Kulturë
Viola Isufaj: Kur e qeshura ime të bënte për të qeshur
E diele, 17.10.2010, 12:32 PM
Viola Isufaj
Kur e qeshura ime të bënte për të qeshur
Veçse asnjëherë ai s’ka këputur sikur një trëndafil për të ma dhuruar, qoftë duke shëtitur ne të dy kur trëndafilat na dilnin para syve, qoftë edhe kur këto lule gjembash i kanë penguar shikimin; nuk ka menduar asnjëherë ai në më mungonte një ëmbëlsi si kjo : të dhuruarit e një trëndafili dhe një puthje në ballë dhe them si nuk i ka shkuar ndër mend një gjë e tillë, ndërsa përdorte shprehje si «ti je më e brishte se një lule, e dashura ime»…
Ai sigurisht ka menduar se më ka bërë dhurata të tjera… posi, perëdime ngjyrë vjollcë, të kuqërremta, të allta, veçse nuk ka harruar të flasë ndërkohë, për kurora dafinash a frone dhe kemi rrëkëllyer atëherë verë dhe jemi rrëkëllyer në dashuri, në dalldisje e sipër, duke u kapërthyer kemi pëshpëritur «sa më kishte marrë malli, o Zot », e vetëm në zgjim jemi kujtuar se jemi mbretër…
Veç perlave e diamateve, më të rëndomtat dhurata për mbretërit, një vazo të vjetër, të çmuar me rozë dhe vishnje, me shkronja kineze a shkrime egjiptiane, me kokrriza të çuditshme si sheqer, më ka dhuruar ai, (ndonëse unë i kërkova jaseminë) dhe më ka rrëfyer për dallgë të vrullshme e sulme piratësh, për direkë të bërë copë-copë dhe pas kësaj si rrëshqitnin sërish anijet mbi valë më të lehta se peshqit dhe më ka treguar gjithashtu, se ç’ishte në të vërtetë mëndafshi…oh, ai më ka dhuruar kaq shumë mëndafsh dhe krehëra dhe pasqyra të sjella që matanë oqeanit...eh, po prapëseprapë, ato nuk quhen dhurata...
Kur e qeshura ime, të bënte për të qeshur, po të ma përjetësojë atë çast, shpirt, më kishe dhuruar gjithçka... dhe, shpirt, kur ti më ktheheshe fëmijë, ndonëse rrallë e më rrallë… sa do të doja ta kishe ditur ti se ashtu më falje lumturinë…, po ç’po të duheshin ty dëshirat e mia, unë gjithseesi mbetesha e dashura jote, më e brishtë se një lule…-si thoje ti, -më e trishtë e më pa gojë se një lule –do të kisha thënë unë !