E diele, 28.04.2024, 05:44 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Fatkeqët

E shtune, 10.04.2010, 09:57 PM


Reshat Kripa

 

FATKEQËT

 

            Isha ulur në një bar dhe po pija kafe. Në krye të sallës ishte një televizor i madh. Kamarieri me pultin në dorë ndërronte stacionet njëri pas tjetrit. Një kanal transmetonte një intervistë me një lider të pozitës. Një tjetër një bisedë me një lider  të opozitës. Një i tretë një takim me një ish  informator të sigurimit të shtetit që kërkonte të na mbushte mendjen me “heroizmat” e tij. I katërti një debat midis disa opinionistëve të njohur, që nuk ka ditë të mos i shohim nëpër ekranet e ndryshme. I pesti një takim me një lider të partive të vogla të minorancës, ndërsa i gjashti atë me një lider të partive të vogla të mazhorancës.

            I ngrati kamarier nuk dinte se në cilin stacion ta linte. Klientët, të djathtë dhe të majtë, kërkonin secili kanalin që i përshtatej ideve të tij. Ndërkohë dëgjoj një zë tenori që foli:

            - E di ç’ke more djalë, më mirë ktheje nga ndonjëri nga stacionet muzikore. Boll i kemi dëgjuar ato kambana të vjetëruara. Sido që të jenë, ato vajzat që këndojnë dhe kërcejnë pothuajse nudo, janë njëqind herë më mirë se pallavrat e tyre.

            Kamarieri e dëgjoi dhe e vendosi përfundimisht televizorin në kanalin që transmetonte muzikë. Unë hodha vështrimin nga personi me zë tenori dhe njojta një mikun tim. I fola dhe ai erdhi në tavolinën time.

            - Kaq poshtë paske rënë, or mik, sa qënke katandisur të dëgjosh më mirë një këngë që nuk dihet se kush e ka shkruar dhe cilit vend i përket, sesa debatet politike?

            Miku buzëqeshi hidhur nën mustaqet, që i lëviznin të nervozuara, dhe u përgjigj:

            - Për një gjysëm shekulli nuk dëgjuam gjë tjetër veç politikës. Nuk dëgjuam veç për Enverin dhe Partinë. Po mbushen njëzetë vjet që ata u përmbysën dhe politika vazhdon të mbizotërojë në ndërgjegjen e njerëzve. Vazhdon të flitet, njësoj si atëhere, me elozhe për liderët e partive. Në shërbim të kësaj janë vënë në dispozicion të gjitha organet e informacionit. Ato janë vënë në garë me njëra-tjetrën se kush do të transmetojë apo shkruajë më shumë për ta. Jemi lodhur me këtë zhurmë propagandistike. Nuk durojmë dot më.

            Heshti. Edhe unë nuk e ngacmova më tej. Nuk doja ta acaroja më tepër. Fjalët e tij bënë që mendimet e mia të fluturonin larg, në atë kohë kur njeriu nuk ishte njeri, kur personaliteti i tij pothuajse kishte rënë për tokë.

            Para syve më dilnin ato ditët e viteve të kaluara, kur nëpër rrugët e qyteteve tona buçisnin zërat e “intelektualve të shquar” apo “liderëve teknokratë” që çirreshin sa dëgjoheshin gjer në kupë të qiellit:

            “ Lerini zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat! “

           A thua të kishin me të vërtetë aq dëshirë për të shkuar në fshat? Dhe ku? Në fshatin socialist që prodhonte, por nuk kishte të hante. A mos vallë ishin zhveshur nga çdo ndjenjë personaliteti? Nuk e di nëse e kujtojnë ndonjë herë atë periudhë, kur sistemi i kishte shndërruar në kameleonë që nuk guxonin të shprehnin asnjë mendim, përndryshe do të përfundonin atje ku shkuan shumë të tjerë, në hapsanat e panumurta.

            Para syve më dalin disa filma, prodhime të kinostudios “Shqipëria e re”, ku çdo intelektual i shkolluar në perëndim, apo çdo  misionar  i  besimeve  fetare,  duhej    ishte

patjetër “ armik i popullit “. Për çudi këta filma i shoh të shfaqen ende nëpër ekranet e disa televizioneve. Dëgjoj dhe disa prej krijuesve të tyre të  mburren  me  këto  prodhime.

 Ashtu siç mburren edhe disa prej krijuesve të këngëve që po na i servirin si “Këngët e shekullit”, duke iu ndërruar tekstet, apo shkrimtarët e realizmit  socialist  me  veprat  e  tyre  standarde  që,        shumtën  e rasteve, nuk kishin asnjë vlerë.

            Këto skena sillja ndër mend në ato çaste që përmenda më lart. I kujtoja dhe mendoja:

            - Vallë këta politikanë dhe intelektualë, a kanë sy të shohin të vërtetën? Apo nostalgjia e së kaluarës ua ka verbuar ato dhe nuk i lë të shohin realitetin ndryshe që ka filluar të lulëzojë në vendin tonë? Si nuk kanë kurajo qytetare të hedhin poshtë atë pjesë të jetës së tyre që sistemi ua shkatërroi? Ku është kurajua e tyre civile?

            Fatkeqët. Në sytë e mi më duken si liliputë mjeranë që zvarriten për të gllabëruar një post, apo për të fituar një pasuri. Atëhere i dhashë të drejtë mikut që nuk donte të shihte asnjërin prej tyre.

            Miku më pa që po mendohesha dhe më tha:

            - Mos u mendo fare. Do të të them diçka. Neve na i mori hakun vetë Enver Hoxha. Ai i qëroi të gjithë ata që na vranë neve. Sikur të kishte jetuar edhe ato pesë vjet, deri në 90-tën, me siguri do t’i kishte qëruar të gjithë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora