E premte, 03.05.2024, 08:28 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Martirët e demokracisë

E marte, 14.09.2010, 10:00 PM


Martirët e demokracisë

 

Nga Reshat Kripa

 

            Ata ranë dymbëdhjetë vjet më parë. Ranë ashtu si bien burrat, me kokat lart dhe besim në idealet e tyre. Ata i vrau dora e zezë e krimit, dora e pasardhësve të atyre që kishin vrarë dhe burgosur prindërit e tyre, dora e ish sigurimit të shtetit e rivendosur përsëri në pushtet, ndonse me emër tjetër, atë të partisë socialiste, të asaj partie që  gatoi tmerret e vitit 1997 dhe uzurpoi pushtetin, duke përmbysur me forcë fitoret demokratike të arritura deri atëhere në vendin tonë.

            Tre ditë tmerri dhe terrori. Tre ditë të zeza për popullin shqiptar që, për fat të keq, akoma nuk janë zbardhur, megjithse kanë kaluar dymbëdhjetë vjet. Tre ditë prove për drejtësinë shqiptare për të treguar efikasitetin e saj.

            12 shtator 1998. Pabesia vret “Heroin e Demokracisë“, të paharruarin Azem Hajdari, simbolin e lëvizjes studentore të vitit 1990. Ishte vrasja e shekullit. Partia Demokratike i demaskoi menjëherë vrasësit, por organet qeveritare e bënë veshin e shurdhër, se ishin vetë ata që e kishin përgatitur këtë komplot.

            Në këto ditë ne e shohim përsëri atë si para dymbëdhjetë viteve. E shohim madhështor në krye të studentëve të Tiranës, për të rrëzuar sistemin e urryer që sundoi për gati një gjysëm shekulli në vendin tonë,. E shohim në krye të Partisë Demokratike, si kryetarin e parë të saj. E shohim në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997, si një pishtar që ndriçonte për të ndritur rrugën e demokracisë. Por me një madhështi më të madhe do ta shohim pas ngjarjeve tragjike të atij viti të zymtë 1997. Do ta shohim madhështor të endet nga një qytet në tjetrin për t’i treguar njerëzve se Partia Demokratike vazhdonte të jetonte dhe të luftonte për rivendosjen e demokracisë së përdhunuar. Një gjë e tillë nuk kishte se si të mos binte në sy të kriminelëve të  kuq   i  ngritën  disa  kurthe  dhe  prita.  Të gjithë kujtojmë ngjarjet e Tropojës, Milotit dhe sidomos atë të parlamentit, ku plumbat e një vegle qorre të sigurimit e plagosën rëndë. Të gjithë kemi parasysh figurën e tij heroike në parlamentin shqiptar, pas daljes nga spitali, me duart e kryqëzuara lart ku, pa iu dridhur qerpiku, u çirrte maskën  mafiozëve, autorëve kryesorë të masakrës së vitit 1997. Ndaj e vranë. E vranë pabesisht ashtu siç ishin mësuar prej kohësh, ashtu siç kishin vrarë prej kohësh.

Së bashku me Azemin vritet edhe besniku i tij, Besim Çera. Besimi ra për të mbrojtur mikun e tij Azemin. Ranë që të dy njeri pranë tjetrit, të lidhur pazgjidhmërisht edhe në vdekje. Familjes Çera, një familje fisnike nga Dibra, nuk i kishin mjaftuar përndjekjet e të atit, malësorit të urtë dhe të ndershëm Xhemal Çera, Nuk i kishin mjaftuar kaq vite vuajtje të pashembullta nën rregjimin diktatorial ku, megjithë varfërinë e tejskajshme, asnjë herë nuk e ulën kokën, por qëndruan gjithmonë ashtu siç i ka hije një malësori dhe familje krenare. Ajo duhej goditur atje ku i dhimbte më tepër. Dhe ky ishte Besimi i mirë, i urtë dhe besnik deri në vdekje. Kjo ishte tradita e trashëguar nga prindërit dhe krahina e tij e nderuar. Dhe ai dijti t’i ruajë ato me nder. Ai u vra se i përkiste një familje tradicionalisht të lidhur me Mbretin Zog dhe Partine Lëvizja e Legalitetit dhe kjo parti, së bashku me atë të Ballit Kombëtar, ishin dy forcat lëvizëse që kërkonin ta çonin Shqipërinë drejt Europës, qëllim që mundi të realizohej vetëm pas vitit 1990. Së   bashku   me  ta  plagoset  rëndë  edhe  Zenel  Neza.  Kujdesja  e  mjekve  dhe mrekullia hyjnore, mundën ta kthejnë përsëri në jetë.

            13 shtator 1998. Tirana zjente. Revolta popullore për vrasjen mizore shfaqej nëpërmjet manifestimit paqësor të popullit të Tiranës, nëpër rrugët e kryeqytetit.  Me këtë manifestim ata donin që t’i jepej fund njëherë e mirë vrasjeve barbare që kishin filluar në vendin tonë, nën ombrellën qeveritare. Manifestuesit as nuk dogjën dhe as nuk vranë, as hapën depot e armatimit dhe as rrëmbyen armët, siç kishin vepruar komunistët një vit më parë.   Megjithatë u vranë. U vranë se ishin demokratë. U vranë se ishin të përndjekur politik nga diktatura. Në këtë manifestim paqësor, krahas dhjetra të plagosurve, qëllohet për vdekje nacionalisti i shquar Skënder Kalenja, biri i ballistit të njohur Rakip Kalenjës, oficer madhor që kish mbaruar studimet e larta në Torino të Italisë, vrarë edhe ky nga forcat komuniste në ditët e zeza të nëntorit të vitit 1944. Vrasja e Skënderit u krye me snajper nga godina e kryeministrisë. Ishte një vrasje e paramenduar. Pasi kishin vrarë disa nga krerët e asaj organizate atdhetare, që për parrullë kishin: “Puna jonë në robëri është lufta. Lufta jonë në liri është puna”, filluan të vrasin edhe bijtë e tyre.  I vetmi dëshmitar i saj ishte demokrati Adem Shehu, që e priti në krahët e tij dhe e ndihmoi për ta çuar sa më parë në spital, ku ndërroi jetë.

            14  shtator  1998. Zhvillohej ceremonia e varrimit të martirëve. Pas mbarimit të mitingut të përmortshëm, turma drejtohet me arkivolët drejt kryeministrisë, shkaktares së kësaj masakre. Përsëri krisma, përsëri të vrarë dhe të plagosur. Në rrugë kundër popullsisë çfaqen edhe tanket. Popullsisë nuk i mbetet tjetër veçse të ngrihet në revoltë. Por thirrja e burrave të urtë të kombit, që nuk donin më të derdhej gjak, që donin që gjithçka të zgjidhej me ndihmën e arsyes, e qetësuan turmën e irrituar.

            Mbrëmja e asaj dite. Ora 20.oo. Adem Shehu, i këputur nga lodhja po kthehej në  shtëpi. Por gjaksorët nuk mund të harronin që ai ishte dëshmitari i vetëm që kishte parë kush e kishte vrarë Skënder Kalenjën. Jo     shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Rendit, tre plumba kriminelësh e qëlluan. Ai  u  rrëzua për tokë. Ishte vetëm. Askush nuk guxoi t’i afrohej. Ndoshta e lanë ashtu  qëllimisht  për  gati njëzet minuta. Pastaj e shpunë në spital ku ndërroi jetë. Në proces-verbalin e mbajtur me këtë rast shkruhej:

 

I paidentifikuar. (i biri i Zenel Shehut).

 

            Më poshtë vijojnë firmat e mbajtësve të proces-verbalit. Ajo që të bie në sy menjëherë është se, kur personi ishte i paidentifikuar, kush ua kishte treguar hartuesve emrin e Zenel Shehut, që ishte babaj i Ademit, i vrarë po nga komunistët në vitin 1948? Gjakpirësit siç duket nuk ishin ngopur me gjakun e të atit, por kërkonin edhe atë të të birit.

            Një farsë ishte edhe njoftimi i dhënë nga televizioni publik shqiptar, që u pasua nga televisione dhe gazeta të tjera të majta si  televisioni “Arbëria”, apo gazeta “Shekulli” dhe revista “Klan”. Në këto njoftime thuhej:

 

            Mbrëmë rreth orës 20.oo, gjatë kthimit të Ministrit të Brendshëm Perikli Teta, nga televizioni publik në Ministri, u parandalua një atentat ndaj tij dhe gjatë kryqëzimit të armëve ka mbetur i vrarë atentatori nga breshëritë e plumbave të shoqëruesve të Ministrit.

 

            Një alibi fallso e denjë për një shtet kriminal.

            Në morg me Adem Shehun, ishte dhe një kufomë  tjetër. Ajo mundi të identifikohej vetëm pas dy ditësh nga e motra. Ishte Isuf Uka nga Macukulli, i biri i Ali Ukës, një i përndjekur politikë nga rregjimi i Enver Hoxhës. Kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të zhvillohej pas një jave.  Por nuk mund të mos merrte pjesë në varrimin e martirëve. Dhe u vra. Në Macukull këngët e dasmës u përzjenë me vajin e vdekjes.

Kështu ranë martirët e atyre ditëve të tmerrshme. Ata ndoqën vazhdën  e  atyre  që kishin rënë më parë, por që do të binin edhe më vonë. Vazhdën e Bujar Kaloshit, Lekë Çokut, Besnik Hidrit, Besim Manolit, Gëzim Shabanit, Gjergj Mehmetit, Viron Rapajt, Valter Harizit, Kujtim Frangut, Bashkim Shkurtit, Fredi Shehut, Syl Lushajt dhe sa e sa të tjerëve. Që të gjithë demokratë të vendosur dhe pjesa më e madhe e tyre të përndjekur politik. Ata ranë për t’u përjetësuar në këngët dhe historinë e këtij kombi. Ata do të mbeten gjithmonë të pavdekshëm në kujtesën tonë. Por kjo nuk mjafton. Gjaku i tyre sot kërkon drejtësi. Vrasësit dhe urdhëruesit sot enden të lirë rrugëve të vendit apo botës. Disa prej tyre mund të jenë në organet legjislative apo të drejtësisë. Ka ardhur koha e vënies në vend të drejtësisë së vërtetë. Deri më sot për asnjerin nga martirët e mësipërm nuk është zbuluar dora vrastare. Dhe ne na duket sikur nga thellësitë e varreve ku prehen dëgjojmë thirrjen e tyre:

 

            Duam drejtësi!

 

            Ky është amaneti i tyre që ne kërkojmë të realizohet.

            I them këto sepse shpesh herë në këto vite tranzicioni jemi ndeshur në fenomene aspak normale që na kanë lënë shije të keqe, për të mos thënë se na kanë fyer rëndë. Nuk ka si të mos e ndjejmë veten të fyer kur një president i djathtë dekoron martirin Havzi Nelaj dhe presidentë të tjerë po të djathtë, dekorojnë vrasësit e tij Fehmi Avdiu dhe Fatmira Laskaj, kur një president i djathtë dekoron intelektualët e njohur Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, ndërsa një tjetër po i djathtë vrasësin, e tyre Skënder Breca, kur një president i djathtë dekoron martirët e Qafës së Barit, dhe një tjetër, gjithashtu i djathtë,  vrasësin e tyre Njazi Jaho. Kjo do të thotë të fusësh në një vath si ujkun edhe delen. Nuk mund të mos e ndjejmë veten të fyer kur drejtohemi në ndonjë organ shtetëror legjislativ apo gjyqësor dhe para gjejmë ish hetuesin e periudhës diktatoriale dhe ne jemi të detyruar të kërkojmë drejtësi, pikërisht përpara atij që na i mohoi atë në mënyrën më vulgare vite më parë. Të tilla anomalira mund të ndodhin vetëm në një vend si Shqipëria. Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se vendi ynë ndodhet në një gjendje të atillë  si ajo e librit të Lewis Carollit, që e kam lexuar në fëmininë time, ku personazhet nuk ishin gjë tjetër veçse figurinat e letrave të bixhozit. Duke paralelizuar me titullin e asaj vepre më duket sikur “Shqipëria ndodhet në botën e çudirave”.

            Një fushatë e shfrenuar ka shpërthyer në median e majtë për të hymnizuar figurat qëndrore të diktaturës. Nuk ka ditë që të mos lexojmë apo shikojmë të flitet për shkaktarët kryesorë të katastrofës së shekullit të njëzetë duke u munduar t’i veshin ata me petkun e demokratit, sikur në vendin tonë nuk paska ekzistuar diktaturë. Në Germani, për gati tridhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk studiohej fare historia e nazizmit dhe liderët e saj. Kjo bëhej që nga ndërgjegja e popullit gjerman të zhdukej ajo njollë e zezë që e shpuri në buzë të greminës.

            Përse të mos bëhet një gjë e tillë edhe në vendin tonë? Le të japim dy shembuj. Para dy vjetësh një television transmetonte një intervistë me ish kriminelin komunist Isuf Mullai. Disa ditë më vonë një television tjetër kishte thirrur kriminelin Mark Dodani.Të dy e kanë ndërgjegjen e tyre të mbushur me gjak shqiptarësh atdhetarë të pafajshëm. A keni dëgjuar ndonjë televizion gjerman të marrë në intervistë ndonjë kriminel lufte? Një gjë e tillë ndodh vetëm në Shqipëri. Do të doja t’u thoja drejtuesve të këtyre televizioneve se paret e fituara me emisione të tilla jo të moralshme, janë helm për ndërgjegjen e tyre.

            Të gjitha këto i them me qëllimin e  mirë   gjithçka të ndreqet dhe të mos kalojmë nga gabimi në gabim dhe nga faji në faj. Shqipëria ka nevojë për një kambanë alarmi

Pas vdekjes së Krishtit, Shën Pjetri shkoi në Romë për të përhapur doktrinën e krishterë. Rreth vetes filluan të mblidhen gjithmonë e më shumë një numër besimtarësh. Kjo ra në sy të autoriteteve të cilët filluan raprezaljet. Nën këtë presion, Shën Pjetri, në një moment, u thye dhe u largua nga Roma. Por rrugës i shfaqet Krishti që i thotë shprehjen e famshme “Quo Vadis?”. (Ku shkon?) Dhe Shën Pjetri u kthye dhe u sakrifikua për Romën.

            Mendoj se edhe ne sot duhet të thërrasim me të madhe “Quo Vadis Shqipëri?” Shkëputu përgjithmonë nga kthetrat e komunizmit. Hidhe poshtë të keqen që ke brenda vetes dhe jeto me pjesën tjetër më të mirë. Le të hapen dosjet e kriminelëve dhe shkaktarëve të peridhës diktatoriale dhe të flaken jashtë aparatit shtetëror. Sot jetojmë në demokraci dhe ekonomi tregu. Le të merren me çfarë të duan, por vetëm shtetin duhet ta lenë të pastër. Le të hapen edhe dosjet tona. Ne nuk kemi frikë nga e vërteta. Le të mos vazhdojmë të helmojmë fëmijtë tanë me një histori të falsifikuar  që u shkatëron ndërgjegjen. Le të zbatohen të gjitha pikat e rezolutës së parlamentit të Këshillit të Europës dhe parlamentit shqiptar dhe do të shikoni se Shqipëria do të futet me të vërtetë në rrugën e demokracisë, do të futet në gjirin e kombeve perëndimore.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora