu afrua Rahilës dhe përreth kokës i nanurisi diç, duke lënë përshtypje te musafirët se edhe Rahilën e kishin prekur ethet e vjetra të kryeqytetit. Me të vërejtur fallxheshën , Rahila reagoi ashpër:

- Shporru mori spiunja e ndyrë! Mos mendon se jam çmendur, a?! Jo, jo nuk jam çmendur! Tash kam nisur ta marrë veten! Më mirë vonë se kurrë! Atëherë isha e çmendur, kurse  tash jam esëll!Turpin e mëkatet e mia dhe mëkatet tuaja nuk mund t’i lajë një oqean e lëre më ca pika lotësh pendimi për jetën time të pakuptimtë si spiune!

Grindja midis Rahilës e fallxheshës sa vinte e nxehej më shumë. Fyerje, sharje e denoncime aq të ndotura vështirë të ishin dëgjuar ndonjëherë  midis grave të Klanit. Shërbëtorja e padjallëzuar nuk kuptoi  gjë nga grindja e plakave . Deshi të ngrehej në këmbë, por Rahila nuk e lëshoi:

- Rri e qetë engjulli im! Mos u vërë veshin as mos u bezdis nga grindjet tona! Janë tridhjetë vjet që na të Mëhallës së Xhehenemit hamë bukë turpi, mallkimi, urrejtjeje njollosjesh, grindjesh...! Por , bukuroishja ime, më thuaj ç’e keqe të solli këtu në këtë skëterrë? Mëhalla e Xhehenemit është ferri i kësaj bote! Ik nga këtu! Dil nga zdrali i Ziban  Ziut! Mos u mashtro nga shkëlqimi i këtij pallati, bija ime! Me gjak, me djersë, me namë, me mallkime, me turp është ndërtuar, jo vetëm ky pallat , por të gjitha pallatet e kësaj mëhalle të mallkuar! Edhe unë, si ti, dikur moti, jam mashtruar nga jeta e Akunve, që nuk më solli kurrë lumturi, por vetëm injorancë, jetë skandaloze, kurvëri, turp! Më bënë kurvë, por  kurvë nuk jam! Mëkanë shitur e stërshitur njëqind here si plaçkë! Më quanin cigane , por  maxhupe nuk jam!  E di se jam gruaja më fatkeqe e botës! A nuk po ndien këtu erë gjaku dhe erë kufomash?! A nuk po dëgjon zëra fatzinjsh të flijuar, që luten të zbardhet fati i tyre?! Nëse kush nuk i ndien, unë kam nisur t’i ndiej dhe t’i dëgjoj!  Diçka misterioze po më gërryen në shpirt, në kokë në zemër! Kam ecur tridhjetë vjet nëpër kurthet tinzare të Akunve dhe Lugatit! Për të bërë karrierë të dyfisht spiuni, kam luajtur rolin e kurvës histerike dhe budallaqe! Burrat e mi të kurorës sime të mallkuar mburreshin me kurvërinë time! Kam fjetur në shtretër  kurvërie me dhjetëra spiunë me qëllimin final zbulimin e tyre! Edhe me gjeneral Gexhën kam bërë kurvëri! I tërë togu i skizofrenëve më ka shkërdhyer! Por, pash shumë! Pash sadizmin modern të njeriut mbi njeriun! Kam parë maune të mbushura përplot me kufoma fatzinjsh! Kam parë  qentë  e kryeqytetit si kolaboracionistë të gjeneral Gexhës! I njoh me emër e me mbiemër! Saktësisht e di kush kë e vrau dhe e masakroi! Kush cilën vajzë apo grua e përdhunoi! I kam parë të gjitha këto fytyra fantomë, që janë këtu, tek kontrollonin në mos ndonjë kufomë fatziu që ngarkohej ishte akoma   gjallë! Lugati me bandën e vet sapo vërente  ndonjë fatzi midis kufomash se jepte shenja jete i zbrazte edhe  një plumb në zverk!

Derisa Rahila fliste, Fjolla e re e shikoi drejt në sy! Dëshiroi që rrëfimi i Rahilës të zgjatej më shumë! Rrëfimet për tmerret e luftës akoma ishin të freskëta. Çdo rrëfim ishte një histori e trishtë individi apo  kolektiviteti njerëzish. Rrëfimi i  Rahilës e ktheu vajzën në botën e atmosferës së luftës, të cilën e kishte përjetuar në një luginë afër një përroi në Malet e Berishës. Edhe vetë dy ditë e dy netë kishte qëndruar pa guxuar të marrë frymë e mbuluar me kufoma. Iu kujtua ushtari armik që i rrotullonte kufomat me shqelm një nga një si peshkatari   kur u heq grepin peshqëve nga verzat, mos ndonjëra kishte mbetur akoma gjallë! Iu kujtua qizmja dhe këmba e ushtarit që e rrotulluan trupin e saj! Iu kujtua ftohtësia e trupave pa jetë që i rëndonin mbi trupin e saj të njomë!Vajza u zverdh, nofullat nisën  t’i  dridhen, syt iu shtanguan. Deshi të fliste diç, por fjalët iu lidhën në fyt, ndërsa Rahila vazhdoi t’i përgëdhelte vajzës flokët ,supet , shpinën ...! Klani i Mëhallës së Xhehenemit vazhdoi të qeshte, ndërsa nyancat e dritave  së gjelbëra , të verdha e të kuqe  nxirrnin silueta të trishta nga fytyrat e tyre. Akuni vazhdoi të qeshë me zë edhe më të lartë. Doktor Zebek Zabuni aty për aty e diagnostifikoi rrëfimin e Rahilës halucinacion  marrëzie!

- Merre veten Rahilë, të lutem! Mos shkel në karrierën tënde dhe karrierën tonë fisnike me të cilën i shërbyem shtetit, partisë e pushtetit!- u dëgjua zëri i shterrur i doktorit të mbetur vetëm lëkurë e koskë, ndërsa  sytë në gjysmerrësirë i shkëlqyen si të bishës së strukur në zgur lisi.

- Mallkuar qoftë karriera ime dhe e juaja doktor Zebek! Ne i shërbyem dreçit dhe pushtetit , shtetit e partisë së dreçit! Eja në vete  doktor ziu, që sa e sa vrasje  i konstatove si vetëvrasje! Mos ke harruar  mësues Fazliun, që e mbytët në burgun e kryeqytetit, kurse ti e kualifikove si vdekje normale nga tuberkulozi?! Nëse ti ke harruar, kryeqyteti nuk harron, edhe pse duket torollak harrestar! Plasimi i gënjeshtrës si e vërtetë me kodin penal të këtyre ndëkombëtarëve sanksionohet si krim, ndërsa ti mirë e di se krimi kurrë nuk vjetërohet! Edhe kështu si je katandisur si harrubet bostani të nxjerrin para gjyqit dhe të fusin në birucë burgu derisa të ngordhësh!- nxori pezmin Rahila.

- Mos u nxej, gruaja ime! Ftohu pak, Rahilë! -ndëhyri Akun Bishti pasi ndaloi së qeshuri, duke parë se biseda po shndërrohej në grindje. Askush nuk të futi me zor në ato punë! Vetë deshe vetë vendose! Është turp t’i fajsosh të tjerët që të mbajtën dhe respektuan si të ishe  princeshë! Pastaj, nuk po të kuptoj, pse po merresh me të kaluarën?! Mos harro se ne kërcyem vallen si binte daullja! Tash janë kohë të tjera, Rahilë! Do ta ndërrojmë gëzofin si e do moti! Klani ynë, me në krye Lugatin, dita- ditës po bëhet më i fuqishëm! Kemi rënë në ujdi  edhe me mafian e ndërkombëtarëve edhe me mafian  vendëse të kryeqytetit që  i ka shtrirë rrënjët deri  në qeveri. Mish e shpirt e qumësht e mjaltë janë bërë mafia e qeveria, që kanë harruar të kaluarën! Vetëm cuklanët e katundit jetojnë duke u mburrur me të shkuarën! Madje, çdo përpjekje për ta kujtuar të kaluarën ,qeveria e trajton si prapambeturi, si kthim prapa në histori, si naivitet kolektivi! Shiko sa mirë i ka koordinuar punët Haruni me qeverinë!  Bixhozi po lulëzon! Milionat po derdhen në xhirollogarinë tonë! Arti dhe bixhozi sot janë bërë mish e thua!? Estrada muzikore është vënë plotësisht në shërbimin të ”Telebingos” dhe ”Starbingos” se Harunit. Yjet e muzikës së kryeqytetit janë vënë në shërbimin tonë! Kazinot e kryeqytetit janë mbushur deng me intelektualë! Politikanë, sportistë, aktorë filmi e teatri, shkrimtarë, kompozitorë, profesorë universiteti, mjekë, gjykatës... mbushin llozhat e kazinove që menaxhojmë ne! Pastaj edhe mua më ecën puna mirë në zanatin tim të ngjitjes së bishtave! Dy gurë bashkë nuk i kam lënë në kryeqytet! Njërit vëlla i kam ngjitur bisht të zi e tjetrit të  larmë! Bishtat  e mi kanë hyrë në çdo familje! Tashmë, në kryeqytet nuk ka njeri pa bisht! Mjeranëve  nuk iu bie ndërmend as lufta, as tradhëtitë tona , por përpiqen t’i heqin bishtat ose t’i fshehin! Doktor Zebeku vranë e kthjellë në klinikat e spitalit të kryeqytetit! Çdonjërin që kërkon të përkujtohet e kaluara ose lufta i cakton diagnozën e skizofrenit, ndërsa organet e rendit e gjykatat nuk janë aq të marra sa të merren me deklaratat e skizofrenëve ! Klinika e Neuropsikiatrisë është mbushur përplotë me të çmendur nga traumat e luftës dhe tmerret e pasluftës! Tatlije fallxhesha  ka bashkuar të gjitha falltoret e kryeqytetit në Shoqatën e Falltorëve! A mund të gjendet ndonjë mëhallë e kryeqytetit që nuk ka falltorë? Dudie hanmi ka infiltruar nëpër parti dhe qeveri të gjithë ata matufët e dikurshëm që vuanin nga Sindromi  Alzheimer. Harami e Zibani me të bijt me dajak  kanë uzurpuar gjysmën e kryeqytetit! Klani ynë sot është më i  pasur se Rokfelerët e Rotshildët e Amerikës!

Pastaj, hudhi një sy  gueriles çlirimtare ku e kemi përplasur! Me  mafian , qeverinë dhe  ndëkombëtarët ua kemi futur dy këmbët në një këpucë!Së pari i bëmë pikë e pesë, duke i shpërndarë nëpër parti, pastaj përsëri, si dikur në ditët e shkëlqimit tonë, i kemi mbushur burgjet me asi të krisurish që betoheshin se  do të vdisnin me sy hapur për liri! Budallenjtë mendojnë se jetojnë në liri vetëm që u kemi dhënë të drejtën të llomotisin sa të duan fjalën liri dhe u lejojmë ta shajnë  gjeneral Gexhën dhe ushtrinë e tij! Edhe Lush Rebelin e futëm në birucë burgu dhe  nuk reagoi as nuk protestoi njeri!  Shokët e tij të luftës pas shantazheve të mafias dhe ndërkombëtarëve i mbyllën sytë e veshët i shtinë në lesh kur e burgosëm Lush Rebelin!  Njëmijë bishta i kam ngjitur  çalamanit  rebel! Komandant Gurrën  pasi e bën qengj të bijt e Haram Harambashit, hyri në politikë dhe u bë burokrat! Togerja  amerikane, si duket, ia ka shkelur për në Amerikë?! A nuk të joshin këto përparime , Rahila ime e dashur?! Atëherë ishim vetëm falangë e gjeneral Gexhës, kurse tash jemi më të fuqishëm se qeveria e kryeytetit!  Dhjetëra shërbime të huaja sekrete punojnë natë e ditë për ne! Vrajmë e kthjellim në kryeqytet si na e do shpirti! Kur e likuiduam Lalush Teneqexhiun hetimet u ndërprenë si të pasuksesshme , pasi që Klani ynë me në krye Lugatin e shpalli  brenda ditës vrasjen e tij si vrasje misterioze!  Kthehu mbarë Rahilë e dashur! Ëndrra jote të flesh mbi miliona tash është zhgjëndërr! Nga ti nuk kërkojmë të punosh! Zonjë ishe , zonjë do të mbetesh, ama të lutem, vuri dryrin gojës, Rahilë e dashur! Harro ç’ke parë e ç’ke dëgjuar! Nis një histori të re me zanatin e vjetër! Harro luftën, harro kufomat, harro plakë Nazën  nëse do të jesh grua imja!- përfundoi Akun Bishti.

- Çepe more i poshtër!- reagoi Haruni, që u ndie i fyer kur Akuni e quajti Rahilën grua të veten. Rahila është e imja dhe pikë! Po ta piu sorra mendjen dhe një herë provon ta çortosh Rahilën ta mbush trurin me plumba! A kuptove?! Debil i ndyrë! A mos ke harruar se gjysma e Rahilës është e imja, more kreten?!

- Mos u nxeni kodoshët e mi! Mos u nxeni! Unë me ju kam vetëm kurorë karriere sa për sy e faqe! Ju si hudumë që jeni,  mirë e dini, se nuk jeni për gra!Unë më nuk jam as formalisht grua e juaj! Nuk do t’i  takoj më as Klanit tuaj! Është fundjeta ime që duhet të ketë kuptim, së pakut, në vdekje! Më ndjeni, ju lutem! Më kuptoni vetëm një herë! Më nuk mund të jetoj nën trysninë e torturës psikike pa e thënë të vërtetën! E vërteta po më mbërthen në fyt, po ma zë frymën, po më plandos për tokë, po ma gërryen shpirtin...! Të gjitha do t’ia them Lush Rebelit! Të gjitha, fill e për pe!Besoj se e vërteta i shëron plagët e tij! Ia ndalë dhembjet! E vërteta e ngushllon për të kaluarën e nënë Nazës! Me të vërtetën time edhe kufomat e vjedhura, të cilat po i shitni ju me gjeneral Gexhën e kolonel Xhungalliqin do të ngushllohen! Të vërtetën më nuk mund ta ndrydh as ta bluaj në rradaken time! Do ta them të tërën, troç, të pastër, fare  lakuriq dhe pa dokrra të Mëhallës së Xhehenemit! Pastaj, ndoshta  shpirti im do të pastrohet! Nëse jeta ime nuk ka pasur kuptim , së pakut, vdekja ime le të ketë pak kuptim! E di se ju nuk e duroni të vërtetën! E di se e vërteta do t’u vrasë! E di se edhe do të më vrisni si shumë të tjerë, por të vërtetën më nuk mund ta ndryjë në vete!

- Spiune e dyfisht paske qenë Rahilë, a?- tha Akuni i habitur, ndërsa Haruni fshinte tisin e mjegullës nga sytë. Nuk u besonte veshëve të vetë nëse e dëgjonin mirë Rahilën,  apo jo!?

- Syri i spiunit është sy i pushtetit dhe veshi i spiunit është vesh i shtetit na thoshe , Rahilë!- tha Haruni duke dashur ta zbusë zemrën e Rahilës.

Rahila më nuk foli. Në sallonin e pallatit të Ziban  Ziut heshtja ra si hije mordje. Të gjithëve u dhimbte koka, ndërsa Rahila vazhdoi të miklonte flokët e shërbëtores Fjollë dhe ngadalë i pishpëriste në vesh:” Ik...! Shporru nga këtu...! Dil nga ky ferr i ndyrë...! Bija ime,mos bjer në kurthet ku  unë kam thyer qafën...! Të lutem shpëto veten dhe nëse më vret Klani i Mëhallës së Xhehenemit u  rrëfe Lush Rebelit dhe komandant Gurrës të gjithat që i dëgjove! Merre edhe këtë unazë dhe jepja Lush Rebelit! Është unaza e nënë Nazës, gruas më tragjike të kryeqytetit! Thuaj Lushit të mos e kërkoj nënë Nazën se kurrë nuk do ta gjejë! Hajt! Nisu tash! Fluturo! Mos ngurro!  Të lutem Fjollë, ik sa nuk ia ka behur Lugati se Zoti e di ku do të shesin si mish të bardhë këta të pashpirt! Ik sa nuk ke përfunduar në duar të mafias! Kur të dalësh jashtë, kij kujdes në rrugë! Atje bëjnë roje të bijt e Haramit dhe Zibanit! Janë më të këqij se etërit e tyre!  Vajza vazhdoi të dridhej. Tashmë e kishte të qartë ku e kishin  katandisur fatet e pasluftës. Ngadalë u ngreh në këmbë dhe si e trullosur shkoi në kuzhinë dhe më nuk u duk në mesin e musafirëve.

Heshtje varri përsëri e pushtoi sallonin e pallatit të Ziban  Ziut. Çile guri gojën nuk fliste njeri. Të gjithë musafirët e pallatit të Zibanit dukeshin sikur t’i kishin  zënë belatë e krejt botës.

 Rahila shikoi orën e varur në mur dhe llogariti kohën mirë. Mendoi se Fjolla kishte ikur dhe duke dalur jashtë nxori revolen nga brezi dhe kërcënoi se do ta vriste çdonjërin që do të lëvizte nga vendi. I vuri derës dryrin nga prapa dhe doli nga pallati i Zibanit. Të bijt e Haramit dhe Zibanit, kur Rahilës i panë revolen  që mbante në dorë  kthyen kokat në tjetrën anë duke  u shtirë sikur nuk e panë Rahilën që me hapa të shpejtë u zdorgj sokakut teposhtë nëpër kalldërmin e vjetër të Mëhallës së Xhehenemit pa shikuar prapa !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx