E diele, 28.04.2024, 04:40 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Shkallët e ferrit (VI)

E diele, 16.05.2010, 09:57 PM


RESHAT KRIPA

 

SHKALLËT E FERRIT

 

Roman

                         KREU     I     DYTË

 

                                                     FURTUNA

 

                           I

 

            Ora kishte kaluar dy pas mesit të natës. Një trokitje e fortë u dëgjua në portë. Nënë  Gjyla u ngrit dhe ashtu e përgjumur u afrua duke pëshpëritur me vete:

            - Kush do të jetë ky i uruar që na shqetëson në këtë orë?

            Nuk kishin më shumë se dy orë që kishin rënë dhe ishin në gjumin e parë, një gjumë i rëndë si vdekja. Megjithatë trokitja ishte aq e fortë sa u zgjuan të gjithë, Madje edhe gjitonët për karshi dolën te porta.

            - Kush është? - pyeti nënë Gjyla.

            - Policia Popullore, - ishte përgjigja.

            Nënë Gjyla hapi portën. Brenda hynë operativ Ilia dhe tre policë.

            - Kërkojmë Agron Canajn.

            Ndërkohë Agroni ishte veshur dhe po bëhej gati për të dalë.

            - Agron… ç’kërkojnë këta. – tha Lumturia që dëgjoi fjalët e fundit.

            - Mos u trondit. Është akti i fundit i komedisë së tyre. Amanet Iridën dhe nënën. Bëhu e fortë.

Doli në koridor dhe iu drejtua Ilias:

- Ç’kërkoni? Unë jam Agron Canaj.

- Në emër të popullit jeni i arrestuar!

Një polic i hodhi prangat.

- Ku po ma çoni djalin? - thirri nënë Gjyla.

Skënderi hapi derën e dhomës  dhe kur pa Agronin të lidhur u tërhoq prapa dhe mbylli derën. Nuk guxoi të dalë. Irida që kishte ndier zhurmën, doli përjashta dhe iu hodh në qafë të atit duke thërritur:

            - Babi! Mos e merrni babin!

            - Jo, mbretëresha e babit. Do të shkoj sa për një sqarim dhe do të kthehem përsëri.

- Po pse të kanë lidhur?

- Sepse kështu jam më i  sigurt, - tha  ai  me një  ton  ironik,  duke  u  përpjekur  të fshehë tronditjen që e kishte pushtuar.

Lumturia qëndronte te dera e dhomës pa folur. Kishte ngrirë.  Zëri  nuk   i   dilte.

- Shkojmë! - foli Ilia dhe u nis i pari.

Dy policë e kapën  Agronin  për  krahu  dhe  u  nisën.  Polici  i  tretë  u  shkoi  nga prapa. Agroni ktheu kokën dhe duke dashur t’i qetësojë disi familjarët, foli:

            - Mirupafshim së shpejti!

            U zhduk në errësirën e shkallëve. Pas pak zhurma e një makine që u largua, u dëgjua në shtëpinë e tronditur.

            - Ç’qe kjo kështu? - pyeti gjitoni shumë i habitur

            - Me siguri do të jetë bërë ndonjë ngatërresë, - tha  nënë Gjyla.

- Megjithatë mos u shqetësoni! Nesër gjithçka do      sqarohet.   Qetësohuni    tani!  -   foli   përsëri gjitoni.

            U largua dhe mbylli portën. Edhe të zotët e shtëpisë u futën brenda. Skënderi hapi derën dhe duke u drejtuar drejt të pranishmëve u tha:

- Çfarë ka ndodhur?

Nënë Gjyla e pa me mospërfillje.

- Turp të kesh! -  tha -   Dole dhe u fshehe përsëri. Mos kujto se nuk të pashë? Ik, fli i qetë dhe nesër që me mëngjes nisu për  në Tiranë, ku do të ushtrosh përsëri detyrën e drejtorit, ndërsa vëllaj yt do të dergjet në burg.

I ktheu shpinën dhe u fut në dhomën e saj. Lumturia dhe Irida e ndoqën nga prapa. Skënderi mbeti në heshtje. Pas pak doli dhe e shoqja me fëmijët.

- Po kjo çfarë qe? -  pyeti ai me gjysëm zëri.

Pyetja e tij mbeti pa përgjigje.

Nënë Gjyla pyeste veten e saj se kush mund të ishte shkaku që i kishin marrë të birin.  Por askush nuk i përgjigjej. Vetëm një njeri qëndronte në heshtje dhe nuk çfaqte asnjë mendim. Kjo ishte Lumturia. Ajo e dinte të vërtetën, por nuk guxonte t’ia thonte askujt. Irida filloi të qante me ngashërim. Gëzimi i ditëlindjes ishte shndërruar në vaj. Lumturia e mori, e shtrëngoi fort në gjirin e saj dhe duke mposhtur gjendjen në të cilën ishte i tha:

            - Mos qajë drita e mamit. Më ke mua, ke nënën.

            Por   lotët  vazhdonin  t’i  rridhnin   vajzës  pa mbarim. Ishin lot të dala nga zemra e thyer e një fëmije, së cilës i kishin rrëmbyer atë që ajo e kishte si idhullin e saj, mbrojtësin e saj, frymëzuesin e  saj. Ata lot nuk mund t’i ndalonte asgjë. Vetëm një forcë mund ta bënte një gjë të tillë, por në vendin tonë ajo forcë ishte braktisur, ishte mohuar. Kjo ishte forca e Zotit, por edhe ai, siç duket, e kishte harruar këtë vend.

            Atë natë asnjë nuk mbylli sy. Të nesërmen vendosën që nënë Gjyla të shkonte dhe të kërkonte shkakun e arrestimit. Një gjë të tillë duhet ta bënte më mirë Skënderi, por ai ia mbathi që atë mëngjes së bashku me gruan dhe fëmijtë. Edhe Lumtua nuk mund të bënte gjë. Ajo ishte mpirë krejt, ishte bërë një tjetër njeri, nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Kështu që i mbeti nënë Gjylos. Ajo ishte nënë dhe fjala e nënës është më e rëndë se e kujtdo tjetër.

            U vesh dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendshme. Pyeti oficerin e rojes për të birin dhe ai i tha se do të merrte përgjigje pas disa ditësh. Kërkoi të takonte kryetarin e degës. I thanë se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, pasi ai ndodhej në Tiranë, në Ministri.

- Megjithatë, unë do të qëndroj këtu dhe do ta pres deri sa të vijë.

U ul në një bordurë betoni pranë hyrjes së degës. Një polic iu afrua dhe  i  foli  me  një zë të butë:

            -Nëno! Mos rri kot. Ai nuk vjen për disa ditë. Ka shkuar për një mbledhje në Ministri.

            Nëna e pa me vërejtje në fytyrë. Iu duk djalë i mirë.

            - A ke nënë, o bir?

- Po moj nënë dhe ajo të ngjan ty. Gjithë ditën rri në dritare dhe  pret    kthehem unë, sepse kjo puna jonë ka edhe rreziqe.

            - A e sheh? Nënat janë  krijuar  për    vuajtur tërë jetën nga meraku për bijtë e tyre. Zemra ime është bërë copë. Më rrëmbyen djalin më të mirë si ndonjë kriminel. Biri im është i pafajshëm.

            - Mos ki merak nëno, po qe i  tillë,  me  siguri do të dalë së shpejti.

            - Falemnderit, mor bir, për fjalët e mira!

            U ngrit dhe filloi të largohej duke u menduar. Në çast i shkrepi në  mendje    shkonte në Komitetin e Partisë, të takonte sekretarin e parë, të cilin  e  njihte.  Ishte  një  burrë  rreth  të pesëdhjetave, një partizan që kishte luftuar në batalionin e komanduar nga i shoqi. Mendoi se një gjë e tillë do ta ndihmonte. Shkoi atje dhe i paraqiti kërkesën dezhurnit që ishte te porta. Ai mbajti shënim emrin dhe foli me dikë në telefon. Nëna vuri re se kishte diçka që nuk shkonte në atë bisedë. Dezhurni u ngrit, mbylli xhamin e sportelit që të mos dëgjonte nëna dhe si mbaroi  tha :

            - Nuk është këtu. Ka shkuar me shërbim.

            - Si nuk është këtu? Të gjithë paskan ikur nga ky qytet? Kush qeveris atëherë?

            - Unë kaq di t’u them.

Nëna u largua dhe u ul në një bar kafe aty pranë, prej nga  shihej  hyrja  e  Komitetit  të Partisë. Iu kujtua skena e shumë viteve më parë kur kishte kërkuar të takohej me Enver Hoxhën. Edhe atëhere i kishin thënë se nuk ishte. Siç duket kjo ishte një mënyrë e njohur përcjelljeje. Por vendosmëria e saj kishte bërë që ta takonte atë. Kështu do të vepronte edhe sot. Do të priste deri sa të mbaronte orari i punës që të vërtetonte nëse i kishin thënë të vërtetën.

            - Çfarë do merrni nëno? - foli kamarieri.

            - Një kafe shqeto.

            Kamarieri i solli kafen dhe ajo po e pinte me ngadalë. Ndërkohë hyri një burrë dhe meqenëse tavolinat e pakta ishin mbushur me njerëz,  iu  drejtua nënë Gjylos:

            - A mund të ulem edhe unë të pi një kafe?

            Nëna i bëri shenjë me dorë që të ulej.

            - Djalë, bëmë edhe mua një kafe, ashtu siç e di ti, - foli i porsaardhuri.

            Siç duket ai ishte një klient i rregullt i atij lokali. Të dy pinin kafet pa folur. Së fundi ai tha:

            - Nga të kemi moj shoqe?

            - Nga qyteti.

            - Të shoh shumë të mërzitur. Çfarë halli ke? Thuama mua se ndoshta mund të të ndihmojë.

            Nëna e pa me vërejtje. Kush ishte ky person që kaq shpejt ishte hapur me të? Mos ishte ndonjë provokator i dërguar nga sigurimi i shtetit?

            - Të gjithë gjykatësit e botës të mblidhen dhe nuk i zgjidhin hallet e mia, - u përgjigj më në fund.

- E përse? A ka gjë që nuk mund të zgjidhet në këtë botë?

- I tillë është halli im.

- Vallahi, nuk po të kuptojë fare. Çfarë mali të paska rënë përsipër që nuk     le të ngrihesh?

            - Është një mal aq i lartë sa nuk e kapërxej dot.

            - Mos e lësho veten, moj burrëreshë.

            - Mbrëmë mora goditjen më të rëndë.

- Çfarë goditje?

- Më rrëmbyen dritën e syve  dhe e hodhën  në skëterrë.

- Ku?

- Ju thashë, në skëterrë.

- Në burg?

- Po.

- Përse?

- Nuk e di. Për këtë jam këtu sot.

- Kush është drita e syve të tu?

- Im bir, kush tjetër.  Agroni im, Agron Canaj.

Plaku po mendohej. Ky mbiemër i kujtoi një histori të kohës së luftës.

- Canaj… Canaj… Ky mbiemër më kujton një mik të vjetër. Çfarë keni    bëni   me Bexhet  Canajn?

            Nënë Gjyla hodhi vështrimin mbi të panjohurin.

- Ka qenë im shoq.

Plaku e vështroi i habitur.

- Për besë! - tha duke i rënë ballit me dorë. – Paskam rrjedhur fare!  Si  nuk    njojta? Kanë kaluar tridhjet vjet  nga  ajo  ditë  e  zezë.  Unë jam Syrjau, ai që pruri trupat e Bexhetit dhe Sabriut.

- Syrjau? Si është e mundur? Po si qenke transformuar kështu mor i zi? 

- Po, pikërisht unë jam. A e mban mënd atë ditën e zezë   kur   solla   trupat   e  Bexhetit dhe Sabriut?  Isha djalë i ri,  i mbrujtur me ndjenjën e atdhedashurisë dhe i gatshëm të jepja  jetën për të.  Por Zoti nuk donte që unë të vritesha. Ai kërkonte më të mirët. Donte Bexhetin dhe Sabriun. Ata ishin shumë më të mirë se unë.  Fati kishte caktuar që unë të vuaja. Sa do të kisha dashur të kisha pasur fatin  e tyre. Të paktën nuk do të shikoja këtë armiqësi që është hapur midis vëllezërve të një gjaku. Më fal që po të flas kështu, por më dhemb zemra. Ajo është që i thotë këto fjalë. Kam bërë njëzet vjet burg. Shikomë mirë. Jam vetëm pesëdhjetë vjeç, por dukem si shtatëdhjetë. Burgu më katandisi në këtë gjendje.

Syrjau heshti. Nënë Gjylës iu kujtua çasti kur ai erdhi në shtëpinë e tyre, për të sjellë kufomën e të shoqit, vrarë në betejë. Ishte një djalë i ri dhe mjaft i pashëm. Kurse tani kishte para vetes një njeri të plakur para kohe, një njeri që kishte humbur gjithçka. Kush e kishte katandisur në këtë gjendje? Nënë Gjyla nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetje.

- Përse të dënuan?

- Ti e di, unë bëja pjesë në  çetën   nacionaliste.   Pas   lufte   na   rreshtuan     në anën  e humbësve dhe këtë duhej ta paguanim me jetën tonë. Kështu tim at e pushkatuan, ndërsa mua më dënuan me njëzetepesë vjet burg, nga të cilat bëra njëzet. Por le ta lemë tani këtë bisedë. Më thuaj,  përse e kanë arrestuar tët bir?

            - Ku ta di unë e mjera? E arrestuan mbrëmë. Kam ardhur të takoj sekretarin e parë. Ka qenë shokë me Bexhetin. Me siguri do të më presë dhe do të më shpjegojë gjithçka.

            - Do të doja të ishte ashtu si thua ti, por nuk e besoj.  Tashmë ju jeni shndërruar në një familje reaksionare. Pikërisht këtyre familjeve u largohen të gjithë.

            Nënë Gjyla hodhi vështrimin nga dritarja. Pa të dilte nga godina e Komitetit të Partisë sekretarin. U ngrit rrëmbimthi dhe sa hap dhe mbyll sytë i doli përpara.

- Shoku Ali, ju lutem, kam ardhur për të biseduar diçka me ju.

            - Shoqja Gjyla, më falni, por nuk mundem. Tani kam një takim të rëndësishëm, ndaj po nxitoj. Shkoni brenda dhe paraqitjani sekretarit të dytë problemin tuaj.

            - Unë mendoj  se  duhet  ta  bisedojmë  bashkë këtë problem. Ju keni  qenë  shoku 

  i  afërt  i Bexhetit dhe jo sekretari i dytë.

            - Më vjen keq, por nuk mundem.

            - Ju falemnderit për konsideratën që paskeni. Kur erdha këtu mendova se do ta gjenit pak kohë sa për të biseduar. Shokët tuaj më gënjyen, Ata më thanë se ishit me shërbim. Tani ju nuk gjeni kohë. Megjithatë, ju falemnderit përsëri. Rrini i qetë. Nuk do t’ju shqetësoj më.

Ktheu krahët duke e lënë sekretarin e parë të habitur nga kurajoja me të cilën ajo grua i kishte folur. Deri atë ditë askush nuk kishte guxuar  ta  kundërshtonte  dhe,  ja  tani,  ishte  kjo grua që ia përplaste neverinë në fytyrë. Cila ishte ajo forcë që e shtynte të bënte një veprim të tillë? Ishte zhgënjimi i papritur dhe dashuria e nënës për birin e vetë. Këtë gjë nuk ishte në gjëndje ta kuptonte sekretari i parë, një nëpunës fanatik.

            Nënë Gjyla u fut përsëri në klub dhe iu drejtua Syrjaut:

- Kishe të drejtë,  as që denjoi të bisedonim.

- Mos u mërzit. Duhet të bëhesh e fortë. Dallgë të tjera të presin.

- Mirupafshim,  po iki në hallin tim.

- Për çdo gjë që të keni nevojë, unë do të jem i gatshëm t’ju ndihmojë.

Nënë Gjyla u largua duke i  bërë një shenjë me dorë. E çfarë ndihme   mund   t’i   jepte ai i ngratë,  që nuk dinte si të  përballonte  jetën  e  vet.  Megjithatë  e  tha  fjalën  e  mirë.  Kjo tregonte shpirtin e tij. Dy pika lot i rrodhën nga sytë. Nxorri shaminë dhe i fshiu.    atë  çast besoi se e kishte humbur djalin e saj.

 

                                                                 II

 

            Qelia ku mbyllën Agronin ishte një birucë jo më e madhe se një kotec pulash. Një portë e rëndë hekuri ishte i vetmi komunikim me korridorin. Dritare nuk kishte. Qelia mund të ajrosej nga  hapësira që linte porta  në fund të saj, rreth një gisht, prej nga hynte dhe një rreze drite. Kur hyri Agroni dera u mbyll dhe ai mbeti në errësirë. Nuk shihte asgjë. Filloi të ecte me ngadalë si një i përgjumur. U përplas pas një muri. Bëri dy hapa djathtas dhe ndeshi në mur. U kthye prapa dhe përsëri mur. Nga kjo kuptoi se qelia e tij nuk duhej të ishte më e madhe se 2 X 1,5.  Ndjeu një erë të rëndë t’i shponte hundët. Ishte erë myshku, përzier me atë të amoniakut. Mirë era e myshkut se vinte nga lagështira, po era e amoniakut ç’kërkonte atje? Me siguri duhet të kishte urinuar dikush. Ndoshta ndonjë fatkeq tjetër si ai. Po përse? Vallë nuk i nxirrnin për të shkuar në nevojtore? Kërkoi ndonjë vend për t’u ulur, por nuk gjeti. U mbështet pas murit dhe po priste. Pak nga pak filloi të dallojë konturet e qelisë. Ishte aq sa e kishte parashikuar. Nuk kishte asgjë brenda, as shtrat dhe as ndonjë karrike për t’u ulur të paktën. Ishin vetëm dy sofate betoni në cepat e qelisë, që nuk kishte mundur t’i shikonte më parë. U ul në njërin prej tyre dhe filloi të mendonte:

            “ Me siguri mbyllja në këtë qeli është bërë me qëllim që të më paralajmërojnë për pasojat.  Ata duan që unë të denoncoj shokët e mi. Ky është një lloj presioni. Mbahu Agron! Burrëria jote këtu do të duket. Do të kërkoj takim me kryetarin dhe do t’i kërkoj shkakun e këtij trajtimi. Edhe sikur të isha fajtor, duhej të më dënonin aq sa meritoja dhe nuk duhej të më trajtonin kështu. Ky është barbarizëm. Vetëm në burgjet naziste trajtoheshin njerëzit në këtë mënyrë. “   

            Ju kujtua mbrëmja e kaluar. Ishte një mbrëmje gëzimi. Ditëlindja e Iridës ua kishte ngazëlluar zemrën. Mos ishte ky gëzim që e vrau? Jo, jo nuk kishte mundësi. Si mund ta vriste gëzimi i vajzës së tij të vetme? Iu kujtuan fjalët e së bijës në çastin e arrestimit:

            - Babi, pse të kanë lidhur? Mos e merrni babin!

            Ndjeu një dhimbje në shpirt. A do të ishte e zonja Irida të përballonte këtë goditje? Si do ta trajtonin në shkollë? Mos vallë do ta diskriminonin? Një gjë e tillë i therrte në zemër. Kur mendonte pasojat që mund të kishte ajo, e ndiente zemrën ta lëshonte. Nëna, a do e duronte dot këtë dhimbje? Ajo vuante nga tensioni i lartë i gjakut. Agroni i druhej ndonjë hemoragjie cerebrale. Po Lumturia si do t’i bënte ballë gjëndjes? Si do të rronin vetëm me rrogën e saj dhe pensionin e nënës? Tri femra pa asnjë përkrahje. Të gjitha këto mendime silleshin rrotull në kokën e tij. Nuk ishte i zoti t’u jepte përgjigje. Në atë gjendje mjerane në të cilën ndodhej, më tepër e shqetësonte e ardhmja e të dashurve të tij. Së fundi e mblodhi  dhe i tha vetes:

- Rri i qetë! Tani duhet të mendosh  se  si  duhet  vepruar.  Duhet   ta  peshosh  mirë çdo përgjigje. Hetuesit janë mjeshtra në profesionin e tyre.  Ata  t’i  nxjerrin fjalët me çengel. Duhet kujdes me ta. Pasi të kalojmë këtë lumë, shohim e bëjmë pastaj.

Këto fjalë sikur e qetësuan shpirtin e tij. Filloi t’i shihte gjërat me një sy më realist. Në fund të fundit do të kalonte edhe kjo dhe çdo gjë do të rregullohej.  Ai  ishte  i  pafajshëm  dhe nuk kishte pse të trembej.  Dëgjoi çelsat që vringëllinë në portë. Hyri Myfiti, roja i qelive.

            - Eja të kryesh nevojat personale, - i tha me një zë të thatë dhe monoton.

Nevojtorja ishte aty pranë, në  fund    korridorit.  Brenda  saj  ishte  edhe  një  çezmë. Agroni kreu nevojat dhe doli.

- Ku është lavamani? - pyeti.

Myfiti qeshi me të madhe

- Dashke edhe lavaman  zotrote! – tha me një     tallës, -   Mos   do   edhe   ujë   të ngrohtë?  Lahu  te  çezma në nevojtore.  

            Hyri përsëri, lau duart dhe u hodhi edhe syve disa grushte me ujë. Pastaj nxori shaminë e dorës dhe u fshi. Kur hyri në qeli, i tha rojes:

            - Dua të takoj kryetarin e degës.

            Ai nuk iu përgjigj, por i përplasi portën në turi. Priti sa i erdhën sytë dhe filloi të vinte rrotull qelisë duke u menduar. Mendimet janë e vetmja pasuri që ka njeriu në të tilla raste. Trurit, i burgosur dhe ai sikurse i zoti, nuk i mbetej gjë tjetër veçse të mendonte. Mendimet këmbeheshin me njëri-tjetrin. Fillonin nga qelia, vazhdonin te familja dhe përfundonin te qendra e punës. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani. Kush do të ishte fundi? Arsyeja nuk pranonte dënimin, por a do të triumfonte drejtësia? Kësaj pyetje nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Cila drejtësi? Ai ende rrekej t’i mbushte mendjen vetes se ka ende shpresë edhe pse zhgënjimi po e bluante përbrenda.

            Hodhi vështrimin në muret. Me vështirësi dalloi shkrime të ndryshme. Lexoi disa emra njerëzish. Me siguri ishin të atyre që kishin qenë më parë aty. Kishte shumë psherëtima të dhimbshme, por edhe disa të shkruara nga njerëz që nuk i kishte mposhtur qelia. Në to binte në sy besimi i tyre për të ardhmen. Në atë kohë iu kujtuan vargjet e Dantes nga “ Komedia Hyjnore “:

                                    Këndej kalohet në qytet të mjerimit,

                                    Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi,

                                    Këndej kalohet në shpirtrat humbun shqimit.

 

                        Para meje gja tjetër s’u krijue,

                                    Veçse e përjetshme - e unë qëndroj për jetë,

                                    O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!

Këto vargje i ngjallën një ndjenjë pesimizmi. Mos vallë ishte me të vërtetë fundi? U ul në njërin nga sofatet, futi kokën midis duarve dhe as ai nuk e dinte se ku i fluturonte mendja. Ajo kishte marrë arratinë.  Por shpejt u përmend

-          Mbahu burrë! – i tha vetes. - Kaq shpejt  e lëshove veten  dhe  re  kaq  poshtë?

Duhet guxim. Duhet gjakftohtësi.

 S’e kishte idenë sa kohë kishte kaluar, kur porta u hap përsëri.  Roja solli një  tas  balte me  një lëng, që s’e mori vesh ç’ishte, një lugë alumini dhe një copë të vogël buke të zezë.

            - Kujdes, mos thyesh tasin! -  i tha roja.

            - Dua të takoj kryetarin!

            Porta u mbyll përsëri pa përgjigje.

- Edhe unë kujt i drejtohem për një gjë të tillë! - tha  Agroni. -  Ky  është  bishti   i kavallit. Kur të më thërrasë hetuesi, do t’i kërkoj takimin.

            Mori tasin dhe i mori erë.  Ndjeu një erë qepe të zier.  Mbushi lugën dhe e futi në gojë. Ndjeu neveri. Copra qepe dhe disa kokrra orizi të përziera me ujë dhe shumë kripë. Kjo ishte ajo që përmbante tasi. Mendoi ta derdhte, por nuk dinte se ku. E la në një qoshe të qelisë. Filloi përsëri të lëvizë. Kur e ndjeu veten të lodhur, u ul në sofat dhe u mbështet pas murit.

- Përse nuk po më thërrasin?

Ky mendim i vinte vërdallë në kokë. Ca nga lodhja, ca nga dobësia e zuri gjumi.  Porta u hap dhe përjashta pa Iridën që thërriste duke qarë:

            - Babi, ndihmomë! Mos më lerë babi!

 

            Një roje e tërhiqte zvarrë.  Papritur roja u shndërrua në një përbindësh të tmerrshëm që, duke qeshur me një zë sarkastik, thoshte:

            -  Sot kemi një drekë të shkëlqyer!

            - Mos kriminel! Lëshoje! - thërriste Agroni, por nuk mundte të lëvizte. Ishte lidhur me  pranga të rënda. Hapi sytë mjaft i tronditur. Nuk pa asgjë veç errësirës së qelisë. Ç’u bë Irida? Mos e rrëmbeu përbindëshi? U kujtua se kishte parë ëndërr. Ndjeu frikë. Filloi të dridhej. Ndoshta nga ëndrra ose ndoshta nga ftohtësia e qelisë. Sapo ishte zgjuar ashtu i ulur në atë sofat betoni dhe mbështetur pas murit.  Ndjeu  se zorrët po hidhnin valle.  E  kishte marrë uria. Mori përsëri tasin dhe rrufisi një lugë tjetër. Ndjeu t’i përziej. I vinte për të vjellë. La tasin, mori copën e bukës dhe filloi ta kafshojë me ngadalë. Kur e mbaroi, ndjeu sikur u lehtësua.

            Dikur i erdhi për të urinuar. Nuk e dinte se kur do ta lejonin për të shkuar në nevojtore. Madje nuk dinte nëse ishte ditë apo natë. Atje ishte një errësirë e përhershme. Në errësirë njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot  sa kohë ka kaluar. Agronit i dukej sikur kishte kaluar një shekull. Urina po e shtrëngonte së tepërmi. Nuk e mbante dot më. Trokiti me forcë në portë. Asnjë përgjigje. Trokiti për së dyti. Porta u hap dhe u duk roja.

            - Çfarë do ore ? - tha me një zë të ashpër.

            - Dua të urinojë. Shpjermëni në nevojtore!

            - Bëje aty ku je. Ka orar për atë punë.

            Porta u mbyll përsëri..

            Agroni trokiti më me forcë. Porta u hap dhe roja foli me një ton kërcënues:

            - Mos do të lidhë me hekura për muri?

            Agroni pa muret me kujdes. Në atë përballë portës pa katër ganxha të ngulura në të.

- Me siguri ato shërbejnë për të kryqëzuar njeriun, - tha me vete.

            I vështroi më me kujdes.  Dy ishin sipër dhe dy të tjerat poshtë. Me siguri në të sipërmet lidheshin duart, ndërsa në të poshtmet këmbët. Në disa filma me subjekt nga epoka e mesjetës kishte parë dhoma të tilla torture. I lidhnin kundërshtarët dhe i qëllonin me kamzhik. Mos do t’ia bënin edhe atij ashtu?

            Ndërkaq urina e kishte shtrënguar së  tepërmi. Disa pika i ranë në pantallona. U detyrua të shkonte në qoshen e qelisë dhe të pshurte. E ndjeu veten më të lehtësuar. Shkoi dhe u ul përsëri në sofatin e zakonshëm. Papritur një dritë verbuese vezulloi në qeli. Agroni zuri sytë me duar. Nuk mund të shikonte  gjithë atë dritë.  Hapi ngadalë një gisht, por drita verbuese e detyroi ta mbyllte  Nuk guxonte më të hapte gishtrinjtë për të parë. Provoi përsëri, por  përsëri gati u verbua. Qëndroi ashtu me duart para syve. pasi kaloi një kohë e gjatë, provoi përsëri. Drita sikur ishte ndezur, për të mos u shuar kurrë. Ndjeu një farë nxehtësie që vinte nga lart.

- Me  siguri   duhet      jetë   ndonjë  prozhektor  i  fuqishëm  mbi  kokën  time, -  mendoi.

Sa ndenji në atë mënyrë, as ai nuk e kuptoi. Kur më në fund hapi gishtrinjtë, pa se drita ishte shuar. Ju duk se ndjeu një farë shlodhjeje.

            - Më mirë në errësirë se në dritë. - tha me vete.

I çuditshëm  ky gjykimi  tij.  Ai, njeriu që gjithë jetës kishte punuar për t’u dhënë  dritë të tjerëve, tani kërkonte errësirën. Kjo ishte shpëtimi, ishte qetësia e tij. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend që ai, njeriu i dritës, do të bëhej mik i errësirës. Ngriti sytë në tavan. Atje dalloi një prozhektor që nuk e kishte vënë re më parë.

Porta u hap  dhe roja solli tasin me gjellë  dhe  bukën.  Si  mori  atë  që kishte sjellë më parë, u largua. Agroni e mori tasin dhe filloi të vështroj se çfarë kishte brenda. Mbushi lugën dhe e provoi. Ju duk si shije fasulesh. Nuk ishte aq e pështirë sa e para, madje iu duk disi e shijshme. Filloi    hante  me  ngadalë  deri  sa  e  mbaroi    gjithën.  Pas   një   çasti   filloi    qajë.  Ngashërimi e mposhti. Qysh ishte katandisur të hante atë gjellë që as qentë nuk do ta pëlqenin? Kripa e saj i dha një etje të madhe. Trokiti në portë, por në atë çast u ndez përsëri  prozhektori. Mbylli sytë me duar dhe u  ul    sofat.  Nuk  dinte  çfarë    bënte.    njërën  anë drita verbuese dhe në  anën  tjetër  etja  e  tmerrshme.  Dy  torturat  më mesjetare që po provonte ende  pa filluar hetuesia. Kështu vazhdoi dhe as ai nuk e dinte se sa. Prozhektori ndizu dhe shuaju, gjella me shumë kripë dhe etja e padurueshme, nevoja për të urinuar dhe urinimi në qeli, fjetja pothuajse më këmbë dhe të ftohtit pas saj. Këto ishin torturat fillestare që provoi Agroni ato ditë.

 

                                                                  III

 

            Stefani u nis në punë si zakonisht. Po bëhëj gati për t’u nisur me shërbim në një sektor ku ngrihej një linjë e tensionit të lartë, kur mbërriti Ylli, një shoku i tij.

            - Kanë arrestuar Agronin, - i tha me një zë të ulët dhe të dridhur.

            - Çfarë?

- Ju thashë, kanë arrestuar Agronin. E arrestuan mbrëmë.

- Përse e akuzojnë?

- Armik i popullit

Lajmi e goditi Stefanin si rrufe në    kthjellët edhe pse  e  priste. Po realizohej  skenari që kishte kohë që përgatitej.     këtë  skenar  ai  kishte   rolin  e   tij   dhe shpejt apo vonë do të dilte në skenë. Duhej biseduar sa më parë me Gjergjin. Edhe ai ishte pjesëtar i këtij skenari. U kthye në zyrë dhe mori në telefon kantjerin ku punonte ai. I thanë se nuk ishte atje. Si të bënte? As  vetë nuk e dinte.  Si e peshoi mirë e mirë, vendosi të shkonte në punë. Nuk duhej të jepte shenja se ishte tronditur nga një lajm i tillë. Pastaj në pasdite do gjente mënyrën dhe do ta bisedonte me Gjergjin.

            Dita iu duk shumë e gjatë. Nuk kishte të mbaruar.  Mendime     ndryshme  i  silleshin rrotull. Si do të qëndronte Agroni në hetuesi? A do të rezistonte dot, apo do të zbërthehej?  Në fund të fundit, çfarë mund të thoshte? Ata asnjëherë nuk kishin biseduar ndonjë  gjë    mund t’i kompromentonte. Nuk kishte pse të kishte frikë. Kur nuk kishte bërë gjë, përse të trembej? Mirpo edhe Agroni nuk kishte bërë gjë, megjithatë ishte arrestuar. Mbi ç’bazë ishte bërë një gjë e tillë? A mund të arrestohej njeriu pa bërë gjë? Kjo ishte absurde. Megjithatë ishte e vërtetë. Tashmë ajo kishte ndodhur. Pse të mos i ndodhte edhe atij? Jetonin në kohën e absurdit. Këto mendime vinin vërdallë në mendjen e tij të çoroditur.

Me këto mendime në kokë mbaroi dita e punës. U kthye në dhomë. Gjergji nuk  kishte ardhur akoma. Nuk qëndronte dot në një vend. Doli përjashta dhe shkoi  te  një kafe ku zakonisht rrinin të dy së bashku. Gjergji nuk ishte as atje.

“ Mos e kanë arrestuar edhe atë? “ mendoi për një çast.

Vështronte rreth e rrotull dhe i dukej sikur të gjithë e shikonin. Në fytyrën  e  çdonjërit që kalonte, ai shikonte një punonjës të sigurimit të shtetit, të gatshëm për të ndërhyrë  dhe  për ta arrestuar. Së fundi pa Gjergjin me një grumbull shokësh.

            - Gjergji, ku ishe? Kam kohë që po të kërkoj.

            - Ç’është ajo pyetje?  Ja  ku  jam  i  tëri  dhe  i  bëri.

            - Eja shkojmë në dhomë se kam për të treguar diçka.

            Gjergji u nda me shokët dhe të dy u nisën.

            - Kanë arrestuar Agronin.

            - Përse?

            - E zakonshmja, armik i popullit

            - E pse je kaq i alarmuar?

            - Si të mos jem, a nuk ishte shoku ynë më i ngushtë?

- Po pastaj? Ne nuk kemi biseduar ndonjë gjë që mund të na implikojë. Nuk  e  di se përse e kanë akuzuar, por me siguri nuk ka lidhje me ne.

            Naiviteti i Gjergjit ishte fare i dukshëm. Stefani e kuptonte këtë, por nuk donte t’ia vinte në dukje se nuk ishte çasti. Ndërkohë kishin mbërritur në dhomën e tyre.

            - Dëgjo Gjergji! - i tha. - Puna nuk është kaq e thjeshtë. Sot ka shumë raste kur të pafajshëm e paguajnë për të tjerët. Edhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ti i di akuzat që na janë bërë. Për këto na ka folur vetë Agroni. Harrove sa herë e kanë thirrur para se ta arrestonin? Tani varet nga ai se si do të reagojë.

            Këto fjalë e vunë në mendime Gjergjin. Naiviteti i tij kishte filluar të lëkundej. Krimbi i dyshimit kishte filluar të brente ndërgjegjen e tij. Filloi të ndjente frikën e arrestimit të shpejtë.  Mos duhej të paguante për gjyshin e arratisur para tridhjetë vjetësh dhe që tani nuk jetonte më?

            - Çfarë të bëjmë.  Si mendon? A t’i shkruajmë Nardit? – tha Gjergji.

            Nardi    ishte    kushëriri     tyre      i   kishte ndihmuar të vazhdonin arsimin e lartë.

- Jo, nuk mund ta rëndojmë më tepër. Pastaj ai Nuk është      atë  pozitë    ishte  dhe  për  këtë shkaktarët jemi ne. Përkrahja për ne i kushtoi  humbjen  e  vendit    kishte. Duhet të mendojmë ndonjë zgjidhje tjetër.

            - Çfarë zgjidhje?

- Të tentojmë të arratisemi? Ne kemi një sektor     tensionit      lartë  te Tri Urat. Shkojmë atje gjoja për të kontrolluar linjat dhe shikojmë mundësinë e arratisjes. Prej andej kufiri është fare afër.

            - As mos e shko ndër mend. Kam dy prindër që po i afrohen moshës    pleqërisë  dhe që presin vetëm nga krahët e mi. Nëna nuk ka punuar  kurrë,  ndërsa  babaj  merr  një  pension minimal që kursesi nuk i mjafton për të jetuar. Ti e di, unë jam fëmija i vetëm  i  tyre. A mund t’i braktis në atë gjendje që janë?

            Stefani i dha të drejtë. Një gjë e tillë ishte e pamundur  të realizohej. Duhej gjetur një zgjidhje tjetër.

            - Duhet të shkojmë te Lumturia, -  tha ai.

            - Mos na rëndon më tepër një veprim i tillë?

- Është në nderin tonë ta  bëjmë  këtë  veprim.

Ne kemi  qënë  shokët  e   tij      mirë. Harrove, ne ishim të ftuarit e  vetëm    ditëlindjen  e  vajzës.  Ajo  ka  nevojë  për mbështetjen tonë. Duhet t’ia japim atë. Të dalë ku të dalë. Sido      veprojmë  tani,  ne nuk e ndalojmë dot atë që do të ndodhë.

            - Ke të drejtë, shkojmë.

Ishte errësuar. Ora po shkonte nëntë e mbrëmjes.    U    nisën   dhe   arritën      shtëpinë   e Agronit në kohën që prej andej po dilnin një  çift  i  ri që nuk e njihnin. Lumturia sa i pa filloi të lotojë.  Nënë Gjyla qëndronte si një kërcure    një  qoshe,  ndërsa Irida i derdhte lotët si rrjedha e një lumi.

- Çfarë bëni kështu? Në fund të fundit burgu për burrat është.

- Për burrat është, mor bir, - foli nënë Gjyla, - po përse fati    na  dënojë  vetëm ne? Nuk mjaftoi që na mori  shtyllën e shtëpisë, por do të vazhdojë të na marrë edhe të tjerë. Deri kur kështu?

- Jo, nëno! Kjo botë kështu është ndërtuar. I fortë është ai që di t’i bëjë ballë.

            Fjalët e Stefanit sikur i qetësuan zemrat e tyre. Lotët pushuan dhe ata filluan të diskutojnë.

            - Kam bredhur shumë këto dy ditë, - tha nënë Gjyla - Kërkova të takoja  disa    i quaja miq të familjes. Nuk doja të kërkoja mëshirë prej tyre. Doja vetëm të dija shkakun e arrestimit. Por ata nuk denjuan të më prisnin. Ma përplasën portën në fytyrë, sikur të isha një fundërinë dhe jo gruaja e një njeriu të nderuar që dha jetën për këtë vend. Po, po burri im dha jetën për këtë vend.  Kjo nuk më pëlqeu

            Irida rrinte dhe dëgjonte bisedën që zhvillohej. Gjurmët e lotëve dalloheshin në fytyrën e saj të bukur. Nuk po qante më, por Stefani vuri re një dhimbje të thellë në shpirtin e saj.

            - Irida, eja te xhaxhi!

            Ajo u afrua, e përqafoj fort njësoj sikur do kishte përqafuar të atin dhe filloi të qajë përsëri.

            - Mjaft qave se    prishet  bukuria.  Ty    ka xhaxhi të fortë. Tani je e rritur. Shiko sa mirë mbahen nëna dhe mami. Bëhu burrëreshë.

            - Ke të  drejtë  xhaxhi, -  tha  vogëlushja  duke fshirë lotët. - Unë do të jem shembull edhe për nënën dhe  mamin.

            Pastaj, duke u drejtuar nga ato, u tha:

            - Nënë, mami mos qani! Të treja do të dimë t’i bëjmë ballë kësaj gjendje.

            Puthi gjyshen dhe pastaj përqafoi të ëmën.

            - Trimëresha e mamit - tha Lumturia

            - Të lumtë bijë! Ke trashëguar karakterin e tyt eti - vazhdoi nënë Gjylua.

            - A ke vajtur në shkollë? - e pyeti Gjergji.

            - Sot jo, por nesër do të shkoj. Do të mësoj edhe më shumë për t’u  thyer  hundët  atyre që u është rritur pak si tepër.

            - Të lumtë, të lumtë! - e përkëdheli Stefani

            Kështu vazhduan deri afër mesnatës. Kur u ngritën për të ikur, Lumturia i përcolli deri te porta.

            - Kush ishte ai çifti që pamë të dilte kur erdhëm ne? - pyeti Stefani.

            - Janë dy arsimtarë të shkollës tonë. Erdhën gjoja për të më dhënë kurajo, por unë nuk kam besim tek ata. U besoj aq sa gjarpërit në gji.

            - Lumto, ruaju nga provokatorët. Mos u çudit kur të dëgjosh se ai fat na pret edhe ne. Po e presim.

            - Nuk e besoj.

            - Ndonjë ditë të kremte kemi prapa vetes.

            U ndanë në heshtje. Secili mendonte për të ardhmen që e priste.

 

                             IV

 

            Vringëllima e çelsave dhe zhurma e llozit që hapej u dëgjua në qelinë ku ishte mbyllur Agroni. Porta u hap dhe para tij u çfaq një roje që nuk e kishte parë ndonjë herë.

            - Më quajnë Isuf. Tani e tutje do kesh të bëshë me mua. Eja! - i tha.

            I vendosi prangat në duar dhe duke e kapur për krahu e shoqëroi në një zyrë që ndodhej në katin e dytë.  Ishte zyra e hetues Demirit. Mbi tryezë ishte një kalendar. Agroni vuri re se ai shënonte datën 10 nëntor. Sipas llogarisë së bërë kishte pesëmbëdhjetë ditë që ishte arrestuar. Kjo kishte ndodhur në  ditëlindjen e Iridës që e kishiun kremtuar më 26 tetor. Pra, kishte pesëmbëdhjetë ditë i mbyllur në atë qeli të errët ku nuk dalloje dot nëse ishte ditë apo natë dhe ku humbisje nocionin e kohës. Në murin përballë ishte një orë që shënonte një pa një çerek. Vuri veshin nga dritarja dhe pa se ishte errësirë. Kishte kaluar mesnata.

            Ndërkohë hyri hetues Demiri dhe u ul në karriken prapa tavolinës.

            - Zgjidhe! - i tha Isufit.

            Ai i hoqi prangat dhe, pasi mori një shenjë nga hetuesi, u largua.

            - Ulu! - iu drejtua Agronit

            Ai u ul dhe po priste  ç’do të ndodhte.

            - A e di pse je arrestuar?

            - Jo.

            - Akuzohesh se je bashkuar me një grup që kërkonte të organizonte sabotime në ndërmarrje, për terrorizëm dhe për agjitacion e propagandë.

            - Kjo është fantazia juaj.

            - Të këshilloj të jesh më i sinqertë në përgjigjet. Mos e rëndo më tepër akuzën…

            - Kurse  unë  ju  deklaroj  se    gjitha  ato  që thatë nuk janë veçse pjellë e fantazisë suaj.

- Mos kujto se do na hedhësh hi syve me ato që deklaron? I pranon apo jo, ne  nuk na intereson shumë.   Kemi  prova    shumta  dhe  dëshmitarë,  të gatshëm të deponojnë përsa thashë më lart.

- Atëhere pse nuk i  paraqitni ato prova kaq të sigurta?

            - Sonte vajti vonë. Të kam thirrur vetëm të të deklaroj se akuzohe se së bashku me dy shokët e tu, Stefan  Gjokën, Gjergji Panon dhe disa shokë të tjerë, keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidroçentralit dhe pas kësaj, së bashku me familjet tuaja, do arratiseshit në Jugosllavi.  Akuzoheni se një veprim të tillë do e bënit sipas udhëzimeve që keni marrë nga KGB-ja sovjetike, në shërbim të së cilës je vënë qysh kur ishe student në Çeki.

            -  Përralla me mbret.

-  Po të le tri ditë kohë të mendohesh.    këshilloj    pranosh  akuzën,  ashtu  siç  e kanë pranuar dhe të tjerët.

            - Ndaj më mbyllët në atë qeli mesjetare, që të më detyronit të pranoja akuzat fallso?

            - Për të hedhur poshtë hamëndjen tënde, po të them se tani do qëndrosh në një qeli tjetër.

            - Dua të takoj kryetarin. Më shpini tek ai.

- Ai   është   me   shërbim.  Nuk   ka    kohë      takohet  me  ty.  Vure  mirë  ndër 

mend,    nga çasti i arrestimit je i pandehur dhe mos bilbilos aq shumë.

            I ra një zileje që  ndodhej  mbi  tryezë  dhe  në zyrë hyri Isufi.

            - Shpjere në qelinë numur shtatë.

            Isufi i hodhi prangat dhe e mori për krahu, për ta shoqëruar ku e urdhëroi hetuesi. Qelia ku e futën ishte më e madhe. Në portë kishte një dritare të vogël me hekura. Në njërën anë ishte një shtrat ku ishte vendosur një dyshek mbushur me kashtë, një jastëk  po me kashtë dhe një batanie.    një  cep  ishte   një qyp mbuluar me një copë dërrasë.

            - Po të kesh nevojë, bëje në qyp, - i tha roja, - në nevojtore shkohet një herë në ditë, në mëngjes.

            Qelia ndriçohej nga një llampatinë që shndriste në tavan. Agroni u shtri në shtrat dhe u mbulua me batanie. Edhe pas pesëmbëdhjetë ditësh që ishte arrestuar shpirti ende i ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që i kishte hedhur Demiri e shtypnin si një gur i madh që s’mund ta ngrinte dot dhe i zihej fryma. Ndjente se ndodhej para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që e kishte kaplluar bëri që t’i mbylleshin syt. Por edhe gjumi ishte i trazuar. Në ëndërr i çfaqeshin pamje rrënqethëse.

            Porta u hap dhe Isufi hyri përsëri në qeli.

            - Ngreu të kryesh nevojat personale.

            Ishte ende i përgjumur. Pesëmbëdhjetë ditë pothuajse pa gjumë dhe tani që ndodhej në shtrat, i kërkonin të ngrihej. Edhe gjumi, megjithse shumë i trazuar, paskësh qënë i ndaluar aty në qeli.

            - Falemnderit, nuk kam nevojë.

            - Më vjen keq, por po të them se më prapa nuk mund të dalësh. Prandaj të këshilloj të mos humbësh rastin.

            - Më lini të  qetë    hallin  tim  ju  lutem.  Ju thashë që nuk kam nevojë.

            - Bëj si të duash, unë të dola borxhit.

            Porta u mbyll. Agroni ra përsëri në një gjumë të thellë. Por pasi kishte kaluar një farë  kohe, porta u hap përsëri dhe u çfaq Isufi me tasin e gjellës.

            - Ngreu të hash bukë.

            Por ai donte të flinte, vetëm të flinte dhe të mos  e  zgjonte  askush.  Nuk  donte  as  bukë  dhe  as gjellë.`

-          Përse m’u qepët si monomaridhja? Ju lutem më lini të  fle  i  qetë.  Dua  vetëm

gjumë.

Isufi e kuptoi gjendjen e tij. La tasin e gjellës në qeli dhe u largua. Pas disa orësh, kur ishte ngopur me gjumë, Agroni u zgjua. Zorrët po  i bënin grevë. Pas gjithë asaj çlodhjeje nga pagjumësia, e kishte marrë uria. Sytë i vajtën te tasi i gjellës. E mori dhe në pak minuta e mbaroi të gjithë. Mendja i fluturoi larg, atje ku i dhimbte zemra, te familja e tij, te nënë Gjyla, te Lumturia dhe natyrisht te Irida. Çfarë bënin tashti? Nuk jepte dot përgjigje. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Ajo ishte një enigmë që nuk e zgjidhte dot.

            Iu kujtua biseda që kishte bërë me hetues Demirin. Ai i kishte folur për Stefanin dhe Gjergjin, për agjentura sovjetike dhe nuk e di se çfarë tjetër. Agroni kishte dëgjuar se sigurimi i shtetit përdorte lloje të ndryshme torturash për ta detyruar të burgosurin të pranonte ato që kërkonte hetuesi. Deri tani, përveç izolimit në atë qeli të errët, që ndriçohej herë pas herë nga një prozhektor i fortë dhe etjes së madhe pas ngrënies së një ushqimi me shumë kripë, nuk kishte provuar tjetër lloj torture. Kishte dëgjuar për rrymë elektrike, për vendosje vezësh të porsa ziera nën sqetull, për shpuarje me gjilpërë në thonjtë e gishtrinjve, për kryqëzim si Jezu Krishti në ganxhat e vendosura në mur, që i kishte parë në qelinë e tij dhe lloje të tjera torturash. Deri tani këto ende nuk ishin provuar mbi të. Dyshonte se në të ardhmen do të përdoreshin. Megjithatë, e kishte vendosur se nuk do të pranonte ato akuza të rrejshme edhe sikur t’ia prisnin mishin me gërshërë.

            Me këto mendime e zuri  gjumi  përsëri.  Ishte dobësuar jashtë mase dhe trupit të tij të drobitur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pushonte në gjumë, ku gjente pak qetësi, si ajo që po shijonte në ato çaste.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora