E shtune, 27.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Vrasësit janë midis nesh

E enjte, 20.05.2010, 09:57 PM


Tregim

 

Reshat Kripa

 

VRASËSIT JANË MIDIS NESH

 

Para disa ditësh më ndaloi ish hetuesi im. Donte të bisedonte me mua. Më zgjati dorën. Ndjeva neveri për atë dorë të përgjakur.      

- Ç’kerkoni? - i thashë ftohtë.

- Nuk ishte faji i ynë - u pergjigj duke parë qëndrimin tim. - Ishte i sistemit  që na bëri te tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.

                    Nuk po e dëgjoja më. Ai fliste ndërsa mua me dilnin para sysh ngjarjet që ndodhën në kohën e rrëzimit të monumentit të diktatorit, kur ai dhe shokë të tjerë të tij, ngriheshin në të ashtuquajturat antimitingje të organizuara nga forcat më të errëta të rregjimit të përmbysur. Më dilnin para syve të gjitha ato që më kishte punuar në shtatë muajt e qëndrimit tim në qelitë e sigurimit. Por mbi të gjitha më dilte një skenë mizore që lidhet direkt me të dhe të cilën nuk mund ta harroj kurrë. Ndaj nuk mund t’i besoja fjalëve të tij. Pendimi i tij ishte pendimi fallso i një njeriu që ka humbur gjithçka dhe mundohet të shpëtojë çfarë të mundi.  Papritur, ai na qenkësh shndërruar në një demokrat të madh. Dëgjoni tani historinë e dhimbëshme që ka lidhje me këtë njeri dhe gjykojeni vetë atë.

                     Ishim në kampin e Bulqizës.  Ai ishte emëruar operativ i sigurimit në atë kamp. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita i tha me egërsi:

- Përse nuk e realizove normën?

- Isha i sëmurë zoti toger! - u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.

                    Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

           Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

                    - Shpormu nga sytë! - thirra sapo më kaloi vegimi që m’u shfaq. Por ai e kishte kuptuar me kohë dhe ishte zhdukur. Një tronditje të thellë ndjeja brenda vehtes time. Më ishte hapur një plagë e cila kishte zënë kore.

          Në atë kohë m’u kujtua një film gjerman që kisha parë në fëmininë time. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që  ndonse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kryente eksperimente nga më monstruozet për torturimin dhe  shfarrosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe ai si  shumë të tjerë dolën në bangën e të akuzuarve.

          Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha skenat e atij filmi. Vetëm njëra nuk me është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut duke thërritur:

          - Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

          Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

          Duke kujtuar këtë skenë dhe atë të djaloshit mirditor pyes:

          - A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

          Pergjigja është një dhe e prerë. Po. Janë hetuesit dhe ish punonjësit  e sigurimit të shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirt, që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijra të vrarë apo të vdekur nëpër burgje , të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerës të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen si mjeku gjerman?

          Por janë edhe një lloj tjetër vrasësish, më të rrezikshëm dhe më kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonse sot janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund ti gjesh në partitë politike, në shoqatat bile edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve. Ata ngjiren duke thërritur:

          - Jemi te pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur!

          Sikur  të mos ishin këta njerëz të pa princip që e mbajtën gjallë atë sistem për gati një gjysëm shekulli..

          Po kush pra qenka fajtori për gjithë këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona???



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora