E shtune, 27.04.2024, 07:53 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Don Kishoti ynë

E marte, 11.05.2010, 09:57 PM


Reshat Kripa

 

Don Kishoti ynë

 

            Isha ulur në divan dhe po lexoja diçka. Dëgjoj zilen e telefonit të tingëllojë. Ngrita receptorin dhe ndieva një zë të njohur, që e kisha dëgjuar aq shpesh në ekranet e televizorëve:

            - Jam...- dhe përmendi emrin e kryetarit të një partie të madhe. – Ju ftoj nesër mbrëma në mitingun e madh...

            E mbylla receptorin dhe fillova të mendoj me vete: 

“Sa i  marrë qenke! A mund të të besoj unë ty?”

Para syve më doli ky person gjatë këtyre njëzet viteve. E pashë në ditët e fundit të diktaturës duke folur me patetizëm për nevojën e mendimit të lirë, për hapjen e burgjeve politike, për përmbysjen e sistemit totalitar. Unë, ish i burgosuri politikë, shikoja në figurën e tij të riun idealist, të mbrujtur me idealet e lirisë. Shikoja çlirimtarin.

Pas përmbysjes së madhe e pashë përsëri të rreshtuar në rradhët e para të partisë që pretendonte se kishte përmbysur sistemin, madje anatemonte deri në vdekje ish të përmbysurit. Në figurën e tij shikoja një hero që papritur kishte mbirë nga dheu, një ante, bir të tokës mëmë, që i dilte zot këtij vendi. Të gjitha këto bënë që të harroja se ky hero ishte biri i një njeriu që pa kundërshtuar fare hidhte firmën për pushkatimin e “armiqve të popullit”, që braktiste pa hezituar gruan dhe fëmijën, që lahesh nudo plazheve të Europës, për më tepër që ishte edhe homoseksual, gjë që ia vuri në dukje një gazetar disa vite më vonë, në një emision televiziv.

Nuk kaloi shumë kohë dhe heroi u zhduk. Flitej se pati kontradikta me udheheqjen e partisë së tij. Mori rrugët e Europës. Për një farë kohe nuk u ndie zëri i tij. Atëherë m’u duk si një flluskë sapuni. Por nuk ishte kështu. Erdhi dita kur udhëheqësi i partisë që ai e anatemoi, e ftoi dhe e bëri ministër. Shqipëria në botën e çudirave, (Ju lutem mos e ngatërroni me librin për fëmijë të Lewis Carolle, ku personazhet nuk ishin gjë tjetër veçse një palë letra bixhozi). Shkallët e karrierës nuk kanë të sosur. Nuk vonoi shumë dhe heroi na u bë Kryetar Bashkie.

Oreksi vjen duke ngrënë, thotë një proverb i njohur. Kjo i ndodhi edhe heroit tonë. Tani synonte majat më të larta. Po si? Më parë duhet fituar partia. Papritur dhe pakujtuar na doli në krye të saj. Euforia e tij kishte verbuar edhe ata që deri më dje i kishte patur kundërshtarë. Edhe ata verbërisht filluan të betohen për kokën e tij. Madje për këtë u habitën edhe antarë të tjerë ta asaj partie. Atëhere shigjetat e tij u drejtuan kundër ish udhëheqësit që e bëri ministër dhe Kryetar Bashkie. Nuk la më mal balte pa hedhur mbi të. Edhe mbi ish diktatorin e përmbysur në vitet e fundit të shekullit nuk kishte hedhur aq baltë.

Nga një herë njeriu bënë disa paralelizma. Një e tillë m’u kujtua edhe mua në ato çaste. Më doli parasysh figura e diktatorit fashist. Edhe ai në vitet e rinisë ishte një antar aktiv i partisë që pretendonte se ishte parti e popullit, parti e vegjelisë. Ai kishte arritur të ngrinte disa shkallë në karrierën e tij. Por nuk ishte i kënaqur. Puna arriti deri aty sa të shkëputej prej saj dhe të krijonte nja parti të re që do t’i kundërvihej me gjithë egërsinë e saj partisë mëmë. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe heroi ynë.

Kështu ky mik nga një hero u  shndërrua në një Don Kishot që luftonte me mullinjtë e erës. Por ndërsa Don Kishoti i Servantesit kishte si ndjekës vetëm një Sanço Pançë të mjerë, Don Kishotin tonë e ndiqnin nga prapa një lukuni langojsh që grindeshin se kush do të përfitonte kockën më të madhe dhe kjo turmë çirrej,  deri  sa  iu  ngjir  zëri, për udheheqësin e tyre të ri.

            Thirrjet histerike filluan të dëgjohen ngado. Dirigjent i tyre natyrisht ishte Don Kishoti.  Një herë thërrisnin: Duam votat tona, një herë tjetër: Të hapen kutitë! Një herë: Duam drita, një herë tjetër: Duam bukë! Dhe kështu vazhdonin për çdo ditë. Si e panë që edhe nga kjo nuk doli gjë ndërruan taktikë. Vendosën të bëjnë një grevë urije. M’u kujtuan vargjet e një poeti të kohës së përmbysur. Duke perifrazuar me to do të shkruaja:

 

                                                Do bëjmë grevë de more de,

                                                Lumthi ti popull mezi na ke!

 

Kështu na u ulën një ditë të bukur me diell nja dyqind petrita të mbyllur në disa çadra, që nuk e di se si u ndodhën në mes të bulevardit dhe të veshur me disa bluza të kuqe me nga një zhgabë në mes që dhe ato nuk e di se kur u qepën, pasi ata e paskan vendosur një gjë të tillë vetëm disa orë më parë.

E po këto kujtimet nuk m’u ndakan sot. Më kthejnë gati shtëdhjetë vite më parë, në ato vite të zjarrta si sot, kur mblidheshim për të themeluar partinë tonë mëmë, por që na u bë njerkë. Edhe atëherë ishim dyqind petrita, dyqind trima me fletë që krijuam partinë e popullit, atë parti që do të bëhej udhërrëfyesja e ndritur e Don Kishotëve të sotëm.

Por, ç’e do, nuk na lenë rehat edhe këta ndërkombëtarët? Seç na bëjnë disa deklarata që neve nuk na vinë për shtat. Jo drejtojuni Gjykatës Kushtetuese, jo Komisionit të Venecias. Jo diskutimet  i bëni në institucionet, jo gjeni rrugën e bashkëpunimit. A nuk e dinë ata se ne jemi kalitur me mësimet e shokt E... oh, më falni, zotit Don Kishot!

Mirpo ku lëshon pe ky Don Kishoti ynë? Dhe vërshojnë protestat e njëpasnjëshme. Bllokohen rrugët, dëgjohen thirrje si në kohën e luftës çlirimtare: Ja vdekje, ja liri dhe po të vazhdohet më gjatë nuk dihet se si do të përfundojë. Po shteti? Deri tani është në pritje. Të kujt? Mos vallë duhet pritur deri sa të pëlcasë si para trembëdhjetë vjetësh, në atë vit të zi? Njerëzit duan të jetojnë të qetë. Duan të lëvizin të qetë. Bulevardet dhe rrugët janë për të gjithë. Të gjithë kanë të drejtë të qarkullojnë nëpër to. Atëhere kush i dha të drejtë një pjese t’i bllokojë dhe të mos lejojë qarkullimin e të tjerëve?

Don Kishotit tonë i ka lindur idea të bëhet i pari i këtij vendi. Mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë! Kjo më kujton një fabulë që më ka treguar një miku im:

U mblodhën të gjitha kafshët e botës për të zgjedhur mbretin e tyre. Rivaliteti ishte i madh. Konkuronte luani dhe tigri, pantera dhe hiena, ujku dhe çakalli. Një gjë e tillë ra në kundërshtim të kafshëve barngrënëse.  Me zgjuarsinë e tyre ato arritën të venë mbret gomarin dhe kryeministër luanin.

Vitet kalonin. Gomari sa kalonte koha aq më tepër i ngrinte veshët. Gjendja e kafshëve sa vente dhe keqësohej. Ngrihen ato dhe i ankohen luanit:

- O luan, sa do të na lesh në këtë gjendje?

Luani  përgjigjet:

- Unë vërtet jam kryeminstër, por mbret është gomari.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora