Kulturë
Kostaq Duka: Suzana
E diele, 17.10.2010, 07:00 PM
Kostaq Duka
Tregim
Suzana
Përse ajo ma tregoi historinë e jetës së saj?! Çjam unë për të? Një i huaj i rastit si shumë të rastit që vijnë çdo ditë në Amerikë. Me të takohem vetëm një natë në javë , të mërkurë kur ajo kryen detyrën e saj si infermiere e turnit të tretë në shtëpinë e pleqve.Ka një korrektesë shëmbullore në punë dhe në marrëdhënie. E saktë në respektimin e radhës së veprimeve. Dhe e pagojë. Në pesë vjet edhe pse mes qetësisë absolute kur në 350 apartamente të moshuarit enden në krahët e gjumit ajo nga jeta e saj më kish treguar vetëm që kish dy fëmijë, një djalë e një vajzë dhe që ishte e divorcuar.
Jetonte me vajzën diku në periferi të Chicagos. Djali i martuar, me tre fëmijë jetonte në Alaskë. Punonte në një anije peshkimi. Kaq. Asgjë tjetër. Dhe sepse më ishte krijuar përshtypja që kjo grua e qetë rreth 55 vjeç, përveç divorcit, që fundja është kaq i zakonshëm në ditët e sotme asgjë tjetër dramatike mund të kishte në jetën e saj që me siguri tani rridhte e qetë pa strese. Këtë e shprehte edhe fytyra e saj,çuditërisht më e bardhë se e vajzave dhe grave të tjera filipineze që punonin në ndërresat e tjera, e cila e kishte gjithnjë një buzëqeshje dhe shprehjen e qetësisë.
Por s’ka dy netë që në një rrethanë disi të pashpjegueshme ajo shpalosi jetën e saj. U ndodha tek sporteli ku ajo qëndronte tek fliste me celular me nënën e saj në Filipine në gjuhën e vet. Bëra të largohesha për ta lënë të qetë, kur ajo më thirri. “ Eja do të tregoi nënën time, e kam këtu në celular. Më tha se do të më telefonojë pas gjysëm ore.”
Në ekranin e vogël të celularit më buzëqeshi trishtuar një plakë e imët, me sy të vegjël.
Është 84 vjeç. Është e imët por e fortë’ më tha Suzana, sytë e e së cilës u njomën nga lotët në çast. Çdo dy vjet shkoj në Filipine vetëm për të. Vetëm ajo më ka mbetur....
Këtu kapa fillin për të vazhduar bisedën:
-Po babai ?
-Ka vdekur që në vitin 2002. Ishte në moshën që ka mamaja sot 84 vjeç. Por unë babanë e njoha kur isha 42 vjeç. Deri atëhere s’e kisha parë kurrë.
S’di si Suzana nxorri në dritë këtë të dhënë të çuditëshme që mua më goditi në kokë dhe më bëri të shtyhesha ngulmues në bisedë.
-Me fal Suzana, mbase s’të kuptova mirë 42 vjet pa e takuar babanë?
-Po, dy tre ditë pas lindjes sime ai u largua dhe u shfaq pas 42 vitesh.
Nuk mund të mos bëhesha kurioz për të vërtetën e jetës së saj. Ju luta të më tregonte diçka më të hollësishme...
Vërtet je i interesuar? Tha Suzana pa e fshehur dëshirën për t’u hapur. Jeta ime është si një film.Dhe ajo nisi të tregojë..
Nga babai jam amerikane, nga nëna filipineze. Babanë e quanin Xhozef. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte me forcat ushtarake amerikane në Filipine. U njoh me nënën time dhe ra në dashuri. Qëndroi edhe disa vite pas mbarimit të luftës. Shpejt u bënë me femijë. Pas lindjes së vëllait tim, lindën dy motrat e mija më të mëdha. Për përkujdesjen në rritjen e tyre babai pajtoi dhe një kujdestare fëmijësh, një vajzë të re filipineze për të lehtësuar nënën time që ishte shtatzënë me mua.Dhe ja në këto momente kur unë do të vija nga çasti në çast në jetë , babai fshehurazi nënës nisi të bëjë dashuri me kujdestaren e fëmijve.
Një ditë pas vizitës së zakonshmne në mjeku nëna ime u kthye në shtëpi. Dhe kur s’mund ta priste, në dhomën e gjumit gjeti babanë duke bërë dashuri me kujdestaren e fëmijve. E gjora ajo. Qau e bërtiti sa mundi. Më pas babai i kërkoi të falur por çdo gjë ishte thyer në mes. Pas tre ditësh nga kjo ngjarje e zunë të lindurat.Edhe pse të mëritur e shoqëroi me taksi babai për në materinet. Unë linda në taksi dy hapa larg maternitetit. Këtë e mësova nga nëna por e përmendi edhe babai kur grua me tre fëmijë u takova për herë të parë me të.Pas lindjes sime ai, me vëllanë dhe dy motrat iku në Amerikë. Vëllai ishte rreth 10 vjeç ndërsa motrat 7 dhe 5 vjeç.
Fëminija ime ishte shumë e vështirë. Oh sa herë kujtoi ato vite më hyjnë ethe në trup. Mundohem e mundohem t’i shuaj nga kujtesa por është e pamundur. Nëna ende e re në moshë lidhi jetën me një burrë tjetër. Që në fillim s’e kam dashur njerkun. Më dukej i lig, i egër dhe mospërfillës. Së bashku bënë pesë fëmijë. Njerku që dhjetë vjeç më shndrroi në kujdestare fëmijësh. Mendo unë ende fëmijë duhej të kujdesesha për fëmijët e tjerë gjatë kohës që nëna rrobtohej në punë. Kur shihte diçka të mos kryeej si duhej e shumë herë kot së koti, njerku më shkulte flokët e më godiste fytyrës. Këto skena ishin të zakonshme sidomos kur vinte në shtëpi i dehur. Njëherë më kapi për këmbësh e më kërcënoi të më flakte tej dritares në rrugicën e shkretë pa njerëz nga kati i pestë. Bërtisja tërë frikë dhe i thosha më fal. Ai egërsohej më shumë pas lutjeve të mija.
Kur erdha në moshën e adoleshencës i lutesha nënës të më tregonte për babanë e vërtetë. Ajo ngrysej në fytyrë dhe më thosh : “S’ka çtë duhet ai është larg në Amerikë.” Por kur po u afrohesha pesëmbëdhjetë viteve, një mbasdite në derën e apartamentit tonë trokiti një zonjushe. Nëna dhe njerku ishin në punë. Ishte një zonjushe shtatlartë e veshur hijshëm si të them si ato që kisha parë nëpër revista. U shtanga. Ç’kërkoni i thashë së panjohurës. Ajo s’priti por më përqafoi gjithë mall: “Motra ime, e vogla ime sa qenke rritur! Erdha posaçërisht për ty dhe nënën nga Amerika. Nuk duroja më gjatë.”
Nga ajo mësova edhe per motrën tjetër, vëllanë dhe babanë. Jetonin të gjithë në Kaliforni. Edhe motra dhe vellai ishin të martuar dhe me fëmijë. Motra u takua dhe me nënën. O zot ç’takim! Lotë dhe gëzim malli. Motra i solli dhe përshëndetje nga babai por nëna i tha:” të lutem mos më folë për të !”
Më pas u hap rruga e komunikimit. Përditë flisja me motrën dhe vëllanë. Herë herë më dërgonin edhe pako. Vitet shkonin, bënin të tyren. Unë u lidha me një burrë. U martova dhe linda tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Djali i madh ishte i pafat. Një sëmundje e ndau papritur nga jeta. U dhashë e gjitha pas dy fëmijve të tjerë. Por nuk ishte e thënë ti gëzohesha jetës familjare. Burri pinte shumë. Shkonte kazinove dhe prishte lekët në seks me gra te tjera.
Mundohesha sa të mundja nga e keqja t’ja fshihja lekët por ai m’i shkulte me të rrahura. E kam një shënjë të çarë në buzë. U bë me thikën e bukës. E keqja më e vogël. Nuk di si shpëtova gjallë. Thashë kurrë më ! Për t’i shpëtuar dhunës së tij iu përgjigja një oferte për të qënë kujdestare fëmijësh në një familje intelektualësh në Lindjen e Mesme. Ndenja gjashtë vjet atje. Nderkohë u shpeshtuan bisedat me vëllanë që ende s’e kisha parë dhe motrat. Në një bisedë vëllai më tha se babai eshtë shumë i shqetësuar për fatin tim dhe dëshiron të ndihmojë për t’u bashkuar të gjithë në Amerikë. U thosha kam merakun e nënës por ata më përmendnin njerkun dhe fëmijët e tjerë me të cilët ishte e lidhur jeta e saj.
Kur u ktheva nga Lindja e Mesme një mbasdite vëllai më tha se babai, tashme 82 vjeç ishte nisur posaçërisht për dokumentat e mija për në Filipine. Nuk di ta përshkruaj takimin me të.Isha 42 vjeç. S’kisha hapur sytë kur ai iku larg. Tani një burrë i gjatë pak kurriz përkulur më përqafoi e më tha: bija ime! Shkuam në ambasadë. Është bija ime, u tha personave të konsullatës amerikane. Jeta na ndau. Tani dua të bashkohem me të. U tregoi të gjitha dokumentat. Kur dikush shfaqi mosbesim i’u tha:” Ju lutem më merrni gjak shikoni ADN-në!”
Përfundimisht unë erdha në Amerikë së bashku me djalin dhe vajzën. Fillimisht qëndruam në Kaliforni dhe më pas u vendosem këtu në Chicago.
Ja kështu- tha Suzana- Nuk është vertet jeta ime si për film?!. Apo çdo jetë njeriu është film me vete?
Nuk i ktheva përgjigje. I rrëmbyer nga tregimi i saj doja të sqaroja pikpyetje të tjera.
.
-Po babai? Ç’ndodhi më tej?
-Siç e thashë ishte i moshuar kur më takoi për herë të parë pas 42 vitesh. Vuante nga zemra. Dy vjet pas ardhjes sime u nda nga jeta.
-Sa keq! Pasi mblodhi gjithë fëmijët në Amerikë!
-Po. Por në fakt ai nuk vdiq këtu.
-Çfarë? Nuk vdiq në Amerikë?
- Në Filipine sipër një faqeje mali, një vend shumë piktoresk ai kishte një vilë ku shkonte herë pas here. Kur u ndje shumë i sëmurë aty shkoi. Dhe aty edhe vdiq. Por varrimi u bë në Kaliforni, në varreza pranë shtëpisë së vjetër te prindërve të tij.
Po njerku?
Vdiq në gjurmë të babait. Pas një viti. Po aq në moshe sa ai rreth të 85-viteve..
Kisha edhe pyetje te tjera...Por papritur ra zilja në celularin e Suzanës. Është nëna, tha me një fytyrë të çelur nga buzeqeshja, tani andej është pasdite, gjithnjë flasim në këtë orë.
Shtator 2010