E diele, 28.04.2024, 10:46 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Poeti i heroizmit kombëtar

E hene, 26.04.2010, 09:59 PM


Në përvjetorin e vdekjes

 

POETI  I  HEROIZMIT  KOMBËTARË

 

Nga Reshat Kripa

 

            I mbylli syt më 26 prill 1991. I mbylli pa shijuar ende aromën e lirisë që sapo kishte filluar të lulëzonte, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:

 

                                    ‘’ Unë po vdes!… Oh, le të vdesë!

                                        Vetëm shqipja le të rrojë! ‘’

 

           Në varrin e tij nuk u mbajtën fjalime protokollare. U thurrën ditirambe, u lexuan vargje. Folën bashkëvuajtesit e tij, vëllezerit e tij, Viktori, Tomorri, Engjëlli. Ai nuk vdiq se martirët nuk vdesin. Ai vazhdon të jetojë me vargjet e tij, me veprat e tij, me personalitetin e tij.

            Lindi në vitin 1908 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhajt të tij. Do të ishte përsëri ky Qazim Kokoshi një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946 si kundërshtar i rregjimit komunist.

            Kalvari i familjes Kokoshi do të vazhdonte dhe më gjatë. Dy të pushkatuar nga diktatura, Abdyli dhe Metua. Një i rënë në luftën me okupatorët italianë, Astriti. Shtatë të dënuar politikë.

            Historia do të vazhdonte dhe më tej. Ajo do të bënte që dora e një pinjolli të kësaj familje, Altin Kokoshit, të kishte nderin për të ngritur në Vlorë, nën hundën e komunistëve, mbas 47 vjet mohimi flamurin dy krenor pa yllin e urryer të turpit dhe shtypjes më 28 nëntor 1991.

            Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati Hasan Agaj, njojti karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet  e mesme dhe të larta, duke u laureuar ‘’ Doktor në jurisprudencë ‘’ në vitin 1933. Kthehet në Shqipëri në moshën 26 vjeçare.

            Zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën italiane. Por jo më pak zotëronte gjuhën frënge, latine dhe greqishten e vjetër.

            Megjithë kulturën e lartë perëndimore që kishte, ruajti tiparet e një shqipëtari, ose për të qenë më i saktë, të një labi të vërtetë, si në zakone ashtu dhe në mënyrën e të folurit. Ai, qytetari vlonjat, njhte me rrënjë zakonet dhe gjuhën e thjeshtë labe të cilën e derdhi me tërë forcën e saj në vargjet e tij. Ai kishte aftesinë të komunikonte lirshëm me bariun që nuk kishte asnjë grahmë shkollë, por në të njëjtën kohë ishte në gjendje të përballej edhe me intelektualin më të shquar të kulturës botërore.

            Mbi të gjitha pasioni i tij ishte poezia. Kur kthehej me pushime në shtëpi dëgjonte me vëmendje nga pjestarët e familjes tregimet për ngjarjet dhe burrat e shquar të vendit. Dëgjonte për Toto Bolenën me barkun e çarë nga mitrolozi dhe Selam Musain që zuri topin nga gryka. Dëgjonte për Ismet Toton dhe burra    tjerë  dhe  këto  i  nguliteshin     mendje.  Mbyllej  në dhomën e tij, krijonte poezitë e pavdekshme dhe i recitonte ato me pasion. E  ëma kur shikonte se llampa e dhomës së tij rrinte ndezur deri natën vonë, ngrihej dhe dëgjonte pa u  ndjerë  prapa derës. Duke menduar se ai fliste me vete, kthehej në dhomë dhe i thoshte të shoqit:

            - Burro, se ç’na ka pësuar djali! Po flet me vete.

            Pasion tjeter i tij ishte edhe sporti, në mënyrë të veçantë futbolli.  Ishte  një  nga  lojtarët më të mirë të skuadrës së liceut ku studionte dhe asaj të qytetit të Vlorës që në  atë  kohë  quhej ‘’Ismail Qemali‘’. Shpesh herë e merrnin dhe me avion për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit kombëtar të vendit. Të moshuarit vlonjatë e kujtojnë akoma këngën e përhapur në atë kohë:

 

                                    ‘’Forca Nani dhe Kudreti,

                                        Si shejtani me lanetin”

           Ishte futbolli ai që u bë shkaktar që t’i futej drejtësise. Vitin që mbaroi shkollën e mesme, skuadra e liceut të tij fitoi titullin e kampiones për shkollat e kësaj kategorie në Romë. Shumica e lojtarëve të kësaj shkolle u rregjistruan në fakultetin e drejtësisë, ndaj edhe Kudreti nuk mund të ndahej prej tyre. Por ai asnjëherë nuk e harroi poezinë. Vargjet e shkruara në atë periudhe janë nga më të arrirat e krijimtarisë së tij.

            Karierën juridike e filloi në vitin 1933, duke hapur një zyrë avokatie në Vlorë, aktivitet të cilin e vazhdoi deri në vitin 1936. Po atë vit emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe më vonë në Pogradec.

            7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha. Prapa shpinës së saj Shqipërisë po i përgatitej tragjedia e madhe që do të vazhdonte për një gjysmë shekulli Si në shumë situata të tjera edhe atëhere vendi pati forca që nuk i verboi demagogjia e atyre që propagandonin se do ta bënin popullin ‘’të hante me lugë të florinjtë‘’. Ishte nacionalizmi shqipëtar, një nga forcat e të cilit ishte ajo e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Korifeu i Shqiptarizmës, Mit-hat Frashëri dhe ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe.

            Në këtë forcë gjeti veten e tij edhe Kudret Kokoshi. U angazhua në rradhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij, Me porosi të Mit-hat Frashërit në vitin 1941, Hasan Dosti i propozoi për të shkuar në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme dhe për formimin e kuadrove me njohuritë juridike bashkëkohore. Duke parë gjendjen në të cilën ndodhej kjo gjymtyrë e vendit mëmë, Kudreti pranoi pa hezituar. Emërohet Kryeprokuror i Shtetit në Prizren. Ndihmon pa u lodhur shqiptarët e asaj krahine në zgjidhjen e problemeve gjyqësore. Bënë të mundur çfuqizimin e disa vendimeve të padrejta dhënë në dëm të tyre. Organizon takime midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që kishin ardhur me punë nga Shqipëria, ku diskuton për të ardhshmen e kësaj krahine dhe të gjithë Shqipërisë.

            Më 28 nëntor 1942 është në ballë të demostratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri të xhandërmarisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja duke e hequr nga kthetrat e milicisë që megjithse i plagosur vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja  dhe  me  plagë    kokë,  ky kosovar patriot e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua.

            Gushti i vitit 1943 e gjen ne Mukje, në konferencën historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhëtisë së madhe.

            Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkon përsëri në Kosovë, ku  pas pak kohe arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e çfarrosjes në Prishtinë dhe më vonë në kufirin Austro-Hungarez.

            Lirohet pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar frances, pronarit të uzinës së makinave ‘’ Renault ‘’, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqipëtar.

            Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori Selim Alimerko çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:

 

                                    ‘’Mallkuar qofsh, Benito Musolini!

                                       Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,

                                       Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,

                                       Dhe nëma ushton nga mali në mal.‘

          Por në atë proces ndodhi ajo që vetë organizatorët e saj nuk e kishin parashikuar. Kur akuzohej Kudreti për aktivitetin e tij në Kosovë, nje zë nga salla kërkoi të fliste. Ishte Hariz Thanasi, një pjesmarrës i lëvizjes komuniste, ish kryetar komune në Kosovë në kohën që kishte qenë atje edhe Kudreti. Të gjithë mendonin se ai do vazhdonte akuzat, ashtu si kishin bërë parafolësit e tjerë. Ndodhi e kundërta që i çuditi të gjithë. Harizi filloi të hidhte poshtë të  gjitha akuzat e ngritura, duke parashtruar të gjithë argumentat që kishte në dispozicion. Më kot u mundua prokurori ta ndërpriste. Ai vazhdoi deri në fund deponimet e tij. Me gjithë këto si dhe mbrojtjen e shkëlqyer që i bëri avokati Jani Thomai, gjithçka ishte e vendosur. Kudreti u dënua me vdekje me pushkatim. Të njëjtin dënim kishte marrë pak kohë më parë i vëllaj, Metua.

            Ditë ankthi në burgun e Vlorës. Të dënuarit prisnin ekzekutimin. Edhe të burgosurit e tjerë ishin në pritje të vendimit që do të merrte kupola. Midis tyre Hasan Agaj, i ati i Kudretit.

           Një ditë, ndërsa luante domino për të humbur mendjen me një mikun e tij, dikush i afrohet dhe i thotë:

            - Hasan Aga, Kudretit ju fal jeta.

            Ai nuk e ngriti kokën fare. Iu drejtua mikut të tij duke i thënë:

           - Musa, - ishte fjala për Musa Sharrën - luaje gurin, e ke rradhën ti.

            Me të vërtetë Musaj pati rradhën. Diktatura i rrëmbeu tre djem. Abdylin, Lekmiun dhe Shyqyriun.

            Si mund të ndante Hasan Agaj gëzimin per jeten e Kudretit me dhimbjen për jetën e djalit tjetër që pas disa ditësh e morën për ta pushkatuar?

            Një ngjarje me të vërtetë e dhimbëshme. Metua nxirret para togës së pushkatimit. Nga pakujdesia, apo ndoshta nga që disa prej ushtarëve të togës nuk donin të qellonin drejt zemrave të martirëve, Metua dhe dy vëllezerit Bajram dhe Muharrem Lamaj nga Treblova, ranë në gropën e përbashkët të plagosur por jo të vrarë. Ushtarët, duke i pandehur të vdekur, u larguan duke i lënë ashtu të zbuluar, në mënyrë që të nesërmen t’i shihte populli. Si e morën pak veten të tre u zvarritën me mundime secili në drejtimin e vetë. Metua u kthye në shtepi. Por ndërsa nëna e tij, Aslihaja po i mjekonte plagët, mbërritën forcat e sigurimit që e morën ashtu me plagë të hapura. Gjithashtu kapën edhe dy të tjerët. I pushkatuan për së dyti. Metua e përjetoi dy herë vdekjen.

            Kështu për Kudretin filloi kalvari 19 vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit. Me një fizik të dobët, në konditat e tmerrshme të atij burgu, Kudreti mundi të mbijetonte në sajë të forcës së rrallë shpirtërore dhe besimit të patundur për të ardhshmen. Ai ruajti të paprekur shpirtin e lartë poetik. Aty për aty krijonte vargje të cilat ua deklamonte miqve të tij pa i shkruar, se rregullorja e burgut nuk lejonte të shkruaje më shumë se një gjysmë faqeje letre në muaj.

            Prandaj është plotësisht e kuptueshme që në vëllimin e tij poetik “Drithmë jete“, të mungojnë disa nga perlat e krijimtarisë së tij. Do të permendja këtu ato kushtuar martirëve të nacionalizmit shqipëtar, luftës së Grehotit, Kosovës, Ismet Totos e të tjera. Është detyra e të gjithë bashkëvuajtësve të tij, si dhe specialistëve të letrave t’i grumbullojnë ato, se kështu nuk do i bëjnë nder vetëm emrit të tij, por gjithë letërsisë dhe kulturës shqipëtare

            Kudret Kokoshi i përket asaj plejade poetësh të viteve 30-të që pasuruan në mënyrë të dukëshme botën letrare të vendit tonë. Por ai pati diçka të veçantë në këtë drejtim. Duke qenë nën ndikimin e konditave politike dhe shoqërore të kohës në të cilën jetoi, dikë e mbuloi ndjenja e pesimizmit, ndërsa dikush tjeter i ndodhur para presioneve politike, u detyrua të shkruante edhe ato që nuk i ndjente. Asnjera nga këto  nuk  ndodhi  me  Kudretin. Ai mbeti një rast unikal në këtë drejtim.

            Personalisht u njoha me të shumë vonë, pasi doli nga burgu. Por personalitetin e tij e kisha njohur qysh kur isha fëmijë kur im atë, mik i familjes së tyre, e quante “më të diturin e Kokoshajve”, kur ime motër, mësuese letërsie, më lexonte fshehurazi vargjet e tij. Por më tepër e njoha në ato vite burgu, kur duke u endur nga njëri kamp në tjetrin, megjithse nuk pata fatin ta takoja asnjëhere personalisht, emrin e tij e gjeja gjithmonë përpara. Për të më fliste Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Avdurrahman Kreshpa dhe Tahir Hoxha, Engjëll Kokoshi, dhe Meçan Hoxha Vargjet e tij i kishin mësuar përmendësh pothuajse të gjithë moshatarët e mi. Ato na jepnin forcë dhe shpresë për të ardhshmen në ato vite të vështira.

            Nuk do ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin e Bulqizës.  Me nismën e mikut të tij doktor Isuf Hysenbegasit organizuam fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar 35 vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte  çaji i ftohtë  pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e poetit. U deklamuan ‘’Toto Bolena’’ dhe ‘’Epopeja’’, ‘’Luftëtarit të Kombit’’ dhe ‘’Vegimi epik’’, ‘’Vlorës’’ dhe ‘’Këngën më të bukur këndoj’’, ‘’Spartaku’’ dhe ‘’Neroni’’, ‘’Nënës’’ dhe ‘’Gruas shqipëtare’’. Mua më caktuan të recitoja poezinë “ Një ditë vjeshte “:

 

            Unë pash një ditë vjeshte, një flamur bër çika çika,

            Një flamur me shkab të zezë, që qe prer me njëmij thika.

            Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar

            I përcjell nga disa burra, që të gjith duke kënduar.

            E përcillnin njëmij trima, me shkopinj e krrab në dorë,

            Kryet lidhur, gjokset thyer.. un i pash një ditë në Vlorë

            Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,

            Që i dhan fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!

            Oh, than zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!

            Unë pash një ditë vjeshte, epopen e kombit tonë!

 

            Natyrisht atë natë përfunduam të gjithë në qeli.

            Kështu ai u rrit në imagjinatën time rinore si një Ante që merrte forcë nga toka qe e kishte lindur, si një Promete që sfidonte diktaturën, si një Danko që shkulte zemrën e tij për t’i ndriçuar rrugën popullit të vetë.

            U befasova kur e pashë për të parën herë në atë dhomën e errët të vëllajt të tij, Muratit, pasi doli nga burgu. Para meje nuk qëndronte kollosi që kisha imagjinuar, por një njeri krejt i zakonshëm, si unë, si ju të gjithë. Por mjaftuan vetëm pak çaste, vetëm disa biseda për të kuptuar se nuk kisha gabuar    imagjinatën  time.  Para  meje  qëndronte  Anteu, qëndronte Prometeu, qëndronte Dankua.

            Më kujtohen bisedat që më bënte , qoftë në dhomën e vjetër të hotel ‘’Myzeqesë’’, qoftë në dhomën e vogël ku jetonte dhe punonte së bashku me gruan e tij Ervehenë, që s’iu nda deri ne çastet e fundit të jetës. Këto biseda i bënte gjithmonë në vetën e tretë, sikur i kishin ndodhur dikuj tjetër dhe jo atij. Nuk më kishte folur asnjëherë për veten e tij. Por ajo që më tërhiqte më shumë vëmendjen ishte krenaria e tij e të qënit shqiptar.

            Ja ç’më ka treguar lidhur me këtë miku i tij doktor Isuf Hysenbegasi

            Ishin vitet 30-të. Të dy studjonin në Romë. Isufi për mjekësi, ndërsa Kudreti për drejtësi. Ishte një periudhe kur në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë.   Organizuan   një   konferencë        cilën,  përveç  profesorëve   dhe  studentëve  të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.

            Foli e foli me oratorinë e tij  për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit. Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që ‘’vanë në litare vetë‘’ duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trekëmbeshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në çastin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:

            - Eh or mik, a e ke ndierë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?

            Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:

               - Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhur miku për darkë dhe nuk kam patur as bukë dhe as kripë per t’i nxjerrw.

            Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Që nga ajo ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.

            Pasi doli nga burgu poeti pothuajse nuk shkruajti fare. Filloi të merrej me përkthime, me te ardhurat e të cilave mundi të përballonte jetën e vështirë të atyre viteve. Ishte një përkthyes i veprave më të shquara të letërsisë shqipe në italishte, por në veprat e përkthyera  asnjëherë nuk u shkrua emri i tij. Poezi nuk shkruajti më. Nuk shkruajti, sepse nuk pranonte të shkruante atë që i diktonin të tjerët. Pena e Kudret Kokoshit nuk mund të shkruante:

 

                                    “Falmë Enver se pena m’u rëndua!”

 

            Pena e Kudret kokoshit mund të shkruante vetëm:

 

 ‘’Kush lufton mbi ato brigje?

                                        Oh, kush vdes duke kënduar?

                                        Kush tha: Rroftë Shqipëria?

                                        Kush këndon duke rënkuar?‘’

 

           Kudret Kokoshi ishte njeri dhe poet i madh. Ai ishte poet i heroizmit kombëtar. Ishte një adhurues i zjarrtë i Viktor Hygoit. Vargjet e tij i recitonte vazhdimisht në ambjente shoqërore. Dhe këtyo vargje tingëllonin:

 

                                    “Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,

                                      Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem, jo q’aty,

  I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

  E në mbet vetën një, unë do jem ay.”

 

            “Ay vetëm një” ishte Kudret Kokoshi.                                  

                                     

 

                  Kumtesë mbajtur me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Kudret Kokoshit më datën 30 prill 2008 në Tiranë.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora