E marte, 30.04.2024, 05:26 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Shkallët e ferrit (X)

E hene, 28.06.2010, 09:20 PM


RESHAT KRIPA

 

SHKALLËT E FERRIT

 

Roman

                        KREU     I     DYTË

 

                                                                  XIII

 

Kryetar Petriti rrinte i menduar në zyrën e tij. Para duarve kishte një procesverbal hetimor që ia kishte dorëzuar Demiri. Ishte procesverbali i grupit të Agronit. E lexonte dhe mendohej. Në të përshkruheshin me detaje e gjithë veprimtaria armiqësore e grupit prej gjashtë personash, në krye të të cilit ishte Stefan Gjoka. Akuzuesi kryesor i tyre ishte Agron Canaj, që kishte nënshkruar edhe një deklaratë për këtë. Kryetari e dinte që ndërmjet atyre që i kishin denoncuar ishin edhe dy punonjësit e ndërmarrjes Resul Sulejmani dhe Ibrahim Mehmeti, por emrat e tyre nuk figuronin aty. Ata ruheshin për t’u përdorur në ndonjë rast tjetër. Për këtë radhë mjaftonte nënshkrimi i Agronit. Do gjendeshin edhe dëshmitarë të tjerë. Qëllimi ishte arritur. Me këtë i tregohej ministrit të tij se efektivi i degës, që ai drejtonte, po e kryente më së miri detyrën në luftën kundër çfaqjeve të huaja dhe veprimtarive armiqësore.

Natyrisht, lidhur me këtë, një meritë kishte edhe Demiri. Ai kishte mundur t’i shkëpuste Agronit deklaratën që kërkonin. Në bazë të asaj deklarate ishte kryer edhe arrestimi i personave përgjegjës. Ishte bërë dhe demaskimi i tyre në sy të klasës punëtore. Deri këtu gjithçka kishte kaluar      miri.  Pas  disa  muajsh,  kur  të mbaronte procesi hetimor edhe me deponimet e të tjerëve, do të zhvillohej një proces gjyqësor që do të mbahej mend për shumë kohë. Dhe një meritë për këtë do të kishte edhe ai, si kreu i atij institucioni. Natyrisht ishte një zbulim i madh. Ky mendim i ngacmonte sedrën. Ndoshta me këtë gur i hapeshin rrugët e karrierës  për

më lart,  në ministri.

             Ndërkohë,  nënë  Gjyla kish mbërritur    degën  e  punëve  të brendëshme. Kërkoi të takonte kryetar Petritin.

- I thoni që e kërkon e shoqja e dëshmorit të lirisë Bexhet Canaj, - u tha rojeve te porta.

Ata i kthyen përgjigje se kryetari nuk ishte aty

- Atëherë, unë do të qëndroj këtu deri sa të kthehet.

Afër drekës erdhën Demiri me Ilian. Sa   panë  nënë  Gjylon u zverdhën në fytyrë.

-          Ç’kërkon kjo djall këtu?    i  thanë  njëri-tjetrit.

Pastaj duke iu drejtuar asaj:

- Përse keni ardhur?

- Kush ma vrau vajzën? - thirri nëna e mjerë.

Ata filluan t’i flisnin  për  ta  qetësuar.  Por  ajo  vazhdonte    ngulte këmbë. Një polic u detyrua të lajmëronte kryetarin, i cili urdhëroi ta sillnin brenda.

- Pse je shqetësuar, moj nënë? - e pyeti kryetari.

- Më kanë qëlluar në zemër.

- Mos u shqetësoni. Së shpejti Agroni do të dalë para gjyqit dhe po qe i pafajshëm do të lirohet. Te ne nuk dënohet kot njeri.

- Nuk kam ardhur për tim bir.

- Për cilin keni ardhur atëherë?

- Për vajzën e tim biri dhe nusen.

- E ç’hyn ato këtu?

- Nuk paskeni marrë vesh gjë?

- Jo, - tha ai duke luajtur rolin e të paditurit.

- Ato nuk jetojnë më.

- Ngushullime. Nuk dija gjë.

- Shkakun e vdekjes së tyre unë e kërkoj brenda zyrave tuaja.

- Në zyrat tona? Përse?

- Oficerët e tu i morën dhe i sollën këtu. Kur dolën prej këndej vajza ishte çmendur, ndërsa nusja mjaft e  çoroditur.  Pas  një  muaji  mbesa  u  hodh  nga  ballkoni  i

shtëpisë, ndërsa nusja i dha fund jetës këto ditë. 

- Kur ka ndodhur kjo?

- Natën e përvjetorit të festës së çlirimit.

- Kush ishin ata oficerë?

- Nuk ua di emrat, por ishin tani përjashta.

Kryetari u vu në mendime. Nëna donte një përgjigje dhe ai duhet të gjente një zgjidhje të tillë që të mos shkaktonte një skandal në zyrat e tij.

- Shkoni në shtëpi dhe rrini e qetë, -  i tha nënë Gjylos. -  Këtë punë do ta zgjidh unë.

Nënë Gjyla u largua disi e qetësuar nga fjalët e kryetarit.  Ai i shqetësuar filloi të mendojë përsa kishte ndodhur. Ishte një ngjarje e rëndë që po të merrej vesh lart, mund t’i kushtonte detyrën. Vërtetë që i kishte thënë Demirit, që të vepronte si ta shihte më mirë, por nuk i kishte thënë që në këtë valle të fuste dhe një fëmijë. Tani fjala mund të hapej në gjithë qytetin dhe skandali do të pëlciste. Duhej vepruar shpejt dhe me gjakftohtësi.

            Trokiti porta.

            - Hyni!

            Në zyrë hyri me ndrojtje Isufi.

            - Më falni shoku kryetar, a mundem?

            - Eja, çfarë ke?

            - Më falni, kam prurë këtë shkresë.

            - Çfarë është?

            - Dorëheqja ime.

            Kryetari e pa i habitur. Ai ishte një nga nënoficerët më të rregullt.

            - Përse?

            - Po ja, si t’ju them. Nuk e ndjej veten të aftë për të kryer këtë detyrë. Pastaj dua

të iki në fshatin tim ku kam edhe prindërit. Tashmë ata janë pleq dhe të sëmurë dhe kanë

nevojë të më kenë pranë.

Isufi paraqiti dy variante    kundërshtonin  njëri-tjetrën.  Edhe  thoshte se  nuk  e  ndiente veten të aftë dhe pastaj pretendonte se do shkonte pranë prindërve. Kryetari ia njihte mirë aftësinë. Ai ishte nga më të aftët. E kuptoi se shkaku duhej të ishte ndonjë tjetër.

-          Dëgjo shoku Isuf! Unë të njoh shumë mirë dhe i di aftësitë e tua.  Prandaj mos

e sill rreth e rrotull. Përse do të largohesh?

            Isufi nuk dinte si të vepronte. Të tregonte të vërtetën, kishte frikë se mos keqkuptohej dhe pasojat diheshin pastaj. Por edhe variantin e prindërve e kuptoi që kryetari nuk e besoi. Mbasi ndenji një farë kohe pa folur, më në fund i tha:

- Po ja shoku kryetar, do t’ju them të vërtetën. E kam fjalën për shokët Demir dhe Ilia. Kjo ka ndodhur ditën e festës së çlirimit.

Kryetarit iu kujtuan fjalët e nënë Gjylos. Edhe ajo kishte folur për festën e çlirimit.

- Si thatë? Ka ndodhur ditën e festës së çlirimit? – pyeti me kureshtje.

- Po, - vazhdoi Isufi. - Kisha shërbimin në qelitë e të paraburgosurve. Erdhi shoku Myfit dhe më tha se, me urdhër të shokut Demir, që kishte shërbimin e rojes, duhet të shkoja të qëndroja te porta për çdo gjë që mund të ndodhte. I thashë se kush do të qëndronte te qelitë po të ikja unë. Më tha se ky ishte urdhri. Shkova. Pas pak kohe pashë Selimin që u kthye me makinë. Prej saj zbritën shoku Ilia dhe dy femra, një grua dhe një vajzë. Hynë brenda. Mua më bëri përshtypje. Po afronte mesnata. Ç’kërkonin ato në atë orë të vonë?

- Leri komentet!

Çështja filloi t’i interesonte  kryetarit. Ai e kuptoi  se  një  ngjarje e jashtëzakonshme duhej të kishte ndodhur. Dy oficerët kishin përfituar nga dita e festës për     bërë  ndonjë proçkë.

            - Vazhdo!

- Nuk vonoi shumë dhe erdhi një plakë që kërkoi t’ju takonte juve. Unë i thashë se nuk ishit aty dhe e pyeta përse  donte t’ju takonte në atë orë. Më tha se një oficer i degës i kishte marrë nusen dhe mbesën dhe i kishte sjellë këtu. Fjalët e saj përkonin me ardhjen e shokut Ilia me dy femrat. Kuptova se ishte nëna e të paraburgosurit Agron Canaj. I thashë se do të shkoja të interesohesha. Lashë një shokë te porta dhe shkova në zyrën e shokut Demir për t’i raportuar. Atje gjeta të pandehurin  dhe Myfitin. E pyeta dhe më tha se ai ndodhej poshtë te birucat. Zbrita poshtë. Në radhën e birucave nuk kishte këmbë njeriu. U habita si ishin lënë vetëm të paraburgosurit, pa asnjë roje.

- Të thashë t’i lësh komentet, - tha kryetari duke humbur durimin nga zgjatimet e Isufit.

- Atëherë shkova te birucat speciale. Në dhomën e trajnimit nuk kishte njeri. Dëgjova një rënkim të çuditshëm në dhomën pranë. Hapa me ngadalë portën dhe pashë shokun Ilia që kishte vënë poshtë gruan. Ai ishte i zhveshur. Ajo qante. U largova dhe shkova në dhomën tjetër. Atje dëgjova zërin e vajzës që qeshte dhe qante njëkohësisht, si dhe rënkimet e shokut Demiri. Prita përjashta. I pari doli shoku Ilia. Kur më pa, u prish në fytyrë dhe më tha që ta provoja edhe unë. Nuk pranova. Pastaj doli edhe shoku Demir, i cili më kërcënoi se po të hapja gojë do më punonin qindin. Pastaj më tha që ato të dyja t’i shpija te makina për  t’i çuar në shtëpi. Kështu veprova.

- Domethënë i përdhunuan?

            - Po. T’ju them të vërtetën më erdhi shumë rëndë. Kam kaq ditë që e mbaj të fshehtë, por kur mora vesh vdekjen tragjike të tyre, nuk mund të rrija dhe      punoja      me   ta.  Ndaj   vendosa    jap dorëheqjen.

            Kryetari u ngrit i nervozuar dhe filloi të vinte vërdallë nëpër zyrë. Nuk fliste asnjë fjalë. Sillte ndër mend skenën e llahtarshme që kishte ndodhur dhe sikur në atë çast t’i kishin dalë para ata dy, nuk e dinte çdo kishte bërë.

            - Dëgjo shoku Isuf, ke bërë detyrën që të takon. Por kujdes.  Nuk  duhet ta bisedosh me asnjë. Ma lerë mua ta gjykoj dhe të marrë vendim. Mos u thuaj asnjë fjalë atyre dyve. A më kuptuat?

            - Si urdhëron shoku kryetar!

            - Tani shko dhe vëri  vath    vesh  ato    të thashë.

            Isufi nderoi dhe doli. Kryetari vazhdonte të vinte rrotull. Gjatë karrierës së tij në organet e punëve të brendshme i kishin ndodhur edhe herë të tjera ngjarje të tilla të rënda, por asnjëherë të kësaj natyre dhe të këtyre përmasave. Iu kujtua koha e luftës. Për një veprim të tillë të ngjashëm ishte pushkatuar një çift i ri. Por ai nuk kishte qenë përdhunim. Ata ishin dashuruar. Ishte kohë lufte dhe dashuria ishte e ndaluar. Një gjë e tillë ndodhte pikërisht tani kur atij po i hapeshin rrugët e suksesit. Kishte fituar famë për zbulimin e disa grupeve armiqësore, ndërmjet të tjerave edhe të këtij të fundit. Por ngjarja që i tregoi Isufi do ta zhvlerësonte këtë sukses. Pasojat do të binin natyrisht edhe mbi kryetarin.

            Duhej vepruar sa më parë. Nuk duhej lënë që ngjarja të merrte dhenë. Vërtetë e kishte porositur Isufin që të heshte. Por ku i dihet? Sikur ai ta bisedojë me ndonjë njeriun e tij të afërt? Fjala po doli nga dy dhëmballë merr një mëhallë, thotë një fjalë e urtë. Këtë ngjarje e ka parë edhe Selimi. A e ka marrë vesh se çfarë ndodhi? Edhë nëse jo, po vajzën të dalë prej andej të çmendur ai e çoi në shtëpi… Kryetari i ra ziles. Në zyrë hyri sekretarja.

            - Lajmëroni shokët Demir dhe Ilia të vinë menjëherë këtu.

            Nuk vonuan dhe ata u paraqitën.

            - E more bandilla, erdhët?

            - Erdhëm shoku kryetar.

            - Po ç’do të na thoni?

            - Po ja, shoku kryetar,  gjithçka  shkon    së miri. Me grupin e fundit i kemi kopsitur dosjet, ashtu siç na porositët ju, -  foli Demiri

            - Mua më duket se nuk keni vepruar ashtu si  ju porosita unë.

            - Përse?

            Kryetari u ngrit më këmbë dhe me një zë të ashpër u tha:

            - Mos ju paskam porositur unë t’i përdhunoni ato dy  fatkeqe?

            Ata mbetën të shtangur dhe po vështronin njëri-tjetrin. Së fundi Demiri foli:

            - Ç’thua ashtu shoku kryetar?

            - Çfarë them? Mos do mundoheni ta mohoni edhe këtë?

            - Unë nuk kam faj, -  u hodh Ilia. -  Demiri më detyroi.

            - Nuk paske faj?  Të paska detyruar Demiri? Por a të erdhi mirë kur bëje qejf?

            - Të betohem shoku kryetar, për ideal, që më detyroi Demiri.

            - Pushoni, maskarenj! Për këtë veprim të ndyrë do jepni llogari para partisë. Tani shkoni!

            Ata  u  larguan  thellësisht    trembur. Ora  po  shkonte  katër  pasdite. Ndërkohë

trokiti dera.

            - Hyni! - foli me një zë të lodhur kryetari.

            Në zyrë hyri sekretarja e degës.

            - Më falni shoku kryetar! - tha sekretarja, -  po ju shqetësoj pasi ka ardhur një telegram urgjent nga Ministria.

            - Ashtu? – tha kryetari duke marrë telegramin, - mund të largohesh.

            Sekretarja doli. Kryetari hodhi vështrimin mbi telegram. Vinte nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, pranë Ministrisë së Brendshme. Binte në sy mbishkrimi  “Tepër sekret“. E hapi me të shpejtë dhe filloi ta lexojë:

                        Në mënyrë urgjente të paraqiteni në drejtorinë tonë.

            U nis në çast. Nuk e mori Selimin. Makinën e ngiste vetë. Në Ministri e priste Gjika, drejtori i drejtorisë së sigurimit. U mbyllën të dy në zyrë dhe Gjika tha:

- Na duhen dy  shokë  besnikë  dhe    zgjuar,  për  t’i dërguar  me  mision  jashtë shtetit, në Greqi dhe këtë detyrë po jua ngarkoj juve, pasi kam besim se do e kryeni më së miri. Duhet të keni parasysh se ata do paraqiten atje me identitet tjetër. Në regjistrat e gjendjes civile ata duhet të figurojnë të vdekur.  Ndaj duhet të përgatitni ndonjë lloj aksidenti, ku gjoja ata do të humbasin jetën.

Petritit i kishte dalë fati në rrugë.

            - Po sikur të sakrifikojmë edhe ndonjë person tjetër në këtë aksident, ndonjë peshë të lehtë? - pyeti me një kënaqësi të madhe.

            - Natyrisht ndonjë njeri jo të rëndësishëm. Vetëm kini mendjen. Çdo gjë duhet përgatitur më së miri dhe në fshehtësi absolute.

            - Si urdhëron! Kam dy oficerë shumë të zotë. Njëri prej tyre zotëron  gjuhën greke, - tha kryetari që, aty për aty e gjeti zgjidhjen e çështjes që e kishte shqetësuar aq shumë.

            - Cilët janë ata? - pyeti Gjika

            Kryetari i dha emrat e Demirit dhe Ilias

            - Kur i doni? - pyeti.

            - Pasnesër në orën shtatë të mëngjesit duhet të jenë këtu. Që nga ai çast ata nuk do të ekzistojnë më.

            U ndanë dhe kryetar Petriti u nis menjëherë për në qytetin e tij.

Nga shtëpia mori në telefon dikë.

            - Nesër eja në zyrë në orën tetë, - i tha me një zë  të akullt.

            Ai erdhi. Biseduan kokë më kokë dhe në fund kryetari  tha:

            - Tani do të nisesh me ata dy për në Tiranë dhe nesër në darkë duhet të ketë marrë fund gjithçka. Mos harro Tatrën *

            - Si urdhëron!

Si u largua vizitori misterioz, thirri Demirin me Ilian.

- Partia do ju ngarkojë një detyrë shumë të rëndësishme. Për këtë do të  niseni  për  në Ministri urgjent. Atje do të kërkoni Gjikën, drejtorin e drejtorisë së sigurimit të shtetit, i cili  do  t’ju  tregojë  detyrën e re. Në asnjë mënyrë nuk duhet  ta  kundërshtoni.  Kryerja

me  nder  e kësaj detyre do të shlyejë turpin që keni bërë. Shpërblimi vjen më prapa.

            - Si urdhëron shoku kryetar! - folën të dy me një zë duke ndjerë një lehtësim. U nisën menjëherë në rrugën e gjatë dhe plot të fshehta.

            Kryetari nuk kishte kohë të priste. Duhej vepruar sa më parë.  Në mbrëmje thirri Isufin.

- Sipas  informatave    kemi,  - i  tha  -  sonte      orën   dhjetë,   te   Shpella   e  Ujqërve  do të zhvillohet takimi i një    dërguari    KGB-së  me dikë që nuk ia dimë ende emrin. I dërguari punon diku në kryeqytet dhe kërkon informacion për bandën që kemi zbuluar. Personi, që nuk ia dimë emrin, do t’ia japë këto informata. Të dy duhen arrestuar menjëherë. Për këtë janë nisur sot në mëngjes Demiri me Ilian. Prandaj nisu menjëherë me  Selimin.  Merr   me vete edhe armatim. Ora po shkon shtatë.. Kam besim te ty, prandaj po ta ngarkoj këtë detyrë.

            - Si urdhëron, shoku kryetar! – nderoi Isufi.

Nuk vonoi dhe gazi u  nis.  Shpella   e  Ujqërve ishte afër majës së një mali që ngrihej mbi det. Rruga ishte shumë e vështirë. Një rrugë e ngushtë, të cilën shiu që kishte rënë e bënte shumë rrëshqitëse, por zotësia e Selimit në timon bënte që vështirësitë të kalonin. Pasi kishin bërë pothuajse dy orë e gjysmë rrugë, po i afroheshin fundit. Ja, edhe një kthesë të fortë kishin dhe pastaj shtrihej një pllajë e vogël dhe, pas  dy tri kthesave më të vogla, do të arrinin te Shpella e Ujqërve. Te pllaja, pas kthesës së fortë, do të linin makinën dhe do të afroheshin fshehtas më këmbë, në mënyrë që të mos diktoheshin nga dy të kërkuarit.

Sapo kaluan kthesën një dritë e fortë u verboi sytë.  Një  Tatra  e  madhe  me  drita

ndezur po vinte drejt tyre. U munduan t’i dredhojnë, por ishte e kotë. Tatra  vazhdonte 

------------------------------------------------------------------------------------------------------------

* Makinë çeke, tip kamion i rëndë i viteve 60-të të shekullit  XX.

ecte, me gjithë thirrjen e tmerruar të tyre. Gazi u rrokullis disa herë dhe në fund u dëgjua zhurma e diçkaje të rëndë që bie në det.

Të nesërmen barinjtë e stanit të kooperativës, që kishin dëgjuar zhurmën e rënies së gazit, por nuk e kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur, dolën për të parë. Prapa një shkëmbi  gjetën  dy  kufoma   njerëzish      gjakosur. Lajmëruan postën e policisë dhe brenda një kohe të shkurtër erdhi një ekip i degës së punëve të brendshme me kryetarin në krye. Kërkuan për të tjerë por ishte e kotë. Kufomat u ekzaminuan dhe rezultuan se ishin të  polic  Isufit dhe shofer Selimit.

            Ceremonia   mortore  u  zhvillua    sallën   e degës së punëve të brendshme. Ishin katër arkivole, të Demirit, Ilias, Isufit dhe Selimit, të vendosur në ballë të sallës së madhe. Njerëzit bënin homazhe pranë tyre. Qëndronin gatitu para fotografive të viktimave të vendosura pranë çdo arkivoli, duke nderuar me grusht. Familjarët ishin rreshtuar njëri pas tjetrit dhe prisnin ngushullimet.

- Ngushullime dhe të paharruar qofshin! Dhimbja duhet kthyer në forcë.

- Të rrojë Partia dhe shoku Enver!

Këto ishin fjalët që shkëmbeheshin ndërmjet tyre. Në fund arkivolët i hipën në makinën e funeraleve që u nis për     varrezat  e  dëshmorëve.  Ata   kishin  rënë    krye  të detyrës dhe Komiteti Ekzekutiv kishte vendosur të varroseshin si   dëshmorë      atdheut.  Një turmë e madhe  ishte  mbledhur  për  t’i  përcjellë.    varreza  mbajti  një  fjalim  prekës  kryetar Petriti.

Nga ministria mbërriti radiogrami i mëposhtëm:

                                    Shqiponjat fluturuan lart .

            Pas tri ditësh Petriti dërgoi një relacion të gjatë në Ministrinë e Brendshme. Pasi parashtroi arsyen e misionit,  ndërmjet të tjerave shtoi:

            Duke udhëtuar për të kryer këtë detyrë të rëndësishme, për shkak të shiut që kishte rënë, shoferi humbi kontrollin e makinës dhe ajo ra në humnerë, duke përfunduar në det. Nga të katër anëtarët e ekipit u gjetën vetëm kufomat e dy prej tyre, policit të nderuar Isuf Tahiri dhe shoferit Selim Bredhi. Oficerët e shquar Demir Vreshtazi dhe Ilia Ndreçko përfunduan në det. Me gjithë  kërkimet  tona

intesive, nuk u bë e mundur gjetja e trupave të tyre

Çdo gjë ishte kopsitur më së miri. Për agjentin  e  KGB-së  dhe  bashkëpuntorin  e tij, si dhe për Tatrën që doli papritur dhe pakujtuar nuk u shkrua asnjë rresht. Askush nuk e mori vesh të vërtetën, madje as vetë viktimat.                                             

 

                                                                  XIV

 

Në qytet ende nuk ishte shuar jehona që kishte shkaktuar vdekja e papritur e katër punonjësve të degës së punëve të brendshme. Hamendjet ishin nga më të ndryshmet. Disa besonin në variantin e shpallur të vdekjes aksidentale, por kishte edhe disa të tjerë që mendonin se kjo ishte një vdekje e paramenduar. Nga kush? Këtë përgjigje nuk ishte në gjendje askush  ta jepte. Megjithatë njerëzit pëshpëritnin se diçka duhej të kishte ndodhur.

Lajmi ishte i çuditshëm. Shumë shpejt ai shpoi muret e burgut dhe depërtoi në veshët e të burgosurve. Përshtypja që la ky lajm tek ata ishte e ndryshme me atë që kishin ata që ndodheshin jashtë këtyre mureve. Të gjithë të burgosurit që kishin pësuar torturat e tmerrshme prej tyre  ishin të një mendimi. Ata thanë:

- Na i mori Zoti hakun. Ai vonon por nuk harron.

Ndienin keqardhje vetëm për  polic  Isufin.  Ai  ishte  sjellë  mirë  pothuajse  me  të gjithë. Vdekja e tij i dëshpëroi se nuk e dinin kë do të sillnin për ta zëvendësuar. Me siguri ndonjë si polic Myfiti, që nuk kishte asnjë pikë mëshire dhe që e kishte shpirtin katran të zi.

Agroni vazhdonte në qelinë numër shtatë. Nuk e merrnin më në pyetje. Hetuesia e tij kishte mbaruar që natën e zezë, kur e kishin ballafaquar me Lumton dhe Ridën dhe tani i duhej të priste deri sa të mbaronte edhe ajo e pesë shokëve të tjerë dhe pastaj t’ia kalonin trupit gjykues. Megjithatë edhe kjo pritje ishte një torturë e vërtetë. Mendonte se sa do ta dënonin. Po shokët si do ta trajtonin?

Pas tre muajsh  e lajmëruan se të nesërmen do të dilnin në gjyq. Atë ditë erdhi berberi që i qethi dhe rruajti.

            - Ku do na shpini, në dasmë? - tha Agroni me ironi.

            Ata nuk u përgjigjën. Të nesërmen para portës së degës u ndal makina burg. Të gjashtë të pandehurit i nxorrën një nga një dhe i hipën në të. Agroni vështroi Stefanin dhe i tha:

            - Stefan, unë nuk kam…

            - Pusho! - ia preu ai me një ton të ashpër.

Agroni heshti.

            - Mos flisni më. Këtu është e ndaluar, - tha njëri nga rojet që i shoqëronte.

            Por ata e kishin mbyllur tashmë bisedën. Pas pak mbërritën në godinën e gjykatës. I mbyllën në kafazin e përgatitur për të burgosurit. Në sallë ishin shumë fytyra të njohura. Midis tyre Agroni njohu vëllanë e Stefanit dhe një kushëri të Gjergjit, me të cilët ishte njohur kur kishin ardhur me lejen e zakonshme  në kampin e pushimit të punëtorëve. Dalloi edhe pjesëtarët e familjeve të të arrestuarve të tjerë. Nuk pa as Nënë Gjylon dhe as Lumton. Sa për Iridën e kuptonte që nuk mund të  ishte.  Ajo  ishte  shumë     e    re    dhe    kjo   skenë  nuk  ishte  për  të. Mungesa e tyre e shqetësoi tepër. Përse familjarët e të tjerëve ishin dhe të tijtë jo?

            Në sallë ishin edhe shumë punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Shumicën e tyre i njihte. Ndërmjet tyre ishin edhe Resuli me Ibrahimin.

            - Me siguri kanë ardhur të dëshmojnë, - mendoi.

Në sallë hyri një burrë rreth    tridhjetave,  me  një  çantë    madhe    dorë.  U drejtua te tavolina e caktuar për prokurorin; hapi çantën, nxori një numër shkresash dhe u ul në karrige. Agroni e njohu. Ishte prokurori i rrethit. Kishte studiuar në Kinë. Me të kishte pirë disa herë kafe. Pas pak hyri edhe gjykatësi, i shoqëruar nga dy ndihmësit e tij, njëri saldator në uzinën mekanike dhe tjetri agronom në ndërmarrjen bujqësore. Kur hynë ata, të gjithë u ngritën më këmbë. Gjyqtarët zunë vendet e tyre dhe kryetari hapi seancën

            - I pandehuri Stefan Gjoka!

            Stefani u ngrit në këmbë.

            - Emri?

            - Stefan.

            - Atësia?

            - Thanas.

            - Mbiemri?

            - Gjoka.

            - Datlindja?

            - 20 tetor 1943

            - Vendlindja?

Kështu     vazhdonin    gjeneralitetet.  Kryetari  pyeste dhe Stefani  përgjigjej  qetë.  Si mbaroi me  të, ai thirri emrin e  Gjergjit  dhe  kështu  vazhdoi  me  të gjashtë. Të pandehurit përgjigjeshin në dukje të  qetë.

            Pas tij e mori fjalën prokurori. Ai lexoi për gati dy orë aktakuzën  dhe përfundoi:

            - Mbështetur në sa thashë më lartë dhe duke u bazuar në Kodin Penal viti 1952, i akuzoj përsa më poshtë vijon:

a. Vënie në shërbim të  KGB-së  sovjetike  për  përmbysjen  e  pushtetit  popullor, parashikuar nga neni 65 i këtij Kodi.

            b. Sabotim të ekonomisë së vendit, nëpërmjet tentativës së hedhjes në erë të turbinës së hidrocentralit, vepër mbetur në tentativë,  parashikuar

nga neni 72.

            c. Agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, ushtruar në radhët e punonjësve të ndërmarrjes, parashikuar nga neni 73.

d. Pjesëmarrje        një   organizatë    kundër pushtetit popullor, parashikuar nga

neni 76

Prokurori mbylli dosjen dhe u ul në vendin  e  tij.  Agroni  po  mendonte  se   si  kishte mundësi    sajoheshin  shpifje të tilla. Kujtonte  kohën  kur  kishte  pirë  kafe  me  të.  Nuk ia merrte mendja që nga goja e tij të dilnin ato fjalë.

            Kryetari thirri emrin e Stefanit.

            - E pranoni akuzën?

            - Zoti kryetar! E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një farsë. Atë që keni vendosur bëjeni. Unë nuk pranoj të hy në debat për shpifje të tilla.

            Kryetari vazhdoi të pyeste të pandehurit e tjerë. Agroni po mendohej se si duhej përgjigjur. Para syve i dilte skena e tmerrshme. A mund të përsëritej? Në atë kohë gjithçka mund të ndodhte. Megjithatë hetuesia kishte mbaruar dhe ata tashmë ndodheshin para trupit gjykues. Ajo skenë nuk mund të përsëritej më. Në fund të fundit të dy protagonistët e atij veprimi e kishin pësuar. Dëgjoi emrin e tij. U ngrit  dhe  po  qëndronte si i mpirë.

            -  E pranoni akuzën?

            - Jo, aty nuk ka asnjë të vërtetë. Jemi të pafajshëm.

            E ndjeu veten të lehtësuar. Ndërhyri prokurori. Me një ton të ashpër ai filloi t’i akuzojë të pandehurit për mashtrim dhe dinakëri. Kryetari filloi nga pyetjet për secilin të pandehur. Por ndërhyrjet e prokurorit ishin të shpeshta dhe gjithmonë dhe më të ashpra. Të gjithë të pandehurit i përgjigjeshin në mënyrë mohuese akuzave. Tashmë ishin çliruar nga ankthi i qëndrimit në qeli dhe i torturave. E dinin se rruga e vetme që mund t’i shpëtonte ishte të mos pranonin asgjë

            Prokurori thirri dëshmitarët e akuzës. Një njeri me mend e kuptonte menjëherë se ato që thonin ata ishin shpifje nga më të ultat. Madje edhe vetë karakteri i tyre përputhej me ato që thonin. Ishin tipa që vështirë mund t’i quaje njerëz. Megjithatë për trupin gjykues, akuzat e tyre ishin bindëse. Seanca vazhdoi tre orë. U pyetën të gjashtë të pandehurit. Kryetari e mbylli seancën, duke deklaruar se tjetra do zhvillohej të premten, pas pesë ditësh.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora