Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Bisedë me zemrën
E premte, 03.09.2010, 09:07 PM
Reshat Kripa
Bisedë me zemrën
Çfarë ke zemër që rënkon? Pse s’më thua çfarë ke?
Porse zemra drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,
Çfarë po fsheh ti brenda vetes? Ç’është ajo uturimë?
Nga thellësia e zemrës time, del një zë si një kushtrim.
Deri kur do të durojë, këtu ndrydhur brenda teje,
E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?
Dua jetën, bukurinë, dua edhe trimërinë,
Dua shumë begatinë, por më shumë dua lirinë.
Kështu foli zemra ime, porse unë nuk e kuptova,
Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:
Nuk më sheh që jam i mitur, n’atë flakë për t’u futur
Jam në moshë t’ ëndërroj, për një jetë më të bukur.
Ti do që të ëndërrosh? Por më të bukur a ka?
Se të fluturosh i lire edhe të pushtosh gjithçka.
Porsi një zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,
Edhe fjala jote zjarrtë, të buças si një kushtrim.
Nga këto fjalë papritur, mendja ime u kthjellua,
U ndez zjarri që nga brenda, shpirti seç m’u turbullua
Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet
U ndez flakë zemra ime , zgjohu koha më nuk pret!
Seç më zgjoi nga letargjia, atje ku unë kisha rënë,
porsi një zog fluturova, lart diellin për të zënë.
Pëshpërita dy, tri fjalë, ushtoj zëri si bori:
“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!“
Vlorë, janar 1991