E marte, 30.04.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Përsëri mbi median shqiptare

E hene, 07.06.2010, 09:59 PM


Përsëri mbi median shqiptare

 

Nga Reshat Kripa

 

            Po rikthehem përsëri mbi një temë të  trajtuar pak kohë më parë mbi interpretimin që i bënë media shqiptare problemeve të ndryshme që i dalin para vendit tonë. Sot praktikisht jetojmë në një kohë kur Shqipëria ndodhet në botën e çudirave dhe në këtë botë çudirash edhe media nuk  ka se si të jetë ndryshe. Edhe ajo jeton në një botë të  tillë. Pikërisht në këtë botë është gatuar një çorbë që dhe vetë djalli nuk di si ta quajë.

            Le të shfletojmë faqet e gazetave apo të dëgjojmë ekranet e televizioneve. Menjëherë do të dallojmë dy rryma. Njëra thellësisht pro linjës qeveritare, ndërsa tjetra në mënyrë absolute pro asaj opozitare. Rrymë të mesme nuk ka. A thua se në vendin tonë nuk paska njerëz që mendojnë ndryshe nga dy rrymat e mësipërme.

            Para disa ditësh takova një mikun tim që kemi qenë të dënuar politikë. Sot ai ushtron një bisnes të madh që, natyrisht, i sjell edhe fitime të konsiderueshme. Rrjedh nga një familje thellësisht nacionaliste. Babai i tij ka qenë një eksponent i një organizate të djathtë, që nuk dua t’ia përmend emrin. Pas vendosjes së sistemit totalitar u arrestua dhe u ekzekutua me vendim të një gjyqi special. Miku im është bashkëpronar me një rrjet televiziv. E pyeta:

            - Përse në televizionin tuaj nuk dëgjoj pothuajse asnjë fjalë për nacionalizmin shqiptar? Po për martirët e rënë si babai juaj?

            U mendua gjatë dhe së fundi u përgjigj;

            - Po ju a them juve, vetëm mos e bëni zë me të tjerë. Në rast se do të guxoja të bëja një gjë të tillë, jo vetëm televizioni im do të fluturonte por, bashkë me të, edhe bisnesi im. Me se do të jetoja atëherë?

            Përgjigja e mikut më vuri në mendime. Fillimisht nuk i dhashë të drejtë por, me kalimin e kohës, fillova të arsyetoj me vete me qetësi dhe arsye. Përse ndodh një gjë e tillë? Sepse oktapodhi, që i ka shtrirë tentakulat e tij në çdo cep të vendit, pret çastin që cilin do të kapë më parë.

            Kështu, majtas dhe djathtas, vazhdon i njëjti presion dhe si pasojë e tij e njëjta gjendje e medias tonë. Atyre nuk u mbetet tjetër veçse t’i fillojnë faqet e para me portrete udhëheqësish supermen, udhëheqësish të përjetshëm sikur, po të mos ishin ata, Shqipërinë do ta merrte lumi. Madje janë të gatshëm, më falni për shprehjen jo shumë fisnike, t’u ngrenë lavde edhe kur shkojnë për nevoja personale. Hymnizimi i idhujve është simbolika e politikës dhe medias shqiptare.

            Një gjë e tillë më kthen vite më parë, atëherë kur ishim të detyruar të duartrokisnim edhe kur nuk dëshironim, të brohorisnim kur zemra nuk na e diktonte një gjë të tillë, t’i thurrnim lavde Zeusit tonë edhe atëherë kur e dinim se ai ishte një demon i tmerrshëm që na kishte mbyllur brenda katër mureve të asaj dhome të errët që quhej Shqipëri.

            Mirë atëherë që ishim të detyruar të bënim një gjë të tillë pasi, në të kundërt, duhej të pranonim hekurat e rënda të burgut apo internimit, po sot, kur mendojmë se jemi të lirë të jetojmë dhe të shprehemi hapur për ato që mendojmë, përse jemi kthyer në manekinë që veprojnë sipas shkopit të dirigjentit? Kush na detyron të veprojmë kështu? Si nuk ka një zë që të thërrasë: Ku ju shpie mushka o njerëz?

            Dikush më tha se është geni i shqiptarit që është mësuar të jetë skllav. Unë nuk e besoj një gjë të tillë. Unë di shumë raste që shqiptari është ngritur me kurajo kundër së keqes. Një tjetër më tha se ishte pasoja e “njeriut të ri” të ngritur në kohën e sundimit të diktaturës. Ai më shpjegoi se ishte pikërisht ky njeri që sot ishte shndërruar në trafikant, hajdut, vrasës, gazetar, deputet apo politikan i paskrupull, që nuk mendonte veçse për të zhvatur gjithçka për veten e tij dhe për të mos menduar për të tjerët.

            Pikërisht për këta tipa do të doja të shkruante media jonë.  Mjaft më me “bëmat”  dhe  “Stërbëmat”

e “udhëheqësve tanë të ndritur” që mbushin për çdo ditë faqet e medias së shkruar dhe ekranet e televizioneve. Mjaft më me gazetarë dhe analistë servilë që llomotisin gati për çdo mbrëmje nëpër të ashtuquajturat emisione investigative apo opinione të ndryshme.. Më bie rasti disa herë të dëgjoj pasqyrën e shtypit të huaj, apo të shoh ndonjë media vizive të huaj. Rrallë, shumë rrallë dëgjoj të flitet për udhëheqësit e tyre, kurse te ne kjo është bërë moda e ditës. Mirë media që është kthyer në një shërbëtore servile e interesave të tyre, po ata vetë a nuk fyen kur dëgjojnë hipokritët t’u thurrin lavde vetëm e vetëm për interesa meskine të ngushta vetiake? Si nuk u lodhën me hipokrizitë e tyre?

            Një gjë të tillë unë nuk mund të arrij ta kuptojë. Nuk e di nëse ju, të dashur lexues, do ta keni kuptuar.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora